Mos i ndërprit të tjerët kur flasin dhe mos i përfundo ti fjalitë e tyre.
Disa vjet më parë, vura re se sa shpesh i ndërprisja të tjerët ose përfundoja fjalitë e tyre. Pa kaluar shumë kohë, kuptova se sa i dëmshëm ishte ky ves, jo vetëm ndaj respektit dhe dashurisë që merr nga të tjerët, por, edhe për energjinë e madhe që harxhohet duke u përpjekur të jesh brenda mendjes së dy personave njëherësh! Mendohu një çast për këtë. Kur e ndërpret dikë ndërsa flet, ose i përfundon ti fjalitë e atij ose asaj, të duhet ‘të mbash nën kontroll’ jo vetëm idetë e tua, por edhe të personit që po e ndërpret. Kjo prirje (përgjithësisht haset tek njerëzit me axhendë të ngarkuar) inkurajon të dyja palët të shpejtojnë mendimet e tyre dhe të folurit. Kjo, si pasojë i bën të dy palët nervoze, të irrituar, i bezdis dhe është tepër e lodhshme. Gjithashtu, bëhet shkak për shumë debate, sepse njerëzit nuk durojnë dot që personi që kanë përballë nuk u kushton vëmendje dhe nuk i dëgjon çfarë thonë. Dhe, si mund të dëgjosh se çfarë po flet tjetri kur je ti ai që flet gjatë gjithë kohës? Sapo fillon ta vësh re këtë ves, do të shikosh se kjo prirje tinzare s’është asgjë më shumë se sa një zakon i bezdisshëm që mund të të bëhet refleks. Ky është një lajm i mirë, sepse do të thotë se ajo çfarë mund të bësh është të fillosh të ndryshosh dhe fillon e ia kujton vetes herë pas here që të mos e harrosh. Mos harro (nëse është e mundur, përpara se të fillojë biseda) të jesh i duruar, thjesht prit. Thuaj vetes se duhet t’i lejosh të tjerët të mbarojnë radhën e tyre përpara se të vijë radha ime. Do të dallosh menjëherë se sa shumë do të përmirësohet bashkëpunimi me njerëzit, si rezultat i drejtpërdrejtë i këtij veprimi të thjeshtë. Njerëzit me të cilët komunikon do të ndihen më mirë me ty kur e kuptojnë se ti i dëgjon. Do të vëresh se edhe ti do të ndihesh i relaksuar kur nuk i ndërpret më të tjerët. Rrahjet e forta të zemrës dhe pulsi do të ngadalësohen, dhe do të fillosh të kënaqesh më shumë me bisedat që bën duke mos i nxitur ato. Kjo është një mënyrë e lehtë për t’u bërë një person shumë më i qetë dhe i dashur.
Ndërsa shumica prej nesh vazhdimisht bëjnë gjëra të këndshme për të tjerët, ne jemi të sigurt se do ta përmendin këtë gjest duke ua thënë të tjerëve. Në këtë mënyrë ata presin të marrin lëvdata dhe aprovimin e njerëzve. Kur ne e ndajmë zemërgjerësinë ose bujarinë tonë me dikë tjetër, kjo na bën të ndjehemi persona më të mirë, që mendojnë për të tjerët. Gjithashtu, na kujton se sa mirësi kemi brenda zemrës tonë dhe se e meritojmë që edhe të tjerët të sillen kështu me ne. Ndërsa të gjitha llojet e mirësisë janë totalisht të mrekullueshme, ka diçka edhe më të magjishme, kur bën diçka me gjithë zemër, por që nuk ia përmend askujt, asnjëherë. Gjithmonë ndihesh mirë kur u jep të tjerëve. Në vend që ta zbehësh këtë ndjenjë pozitive duke u treguar të tjerëve për këtë akt-mirësie, më mirë ruaje për vete kështu që do ta kesh të gjithë ndjesinë pozitive vetëm për kënaqësinë tënde. Është e vërtetë se një person duhet të japë për hir të të dhënurit e jo për të marrë diçka në këmbim, si shenjë egoizmi. Kjo është ekzaktësisht ajo çfarë ti bën, kur nuk ua përmend të tjerëve, shpërblimi yt janë ato ndjenjat e ngrohta që ti ndien nga ky akt i dhënies. Herës tjetër kur të bësh diçka të këndshme për dikë tjetër, mos e përmend, mbaje për veten tënde dhe vlerësoje në vetvete si begati të aktit të të dhënit.
Ndodh diçka magjike tek shpirti njerëzor, të përfshin një ndjenjë qetësie, kur nuk e përqendron vëmendjen tëk vetja por në vend të saj lejon që të tjerët ta marrin lavdinë. Nevoja që ndjejmë që të tjerët të na kushtojnë vëmendje është ajo pjesë e unit tonë që thotë, ‘Shikomëni mua. Unë jam i veçantë. Ajo që them unë është më interesante se ajo që thua ti’. Është ai zëri i brendshëm që mund të mos dalë jashtë, por dëshiroj të besojë se ‘arritjet e mia janë pak më të rëndësishme se të tuat’. Egoja është ajo pjesë e jona që dëshiron të bjerë në sy, do që të dëgjohet, që të ketë respektin e të tjerëve, të konsiderohet e veçantë, shpesh herë edhe në kurriz të dikujt tjetër. Është ajo pjesë e jona që e ndërpret personin që po flet, ose me padurim pret radhën e vet të flas, kështu që ai mund të sjellë bisedën dhe vëmendjen tek vetja. Shumica e njerëzve, edhe pse në shkallë të ndryshme, ndonjëherë gudulisen nga ky zakon, por që është në dëmin e tyre. Kur ndërhyn në mënyra të menjëhershme duke e kthyer bisedën tek vetja, pa e kuptuar ia largon gëzimin personit, në këtë mënyrë, krijon një distancë midis teje dhe të tjerëve. Kështu, askush nuk del i fituar. Herën tjetër kur dikush të tregon një histori ose do të ndajë me ty një arritje të vetën, ji i vëmendshëm ta kapësh prirjen tënde në kohë pa i kthyer si përgjigje diçka nga vetja jote. Edhe pse është një zakon i vjetër pët t’u ndrequr, nuk është vetëm një kënaqësi, por edhe bukur të krijosh një marrëdhënie të tillë me njerëzit. Praktikisht, ti po e largon vëmendjen nga vetja duke e lejuar personin tjetër të gëzojë lavdinë që i takon dhe që do ta ndajë me ty. Në vend që të hysh menjëherë në bisedë dhe të thuash, ‘Dikur edhe unë kam bërë të njëjtën gjë’ ose ‘E gjen se çfarë kam bërë sot’, duro, mbaje veten dhe shiko se çfarë do të ndodhë. Thuaj vetëm, ‘Kjo është e mrekullueshme’, ose ‘Të lutem më trego më shumë’ dhe lëre me kaq. Personi me të cilin po flet do të argëtohet më shumë, sepse je më shumë ‘i pranishëm’ pasi po e dëgjon me shumë kujdes dhe ai/ajo nuk do të ndjehet në konkurrencë me ty. Si rezultat personi do të ndjehet shumë më i relaksuar pranë teje, gjithashtu më i sigurt dhe më tërheqës në bisedë. Edhe ti, gjithashtu, do të jesh më i qetë sepse nuk do të ndihesh si në gjemba, duke pritur me padurim radhën tënde për të folur. Vetëkuptohet, ka shumë raste ku është absolutisht me vend të shkëmbesh përvoja me bashkëbiseduesin, duke e ndarë lavdinë dhe vëmendjen midis njëri-tjetrit. Këtu po i referohemi rasteve kur bëhet një fiksim i pandreqshëm për t’i rrëmbyer lavdinë personit tjetër. Si për ironi, kur dorëzohesh dhe nuk kërkon më për ta mbajtur lavdinë të gjithën për vete, vëmendja që kërkonit nga të tjerët tani zëvendësohet me një qetësi të brendshme që të jep paqe dhe buron nga dëshira që ndien t’i lejosh të tjerët të kenë lavdinë e tyre.
Në një shkallë të lartë, masa e qetësisë tonë mendore përcaktohet nga aftësia që kemi për të jetuar plotësisht të tashmen. Pavarësisht se çfarë ndodhi dje ose vitin e kaluar, apo çfarë mund ose mund të ndodhë nesër, e tashmja është pikërisht momenti prezent që po jeton gjithmonë! Pa diskutim, shumica prej nesh, e kalojnë pjesën më të madhe të jetës duke u shqetësuar për gjëra të ndryshme, të gjitha në të njëjtën kohë. Ne jetojmë që problemet e së kaluarës dhe shqetësimet e të ardhmes të dominojnë momentin e tanishëm, aq shumë saqë si përfundim i krijojmë vetes ankth, zhgënjehemi, dëshpërohemi dhe na duket gjendja e pashpresë. Nga ana tjetër, ne i shtyjmë kënaqësitë, prioritetet tona dhe lumturinë tonë për më vonë, duke ia mbushur mendjen vetes se ‘një ditë’ do të bëhet më mirë. Fatkeqësisht, e njëjta dinamikë mendore që na thotë të shikojmë përpara në të ardhmen do të përsëritet, kështu që praktikisht ‘ajo ditë’ nuk do të vijë kurrë. Dikur John Lennon ka thënë, ‘Jeta është ajo çfarë ndodh sot, ndërsa jemi të zënë duke bërë plane të tjera’. Ndërsa jemi të zënë duke bërë ‘plane të tjera’, fëmijët tanë rriten, njerëzit që duam largohen dhe vdesin, trupat tanë mplaken, dhe ëndërrat na rrëshqasin nga duart. Shkurtimisht, ne po humbasim shumë momente të çmuara nga jeta. Mark Twain ka thënë, ‘Unë kam kaluar shumë gjëra të tmerrshme në jetën time, disa prej të cilave kanë ndodhur me të vërtetë’. Stërvite mendjen tënde që të përqendrohet vetëm në të tashmen, në kohën që po jeton. Përpjekjet e tua do kenë shumë rezultat.
Imagjino çdo njeri që takon si një person mendjendritur, përveç vetes tënde! Kjo metodë të jep një mundësi për të praktikuar diçka që mund të jetë krejtësisht e papranueshme për ty. Megjithatë, në qoftë se e praktikon, mund të zbulosh se është një nga ushtrimet më të efektshme për të përmirësuar vetveten. Ideja është të imagjinoni çdo njeri që njihni dhe çdo njeri që takoni, si persona mendjendritur. Domethënë, çdo njeri përveç vetes tuaj! Njerëzit që takon mund të të mësojnë diçka. Ndoshta nga ai shoferi i papërfillshëm ose adoloshenti i pasjellshëm mund të mësosh durimin, ose nga këngëtari rebel i muzikës rok mund të mësosh të jesh më pak paragjykues ndaj të tjerëve. Qëllimi yt është të arrish të përcaktosh se çfarë po përpiqen njerëzit rreth e rrotull teje për të të mësuar. Do të vësh re se duke vepruar në këtë mënyrë, do të bezdisesh pak, dhe do të jesh më pak i shqetësuar apo i zhgënjyer nga veprimet dhe papërsosmëritë e njerëzve. Pse të mos e kthesh në një mënyrë jetese këtë mënyrë të të menduari? Nëse e provon do t’i shohësh gjërat ndryshe dhe do të jesh më i kënaqur. Shpesh, sapo zbulon se çfarë është duke u përpjekur dikush për të të mësuar, do të jetë më e lehtë për ta larguar frikën tënde. Për shembull, mendoje veten në një zyrë poste dhe nëpunësi i postës qëllimisht është duke punuar ngadalë. Në vend që të bezdisesh, pyet veten: ‘Çfarë po më mëson mua ai?’ Ndoshta ke nevojë të mësosh diçka rreth tolerancës, mendo se sa e vështirë mund të jetë të kesh një punë që nuk e pëlqen. Ose, ndoshta mund të mësosh diçka më shumë rreth durimit. Të qëndrosh në radhë është një rast i shkëlqyer për ta thyer zakonin e padurimit. Ti mund të habitesh se sa argëtuese dhe e lehtë është kjo. Gjithçka çfarë duhet të bësh është të ndryshosh perceptimin nga ‘Përse veprojnë ata ashtu’ në ‘Çfarë mund të më mësojnë mua ata?’ Vështro sot me kujdes gjithë mendjendriturit që ke përreth.