NJË MENAXHER I FLAK ARMËT

Një menaxher mendon në termat e asaj që mund të jetë dhe jo të asaj që duhet të jetë, por nuk është.

Shumica e menaxherëve i kërkojnë jashtë vetes së tyre problemet që kanë nevojë për zgjidhje, pikërisht, ‘tek organizata ose bota e jashtme’. Ata shohin jashtë edhe për të gjetur se cili është objektivi i radhës. Më pas përdorin gjykimin, për t’i ndryshuar gjërat drejt asaj që mendojnë se duhet të jenë. Ka ardhur koha t’i kthehemi përsëri këtij procesi. Jo vetëm në punë, por edhe në çdo aspekt tjetër të jetës sonë. Ka ardhur koha të shohësh botën që të gjesh pasqyrimin tënd në të. Bota e jashtme është thjesht një pasqyrë e asaj që kemi brenda vetes. Vetëm nëse e sheh atë si një pasqyrë, do të kesh mundësinë të kalosh nga një përqasje e brendshme mikromenaxheriale, drejt një harmonie me forcat që veprojnë në botë. Hapi i parë për të arritur këtë është të ndalosh së menduari në mënyrë kritike. Mjaft krahasove! Mjaft me gjykime! Mjaft me përcaktime për atë që njerëzit duhet të bëjnë! Në vend të kësaj, fillimisht zbulo kush janë këta njerëz. Më pas zbulo kush je ti.
Bota e jashtme do të sillet si një pasqyrë që reflekton brenda teje. Ndërsa ndërmerr veprime të ndryshme, ajo do të tregojë se cilat janë mënyrat që funksionojnë më mirë për ty. Dëgjoji vlerësimet e të tjerëve. Mundohu të kuptosh çfarë mendojnë ata për punën tënde. A mendojnë se je i mirë në atë që bën? Konsideroje botën si një altoparlant që të jep feedback, e që të ndihmon të kuptosh dhe të njohësh më mirë atë që ke brenda vetes.


Më pas shih se çfarë është për ty më e natyrshme. Zbulo punën për të cilën nuk të duhet të lodhesh shumë që të arrish sukses, sepse është pjesë e dhuntive të tua. Moxarti filloi të kompozonte që fëmijë. Ai e kuptoi këtë që herët. Prindërit dhe ata që e rrethonin i dhanë menjëherë feedback pozitiv. Brenda vetes çdonjëri prej nesh ka një dhunti të ngjajshme.
Pra, ka ardhur koha të ndalojmë së kërkuari se çfarë duhet rregulluar në botën e jashtme. Në vend të kësaj mund të kërkojmë se cilin drejtim duhet të marrim. Vetëm atëherë mund të lejojmë që përvojat tona të na flasin. Në këtë mënyrë, krijojmë zakonin e besimit nga jeta. Njësoj siç vepron një notar fillestar kur mëson t’i besojë ujit.
Kur ne prezantojmë këtë praktikë, disa nuk besojnë se një aftësi e tillë natyrale ekziston vërtet. Disa prej tyre thonë: ‘Nuk bëj asgjë të mirë. Sa herë që kam marrë diçka përsipër, kam dështuar’. Shumë shpejt, pas vëzhgimit të kujdesshëm të sjelljes së tyre, ata kuptojnë se gjithmonë janë përpjekur të ishin ajo çfarë prisnin të tjerët, gjë që, pothuajse, gjithmonë u ka shkaktuar stres.
Një proces tjetër që duhet të mësojmë t’i kthehemi përsëri është kapërcimi i problemeve. Shumica e menaxherëve mendon se ata ekzistojnë vetëm për të kapërcyer problemet. Shkojnë në punë dhe fillojnë të kërkojnë ku janë problemet dhe, nëse nuk i gjejnë, atëherë këtë e bëjnë eprorët e tyre. Sidomos nëse këta të fundit janë mikromenaxherë dorështrënguar të shkollës së vjetër.
Të zgjidhësh një problem vetëm duke menduar si ta kapërcesh atë, nuk sjell asnjë përfitim. Duhet të ekzistojë së pari dëshira për të parë kuadrin e madh, gjithë sistemin. Sot bota e menaxhimit ka një përqasje defektoze të kundërt. Shumica e menaxherëve i gjykojnë punonjësit për moszbatim të rregullave, me papërshtatshmëri me kodin e veshjes, shkelje që lidhen me numrin e ditëve të pushimit apo me sasinë e punës që duhet mbaruar në fund të ditës. Kështu, punonjësit struken në një mjedis shumë të strukturuar, të manipuluar dhe të kontrolluar. Kjo bëhet ’për të marrë më të mirën prej tyre’. Por, në vend të saj, ata marrin më të keqen e tyre. Ata po imponojnë një mentalitet biruce në vendin e tyre të punës.
Për të marrë më të mirën nga punonjësit, nuk duhet të ndërhysh në jetën e tyre. Duhet t’i lejosh që t’u dalë në pah çka ju vjen natyrshëm, jo t’ua nxjerrësh atë me zor, vetëm se përputhet me ndonjë program të paracaktuar.


Na pëlqen të rrimë me njerëzit që ndihen të qetë, sillen në mënyrë të natyrshme dhe të lirshme. Nuk na pëlqejnë ata që përpiqen të jenë dikush tjetër. Duam të shohim njeriun e vërtetë. Ata që janë vetvetja nxjerrin në pah më të mirën tënde. Ti krijon një lidhje me këtë valë qetësie dhe, papritur, kjo të ndihmon të jesh vetvetja. Sepse, kur dikush fillon të shesë mend, ti kalon në mbrojtje dhe fillon të mendosh: ‘Si duhet të jem unë?’. Në këtë çast përplasen dy ego false dhe konkurrente. Por kur dikush është aq i qetë sa për të qenë ai që është, kjo të ndihmon të jesh aq i qetë sa për të qenë vetvetja, gjë që çon në krijimin e një marrëdhënieje të shkëlqyer. Vendi i punës përfshihet nga paqja, dhe ti mezi pret të hysh brenda.
Kur të gjendesh në rrugën që të përshtatet, ke arritur të identifikosh veten në kuadrin e madh të gjërave. Kompania jote nuk është më një objekt i huaj, sepse ti njeh vlerat e saj. E di çfarë imazhi do të ketë ajo, duke u bazuar te produktet e saj. E njeh reputacionin që ka për shërbimin ndaj klientëve. Tashmë ky parim është pjesë e jotja. Ky nuk është një objektiv që duhet arritur, por një parim i brendshëm nga i cili duhet të nisesh. Tani ke një drejtim për të ndjekur dhe zotëron një sërë vlerash që përcaktojnë kush je si person dhe si kompani.
Kur mban këtë pozicion, është shumë e lehtë dhe natyrale të vlerësosh me zgjuarsi projektet e punës. Nuk përpiqesh të analizosh nëse një projekt është i mirë apo i keq, por kërkon të kuptosh nëse ai është i përshtatshëm. Kërkon të kuptosh nëse ai është i përshtatshëm. Kërkon të kuptosh nëse projekti ndodhet në po të njëjtin kurs që mban ti dhe kompania jote.
Shumica e njerëzve, duke u rritur, kanë mësuar për ligjin e një të dhjetës: Nëse unë dhuroj ‘një të dhjetën e të ardhurave të mia për bamirësi’, atëherë këto të ardhura do të rriten. Por ky rezultat nuk bëhet me makinë llogaritëse! Ky përfundim nuk vërtetohet asnjëherë në mënyrë analitike.
Përvoja na ka treguar se, kur tregohemi dorëlëshuar dhe bujarë, në njëfarë mënyre, në fund, do të kemi më shumë dhe jo më pak se në fillim. Ky është një parim që funksionon në jetë. Por jo në mënyrë analitike. Do të funksionojë vetëm si një dije e brendshme. Por shumica e njerëzve tregohen vigjilentë ndaj jetës. E përballojnë atë duke u përpjekur të mbrojnë veten. Përpiqen të marrin sa më pak risk përsipër dhe qëndrojnë vigjilent, në kërkim të atyre që duan t’i lëndojnë. Kjo është pengesa e tyre drejt një procesi zbulimi pa mbikëqyrje. Nuk dinë si të komunikojnë me botën, në mënyrë që ajo t’u tregojë çfarë kanë brenda vetes, pasi janë shumë të zënë duke u mbrojtur prej saj.
Kjo gjë ndodh edhe më shpesh brenda kompanive. Kohët e fundit, duke trajnuar punonjës të Fortune 500, vura re se shumica e punonjësve me të cilët fola mendonin se armiku ishte vetë kompania. I dëgjonim t’ia nisnin: Kompania nuk… apo Kompania asnjëherë…
Një nga mënyrat për të kuptuar nëse menaxhimi yt ka sukses, është të dëgjosh punonjësit të thonë: Kompania jonë është… apo Ne gjithmonë… Përdoren format ‘jonë’ apo ‘ne’ në vend të ‘ata’ apo ‘tyre’.


Nuk është çudi që kompanitë marrin këtë kulturë paranojake dhe vetëmbrojtëse. E gjithë shoqëria jonë ndihet në kurth nga kjo sindromë. Provo të shesësh një gazetë që shkruan vetëm lajme të mira! Përpiqu të krijosh një stacion televiziv që flet për gjithë gjërat e mira që ndodhin në botë. Një shprehje e vjetër në biznesin e gazetave thotë: Nëse ka gjak, blihet e para!. Njerëzit e kanë detyruar veten të kërkojnë atë që është e rrezikshme, jo atë që është e mundur. Kur zgjedhim presidentin, një nga pyetjet më të shpeshta është: ‘Kush do të na mbrojë më shumë nga e keqja’ dhe jo: ‘Kush është ai që do të na udhëheqë drejt së ardhmes që dëshirojmë të kemi’.
Që të jemi të lumtur dhe të suksesshëm në punën tonë në grup duhet t’i kthehemi përsëri këtij procesi brenda vetvetes. Nuk mund të presim që shoqëria apo bota të zgjohet. Duhet të fillojmë duke i konsideruar punonjësit si njerëz të shkëlqyer. Më pas duhet të kërkojmë atë që është e mundur dhe jo atë që nuk shkon.
Fillo të peshosh çdo mendim, mund të jetë një mundësi për të marrë një kthesë mbi sistemin tënd të besimit. Perfeksionohu! A e përmirëson ky mendim jetën tënde? A të tregon se çfarë je dhe çfarë do të bëhesh? Apo mos je duke menduar: ‘Pyes veten nëse ky mendim ka qëllim të më lëndojë’ apo ‘Pyes veten nëse ka qëllim të më marrë punën, apo po ma thonë këtë vetëm që të sillem mirë’.
Mundësia jonë më e madhe si menaxherë është të harrojmë gjithçka që kemi mësuar dhe të fillojmë të mendojmë në termat e asaj që mund të jetë dhe jo të asaj që duhet të jetë, por nuk është.
Dëshira për t’u fshehur dhe për të jetuar me frikë dhe dëshpërim nuk është e natyrshme. Është normale dhe e zakonshme, por nuk është e natyrshme. Dhe arsyeja pse kjo nuk është e tillë, është se ne nuk kemi takuar asnjëherë dikë që të ndihet në paqe me këtë mënyrë jetese. Megjithatë kur ndiejmë dhimbje, fajësojmë të tjerët me mendje dhe shpirt! Bëhemi besëtytë dhe mendojmë se ka diçka jashtë nesh që duhet rregulluar. Pra, përpiqemi të rregullojmë botën e jashtme, e cila në vetvete është pasqyrim i dhimbjes së brendshme. Pra, ne bëhemi gjahtarë të vetvetes. Një menaxher i flak armët!