Të menaxhosh me dorë të lirë do të thotë të heqësh dorë nga e kaluara dhe nga e ardhmja.
Menaxherët e pasuksesshëm kur shohin listën me 100 detyra tremben vetëm duke e parë atë! Ata do të tërhiqeshin prapa të frikësuar. Do të merreshin me diçka tjetër. Diçka që as nuk është në listë! Thjesht nga frika për të mos qenë të zënë. Ku tjetër mund të përqendrohen këta menaxherë luftarakë nëse jo te lista e zymtë? Ata mund të përqendrohen te qëllimi për të pasur progres në të tashmen. E tashmja është një vend nga ku jeta e dikujt mund të shkojë përpara. Është koha kur merr jetë krijimi. Forca e vërtetë, njësia matëse e forcës aktuale, është aftësia jote për të prodhuar rezultatin në të tashmen, pikërisht tani.
Të menaxhosh me dorë të lirë do të thotë të heqësh duart nga e kaluara dhe nga e ardhmja. Duhet të përqendrohesh tek ky çast, pasi e kupton se produktiviteti ndodh gjithmonë tani. Menaxherët efikasë bëjnë në fillim gjërat e rëndësishme, dhe i bëjnë ato njëra pas tjetrës.
Kështu, ndërkohë që edhe punonjësit mësojnë të jenë të lirë të krijojnë në këtë çast, befasisht (dhe thjesht) ata arrijnë suksesin. Kur ndodhemi në një periudhë krijimtarie, shkojmë një nivel më sipër, duke u zhvilluar dhe rritur drejt nivele më të larta të suksesit.
Krijimi ndodh gjithmonë tani. Asnjëherë në të ardhmen. Kur mendja jeton në të ardhmen, kemi mendime shqetësuese dhe plot frika. Kur kthehemi tek e shkuara, marrin jetë mendime keqardhjeje dhe pendese. A ia vlen të kapesh pas këtyre mendimeve? Që të lejosh suksesin s’duhet të kapesh pas mendimeve të tilla.
Shkrimtarët profesionistë kalojnë një gjendje të quajtur ‘bllokimi i shkrimtarit’ kur fillojnë t’u besojnë mendimeve mbi të ardhmen. Kapja pas këtyre mendimeve nuk i lë hapësirë lirisë dhe krijimtarisë.
Zakoni i kapjes si ngjitës pas çdo mendimi kalimtar që të shqetëson dhe pas çdo gjykimi të cekët, të çon drejt një jete me ulje-ngritje emocionale gjatë ditës. Një jetë me hutime që të fusin frikën.
Ulu përballë një menaxheri jo të suksesshëm (jo të lumtur, luftëtar) dhe do të dëgjosh se ku ai përqendrohet: ‘Marr shumë telefonata. Kam pasur shumë probleme personale. Nuk jam shumë mirë me shëndet. Ai personi në fund të sallës ka hapur adresën e lojërave në internet. Më vijnë shumë vizitorë. Nuk do të mund të përgjigjem kurrë të gjitha email-ve. Nuk jam në kohë me raportet. Kam shumë mbledhje këtë javë. Kam një bisedë për të bërë.’
Shih sa shumë mendime stresuese e rrethojnë këtë menaxher. Menaxheri mëson të marrë një nga këto mendime (marr shumë telefonata) dhe të punojë me të (Do t’i kaloj telefonatat direkt në sekretari. Do t’i dëgjoj më vonë, kur të jem gati dhe i përqendruar tek to).
Menaxherët janë krijues. I kalojnë situatat stresuese një e nga një dhe krijojnë diçka të mirë prej tyre. Nga ana tjetër, ata janë reagues. Reagojnë ndaj mendimeve gjatë gjithë ditës, në gjendje të plotë alarmi. Për ta, vet jeta është urgjencë. Kur bëhemi krijues shkojmë një nivel më lart kësaj. Kur flasim në terma fetarë për Zotin, shpesh themi Ai, Krijuesi. Ja pse Dipak Çopra ka thënë me humor: Zoti është modeli që dua të ndjek! Duke krijuar, ai dëshiron të jetojë në imazhin e krijuesit të tij. Edhe pse shpesh pa vetëdije, në fund të fundit, kërkojmë dhe dëshirojmë të rritim aftësinë tonë krijuese. Në mënyrë që të ndihemi të plotësuar, të lumtur dhe të kënaqur profesionalisht. Ajo që të gjithë duan, që është pjesë e bërthamës sonë, është aftësia për të krijuar. Mirëpo e humbasim këtë aftësi sa herë që shpërqendrohemi. Sikurse është shprehur mësuesi i vetëdijes njerëzore, Bajron Kejti: Nëse nuk do të jesh i lumtur krijoji vetes një të ardhme!
Nëse duam të shkojmë drejt një rezultati të caktuar, duhet të bëjmë në të tashmen diçka që ndodhet në të ardhmen. Dhe, sigurisht, nuk mund të zhbëjmë diçka që ka ndodhur në të kaluarën. Mund të përparojmë vetëm kur ndodhemi në të tashmen. Vetëm ky vend i shenjtë do të na japë një hapësirë për të punuar.
Pse duhet të përdorim aftësinë krijuese? Sepse nuk ka asgjë tjetër që mund t’i bëjë njerëzit aq bujarë, të gëzuar, plot jetë, guximtarë dhe të mëshirshëm, njëkohësisht aq indiferentë ndaj përpjekjeve dhe grumbullimit të sendeve dhe parasë.
Kur merresh me biznes fillon të kuptosh se një problem nuk mund të zgjidhet kurrë përmes mendimeve mes të cilave u krijua. Një problem mund të zgjidhet vetëm nëse përqendrohesh në të me një vetëdije të bazuar te sistemet. E thënë më thjeshtë: Duhet të ndihesh mirë shpirtërisht.
Kur shndërrohesh në një menaxher, je gjithnjë i vetëdijshëm se qëndresa ndaj gjërave që nuk do t’i dëshiroje, rrit fuqinë e tyre. Kështu, nëse i thua një nëpunësi se nuk po punon mirë, ti po mbjell farat e një pune të keqe në të ardhmen. Për shembull, nëse i thua një nëpunësi të droguar se është një njeri i tmerrshëm, ai do të ndihet keq dhe do të shkojë të marrë një dozë tjetër. Por, nëse i thua se ka potencial, se mund të mësojë nga e kaluara nëse gjen një mënyrë për ta parë atë pozitivisht, do ta ftojë atë në një vend të ri përtëritës.
Menaxherët e shkollës së vjetër menaxhojnë duke u shqetësuar. Ata besojnë se, nëse nuk shqetësohen aq sa duhet, nuk do ta zgjidhin dot problemin. Pra, sistemi i tyre i brendshëm motivues është frika. Mendojnë se duhet t’i fusin frikën vetes së tyre, në mënyrë që të bëjnë gjënë e duhur.
Nëse u thua se do të ishin më efektivë si menaxherë të qetë e të lumtur, ata shprehen se druhen se, nëse e provojnë këtë lloj përqasje, gjithçka do të shkatërrohet. Mendojnë se, në mungesë të frikës si motivues kryesor, askush nuk do të punonte, përfshirë këtu edhe ata vetë. Kështu ata e përdorin frikën për t’u motivuar vetë dhe si kërcënim për të motivuar të tjerët. Ata vazhdojnë ta mbajnë mendjen të zënë me gjëra që i ndalojnë të ecin përpara.
Për shembull, nëse merren me shitjet, nuk mendojnë për emrat që kanë në listën e referimit, apo cilat telefonata periodike duhet të bëjnë, edhe pse këto veprime të menjëhershme do të çonin drejt suksesit.
Në vend të kësaj, ata fiksohen pas asaj që i lodh më shumë. Nëse i pyet se si po shkojnë, ata do të nxirrnin një listë të pengesave të tyre më të fundit, të cilat i mbajnë gjithmonë në mendje.
Një menaxher shitjesh zemërdhembshur mund t’ia dilte të ndryshonte situatën. Ai do t’u mësonte punonjësve se si t’i shfrytëzonin çastet e tyre më të mira në mënyrë krijuese. Si të familjarizoheshin me produktet që shesin. Si të kalonin kohë duke studiuar për të rritur aftësitë. Dhe se, nëse u shisnim shtëpi banorëve të komunitetit, do të informoheshim se çfarë ndodh në komunitet. Të gjitha këto janë mënyra për t’u përqendruar tek ajo që mund të bëhet tani.
Disa anketime tregojnë se një agjent i zakonshëm shitjesh kalon vetëm një orë e gjysmë në ditë duke shitur. Kjo ndodh sepse përqendrohet tek gjërat e gabuara dhe tek ata që i mendon si kërcënuese. Por agjentët e shitjeve që kanë kaluar nga dështimi te suksesi, thjesht kanë kuptuar se të ecësh përpara (duke jetuar në të tashmen) ka shumë më shumë përparësi sesa të shikosh mbrapa (duke jetuar në të kaluarën), apo duke sulmuar përpara (duke jetuar në të ardhmen).
Nëse je një menaxher që përqendrohet tek e tashmja, atëherë po e çon skuadrën përpara. Po i kushton rëndësi asaj që të përcillet. Nderon çdo përvojë tënden. Po gjen vlera te gjithçka që të ka ndodhur. Tregon respekt dhe të tjerët kanë rëndësi për ty. Dhe kjo është një mënyrë tjetër e kujdesit për ta. Nuk thua: ‘Është e rëndësishme çfarë mendon për mua’, por, ’Ke aq rëndësi për mua, saqë dua të jesh ai që je vërtet. Nuk dua të të ndreq, dua thjesht të të kuptoj ashtu si je, që të bashkëpunojmë e të ecim përpara në harmoni.’
Shumë njerëz mendojnë se përqendrimi në një mënyrë kaq neutrale dhe pranuese, do t’i bënte menaxherët pasivë (të japin pak urdhra). Është krejt e kundërta! Veprimi është pjellë e mendjeje të shpërqendruar. Është mendja e kthjellët ajo që i jep jetë një sasie të pamasë veprimesh të bukura dhe komunikimi guximtar e krijues. Pikërisht këtu qëllimi bëhet pjesë e kuadrit, ngrihet dhe merr komandën. Është e rëndësishme të kesh një qëllim. Por qëllimi ndryshon nga një rezultat i dëshiruar dhe ka rëndësi jetike ta njohësh këtë ndryshim.
Tri veprimet që duhen ndërmarrë pas leximit të këtij shkrimi: a) Në vend që të përqendrohesh te rezultate të jashtme të mëdha që të stresojnë, thjeshtoje listën e detyrave. Listo tri veprime që duhen bërë sot dhe zgjidh njërin prej tyre për ta kryer tani. b) Pasi të kesh mbaruar tri veprimet parësore përbrenda do të ndiesh një shkëlqim dhe mund të kthesh faqet ku janë renditur veprimet e tjera. Rretho njërin dhe kryeje menjëherë. c) Kontrollo bllokun e shënimeve ose mendo për gjëra të tjera. Zgjidh dhe bëhu pjesë e bisedëa së radhës. Ngadalëso deri në ritmin e përditshëm. Ai që je sot është shumë më i rëndësishëm sesa ndonjë objektiv i vizionarit të së ardhmes, që ti druhesh se mos nuk e arrin.