REALIZO POTENCIALIN TËND

Ecja në një drejtim është çelësi për të shfaqur versionin më të plotë të vetvetes. Kur ti je vetvetja, atëherë po ecën në një drejtim.

Ekzistojnë mënyra që na ndihmojnë për të zbuluar gjërat që ndjekin drejtimin tonë. Ekzistojnë libra që flasin për teste të zhvilluara mbi muskujt dhe për përgjigjet e tyre fizike ndaj mendimeve: Trupi yt dobësohet ose forcohet, në varësi të ndikimit që kanë disa mendime të caktuara tek ti.
Duejni përdor një proces të caktuar frymëmarrjeje, në mënyrë që të kuptojë nëse diçka po e kufizon aftësinë e tij për të marrë frymë lirisht, apo nëse ai ndihet i hapur me mjedisin që e rrethon. Disa njerëz e quajnë instikt të brendshëm, por këdo proces të përdorësh, duhet të jesh i vetëdijshëm për gjendjen tënde fizike.
Siç e kemi thënë më parë, e kuptojmë ndryshimin e kursit vetëm kur fillojmë të ndiejmë dhimbje. Ndiejmë se ushqimi nuk është tretur. Ndiejmë lodhje. Ne dimë t’i lexojmë këto sinjale. Por është e vështirë për ne të ndalojmë për të lexuar ndërlikimet më të imta të ndryshimit të kursit, sidomos kur kjo ndodh në jetën dhe mendjen tonë. Ndihemi kaq të zënë me punë, saqë nuk ndalojmë as edhe një çast për të parë se si ndikojnë gjërat te ne. A ndihem unë i zhgënjyer apo i mërzitur nga kjo ndodhi? A ndihem mirë dhe në paqe? A ndihem në paqe me këtë person, apo ndihem në siklet dhe ankth kur rri pranë tij? Pothuajse të gjithë njerëzit janë të vetëdijshëm kur janë pranë dikujt me të cilin ndihen mirë. Kanë një ndjesi të brendshme. Nuk është ndjesi racionale, nuk vjen për shkak të fjalëve të mëdha që përdor ai person, apo për shkak të veshjes së tij të veçantë. Kjo mund të ketë qenë arsyeja pse ai ju ka tërhequr (apo larguar) në çastin e parë, por, ndërsa fillon ta njohësh, niveli i lirshmërisë tënde buron nga lidhja e brendshme që ti krijon. Nga lidhja emocionale.
Nuk mund të ketë dije pa emocione. Mund të jemi të vetëdijshëm për të vërtetën, por përsëri ajo nuk është pjesë jona derisa të kemi ndierë forcën e saj. Kompromisit të trurit i duhet shtuar përvoja e shpirtit.


Nëse dëshiron të lejosh që suksesi të hyjë në jetën tënde, nëse dëshiron të krijosh një jetë paqësore plot gëzime dhe kënaqësi, duhet të bëhesh i vetëdijshëm dhe i ndjeshëm në lidhje me gjërat që mund të udhëtojnë në kursin tënd. Për ta arritur këtë duhet të vetëdisiplinohesh. Të njohësh atë që është më e mirë për ty. Të konsumosh ushqime që të bëjnë mirë për shëndetin. Të merresh me ushtrimet që ndikojnë në mirëqenien e trupit. Të fusësh në mushkëri ajër të shëndetshëm. Në këtë mënyrë, ruajtja e kursit mbjell farën e suksesit.
Por ne dimë shumë pak për atë zonë të mendimeve nga ku buron ruajtja e kursit. Cilat mendime na japin një ndjesi mirëqenieje? Cilat na japin një ndjesi rehatie, gëzimi dhe paqeje? Nëse je i qartë, mund të fillosh duke i ushqyer këto lloj mendimesh.
Gjithashtu, mund të shpërbësh dhe të tretësh mendimet që të çojnë diku larg suksesit. Këto janë mendimet që të inatosin, të mërzitin, të futin frikën dhe të zhgënjejnë; janë gjithë mendimet që nxitin emocione që bazohen te frika. Drejtoje dritën tek to. Kupto se janë rregulluese pozitive kursi të maskuar. Mos ki frikë. Mos i merr fjalë për fjalë apo shumë seriozisht. Nëse janë mendime negative, atëherë nuk janë në një drejtim me lëvizjen e universit.
Nëse kupton se, pavarësisht përpjekjeve, puna që bën nuk të përmbush, ndoshta duhet të mendosh për një pozicion tjetër në kompani. Por çfarë duhet të bësh nëse ke frikë nga ndryshimi? Do të mbetesh i paralizuar dhe mjeran? Kur u beson mendimeve të tua negative, çdo mundësi për ndryshime thelbësore duket shumë e vështirë. Nëse ti e ke ndryshuar aq shumë përqasjen tënde me jetën sa për të qenë i aftë të kthesh mbrapsht kë mendim të duash, në të vërtetë je duke kërkuar ndryshimin. Ti do të kërkosh gjithçka së cilës ia ke pasur frikën.
Pasi të kesh kthyer mbrapsht mendimet mbi ndryshimin, mund të ndryshosh gjithçka, përfshirë edhe punën tënde. Për të gjetur vendin e punës që të përshtatet mund të përdorësh mekanizmin e feedback-ut, që lind me këtë proces të ndryshuar për të parë nga brenda-jashtë dhe jo nga jashtë-brenda. Do ta ndiesh atë që bën për ty.
Kur e praktikojmë këtë metodë, përqendrohemi tek ajo që duhet të arrijmë dhe jo tek ajo që duam të shmangim. Pra, mund të përqendrojmë të gjithë vëmendjen te ruajtja e kursit. Dhe kur diçka nuk bën për ne, kjo nuk është e keqe apo e gabuar, është thjesht një komunikim i dobishëm! Dalja nga kursi është një mësues që do të thotë: ‘Kjo nuk bën për ty. Kjo nuk shkon me atë që të vjen natyrshëm të bësh. Nuk do ta gjesh këtu suksesin. Me këtë linjë mendimi do të hasësh vetëm pengesa’.


Kemi dëgjuar aq shumë fjalime, njëkohësisht shumë libra janë shkruar mbi qëllimin e jetës. Disa njerëz thonë se qëllimi i tyre në jetë është të bëhen mësues apo artistë, drejtorë ekzekutivë apo udhëheqës shpirtërorë. Vërtet, këto janë qëllime të mira, por ne po flasim për diçka më të madhe se kaq.
Të gjitha profesionet e sipërpërmendura mund të jenë pjesë e qëllimit tënd për t’i vënë ato në praktikë. Por qëllimi yt më i lartë është të bësh realitet potencialin tënd. Pikërisht tani, në këtë çast, e jo në një të ardhme të largët. Qëllimi yt është të mësosh të nxjerrësh në pah dhe t’i tregosh botës dhuratat që ke brenda vetes. Tani. Ky është thjesht motivi më thelbësor, më i thellë dhe më i rëndësishëm për të jetuar. Të bëhesh ai që je. Ky është qëllimi yt. Ky është qëllimi i çdokujt.
Po sikur, vetëm për një çast, të mund të jetoje pa menduar për paratë? Po sikur të jetoje përtej mendimeve mbi nevojat e tua? Po sikur sot të shkoje në punë vetëm për të bërë atë që dëshiron të bësh? Si do të dukej kjo? Si do të ishe ti? Ky është një ushtrim i mirë si pikënisje.
Mund të shkojmë edhe më tej. Zbulimi i qëllimit që kemi lidhet me ndërgjegjësimin tonë për të. Kjo ndodh në qetësi dhe në vetmi. Nuk do të mund ta zbulosh as duke lexuar librin e tridhjetepestë që flet për zbulimin e qëllimit të jetës. Qëllimi yt është të bëhesh më i mirë sesa je.
Qëllimi është i thjeshtë. Ta përmbushësh do të thotë të nxjerrësh më të mirën e vetvetes dhe t’ia japësh atë botës. Ky është qëllimi i jetës tënde. Dhe çdo njeri ka po të njëjtin qëllim! Pa përjashtim. Secili prej nesh ka mënyrën e vet për ta arritur atë: disa të aftë të argëtojnë të tjerët, disa kanë aftësi organizuese, disa kanë aftësi mësimdhënieje, disa janë të aftë të krijojnë.
Në filmin ‘Demi i tërbuar’ Robert De Niro luante rolin e Roki Gracianos. Ai u shndërrua në personazhin e tij. E studioi, e shtoi në peshë që t’i ngjante, dhe u bë si ai. Qëllimi i tij ishte të dukej si Graciano. Nëse De Niro mundi ta arrinte këtë me një boksier që s’jeton më, ti mund të bësh të njëjtën gjë me veten.
Nëse je duke lektuar në një seminar ‘duhet të jesh vetvetja’, vetëm atëherë mund të jesh i suksesshëm! E jo ai që mendon se duhet të jesh. Nuk është e nevojshme të sajosh ndonjë histori kur je hero lufte. Dëgjuesit krijojnë një lidhje me ty sepse ke pasur probleme që ke mundur t’i kapërcesh dhe sepse nuk druhesh të flasësh për to. Ja çfarë bën shumica e dëgjuesve. Ata krijojnë një lidhje me ty dhe gjejnë veten te jeta jote plot probleme. Nëse do t’u thoshe se ke qenë një hero lufte dhe se nuk ke bërë kurrë një gabim në jetën tënde, ata nuk do ta krijonin këtë lidhje.


Ecja në një drejtim është çelësi për të shfaqur versionin më të plotë të vetvetes. Kur ti je vetvetja, atëherë po ecën në një drejtim. Ti e kupton se ç’do të thotë kjo. Tani, ti po e bën këtë. Po dëgjon emocionet, ndjenjat e tua, trupin tënd, frymëmarrjen dhe lodhjen tënde.
Kur bën diçka që të pëlqen shumë, mund të vazhdosh për orë të tëra pa u lodhur. Kur bën diçka që nuk e duron dot, do të lodhesh pas pak minutash. Pra mund ta kuptosh pse ecja në një drejtim me atë që dëshiron, sjell energjinë dhe përqendrimin e duhur për të arritur suksesin. Pasi ta shohësh këtë te vetja, do ta vësh re edhe te punonjësit e tu; pasi ky parim të japë rezultate tek ti, atëherë do të jetë dhurata më e mirë që mund t’u bësh punonjësve.
Mund të mendosh: ‘Si mund ta di se jam në gjendje të bëj më mirë’. Duhet vetëm të dëgjosh dhe të mësosh. Dëgjo mjedisin dhe ata që të rrethojnë. Ji i vëmendshëm sepse ata përpiqen gjithë kohës të të tregojnë se çfarë bëjnë më mirë! Ti e ke mbart këtë aftësi brenda vetes, por ke edhe feedback, bota po përpiqet të të thotë se kush je. Ka sinjale. Të gjitha përbëjnë një pasqyrë të madhe të shpirtit tënd. Nëse ndihesh shkëlqyeshëm pasi lexon një fjali në një libër dhe të rrënqethet mishi, bota po përpiqet të të thotë: Ky je ti!
Në përmbyllje të këtij shkrimi mund të ndërmarrësh veprimet: a) Bëj disa pushime të vogla sot, thjesht për të ndenjur me veten dhe dëgjo zërin e brendshëm. Mund të zgjasë edhe 30 sekonda, mbyll sytë dhe merr frymë thellë. b) Fillo të mendosh në përqasjen ose jo me drejtimin tënd, në vend që të mendosh për ‘të drejtën’ dhe ‘të gabuarën’. Vër re se ‘e drejta’ dhe ‘e gabuara’ janë gjykime të dhunshme, nëse i krahason me natyrën e qetë të drejtimit tënd dhe drejtimeve të tjera. c) Përdori ndjenjat e tua negative si një alarm i mirëpritur i një ore me zile. Lejoji të të çojnë prapa, te mendimi stresues për të cilin bëhet fjalë. Përdore atë mendim për të përmirësuar vendin e punës. Dhe në fund do të shtonim pa asnjë mëdyshje: Harmonia nuk është ndjesi, por një proces fizik!