LIGJI I SHPËRBLIMIT

Pagesat si rregull janë në përpjesëtim të drejtë me rezultatet e anëtarit të organizatës.

Të gjitha teoritë, tekstet dhe teksturat ekonomike të të gjitha niveleve, i japin një rëndësi të posaçme marrëdhënies punonjës-kompani, apo siç thuhet, marrëdhënies punonjës-organizatë. Në këtë kontekst, është edhe portretizimi që i bën kësaj marrëdhënie Brian Tracy, një nga kolosët e marketingut, suksesit dhe botës së tyre të përbashkët. Brian Tracy e sintetizon këtë marrëdhënie me atë që sot njihet si Ligji i shpërblimit. Ky ligj shpjegon atë që, ‘pagat dhe shpërblimet’ varen në mënyrë eksplicite nga shërbimi që punonjësi i’u ofron të tjerëve, apo organizatës ‘ku është pjesë’.
Ekzistojnë punonjës të natyrave të ndryshme, sa i takon rezultateve që ata prodhojnë, apo pjesëmarrjes së tyre në suksesin e organizatës, biznesit dhe sipërmarrjes. Të gjithë ata punonjës që e kanë kuptuar në kohë rëndësisë së këtij ligji, kanë avancuar përpara, duke u rritur në karrierën e tyre dhe duke prekur suksesin. Këta punonjës, kanë mbjellë kohë pas kohe, si edhe kanë përfituar të korrat kohë pas kohe. Këta menaxherë, programues, dizenjues, arkitektë, trajnues, konsulentë, ekonomistë, financierë, inxhinierë, profesorë, asistentë, sekretarë, koordinatorë, teknikë, punëtorë të ndryshëm etj, kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë fort në mënyrë kreative, me ose pa orar, gjithë vrull dhe pasion, duke dhënë përherë e më shumë nga vetja e tyre, duke ekzekutuar në kohë punët e përditshmërisë dhe duke marrë vazhdimisht përgjegjësi shtesë. Këta punonjës janë rritur profesionalisht, por edhe në pagat apo shpërblimet e tyre. Ata janë vazhdimisht në kërkim të rezultateve, vetëmotivimit apo zgjerimit dinamik të hartës së tyre të kontributeve. Për të gjitha këto dhe jo vetëm, kompania i ka vlerësuar këta punonjës me paga të përmirësuara, shpërblime progresive apo rritje në detyrë.


A zbatohet Ligji i shpërblimit edhe këtu në Shqipëri? A motivohen dhe nxiten punonjësit edhe nëpërmjet këtij ligji? A janë duke ‘përfituar’ organizatat shqiptare maksimumin e rendimentit në punë, duke inkasuar ligjin e shpërblimit si një ligj funksional? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë vërtet për të ardhur keq. Tek ne ekzistojnë fare pak organizata të tilla, të cilat ligjin e shpërblimit e kanë pjesë të suksesit te tyre. E kzistojnë disa të tjera të cilat e zbatojnë pjesërisht këtë ligj, a thua që zbatimi i tij dëmton komponentin financiar të organizatës. Më e keqja është se shumë organizata shqiptare, as që e përfillin ligjin e shpërblimit, duke ‘vendosur përfundimisht’ të ardhmen e tyre të pasigurtë. Kompanitë shqiptare zotërojnë asete të mëdha njerëzore, punonjës të palodhur dhe novatorë, mirëpo të cilët në shumicën e rasteve ndjehen të pavlerësuar dhe të nëpërkëmbur.
Konsulencemarketing ka vite që është në treg duke ofruar shërbime specifike për kompanitë shqiptare. Nga kjo eksperiencë mund të themi që në të shumtën e rasteve bizneset shqiptare e nënvlerësojnë punën e tjetrit, aq më keq punën e konsulentëve të marketingut. Pse ndodh kjo? Ndodh sepse, këto biznese thjesht s’duan të paguajnë apo duan të bëjnë marketing pa para. Ndodh sepse, e quajnë të lehtë punën e të tjerëve, janë të dyzuar dhe as që e njohin ligjin e shpërblimit. Të kundërtit e tyre janë të suksesshmit. Janë ata që financojnë projekte të suksesshme marketingu, kujdesen për skuadrat e tyre brenda organizatës, janë korrekt me partnerët dhe në fund, as që e kanë mendjen tek paratë, pra janë ata që e njohin dhe aplikojnë në dinamikë ligjin e shpërblimit.
Bizneset lëvizin gjithmonë! Por pyetjet që shtrohen me këtë rast do të ishin: Sa po lëvizin dhe me çfarë ritmi po e bëjnë këtë? Sa kohë do mund të vazhdojë kjo lëvizje dhe sa kohë do mund të ruhet kjo amplitudë suksesi? A janë bizneset në fjalë të kënaqura me amplitudën e kësaj dinamike? A do munden vallë biznese të tilla të përballojnë hovin e pandalur të konkurrencës? Bizneset punojnë me stafe, ekipe dhe skuadra. Të gjitha përgjigjet e pyetjeve të mësipërme do të ishin të zymta dhe të errëta, nëse punonjësit e biznesit do të ishin të zymtë dhe të errësuar. Suksesi afatgjatë në biznes, ka në themel të tij, veç të tjerash, edhe punonjësit e paguar në mënyrë të drejtë për kontributin e tyre.
Një mik i skuadrës sonë po na shpjegonte diçka që, për hir të vërtetës, na habiti të gjithëve. Ai tha: I ofrova bosit tim më shumë marrje përgjegjësish, orë shtesë pune pa pagesa ekstra, kontribute reale dhe një projekt ambicioz, i cili ishte i sigurtë që prodhonte rezultate. Bosi, heshti për ca kohë, derisa më në fund filluan fyerjet nga ana e tij-shtoi miku ynë. E çuditshme? Vetëm në Shqipëri mund të ndodhi diçka e tillë. Vetëm në Shqipëri nuk ke pse afishon projekte ambicioze, kur këto projekte nuk lindin nga bosi, pra nga lideri, lider i thënçin!


Një tjetër mik yni punonte prej shumë vitesh pranë një kompanie. Ai po rritej pak e nga pak, bashkë me kompaninë. E nisi me me një përvojë të pakët, por me një vullnet të fortë i rriti kredencialet e tij. Ishte dinamik dhe i suksesshëm. Realizonte detyrat dhe ekzekutonte planet e ngarkuara. Merrte përgjegjësi shtesë dhe siguronte klientë të qëndrueshëm, klientë të cilët ishin pothuajse të pamundur. Pas shumë viteve punë, ky person kërkoi një rivlerësim të pagës së tij dhe si shpërblim mori heshtjen e organizatës! Pas shumë vitesh kontribute reale për kompaninë, ai po kërkonte thjesht një indeksim të pagës dhe inflacionit. Gjatë gjithë këtyre viteve jeta ishte shtrenjtuar dhe paga e tij mbetej në vendnumëro. Çfarë ndodhi me këtë punonjës? Ai thjesht po dembelosej, sepse kuptoi në mënyrë përfundimtare që nuk ishte pjesë e organizatës. Dembelizmi dalëngadalë po i linte vendin plogështisë, derisa më në fund ai u dorëzua. Kurajo dhe novacioni i tij i dikurshëm morën fund, e bashkë me to, edhe ëndrrat për të qenë pjesë vitale e një kompanie të vërtetë shqiptare. Të gjitha teknikat, eksperiencat dhe kredencialet e tij morën fund, ndoshta njëherë e përgjithmonë. Po pse kështu? Sepse, organizata nuk ishte organizatë, por një biznes problematik dhe në funksion të interesave të momentit, pra të bosit. Sepse, organizata në fjalë as që e njihte ligjin e shpërblimit dhe jo më të aplikonte dispozitat e tij. Ky është realiteti shqiptar, një realitet që prodhon pak para dhe sukses për biznesin dhe punonjësit e tij. Ky është realiteti i mjaft kompanive shqiptare, të cilat nuk kërkojnë të avancojnë përpara me projekte të vërteta zgjerimi dhe suksesi, duke u nisur vetëm nga një koncept: Organizata të vërteta dhe skuadra kryengritëse!
Punëdhënësit, të cilët nuk e njohin ligjin e shpërblimit, janë përveçse fodullë edhe mjaft mediokër. Ata dëmtojnë jo vetëm punonjësit, por edhe biznesin e tyre. Jo vetëm kaq! Ata humbin dhe vazhdojnë të humbin shumë para, dhe kjo përveç të tjerash edhe nga mungesa e kontributit të punonjësit të larguar apo të shtyrë për t’u vetëlarguar. Bosët pa vizion nuk e kanë për gjë të humbin një punonjës, kushdo qoftë ai, i talentuar apo gjeni. Skuadrat për këta drejtues janë thjesht bashkim mekanik njerëzish të cilët ata i paguajnë për të zbatuar urdhrat e tyre. Ndryshe janë punëdhënësit e suksesshëm. Ata nxisin, motivojnë, ftojnë dhe dëgjojnë punonjësit, shfaqin feedback dhe shpërblejnë në kohë kontributin e gjithësecilit. Punëdhënësit e suksesshëm kanë krijuar skuadra profesionistësh, të cilat rriten vazhdimisht duke u shndërruar në skuadra revolucionare, novatore dhe plot rezultate.
Pagesat si rregull janë në përpjesëtim të drejtë me rezultatet e punonjësit. Kështu, mënyra më e mirë për të arritur standartet të larta, është të prekësh rezultate të larta aty ku je, pra aty ku ti po lufton dhe kjo vetëm për objektivat e kompanisë. Sa më shumë të fokusoheni tek rezultatet, aq më shpejt do të rritet edhe cilësia e jetës suaj. Kur ju realisht kontribuoni më shumë sesa paguheni, atëherë patjetër një ditë do të paguheni me shumë sesa merrni sot! Ky është një postulat në kapitalizëm apo një derivat i ligjit të shpërblimit. Ky është një rregull, i cili duhet të gjejë suport nga biznesi shqiptar, pikërisht nga ato biznese të cilat kanë vendosur të jenë gjatë dhe të suksesshëm në treg.


Nëse e shikoni qartazi se jeni të pavlerësuar, atëherë kërkoni një eksperiencë të re! Qëndroni aty, ku ligji i shpërblimit është i jetësuar! Në fakt ligji i shpërblimit është inspirues për të dyja palët: Punonjësit dhe punëdhënësit. Bosit, nuk i dhemb koka aty ku gjenden punonjës të motivuar dhe të mirëpaguar. Nga ana tjetër punonjësit janë të fokusuar dhe plot entuziazëm. Veç kësaj, ata zotërojnë edhe një energji të brendshme, e cila ka prirjen të prodhojë ide të reja. Dhe Idetë e reja janë, padyshim, frymëmarrja e biznesit.
Është interesante kur analizon sjelljen udhëheqëse të shef-ave brenda organizatës. Ata dinë shumë mirë të prodhojnë: Paga stacionare; Demotivim; Korrektesë të munguar; Fyerje dhe Lançime. Të gjitha këto, në fund të ditës së punës përkthehen në: Plogështi; Devijim nga përgjegjësitë shtesë; Fokusim i dobët; Ide të fshehura. E keqja është se këto gjëra ndodhin edhe tek mjaft kompani shqiptare, të cilat janë aktive në treg. Por, më e keqja është se kjo ka nisur të aplikohet edhe nga mjaft kompani të tjera, të cilat në fakt janë Kërkushi, pra, akoma nuk janë në treg. Sot në tregun shqiptar nuk mund të futesh duke mbartur me vete koncepte dhe teknika të vjetra, aq më tepër kur këto elementë janë të mveshura me nota ushtarake të bizneseve feudale, tashmë të lëna pas, madje shumë pas. Në ditët e sotme në treg mund të jesh vetëm me: Produkte apo shërbime specifike dhe që kënaqin kërkesat e klientelës; Punonjës dhe skuadra kreative. Këta njerëz duhet të jenë të aftë, plot ide, kryengritës në të gjithë veprimtarinë e tyre dhe të mirëpaguar.