FUQIA E MENDIMIT

Nuk ka vend tjetër ku mund t’i mbash ndjenjat e tua negative përveçse në mendimet e tua.

Kupto sa të fuqishme janë mendimet e tua. Nëqoftëse do të doje të kuptoje më shumë për një dinamikë mendore, më e rëndësishmja për të ditur do të ishte raporti midis të menduarit dhe mënyrës se si ndjehesh. Është e rëndësishme të kuptosh se mendja prodhon mendime në mënyrë të vazhdueshme. Mos u mashtro për të besuar faktin se këtë tashmë e di! Mendo, për një moment, rreth frymëmarrjes tënde. Deri në këtë moment, ndërsa lexon këtë fjali, sigurisht ke harruar se po merrje frymë gjatë gjithë kohës. E vërteta është se, vetëm kur ngel pa frymë, e kupton se po merrje frymë.
Në të njëjtën mënyrë ndodh edhe me të menduarin. Duke qënë se i bën gjithmonë këto punë, është e lehtë ta harrosh se po ndodh. Ajo tashmë bëhet e padukshme për ty. Sidoqoftë, ndryshe nga frymëmarrja, të harrosh se je duke menduar mund t’iu shkaktojë disa problem serioze në jetë, siç është për shembull palumturia, inati, konfliktet e brendshme dhe stresi. Arsyeja pse kjo është e vërtetë është se mendimi yt gjithmonë do të kthehet tek ti si një ndjesi. Pra, ekziston një marrëdhënie e tillë e ngushtë.
Përpiqu të inatosesh, por pa krijuar mllef! Mirë, tani përpiqu të ndjehesh i stresuar, por pa zhvilluar mendime stresuese-ose trishtohu, por pa zhvilluar mendime të trishta,-ose të ndihesh xheloz, por pa zhvilluar mendime xhelozie. Në fakt, është e pamundur, nuk mund ta bësh dot. E vërteta është se, kur do të provosh një ndjenjë, së pari duhet të kesh një mendim i cili e shkakton atë ndjenjë.


Palumturia nuk mund të ekzistojë më vete. Palumturia është ndjenja që shoqëron të menduarit negativ rreth jetës tënde. Kur nuk ka mendime negative palumturia, stresi ose xhelozia, nuk mund të ekzistojnë. Nuk ka vend tjetër ku mund t’i mbash ndjenjat e tua negative përveçse në mendimet e tua. Herës tjetër kur të ndjehesh i trishtuar, kushtoi vëmendje mënyrës tënde të të menduarit. Kujtoja shpesh vetes se nuk është jeta jote negative por lloji i të menduarit tënd e bën të duket i tillë. Ky përkujtues i thjeshtë do të jetë hapi i parë që do të vendosë përsëri në rrugën drejt lumturisë. Ke nevojë vetëm për praktikë, dhe do të arrish t’i trajtosh mendimet e tua negative në të njëjtën mënyrë siç i trajton mizat kur je në piknik: Thjesht i dëbon ato dhe vazhdon ditën tënde.
Hiq dorë nga ideja se: Më shumë është më mirë! Ne jetojmë në kulturën më të begatë që bota ka njohur ndonjëherë. Llogaritjet tregojnë se edhe pse ka vetëm 6 përqind të popullsisë së botës në Amerikë, përdorin pothuajse gjysmën e burimeve natyrore. Më duket se nëqoftëse do të kishim më shumë do të ishte më mirë, ne do të jetonim në kulturën më të lumtur dhe më të kënaqur të të gjitha kohërave. Por nuk është kështu, as që i afrohet idesë. Në fakt, ne jetojmë në një nga kulturat më të pakënaqura që mund të mbahet mend. Kjo nuk do të thotë se të kesh shumë gjëra është një gjë e keqe, e gabuar, ose e dëmshme në vetvete. Vetë dëshira për të patur më shumë dhe më shumë akoma është e pangopur dhe shkon deri në lakmi. Për sa kohë do të mendosh se sa më shumë të kesh është më mirë, ti nuk do të kënaqesh kurrë.


Shumica prej nesh, sapo arrijmë diçka, nuk e kthejnë kokën mbrapa por kërkojnë diçka tjetër menjëherë. Kjo përdhos vlerësimin që kemi për jetën dhe për bekimet e shumta që na ka ofruar. Marifeti për të kapërcyer këtë prirje tinzare është ta bindni veten se të kërkoni më shumë nuk është më mirë dhe problemi nuk qëndron në atë çfarë nuk zotëroni, por në dëshirën e papërmbajtur për të kërkuar më shumë. Të mësosh të jesh i kënaqur nuk do të thotë se nuk duhet të mendosh asnjëherë të duash të kesh më shumë, por vetëm se lumturia jote nuk varet nga dëshira për të pasur gjithmonë më shumë. Ti mund të mësosh të jesh i lumtur me gjërat që tashmë ke duke u bërë më shumë i vëmendshëm dhe prezent në jetën tënde, duke mos u fokusuar së tepërmi në atë se çfarë dëshiron. Ndërsa mendimet se çfarë do ta bënte jetën më të mirë hyjnë në mendjen tënde, butësisht kujtoja vetes se, nëqoftëse tashmë e ke çfarë mendon se ti dëshiron, nuk do të jesh qoftë edhe një grimcë më i kënaqur, sepse i njëjti qëndrim mendor që dëshiron më shumë tani do të donte më shumë më vonë.
Kultivo një vlerësim për bekimet të cilat tashmë i gëzon. Shikoje jetën me freski, sikur të jetë hera e parë. Ndërsa zhvillon këtë pikëpamje të re, do të zbulosh se ndërsa zotërimet ose arritjet e reja i shtohen jetës tënde, edhe niveli i vlerësimit që ke ndaj jetës do të jetë më i lartë. Një matës i shkëlqyer i lumturisë është ndryshimi midis asaj çfarë zotëron dhe asaj çfarë ti dëshiron. Ti mund ta të të kalosh gjithë jetën tënde duke dëshiruar më shumë, gjithmonë duke kërkuar lumturinë ose thjesht mund të vendosësh të ndërgjegjësohesh dhe të dëshirosh më pak. Kjo metodë është jashtëzakonisht e lehtë dhe të mbush më shumë.


Pyete gjithmonë veten: Çfarë është me të vërtetë e rëndësishme në jetën time? Është e lehtë të humbasësh e të hutohesh në kaos, në përgjegjësitë dhe synimet e jetës. Lodhja e tepërt të tundon të harrosh dhe kështu e shtyn për më vonë atë çfarë është më e shtrenjtë dhe e dashur për ty. Të ndihmon shumë fakti të pyesësh veten, ‘Çfarë është me të vërtetë e rëndësishme në jetën tënde?’ Çdo mëngjes për disa sekonda i bëj vetes time këtë pyetje. Kur ia kujtoj vetes se çfarë është me të vërtetë e rëndësishme, më ndihmon t’u jap përparësi prioriteteve të mia. Më kujton se, pavarësisht përgjegjësive të shumta që kam, unë përsëri mund të zgjedh se çfarë është më e rëndësishme në jetën time dhe ku do ta harxhoj pjesën më të madhe të energjisë-të jem i disponueshëm për gruan dhe fëmijët, të shkruaj, të gjej pak kohë për veten time, dhe kështu me radhë. Pavarësisht se në pamje të parë duket shumë e thjeshtë si metodë, mua më ka dhënë një ndihmesë të madhe që të jem i fokusuar në gjërat më me vlerë që kam. Kur gjej disa minuta për t’ia kujtuar vetes se çfarë ka më shumë rëndësi, kam kuptuar se kjo më bën më shumë të gatshëm dhe të përqendruar, nuk nxitohem, dhe çështja e të pasurit gjithmonë të drejtë nuk është më joshëse për mua. E kundërta ndodh kur harroj t’ia kujtoj vetes se çfarë ka më shumë rëndësi, kuptoj se zhytem në rutinën e ngarkesës së punës dhe mund të humbas nocionin e prioriteteve të mia. Gjithmonë jam me nxitim, punoj deri vonë, e humbas shpejt durimin, u bëj bisht ushtrimeve, dhe bëj gjëra të tjera që bien ndesh me synimet e jetës time. Nëqoftëse rregullisht merr disa minuta kohë për të pyetur veten, ‘Çfarë është më e rëndësishme në jetën tënde?’, do të zbulosh se disa nga vendimet që ke marrë, janë në kundërshtim me synimet që ti i ke vënë vetes. Kjo metodë mund të të ndihmojë për të kordinuar veprimet me synimet e tua dhe të inkurajon të marrësh vendime më të ndërgjegjshme dhe të duhura.
Pranoje se jeta është ajo çfarë ndodh rreth teje! Një nga parimet më themelore spirituale në shumë filozofi është ideja se duhet të jesh i hapur ndaj ‘Jetës reale’ në vend se të insistojnë se jeta duhet të jetë në një mënyrë të caktuar. Kjo ide është shumë e rëndësishme sepse shumë përpjekje që ne bëjmë bazohen në dëshirën për ta kontrolluar jetën, duke insistuar që ajo të jetë ndryshe nga çfarë është në të vërtetë. Por jeta nuk është gjithmonë (ose rrallë herë është) ashtu siç do na pëlqente ne të ishte-ajo është thjesht kështu si është. Sa më shumë t’i dorëzohemi të vërtetës së momentit që po jetojmë, aq më shumë paqe mendore do të përjetojmë.


Kur kemi ide të paramenduara rreth mënyrës se si duhet të jetë jeta, ato ndërhyjnë në mundësitë që na jepen për t’u argëtuar ose për të mësuar në momentin apo në kohën që po jetojmë. Kjo na pengon t’i japin nderimin e duhur asaj që tashmë po kalojmë, e cila mund të jetë një mundësi për një ndërgjegjësim të rëndësishëm.
Në vend që të reagosh ndaj ankesave të fëmijës ose mosmarrëveshjeve që mund të lindin me bashkëshortin/en, përpiqu ta hapësh zemrën dhe ta pranosh momentin ashtu siç është. Ji dakord me faktin se ata nuk po veprojnë saktësisht në atë mënyrë që ti do të doje të vepronin. Ose, nëqoftëse projektin për të cilin ke punuar nuk ta kanë pranuar, në vend që të ndjehesh i mposhtur përpiqu t’i thuash vetes, ‘Ah, refuzim. Herës tjetër do të më aprovojnë.’ Merr frymë thellë dhe zbute përgjigjen tënde.
Ji i hapur ndaj këtyre mundësive, jo për të pretenduar se të pëlqejnë ankesat, mosaprovimi, ose dështimi, por për t’i kapërcyer ato-pranoje me optimizëm faktin se jeta nuk po shkon në mënyrën që e kishe planifikuar. Nëqoftëse mëson ta hapësh zemrën edhe gjatë vështirësive të jetës së përditshme, shpejt do të zbulosh se shumica e gjërave që gjithmonë të kanë mërzitur nuk do të jenë më një shqetësim për ty. Perspektiva jote do të thellohet. Kur lufton atë për të cilën ti je përpjekur aq shumë, jeta jote mund të kthehet në një betejë. Mund ta krahasosh me një lojë Ping-Pongu, ku ti je topi. Por kur i dorëzohesh momentit, ti thjesht pranon atë çfarë po ndodh, bie dakord me këtë fakt, dhe shumë shpejt do të dalin në pah më shumë ndjenja pozitive. Provoje këtë metodë me disa nga sfidat që do të hasësh. Gradualisht do të jesh në gjendje ta zgjerosh të njëjtin këndvështrim edhe në gjëra më të mëdha. Kjo është një mënyrë vërtetë e fuqishme për ta jetuar jetën.