Arritjet më të mëdha e domethënëse janë ato që burojnë nga brendësia e vetes tonë.
Rivlerëso edhe një herë çfarë do të thotë për ty ‘një arritje me të vërtetë e rëndësishme’. Ndonjëherë është e lehtë të rrëmbehemi nga arritjet tona. E kalojmë gjithë jetën tonë duke korrur suksese, duke fituar çmime e vlerësime të ndryshme, duke u përpjekur të fitojmë lavdi dhe duke kërkuar miratimin e të tjerëve. Kaq shumë rendim pas këtyre gjërave saqë humbasim atë çfarë ka me të vërtetë kuptim dhe rëndësi për ne.
Nëqoftëse pyet persona të zakonshëm, ‘Çfarë është një arritje e madhe’ përgjigjet tipike që do të marrim do të jenë të tilla si, ‘Kur kemi arritur realizimin e një objektivi afatgjatë’, ‘kur fitojmë shumë para’, ‘kur fitojmë një lojë’, ‘kur ngrihemi në detyrë’, ‘kur jemi më të mirët’, ‘kur fitojmë një çmim’, e kështu me radhë. Theksi bie thuajse gjithmonë në aspektet e jashtme të jetës; gjëra që nuk kanë të bëjnë me ne personalisht, domethënë, nuk e përfshijmë veten tonë në këto lloj arsyetimesh. Natyrisht, nuk ka asgjë të keqe t’i realizosh këto synime; për më tepër ato do na ndihmojnë të përmirësojmë rrethanat tona.
Por, nëqoftëse qëllimi yt primar është të gjesh lumturi dhe qetësi të brendshme atëherë këto lloj arritjesh nuk janë ato më të rëndësishmet dhe më me vlerë në jetën tënde. Të shohësh fotografinë tënde në gazetën lokale mund të jetë diçka e bukur për t’u arritur, por nuk është edhe aq kuptimplotë dhe e rëndësishme se sa të mësosh se si t’u bësh ballë vështirësive dhe fatkeqësive që të sjell jeta.
Shumë njerëz do të mburreshin me foton e tyre në gazetë sikur të ishte kjo një arritje e madhe. Të njëjtët persona nuk do të konsideronin aspak arritje faktin se të qëndrosh i patundur dhe t’i përballosh me sukses sfidat e jetës është një arritje e madhe. Ku janë përparësitë e tua?
Nëqoftëse, ndër synimet e tua primare janë dëshira për të qenë paqësor dhe i përzemërt, atëherë përse të mos i rishikosh edhe njëherë arritjet e tua duke i përcaktuar si më domethënëse ato të cilat mbështesin dhe nxisin cilësi të bukura si mirësia dhe lumturia?
Unë mendoj se arritjet më të mëdha e domethënëse janë ato që burojnë nga brendësia e vetes tonë: A u solla mirë me veten dhe të tjerët? A reagova ashpër ndaj një sfide, apo u tregova i qetë dhe i përmbajtur? A jam i lumtur? A rashë pre e zemërimit apo u tregova i shtruar dhe vazhdova të shoh përpara. Au tregova tepër kokëfortë? A i kam falur të tjerët për ndonjë gabim? Këto pyetje, dhe të tjera si këto, na kujtojnë se masa e vërtetë e suksesit tonë nuk varet nga puna që ne bëjmë, por se kush jemi në të vërtetë dhe sa dashuri kemi në zemrat tona.
Në vend që ta lësh veten të konsumohet duke u përpjekur fort për arritje që varen nga faktorë të jashtëm, përpiqu t’i kushtosh më tepër vëmendje atyre gjërave dhe synimeve që janë me të vërtetë të rëndësishme dhe domethënëse në jetën tënde. Kur ti të kesh kuptuar me të vërtetë se çfarë do të thotë për ty të përmbushësh një arritje vërtetë kuptimplotë dhe domethënëse, atëherë kjo do të ndihmojë të qëndrosh i përqendruar në udhën e drejtë.
Dëgjoji ndjenjat e tua (Ato po përpiqen të të thonë diçka)! Ti je i pajisur me një sistem të pagabueshëm që të udhëheq gjatë jetës. Ky sistem, i cili përbëhet tërësisht nga ndjenjat e tua, të bën të kuptosh nëse nuk je në rrugën e duhur dhe po drejtohesh drejt palumturisë dhe konfliktit, apo je në rrugën e duhur dhe po shkon drejt qetësisë mendore. Ndjenjat veprojnë si barometër, të tregojnë se si është klima jote e brendshme.
Kur nuk mendohesh së tepërmi, duke mos i marrë gjërat shumë seriozisht, atëherë ndjenjat do të jenë përgjithësisht pozitive. Ato do të tregojnë se po e përdor të menduarin në avantazhin tënd. Nuk ka nevojë të bësh ‘rregullime në mendjen tënde’.
Kur po kalon momente që nuk janë të këndshme, për shembull kur ndjehesh i inatosur, mban mëri, i dëshpëruar, i stresuar, i irrituar e kështu me radhë, sistemi i alarmit të ndjenjave të godet si një flamur i kuq për të të kujtuar se nuk je në rrugën e drejtë, ke humbur perspektivën dhe është koha për të ngadalësuar rrjedhën e mendimeve të tua. Është e nevojshme të bëhen disa ‘rregullime mendore’. Mund t’i shikosh ndjenjat negative në të njëjtën perspektivë si i sheh dritat e alarmit në kruskotin e makinës tënde. Kur ndizen, ato të lënë të kuptosh se është koha për t’u qetësuar.
Në të kundërt me ato çfarë jemi mësuar të besojmë, ndjenjat negative nuk kanë nevojë të studiohen dhe analizohen. Kur i analizoni ndjenjat negative, zakonisht rezultatet janë të tilla, ato do të shtohen më shumë nga çfarë ishin në fillim dhe ju do të jeni në një ‘luftë’ të vazhdueshme me to. Herës tjetër që do të ndjehesh keq, në vend që të fiksohesh në ‘analizën paralizuese’ duke u çuditur se përse ndjehesh kështu, shiko nëse mund t’i përdorësh ndjenjat e tua për të të drejtuar përsëri drejt paqes dhe qetësisë me veten tënde.
Mos pretendo se ndjenjat negative nuk ekzistojnë. Por, përpiqu të kuptosh se arsyeja që ndjehesh i mërzitur, i inatosur, i stresuar, dhe po e merr jetën kaq shumë seriozisht është se, ‘je duke e vrarë mendjen për gjëra të vogla’. Në vend që të përveshësh mëngët dhe ta luftosh jetën, ndalo, merr frymë thellë disa herë, dhe relaksohu. Mos harro se, jeta nuk është një urgjencë, por je ti që e bën të tillë.
Nëqoftëse dikush të tregon një problem të tij, nuk je i detyruar gjithmonë ta marrësh përsipër ta zgjidhësh ti. Shpesh luftërat që kemi me veten vijnë nga tendenca jonë për të ndërhyrë në problemet e shqetësimet e dikujt tjetër; dikush të hedh një shqetësim të tijin dhe ti e merr përsipër dhe mendon se duhet ta zgjidhësh. Ti merr përsipër të zgjidhësh problemet e të tjerëve, pastaj më vonë, ndjehesh i stresuar ose i mërzitur sepse je mbrapa me programin e punës dhe të duket se të gjithë presin nga ti. Është shumë e lehtë ta humbasësh përqendrimin në dramat e jetës tënde. Duhet të kujtohesh se nuk ke përse t’i marrësh ti përsipër problemet e të tjerëve, dhe kjo në vetvete është një mënyrë efektive për të reduktuar stresin në jetën tënde. Kjo nuk do të thotë se ti kurrë nuk duhet të marrësh pjesë në problemet e të tjerëve, por thjesht kjo është një çështje që e ke ti në dorë ta bësh apo jo.
Të zhvillojmë një pikëpamje më të qetë për jetën kërkon që ne të njohim limitet tona dhe të marrim përsipër përgjegjësitë për sa i përket pjesës tonë në këtë proces. Shumica prej nesh përjeton çdo ditë raste të tilla ku direkt apo indirekt thirremi të përfshihemi në problemet e të tjerëve,-në punë, nga fëmijët tanë, miqtë, komshinjtë, shitësit madje edhe nga të panjohurit. Nëqoftëse do të merrja përsipër çdo ditë të ndërhyja në ato çështje që duan të më përfshijnë të tjerët, sigurisht që do të pësoja ndonjë krizë mendore, dhe supozoj se kjo do t’ju ndodhte edhe ju! Çelësi është të dish se kur do të jetë problemi i radhës, në këtë mënyrë nuk do ta ndiejmë veten sikur të ishim ne viktima, të mërzitur, ose të tronditur.
Edhe diçka tepër e thjeshtë, si për shembull, kur përgjigjemi në telefon kur jemi shumë të zënë për të folur është një formë se si ne marrim përgjegjësi kur nuk mund t’i përballojmë ato. Duke i’u përgjigjur telefonit, vullnetarisht merr pjesë në një bashkëveprim për të cilin nuk mund të gjesh kohën, energjinë, ose vëmendjen e duhur në atë moment. Ndërsa kur ne nuk përgjigjemi në telefon, po i kontribuojmë paqes tonë mendore. E njëjta gjë aplikohet edhe kur të fyejnë ose të kritikojnë. Kur dikush të drejtohet me një ide ose koment, ti ose mund të reagosh ose kështu vritesh shpirtërisht, ose mund të mos i kushtosh vëmendje dhe të vazhdosh qetësisht me pjesën tjetër të ditës.
Ideja e ‘mos zgjidhjes së problemit të tjetrit’ thjesht sepse të është drejtuar ty për ta zgjidhur është një mjet i fuqishëm që ia vlen ta eksplorosh. Shpresoj se do ta eksperimentosh këtë metodë. Dhe të zbulosh se mund t’ia dalësh t’i zgjidhësh dhe t’i përballosh shumë më mirë problemet nga çfarë mendoje.
Çdo përjetim i mirë apo i keq qoftë, ji i sigurt se do të kalojë! Kjo është një metodë e praktikuar dhe shumë e vlefshme. Është një përkujtues i nevojshëm për të na thënë se gjithçka: e mirë dhe e keqe, kënaqësi dhe dhimbje, aprovim dhe mosaprovim, arritje dhe gabime, famë dhe turp-të gjitha vijnë dhe shkojnë. Çdo gjë e ka një fillim dhe fund, kështu do të jetë. Çfarëdo lloj përvoje që ke patur tashmë ajo ka mbaruar. Çdo mendim që ke patur, ka filluar dhe ka mbaruar. Çdo emocion dhe gjendje shpirtërore që ke kaluar është zëvendësuar më vonë nga një tjetër. Me siguri, ke provuar ndjenja të tilla si: gëzim, mërzi, xhelozi, dëshpërim, inat, krenari, ke rënë në dashuri etj. Ku shkuan gjithë këto ndjenja? Përgjigja është se asnjeri nuk e di me të vërtetë. E gjitha ajo që dimë është se, si përfundim, gjithçka zhduket në asgjë, në hiç. Duke e mirëpritur këtë të vërtetë në jetën tënde do të shohësh se është vetëm fillimi i një aventure çliruese.
Jeta është një sërë ndodhish, dhe çdo moment ndiqet nga momenti tjetër i radhës. Një ngjarje e gëzueshme pason me një moment problematik etj. Gjithsesi, mos u mërzit, ti do të ndjesh paqe brenda vetes edhe kur ai moment të ketë kaluar. Nëse do t’i kemi parasysh këto përkujtues do ta ruajmë përspektivën edhe përballë vështirësive. Jo gjithmonë është e lehtë, por zakonisht kjo na ndihmon shumë.