JEPU TË DREJTË TË TJERËVE

Ta mbrosh me ngulm pozicionin tënd, të merr një energji mendore shumë të madhe dhe shpesh të ftoh me njerëzit përreth.

Një nga pyetjet më të rëndësishme që mund t’ia bëni ndonjëherë vetes është ‘A dua të kem të drejtë’, ose ‘A dua të jem i lumtur?’ Shumë herë këto të dyja përjashtojnë njëra-tjetrën. Të kesh të drejtë, ta mbrosh me ngulm pozicionin tënd, të merr një energji mendore shumë të madhe dhe shpesh të ftoh me njerëzit përreth. Nevoja për të patur të drejtë, ose nevoja që dikush tjetër të jetë gabim, i nxit të tjerët të vendosen në pozicionin mbrojtës, dhe ushtron presion mbi ne për të marrë pozicion mbrojtës. Akoma, shumica prej nesh (edhe mua më ndodh disa herë) harxhojnë një sasi të madhe kohe dhe energjie duke u orvatur për të provuar (ose për të vënë në dukje) që kemi të drejtë, dhe/ose të tjerët janë gabim. Shumica e njerëzve, me vetëdije ose pa vetëdije, besojnë se është puna e tyre për t’u treguar të tjerëve se si pozicioni, deklaratat, dhe pikëpamjet e tyre janë jokorrekte, duke e bërë një gjë të tillë, personi që ata janë duke korigjuar në një farë mënyre është duke e vlerësuar këtë, ose së paku mëson diçka. Gabim! Mendohu pak rreth kësaj. A ju ka korigjuar ndonjëherë dikush dhe ju i keni thënë personit, ‘Faleminderit shumë që më treguat se e kam gabim dhe ti ke të drejtë. Tani po e kuptoj. O Zot, je i madh!’ Ose, a të ka falenderuar ndonjëherë ndonjë njeri që njihni (ose edhe ka rënë dakord me ty) kur i ke korigjuar ata, ose e ke nxjerrë veten me ‘të drejtë’ në kurriz të tjetrit? Natyrisht s’ka ndodhur.

E vërteta është se të gjithë e urrejmë të na korigjojnë. Të gjithë ne duam që pozicioni ynë të jetë i respektuar dhe i kuptuar nga të tjerët. Të na dëgjojnë dhe të na kuptojnë është një nga dëshirat më të mëdha të zemrës njerëzore. Ata që mësojnë të dëgjojnë janë personat më të dashur dhe më të respektuar. Ata që e kanë si zakon të korigjojnë të tjerët janë shpesh të mërzitshëm dhe njerëzit i mënjanojnë. Nuk është se, asnjëherë nuk do të kesh të drejtë. Ndoshta ekzistojnë disa pozicione filozofike ku nuk dëshiron të tërhiqesh, për shembull kur dëgjon ndonjë koment racist. Këtu, është e rëndësishme të shprehësh mendimin tënd. Sidoqoftë, është egoja jote që vërshon dhe rrënon paqen me tjetrin, një zakon i dëshirës ose nevojës për të patur të drejtë. Kjo metodë e mrekullueshme, të ndihmon të bëhesh një person paqedashës dhe i dashur. Përpiqu të lejosh të tjerët të ndiejnë kënaqësinë e të paturit të drejtë, jepua atyre këtë lavdi.
Mos i korigjo më njerëzit. Aq sa e vështirë mund të jetë ndryshimi i këtij zakoni, po aq ia vlen çdo përpjekje dhe praktikim që duhet bërë. Kur dikush të thotë, ‘Me të vërtetë e ndjej se është e rëndësishme që…’ në vend që të hidheni e t’i thoni ‘Jo, është më shumë e rëndësishme që…’ ose shumë e shumë forma të tjera të korigjimit të bisedës, thjesht lejoje që thënia e tyre të qëndrojë. Njerëzit do të jenë më të lirshëm dhe më të dashur. Ata do të të vlerësojnë më shumë se sa mund ta kesh menduar ndonjëherë ndonëse nuk e dinë saktësisht përse. Ti do të zbulosh kënaqësinë e pjesëmarrjes dhe të qenit present në lumturinë e tjetrit, e cila është më shumë e frytshme se sa beteja e egoizmit. Nuk duhet të sakrifikosh të vërtetat e thella filozofike ose opinionet e tua por, duke filluar që sot, lejo të tjerët të kenë ‘të drejtë’ në shumicën e rasteve.
Cilësia e durimit e mbështet qëllimin tënd për t’u bërë një person më paqësor dhe i dashur. Sa më shumë durim të kesh, aq më e lehtë do të jetë për ty ta pranosh jetën ashtu siç është në të vërtetë. Durimi të ndihmon të mos këmbëngulësh më kot duke pretenduar që jeta duhet të jetë ashtu siç do doje ti. Nëqoftëse nuk tregon durim, jeta të bëhet acaruese. Do të mërzitesh shumë shpejt, do të bezdisesh dhe do të acarohesh shumë shpejt. Durimi të krijon një dimension qetësie dhe miratimi në jetën tënde. Është një ndër cilësitë thelbësore për të arritur qetësinë e brendshme. Të bëhesh më i duruar do të thotë të hapësh zemrën tënde në çdo moment të së tashmes, edhe pse nuk të pëlqen ta bësh këtë. Nëqoftëse bllokohesh në trafik, apo je me vonesë për një takim pune, ajo që të ndihmon për t’u mos acaruar je vetëm ti. Përpara se mendimet e pastaj veprimet të dalin jashtë kontrollit, hyr në mendjen tënde duke mos lejuar të krijohet ‘një ortek’ me mendime negative që e zmadhojnë situatën. Në këto raste është e përshtatshme ta qetësosh veten dhe të marrësh frymë thellë. Mendo se në gjithë kornizën e madhe të gjërave, të bëhesh vonë është një ‘gjë krejt e vogël’. Durimi gjithashtu përfshin edhe të shohësh motivet e sinqerta tek të tjerët.


Durimi është një cilësi e zemrës, i cili mund të dalë lehtësisht në pah duke e praktikuar me maturi. Kam gjetur një mënyrë të efektshme për të thelluar durimin tim; kam krijuar intervale aktuale kohore, intervale kohore të cilat i krijoj në mendje për të praktikuar artin e durimit. Jeta në vetvete është një shkollë, dhe kurrikulimi i saj është durimi.
Shumica e njerëzve mbajnë mërira të cilat mund të jenë shkaktuar nga ndonjë debat, keqkuptim, nga mënyra se si janë rritur, ose nga disa ngjarje të dhimbshme. Me kokëfortësi, presim që dikush tjetër të na kërkojë të falur, me idenë se kjo është mënyra e vetme për të falur ose për të rivendosur një miqësi ose një marrëdhënie familjare. Kur ne mbajmë mëri, përveç palumturisë që ndjejmë në mendjen tonë po i kthejmë ‘gjërat e vogla’ në ‘gjëra të mëdha’. Ne fillojmë të besojmë se pozita jonë është më e rëndësishme se sa lumturia jonë. Por nuk është kështu. Nëqoftëse dëshiron të jesh një person më i qetë, duhet të kuptosh se të kesh gjithmonë ‘të drejtë’ nuk është më e rëndësishme se sa ta lejosh veten të jesh i lumtur. Rruga drejt lumturisë të çon t’i anashkalosh disa gjëra dhe të falësh. Lejoi të tjerët të kenë të drejtë. Kjo nuk do të thotë se ti je gabim. Çdo gjë do të shkojë mirë. Ti do të përjetosh paqe duke i lënë gjërat të rrjedhin natyrshëm, dhe do të jesh i gëzuar nëse i lejon të tjerët të kenë të drejtë. Gjithashtu, do të vësh re se, ndërsa merr iniciativën i pari t’u kërkosh të falur dhe i lejon të tjerët të kenë ‘të drejtë’, edhe qëndrimi i tyre ndaj teje do të ndryshojë, atyre nuk do t’u duhet të mbrohen gjithmonë nga ti dhe do të jenë më të dashur me ty. Ka shumë mundësi që edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë me ty. Por, edhe në raste kur ata nuk sillen ashtu, mos u shqetësoni. Ti do të fitosh kënaqësinë e brendshme se po bën pjesën tënde për t’i kontribuar më shumë dashuri kësaj bote, dhe padyshim që do bëhesh një person më paqedashës e i qetë.
Pothuajse çdo ditë luaj një lojë me veten time të cilën e quaj ‘mendo në kohën e ardhme’. E kam shpikur vetë këtë lojë si përgjigje ndaj besimit tim të qëndrueshëm, por të gabuar ndaj stresit që përjetoj kur kam diçka me të vërtetë të rëndësishme. Të luash ‘në kohën e ardhme’ duhet vetëm të imagjinosh se çfarëdo situate që po përballon nuk po ndodh tani, por pas një viti. Pastaj, thjesht pyete veten: ‘A është kjo situatë me të vërtetë kaq e vështirë sa e bëj unë?’ Shumë rrallë mund të jetë, por në shumicën e rasteve, thjesht nuk është edhe aq e rëndësishme. Nëse është një mosmarrëveshje me partnerin tënd, fëmijën, ose shefin, një gabim, një mundësi e humbur, një kuletë e humbur, një marrëdhënie pune që nuk ecën mirë, ose një ndrydhje kavilje, ka mundësi që pas një viti ti nuk do të mendosh më për atë situatë. Do të jetë një detaj i papërfillshëm në jetën tënde. Edhe pse kjo lojë e thjeshtë nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet e tua, ajo mund të të jap një perspektivë shumë të madhe të nevojshme. Më vjen për të qeshur me gjërat që dikur i merrja shumë seriozisht. Tani, në vend që ta përdor energjinë time duke u inatosur dhe duke u mërzitur, e përdor për të kaluar kohë me gruan dhe fëmijët e mi ose për të zhvilluar të menduarin kreativ.


Një mikesha ime, në përgjigje të një bisede rreth padrejtësive të jetës, më bëri pyetjen: Kush tha se jeta do të ishte e drejtë, ose që duhet të jetë e drejtë? Pyetja e saj ishte e goditur. Më kujtoi diçka që më kanë mësuar në vogëli: Jeta nuk është e drejtë, ajo është e ashpër dhe kjo është absolutisht e vërtetë. Si për ironi, njohja e këtij fakti trishtues mund të jetë çliruese për intuitën. Një nga gabimet që secili nga ne bën, është se na vjen keq për veten tonë ose për të tjerët, sepse mendojmë se jeta duhet të jetë e drejtë, ose që një ditë do të jetë. Ajo nuk është dhe nuk do të jetë. Kur e bëjmë këtë gabim kemi tendencën të kalojmë shumë kohë duke u kredhur në mendime dhe/ose ankuar se çfarë nuk shkon në jetë. Ne mëshirohemi tek të tjerët, duke diskutuar padrejtësitë e jetës. Ankohemi se ‘jeta nuk është e drejtë’, duke mos e kuptuar realisht se, ndoshta, ajo nuk ishte kurrë e ideuar për të qenë e tillë. Fakti se jeta nuk është e drejtë nuk do të thotë se ne nuk duhet të bëjmë asgjë brenda mundësive tona për të përmirësuar jetën tonë dhe botën si një e tërë. Përkundrazi, na sugjeron që ne duhet të kontribuojmë. Kur nuk e kuptojmë ose pranojmë se jeta nuk është e drejtë, ne kemi tendencën për të mëshiruar të tjerët dhe veten tonë. Keqardhja është një vetëdështim emocional që nuk i jep asgjë askujt, përveç që i bën të gjithë të ndjehen më keq se sa janë tashmë. Kur e kuptojmë realitetin se jeta nuk është e drejtë, ndjejmë dhembshuri për të tjerët dhe për veten tonë. Dhembshuria është një emocion i dalë nga zemra dhe shpërndan dashamirësi tek çdo njeri që e prek. Herës tjetër kur të ndiesh se po mendon shumë rreth padrejtësive të botës, përpiqu t’ia kujtosh vetes këtë fakt bazë. Ti do të habitesh që kjo do të nxjerrë jashtë nga vetmëshirimi dhe do të të fusë brenda veprimeve të duhura.

error: Materialet nuk mund te kopjohen !!