Vendos një synim të qartë, pak objektiva dhe drejto çdo mendim dhe energji për realizimin e tyre.
Nuk është e nevojshme të ngreni hipoteza dhe hamendësime të ndryshme për të parashikuar të ardhmen e dikujt. Këtë mund ta bëni fare thjesht, duke i bërë një pyetje elementare personit në fjalë: Cili është qëllimi yt i përcaktuar në jetë dhe çfarë planesh ke menduar për të arritur këtë qëllim?
Pjesa më e madhe e të anketuarve japin përgjigjen: Dua të prek suksesin dhe do mundohem deri në fund për diçka të tillë. Në pamje të parë, një përgjigje e tillë tingëllon e mirë, por nëse e analizon nga afër, do të gjeni tek këta persona thjesht njerëzit endacak të cilët nuk do të marrin asgjë nga jeta, përveç atyre gjërave që kanë lënë njerëzit e suksesshëm. Që të jeni një person i suksesshëm, ju duhet të vendosni me saktësi në këtë moment: Cili është synimi yt dhe cilat janë objektivat e tua? Veç kësaj, duhet të përcaktoni me detaje të gjitha hapat që keni ndërmend të merrni për të arritur ato.
Personat që veprojnë me një synim dhe me një plan të detajuar tërheqin gjithmonë mundësi të mira suksesi. Si mund të japë jeta diçka, nëse ti nuk e di as vetë se çfarë kërkon prej saj ? Si mund të ndihmojnë të tjerët që t’ia dalësh mbanë, nëse nuk e ke vendosur as vetë rrugën që do përshkruani ? Vetëm duke e përcaktuar qartë qëllimin tënd, do të arrini me siguri të mposhtni të gjitha vështirësitë dhe disfatat që do të dalin rrugës tuaj dhe të hapni rrugën drejt suksesit.
Suksesi është një koncept shumë i përhapur në ditët e sotme. Grumbullimi i pasurisë është vetëm një nga derivatet e suksesit. Kënaqësia që merr pas kryerjes së një projekti është një tjetër derivat i suksesit. Kënaqësia që merr vjen pas një pune të gjatë që ti e ke bërë siç duhet dhe menjëherë kupton se je duke rendur drejt qëllimit që i ke venë vetes.
Motivimi i vetvetes është përpjekja e parë në rrugën e gjatë drejt suksesit. Krijoni dhe zhvilloni një dëshirë të zjarrtë për diçka që po kërkoni të jetë e juaja, në mënyrë që të arrini një synim më të madh se ai që i ke vënë vetes. Sapo të keni krijuar këtë dëshirë të zjarrtë, atëherë do mund t’i vini vetes menjëherë një qëllim të madh, i cili do t’ju ndihmojë të kapërceni çdo pengesë që më parë ju dukej thjesht e pakalueshme. Nëse besoni se diçka është e mundur, atëherë çdo gjë është e mundur.
Vendosi vetes një objektiv të qartë në jetë. Shkruaje këtë objektiv dhe fiksojeni atë në memorie. Drejtoni çdo mendim dhe energji për realizimin e tij. Mos i lejoni pengesat kalimtare t’ju zhvendosin nga rruga e nisur.
Personi i suksesshëm e di me saktësi se çfarë dëshiron, ka gjithnjë një plan për ta arritur, beson në aftësinë e vet për ta arritur dhe i kushton një pjesë të madhe kohës së tij duke u marrë me këtë gjë. I dështuari nuk ka një qëllim të përcaktuar në jetë, beson se suksesi është rezultat i fatit dhe merr ndonjë iniciativë vetëm kur detyrohet ta bëjë diçka të tillë.
Personi i suksesshëm mendohet gjithmonë përpara se të flasë. I peshon fjalët me kujdes dhe vë theksin mbi anët pozitive të bashkëpuntorëve të tij, duke i zvogëluar mospëlqimet ose duke mos i përmendur fare ato. Personi i pasuksesshëm bën krejt të kundërtën. Ky person më parë flet, pastaj fillon dhe mendon. Fjalët e tij sjellin keqardhje, siklet dhe i kushtojnë atij probleme të pandreqshme, për shkak të fyerjes që ato shkaktojnë.
Personi i suksesshëm i shpreh mendimet vetëm pasi është siguruar që mund ta bëjë këtë me zgjuarsi. I dështuari shpreh mendime mbi çështje për të cilat ka pak ose aspak njohuri. Personi i suksesshëm i menaxhon kohën, të ardhurat dhe shpenzimet. Ai jeton brenda mundësive të veta. I dështuari e harxhon kohën dhe të ardhurat e tij pa menduar shumë, madje me një shpërfillje përbuzëse për vlerën e tyre. Personi i suksesshëm shpreh interes të thellë dhe konstant për njerëzit, veçanërisht për ata njerëz me të cilët ka diçka të përbashkët dhe kultivon lidhje miqësie me ta. I dështuari kultivon lidhje vetëm me ata, prej të cilëve është duke kërkuar diçka.
Personi i suksesshëm është mendjehapur dhe tolerant kundrejt çdo çështjeje dhe kundrejt të gjithëve. I dështuari ka mendje të mbyllur, shfaq intolerancë, cilësi, që e distancojnë atë nga ardhja e mundësive të favorshme dhe nga bashkëpunimi miqësor i të tjerëve. Personi i suksesshëm ecën me hapin e kohës dhe e ndien të rëndësishme të dijë se çfarë po ndodh, jo vetëm brenda biznesit, profesionit dhe komunitetit të tij, por kudo, në të gjithë botën. Personi i dështuar shqetësohet vetëm për nevojat e tij urgjente dhe për plotësimin e tyre me çdo mënyrë, me hir ose me pa hir.
Personi i suksesshëm e mban mendjen dhe shikimin e tij, gjatë gjithë kohës, për jetën pozitive. Ai e di se vendi që ai zë në botë dhe suksesi që gëzon varen nga cilësia dhe sasia e ndihmës që u jep të tjerëve. Personi i suksesshëm jep gjhithnjë më shumë sesa premton. I dështuari kërkon diçka pa bërë asgjë ose diçka të cilën e merr pa meritë. Dhe kur dështon ta marrë, ai fajëson lakminë e të tjerëve.
Çdo person i suksesshëm ka një sistem për të orientuar mendjen e tij, që të ushqejë subkoshiencën me synimet dhe qëllimet që ai ka dhe ta bëjë këtë kaq intensivisht, sa të mos ketë asnjë mundësi për të tërhequr ato gjëra që ai nuk i dëshiron. Teknika e këtij sistemi është e parëndësishme për sa kohë që i përçon subkoshiencës, në mënyrë të përsëritur, një përshkrim të qartë të asaj që kërkohet. Përdore subkoshiencën për të ndërtuar vetëbesimin tënd dhe ti do ta stërvitesh mendjen të të shërbejë për çdo gjë që bën.
Në këto paragrafe po listojmë disa nga cilësitë e personave të sukseshëm. Në fakt, po merremi kryesisht me personin si individ dhe objektivat e tij individuale. Jemi duke e portretizuar ‘personin e suksesshëm’ në planin e përgjithshëm, ndërsa roli i tij kur gjendet në krye të biznesit merr vlera të pallogaritshme. Rasti i Steve Jobs është rasti tipik i personit të suksesshëm dhe i liderit të papërsëritshëm në biznes dhe sjelljen e tij si njeri. Ai ishte vizionar dhe ambicioz, nxiste miqtë e tij të skuadrës dhe shpenzonte shumë kohë për të rekretuar më të mirët dhe për të punuar me më të mirët gjithashtu. Steve kujdesej për mirëqenien e çdo anëtari të organizatës dhe luftonte shumë që skuadrat e Apple të ishin kryengritëse dhe revolucionare. Jobs kishte objektiva unike, që të tjerët, konkurrentët e tij, nuk guxonin t’i çonin nëpër mend ato. Ai kujdesej edhe për të tjerët, por që nuk ishin anëtarë të organizatës. Rasti i vlerësimit të autorësisë muzikore, është rasti tipik që mban vulën e ideve të Jobs, pikërisht e këtij lideri të dashur nga të gjithë. A nuk është rasti i Steve Jobs, rasti për t’u marrë shembull dhe për t’u patur si referencë në përditshmërinë e secilit individ, që është duke kërkuar me ngulm për të prekur suksesin.
Në çdo njëqind njerëz vetëm dy prej tyre e dinë se çfarë dëshirojnë nga jeta dhe kanë plane të zbatueshme për arritjen e tyre. Këta janë burrat dhe gratë lider në çdo fushë të jetës, këta janë të suksesshmit e mëdhenj të planetit, që kanë marrë shpërblime nga jeta, sipas mënyrave të tyre. Këta njerëz nuk është se kanë ndonjë mundësi më të madhe se të tjerët. Nëse ti e di me saktësi se çfarë kërkon dhe vërtet beson në aftësinë tënde për ta marrë atë, mund të arrish sukses. Nëse nuk je i sigurtë se çfarë kërkon nga jeta, atëherë fillo tani, në këtë moment, dhe vendos përfundimisht se çfarë do, sa do dhe kur do ta kesh në zotërimin tënd.
Ekziston një formulë e thjeshtë dhe e saktë për arritjen e synimeve të tua: Shkruaj një formulim të qartë të asaj se çfarë dëshiron më shumë, atë gjë ose rrethanë, të cilën, pasi ta arrish, do të të bëjë, sipas mendimit tënd, të suksesshëm; Shkruaj një skemë të qartë të planit me të cilin ke ndërmend të arrish këto synime dhe formulo saktësisht se çfarë do të bësh për këtë; Vendos një afat kohor përfundimtar, brenda të cilit ti synon ta marrësh objektivin e qëllimit tënd; Memorizo atë që ke shkruar dhe përsërite çdo ditë si një lutje. Përfundoje lutjen duke shprehur mirënjohje tënde ‘për marrjen e asaj’ që kërkon plani yt. Ndiqi me kujdes këto udhëzime të thjeshta! Do të kuptoni se sa shpejt është duke ndryshuar jeta jote.
Ki parasysh, asgjë nuk ndodh rastësisht. Dikush duhet ti bëjë gjërat të ndodhin, duke përfshirë këtu edhe arritjet individuale. Suksesi në çdo profesion është rezultat ‘i një veprimi të caktuar’, të planifikuar me kujdes dhe të zbatuar me këmbëngulje nga personi i cili e orienton mendjen e tij për të arritur sukses dhe beson se do ta arrijë atë.
Përcaktimi i qartë i qëllimit e nxjerr jashtë loje fjalën e pamundur. Ai është pika e fillimit e të gjithë suksesit. Është e mundshme për ty dhe për këdo, pa paguar ndonjë çmim të caktuar. E gjithë çfarë duhet të shfrytëzoni është iniciativa jote personale. Nëse akoma nuk e di se çfarë kërkon nga jeta, atëherë thjesht je i detyruar të pranosh thërrimet e vogla të lëna nga të tjerët që e kanë ditur se ku po shkonin dhe e kanë pasur një plan të qartë për të arritur atje.
Që të jesh i sigurtë për suksesin mbushe mendjen plotësisht me qëllimin tënd. Mendo dhe planifiko për atë që dëshiron. Mbaje mendjen larg asaj që nuk do. Kjo është rruga e vetme për të lëvizur drejt suksesit dhe padyshim drejt parasë dhe mirëqenies.