Njerëzit e relaksuar mund t’i bëjnë të gjitha dhe në fakt, relaksimi dhe aftësia krijuese lidhen ngushtë me njëri-tjetrin.
Çfarë do të thotë të relaksohesh? Pavarësisht sa shumë mund ta kemi dëgjuar këtë term, mbase me mijëra herë gjatë gjithë jetës tonë, shumë pak njerëz e kanë marrë thellësisht në konsideratë se me çfarë ka të bëjë me të vërtetë.
Kur i pyet njerëzit (gjë që e kam bërë shumë herë) çfarë do të thotë relaks, shumica do të përgjigjen në atë mënyrë që do të bëjnë të kuptosh se relaksimi është diçka që e planifikon për ta bërë më vonë-ti relaksohesh kur je me pushime, kur shtrihesh në një shezllong, kur del në pension, ose kur i ke kryer të gjitha punët që kishe për të bërë. Natyrisht, kjo nënkupton, se shumicën e kohës (95 përqind të pjesës tjetër të jetës) do ta shpenzosh duke u nervozuar, irrituar, nxituar etj. Shumë pak vetë dalin hapur dhe e pohojnë këtë, por kjo nënkuptohet qartë. Mundet që kjo të shpjegojë përse shumica prej nesh e shikon jetën sikur të ishte një urgjencë e madhe? Njerëzit e shtyjnë relaksimin deri kur ‘lista e punëve për t’u kryer të ketë përfunduar’ domethënë të jetë bosh. Natyrisht kurrë nuk do të jetë.
Është e domosdoshme ta mendosh relaksimin si një cilësi të zemrës ku mund të kesh akses në përdorimin e përditshëm të tij, se sa diçka e rezervuar për një kohë të mëvonshme. Ti mund të relaksohesh edhe tani. Ia vlen të kujtosh se njerëzit e relaksuar mund t’i realizojnë të gjitha dhe në fakt, relaksimi dhe aftësia krijuese lidhen ngushtë me njëri-tjetrin. Për shembull, kur ndjehem i tensionuar, nuk e marr guximin të shkruaj fare. Por, kur ndjehem i relaksuar, mendimet më rrjedhin lirshëm dhe shpejt.
Të jesh më shumë i relaksuar përfshin trajnimin që i bën vetes tënde për t’iu përgjigjur ndryshe dramave të jetës jo me frikë e ankth por me mature e qetësi. Kjo bëhet duke ia kujtuar vetes shpesh (me dashamirësi dhe durim) se ke të drejtë të zgjedhësh vetë se si mund t’i përgjigjesh jetës. Mund të mësosh se si të mbështetesh te mendja dhe rrethanat e tua në mënyra të tjera. Duke u praktikuar, duke bërë këto zgjedhje do të shndërrohesh në një person më të relaksuar.

Zbuti dramat në jetën tënde dhe ktheji në normalitet! Nga njëra anë kjo metodë është vetëm një mënyrë tjetër për të thënë: ‘Mos u mërzit për gjëra të vogla.’ Shumë njerëz jetojnë sikur jeta të ishte një dramë-‘një lojë teatrale ekstravagante në të cilën aksioni dhe komploti dominojnë.’ Të duket e njohur? Në mënyrë dramatike i zmadhojmë gjërat duke bërë shumë zhurmë për asgjë. Ne harrojmë se jeta nuk është aq e keqe sa e bëjmë ne. Gjithashtu harrojmë se kur i zmadhojmë gjërat aq sa dalin jashtë vendit të tyre, jemi ne ata të cilët e kemi fryrë situatën, askush tjetër.
Kam zbuluar se thjesht t’ia kujtosh vetes se jeta nuk ka përse të jetë një telenovelë është një metodë e fuqishme për t’u qetësuar. Kur filloj të tensionohem ose filloj ta marr veten shumë seriozisht (e cila ndodh më shpesh se sa më pëlqen ta pranoj), i them vetes diçka të tillë, ‘Ja ku po e bëj përsëri. Telenovela ime është duke filluar.’ Pothuajse gjithmonë, kjo më ndikon të largoj seriozitetin dhe më bën të qesh me veten. Shpesh, kur të kujtohem për këtë gjë ndryshoj kanalin në një stacion më paqësor. Drama ime është zbutur dhe i kthehet normalitetit.
Nëqoftëse ke ndjekur ndonjë telenovelë, e kupton se si personazhet i marrin gjërat e vogla shumë seriozisht për t’u shkatërruar jetën atyre-kur dikush thotë diçka për t’i ofenduar, i shohin shtrembër, ose flirtojnë me partnerin e tyre. Përgjigja e zakonshme është, ‘Oh zoti i madh. Si mund të më ndodh mua kjo?’ Pastaj ata e acarojnë problemin duke folur me të tjerët ‘se sa e tmerrshme është kjo.’ Kështu e kthejnë jetën e tyre në një urgjencë-në një melodramë. Herës tjetër kur ndjehesh i/e stresuar, provo ta eksperimentosh këtë metodë-kujtoja vetes se jeta nuk është një urgjencë, zbute ‘dramën’, dhe kthehu normalitetit.
Bëj gjërat sipas radhës! Një ditë po ngisja makinën në autostradë dhe vura re një burrë i cili, duke udhëtuar me makinën e vet në korsinë e shpejtë, ishte duke rruajtur mjekrën, duke pirë një kafe, dhe lexonte gazetën! ‘Perfekte’ thashë me veten time, ndërsa po përpiqesha të mendoja një shembull të përshtatshëm për të nxjerrë në pah çmendurinë e shoqërisë tonë të harbuar. Sa herë përpiqemi të bëjmë më shumë se një gjë në të njëjtën kohë? Ne kemi celularë që supozojnë të na e bëjnë jetën më të lehtë, por në disa aspekte e bëjnë atë edhe më të vështirë. Shumica prej nesh kanë tendencën që kur flasin me dikë, mendja iu shkon diku tjetër. Kur bën shumë gjëra në të njëjtën kohë, është e pamundur të jesh i përqendruar në diçka. Në këtë mënyrë, jo vetëm po humb një pjesë të mirë të argëtimit në atë që po bën, por gjithashtu je edhe më pak i përqendruar dhe jo efektiv.
Një ushtrim interesant është të anullosh çfarëdolloj gjëje tjetër, kur ke marrë përsipër për të bërë një gjë të vetme për një periudhë të caktuar kohe. Nëse je duke larë pjatat, duke folur në telefon, duke udhëtuar me makinë, duke luajtur me fëmijët, duke lexuar një revistë, përpiqu të fokusohesh vetëm në atë gjë që po bën. Ji i vëmendshëm në atë që je duke bërë. Përqendrohu, dhe do të vësh re se do të ndodhin dy gjëra. Së pari, do të argëtohesh me atë që je duke bërë, madje edhe me diçka të zakonshme si larja e pjatave ose kur sistemojmë dollapin e rrobave. Kur je i përqendruar dhe nuk hutohesh, ke mundësi të jesh më i vëmendshëm dhe i interesuar në aktivitetin tënd. Së dyti, do të habitesh se sa shpejt dhe me efektshmëri do t’i kryesh punët. Që kur jam bërë më i fokusuar dhe i orientuar, aftësitë e mia janë përforcuar praktikisht në të gjitha aspektet e jetës-në të shkruarin, të lexuarit, në punët e ndryshme dhe të folurit në telefon. E gjitha kjo fillon kur ti merr vendimin për t’i bërë gjërat sipas radhës.

Ruaje qetësinë kur gjendesh në syrin e stuhisë! Syri i stuhisë është një vend specifik në qendër të një uragani ose tornadeje kur është qetë, pothuajse i izoluar nga gjëmimi i stuhisë. Çdo gjë rreth e rrotull qendrës është e furishme dhe turbulluese, por qendra ngelet gjithmonë e qetë. Sa mirë do të ishte nëse edhe ne do të mund të qëndronim të qetë dhe të patrazuar në mes të kaosit; në ‘sy të stuhisë’. Çuditërisht është shumë e lehtë që ta imagjinosh veten në syrin e ‘stuhisë njerëzore’. Duhet vetëm ta vësh si qëllim dhe ta praktikosh. Imagjino sikur je duke shkuar në një mbledhje dhe pa filluar akoma je i bindur se do të jetë një katastrofë e vërtetë. Konsideroje si një eksperiencë që do të të ndihmojë për të ruajtur qetësinë. Mund ta mendosh veten si i vetmi person i qetë në atë dhomë. Mund të praktikosh frymëmarrjen, si edhe të dëgjuarit. Gjithashtu, mund t’i lejosh të tjerët të kenë të drejtë dhe të gëzojnë lavdinë. Dua të them se, mund t’ia dalësh nëse je vërtet i vendosur.
Duke filluar së pari me njerëzit që njeh, si grupime familjare, ose festa ditëlindjesh për fëmijë, do vësh re menjëherë ndryshimin. Shumë shpejt do shohësh se duke qenë në ‘sy të stuhisë’ do të jesh në çdo moment i vëmendshëm, por edhe do të argëtohesh më shumë se më parë. Sapo të mësohesh me këto situata të padëmshme, mund ta praktikosh këtë metodë edhe në rrethana më të vështira, për shembull, kur përballesh me një konflikt, vështirësi ose hidhërim. Nëse e fillon ngadalë, dhe ke rezultate, shumë shpejt do të dish se si të jetosh në ‘syrin e stuhisë’. Të jesh elastik për sa u përket planeve të tua! Sapo kam bërë një plan për diçka, e kam të vështirë që ta lë të më shkojë dëm. Më kanë mësuar, dhe deri në njëfarë pike është e vërtetë se, suksesi ose të përfundosh me sukses një projekt, kërkon këmbëngulje. Megjithatë, në të njëjtën kohë, mospërshtatja krijon një sasi të jashtëzakonshme stresi të brendshëm dhe shpesh i irriton e shqetëson të tjerët.

Na pëlqen të shkruajmë në orët e mëngjesit. Ndonjëherë i vëmë vetes si qëllim për shembull, të përfundojmë një ose dy metoda përpara se dikush në shtëpi të ngrihet nga krevati. Por çfarë ndodh fjala vjen nëse vajza ime katër-vjeçare ngrihet herët dhe ngjitet lart për të ardhur tek unë? Sigurisht, planet e mia, tashmë u ndryshuan, por si do reagoj? Ose, mund të kem plane të tjera, ose planifikoj për shembull, për të dalë jashtë për vrap, përpara se të shkoj në zyrë. Çfarë ndodh nëse marr një telefonatë urgjente nga zyra dhe më duhet ta lë vrapin? Ka shembuj domethënës dhe të pafund për të gjithë. Ka raste ku planet tona ndryshojnë papritur, diçka që ne mendonim se do të ndodhte por nuk ndodhi, dikush tha se do të bënte diçka por nuk e bëri, fiton më pak para se sa mendonit se mund të fitonit; dikush ndryshon planet e tua pa lejen tuaj, ose kur ke më pak kohë se sa e parashikuat, të del diçka e papritur e kështu me radhë. Pyetja që do i bësh vetes është: Çfarë është me të vërtetë e rëndësishme? A është më shumë e rëndësishme që t’i përmbahesh një programi të rreptë për të shkruar apo të kesh pranë vajzën tënde katër-vjeçare? A ja vlen të mërzitesh për tridhjetë-minuta vrap të humbur?
Natyrisht, për t’u bërë një person më paqësor, në shumicën e kohës duhet të vësh si prioritet faktin e të qënit më i ekuilibruar në vend se t’i ndjekësh me fanatizëm të gjitha planet e tua (sigurisht, mundet të ketë edhe përjashtime). Do të shohësh se, nëqoftëse vë si synim të bëhesh më elastik, do fillojnë të ndodhin gjëra të mrekullueshme. Do të ndjehesh më i relaksuar dhe nuk do të sakrifikosh ndonjë punë me rëndësi. Gjithashtu, mund të bëhesh edhe më efikas, sepse nuk do ju duhet të harxhoni shumë energji për të qenë të mërzitur dhe të shqetësuar.