ASNJANËSIA SI FORCË TËRHEQËSE

Negativja është e pranishme për të ruajtur ekuilibrin, por fuqia qëndron mes asnjanëses dhe pozitives.

E takova Kerrin (një simbol i përplasjeve brenda organizatës) për një seancë trajnimi përpara mbledhjes së radhës me punonjësit kyç. Më tha: Jam e shqetësuar! Pse, e pyeta? E di se do ta kundërshtojnë planin dhe se do të kërkojnë t’u premtoj një rrogë më të sigurtë, gjë që unë nuk dua ta bëj, sepse do të bëhen shumë përtacë nëse nuk do paguhen me komisione. I thashë: Ti nuk ke besim tek punonjësit e tu! Kerri heshti.
Seancën e trajnimit e zgjata më shumë se zakonisht, pasi doja t’i paraqitja Kerrit një koncept të ri mbi menaxhimin. Doja t’i tregoja atë që kisha mësuar më herët: Se ajo nuk kishte besim tek punonjësit e saj sepse nuk kishte besim tek vetja e saj. Çdo ditë mendja e saj mbushej vetëm me mendime stresuese mbi skenarët më të këqinj të mundshëm. Nuk ishte çudi që ajo ishte kthyer në një qenie luftarake dhe e mbushur me mllef. Hapi i parë që duhet hedhur në këtë rast është një mbledhje dyorëshe me punonjësit, pa bllokun e shënimeve mbi tryezë. ‘Pa shënimet’, pyeti Kerri. Si do dukem pa bllokun e shënimeve? Si dikush që dëshiron të dëgjojë, i shpjegova. Që është asnjanës në lidhje me përshtypjen që do të japë kjo marrëveshje përfundimtare. Asnjanës!


Kerrit iu desh një vit i tërë trajnimi për të përfunduar udhëtimin nga mikromenaxhimi te drejtimi. Një vit i tërë programim i brendshëm. Por, më në fund, ajo ia arriti. Ai qe një vit i shkëlqyer për të dhe vetëvlerësimin e saj. Dhe ja çfarë thotë ajo, në një e-mail të kohëve të fundit: Është e çuditshme me sa kënaqësi shkoj në punë çdo ditë. Kam shumë dëshirë të zbuloj dhe të hapem më të tjerët çdo ditë, në mënyra të reja. Nuk kam pse të jem e ngurtë si më parë, sepse nuk kam më fiksim të bëj çdo gjë mirë apo të jem larg telasheve. Kam përshtypjen se këtë gjë bën shoqëria jonë me vajzat e vogla. Vajzat e vogla kanë frikë mos futen në telashe sepse babi do të nevrikosej. Djemtë e vegjël kanë më shumë hapësirë për të manovruar. Djemtë janë djem! Teksa rriten ata dëshirojnë shpesh dhe bëjnë gabime pa fund. Vajzat duhet të jenë të sakta që herën e parë! Ti më tregove se në të shkuarën ky skenar dukej aq i vërtetë sa duket tani një histori e vjetër. Unë mund të fiksohem pas historisë së vjetër ose ta lë pas.
Jeta në organizatë është një proces i vazhdueshëm negocimi dhe shitjesh. Është një mundësi e pandalshme për të favorizuar një perspektivë të caktuar për të arritur qëllimin për të cilin po punon. Nuk mund të veprosh ndryshe: Je duke shitur gjatë gjithë kohës. Duke i shitur ide skuadrës, një koncept mbikëqyrësit tënd, apo një shërbim të ri një klienti, ti e kalon ditën duke shitur. Sikurse ka thënë shkrimtari Stivenson: ‘Të gjithë jetojmë duke shitur diçka.’
Por jo të gjithë shesin në të njëjtën mënyrë dhe jo të gjithë shesin nga i njëjti pozicion. Në të vërtetë ajo që e dallon një menaxher është: Asnjanësia.


Aftësia menaxhuese është një aftësi e pazakontë për të qenë asnjanës. As pozitiv, as negativ, por asnjanës.
‘Nëse ne të dy do të ishim duke diskutuar një marrëveshje për blerjen e një toke, atëherë strategjia ime apo mënyra si veproj nuk do të më lejonte të shfaqja qëndresë ndaj çdo ideje që do të ishte në tryezë. Më pas, mund të përqendronim vëmendjen mbi përfitimet e qëndrimit tim fillestar. Në këtë mënyrë ti merr një ftesë për të ndryshuar qëndrim. Nëse unë s’jam dakord me qëndrimin tënd, të ftoj ta mbrosh atë dhe jo të shohësh për alternativa të tjera. Sepse nuk mund të veprojmë tërësisht jashtë egos, nuk do të ishte njerëzore. Secili nga ne ka sadopak prirjen të mbrojë pozicionin që ka marrë.’
Menaxheri ka një respekt për vrojtimin asnjanës, duke e konsideruar atë si vizionin më të mirë. Si vëzhgues i vërtetë dhe i zgjuar, njeriu nuk duhet të mbartë paragjykime apo të marrë pozicione. Një vëzhgues i vërtetë fiton forcë duke parë gjithë pozicionet e mundshme nga një pikë asnjanëse.
Shumë prej nesh, që punojnë si menaxherë, ndeshen çdo ditë me koncepte të kundërta. Merremi me majën dhe fundin, suksesin dhe dështimin, të vështirën dhe të lehtën, të shpejtën dhe të ngadaltën, me gëzimin apo hidhërimin. Ajo që nuk kuptojmë është se këto të kundërta ecin bashkë dhe kanë nevojë për njëra-tjetrën. Mund të themi se diçka është e lehtë vetëm sepse kemi përjetuar diçka të vështirë. Mund të themi se jemi në majë, vetëm sepse kemi përjetuar fundin.
Dhe përsëri përpiqemi gjithnjë të mënjanojmë të kundërtën e përvojës që kërkojmë! Por në jetën reale kjo nuk është e mundur. Përvoja që kërkojmë nuk mund të ekzistojë në një univers paralel (apo vend pune paralel) ku gjithçka është e kuptueshme vetëm sepse ekziston edhe e kundërta e gjithçkaje. Kështu qëndresa e një mikromenaxheri nervoz ndaj kundërshtimit, sidomos ndaj kundërshtimit të asaj që ai kërkon, e pengon atë të arrijë aty ku dëshiron. Ai merr feedback të mirë, por në vend që të tregohet i hapur ndaj tij, ai pozicionohet menjëherë në mbrojtje. Në fund ai është më i shqetësuar për t’u larguar nga negativja, sesa për t’iu afruar pozitives. Ka shumë mundësi që ai të mos ketë asnjëherë sukses duke qëndruar në këtë pikë. Pika ku ai ka ngecur mbart shumë shqetësim që të mund të marrë forcë dhe të lëvizë.


Forca e vërtetë në çdo aspekt të ndërmjetësimit është asnjanësia e pastër. Nëse dëshiron të veprosh mirë, nuk mundesh duke i bërë qëndresë së keqes. Nëse dëshiron të veprosh me drejtësi, nuk mundesh duke i bërë qëndresë së gabuarës. Fiton duke kuptuar se i nxehti dhe i ftohti janë e njëjta gjë-janë thjesht ekstremet e temperaturës. Fitorja dhe humbja janë në thelb e njëjta gjë, janë thjesht ekstremet e pjesëmarrjes në lojë. Brenda apo jashtë është e njëjta gjë, janë thjesht ekstremet e lëvizjes.
Gjatë një ndërmjetësimi të duhur, do të mësosh të heqësh dorë nga qëndresa dhe gjykimi ndaj të kundërtës së asaj që kërkon. Do të pranosh të kundërtën dhe do ta përfshish atë në qëndrimin tënd.
Por asnjanës do të thotë asnjanës. Nuk të intereson edhe nëse nuk arrihet një marrëveshje. Nuk po përpiqesh të arrish një nga ato marrëveshjet e çmendura, gjatë të cilave kërkimi i dëshpëruar i suksesit të shtyn të heqësh dorë nga gjithçka. Ata që veprojnë në këtë mënyrë, nuk e kuptojnë se kërkimi me ngulm i një rezultati të caktuar e largon atë.
Mos harro, asnjanësia është forcë tërheqëse. Pozicioni asnjanës është gjithmonë më efikasi. Pasi merr këtë qëndrim, pozitivja dhe negativja bëhen forca ekuilibruese. Kur je asnjanës lidhesh automatikisht me pozitiven, nëse e sheh atë nga këndvështrimi i fizikës atomike. Negativja është e pranishme për të ruajtur ekuilibrin, por fuqia qëndron mes asnjanëses dhe pozitives. Problemi është se ne nuk e pranojmë këtë. Ne vazhdojmë përpjekjet për të përzënë negativen. Është njësoj sikur të përpiqesh të hekurosësh dallgët e oqeanit për ta zbutur atë. Ose të shkëpusësh jugun nga një magnet, që të kësh vetëm veriun. E kotë. Ekuilibri mes tri forcave tregon natyrën e jetës. Mirëpo që të arrijmë te pozitivja, shumë menaxherë luftojnë me negativen dhe pyesin veten se pse ajo vazhdon të rritet.
Ne e bëjmë këtë edhe kur duam të menaxhojmë probleme sociale. Punësojmë më shumë policë për t’iu kundërvënë bandave dhe pyesim veten se pse numri i tyre është në rritje. Krijojmë më shumë programe qeveritare për të luftuar varfërinë dhe pyesim veten se pse numri i nënave të pamartuara është rritur. Fenomenet ndaj të cilave luftojmë tërheqin vëmendjen tonë dhe rriten për shkak të kësaj vëmendjeje. Nëse shfaqim qëndresë ndaj fenomeneve, ato do të vazhdojnë të ekzistojnë. Ajo që kundërshtojmë bëhet më e fortë për shkak të vet kundërshtisë. Ka mënyra të tjera për të përballuar bandat dhe varfërinë. Shënjestra nuk duhet të jetë i gjithë sistemi, por vetëm ajo që nuk shkon në këtë sistem.


Në vendin e punës, mikromenaxheri i shkollës së vjetër mendon vetëm se si të eleminojë negativen. Duke vepruar kështu, ai vetë bëhet negativ, gjykues dhe mosbesues, sepse përqendrohet vetëm tek problemet (duke i zmadhuar ato edhe më shumë). Padija mbi konceptin e asnjanësisë i çon menaxherët drejt një bote plot sfida, falsitete, zënka dhe kontroll të tepruar. Asnjë prej këtyre qëndrimeve nuk është aspekt i asnjanësisë.
Po listojmë disa veprime që duhet të ndërmarrim pas leximit të këtij shkrimi. Së pari: Kur të ndërmjetësosh përsëri me dikë në mjedisin e punës, paraprakisht jepi vetes kohë për të hyrë në botën e asnjanësisë. Së dyti: Shkruaj gjithë gjërat e mira që mund të pasojnë, nëse nuk e fiton këtë ndërmjetësim. Mësohu me më të keqen që mund të ndodhë. Në këtë mënyrë, nuk do të ndiesh më nevojën që të ndjekësh një rrugë të përcaktuar. Së treti: Lër tri takime me punonjës të organizatës me të cilët nuk e ke të lehtë të bisedosh (me njerëz që nuk të pëlqejnë). Me secilin prej tyre zhvillo takime pa program, gjatë të cilave qëndrimi yt për gjithçka do të jetë asnjanës. Mos mbaj asnjë anë. Do të dëgjosh, do të tregosh, do të mësosh nga mësuesit më të mirë që mund të kesh. Njerëzit që të pëlqejnë nuk janë mësuesit më të mirë, dhe këtë do ta kuptosh duke kuptuar asnjanësinë.
Ekuilibri është gjendja më e përsosur e ujit të palëvizshëm. Le ta marrim ujin si model. Ai është i qetë në brendësi dhe nuk ka asnjë valëzim në sipërfaqe.