Nuk mund t’i besosh gjykimit nëse imagjinata nuk është e përqendruar.
Dragu ishte një agjent shitjesh i niveleve të larta, i cili sapo kishte humbur një marrëveshje shumë të mirë. Ai po shiste programe trajnimi për korporatat, mirëpo, papritur, kompania blerëse do të blihej nga një kompani tjetër. Fatmirësisht Dagu kishte si drejtues mikun tonë Tonin, mjeshtër i menaxhimit.
Toni dëgjoi për disa minuta çfarë i rrëfeu Dagu, pa e dhënë veten nga shprehja e fytyrës dhe zëri i tij i trishtuar. Kur ai shfaqi edhe zhgënjimin për humbjen e kësaj kontrate të madhe, Toni thjesht i shkeli syrin. Ti je i shkëlqyer, dhe ky nuk është lajm i keq, i tha. Nuk është lajm i keq? Ne po humbasim një kontratë prej 700.000 dollarësh dhe ky nuk qenka lajm i keq?! Kjo ndodhi tashmë. E po, unë u lodha me këtë Zenin, apo ku e di unë se si e ka emrin. Kisha shpresë ‘ta merrja atë komision’.
Menaxheri i tij iu përgjigj: Le të punojmë me atë që kemi. Le t’i shohim të gjitha lajmet si të mira. Të paktën, me perspektivë të mirë. Dagu tha: Po si mund të nënshkruaj një kontratë me ta, nëse janë të gatshëm të shesin kompaninë? Kompania nuk do të jetë më e tyrja. Nuk do të mund të firmosin çekun! ‘Si mund ta konsiderojmë këtë një lajm të mirë’, pyeti Toni. Ky nuk është një lajm i mirë, tha Dagu, pasi u mendua pak.
Po sikur trajnimi që po u ofron, do t’i ndihmonte të merrnin një çmim më të mirë për kompaninë e tyre? Po sikur nënshkrimi i një kontrate për trajnime që sjellin risi dhe zbatimi i kësaj kontrate të rritnin vlerën e perceptuar të kompanisë? Dagu nuk foli, por pamja e tij tregonte se po shfaqte interes. Menaxheri vazhdoi: Ata mbaruan programin tonë pilot demonstrues prej dy muajsh dhe punonjësit arritën një përmirësim të dukshëm, dhe tani ata nuk duan të vazhdojnë me programin e gjatë, saktë? Derisa kompania të shitet.
Po! Pra tani ata mund të shkojnë të negociojnë, pasi kanë investuar në një trajnim të mirë që ka rritur produktivitetin. Kjo e bën blerësin të mendojë se kompania është e etur për përmirësime të vazhdueshme. Gjithashtu e lejon shitësin të tregojë se shifrat do të jenë edhe më të mira për shkak të efektit që do të ketë ky trajnim. Ata mund të rritin çmimin e shitjes. Të gjithë fitojnë.
Dagut i ndriti fytyra. Ai e falenderoi Tonin dhe doli nga dhoma i gatshëm të bënte goditjen e jetës së tij. Historia përfundoi gëzueshëm për Dagun, sepse klienti e bleu trajnimin, duke qenë një përparësi në procesin e shitjes, por, në fund të fundit, nuk e shiti kompaninë. Punonjësit u ripërtërinë nga trajnimi, kështu pronarët vendosën ta mbanin kompaninë dhe ta zgjeronin atë.
A nuk e udhëzoi menaxheri Dagun se si të braktiste gjykimet negative dhe si të manovronte mbi atë që kishte ndodhur? Në të kundërt, jeta e Dagut për javët që do të pasonin do të ishte e errët dhe e shkatërruar. Toni ishte njeri i pazakontë. Një në një milion mund të ketë menaxherë të tillë. Shumica e punonjësve drejtohen nga mikromenaxherë, që vuajnë për shkak të gjykimit të vazhdueshëm.
Tema e ditës për shumicën e menaxherëve është se ata janë gjithmonë të nervozuar për atë që ndodh. Mund t’ua vësh re këtë në shprehjen e fytyrës, në zërin e tyre, mund ta lexosh në e-mail-et e tyre. Por ata nervozohen për shkak të asaj që po ndodh. Ata nervozohen për shkak të gjykimit që kanë për të.
Gjithçka që na bezdis, na bezdis sepse e gjykojmë atë. U kushtojmë rëndësi mendimeve, si: Ky është një gabim!; Kjo nuk duhet të më ndodhte mua!. Por ne nuk ndalojmë për të kuptuar se ky shqetësim buron nga gjykimi ynë.
Nëse tregohemi të hapur ndaj gjithçkaje dhe i shohim gjërat si pjesë e rrjedhës së tregut dhe nëse i largohemi mendimit të asaj që nuk duhet të ndodhë, atëherë do t’i kursenim vetes një sasi të madhe mospëlqimi, shqetësimi, stresi dhe faji.
Është e rëndësishme që menaxheri të kultivojë aftësinë për të mënjanuar gjykimin sapo ai nxjerr krye. Duhet ta praktikosh këtë ditë pas dite, dhe kjo praktikë do të të shpërblejë përtej pritshmërive. ‘Me sa di unë, krijimet më të mira nuk janë bërë asnjëherë nga dikush që nuk ndihej i lumtur’, ka thënë Albert Ajnshtajni.
Nëse heq dorë nga gjykimet negative për aq kohë sa duhet, kjo do të të dhurojë ndjesi paqeje dhe inteligjencë për të përballuar çdo çështje. Nuk po të këshillojmë të refuzosh. Apo të mos vlerësosh. Mund të vlerësosh pa përdorur gjykimin personal. Mund të jesh një vlerësues profesionist i ecurisë në punë, pa u ndier i zhgënjyer apo i shqetësuar nga veprimet e dikujt. Është jetike të kuptosh ndryshimin.
Një kolege me status menaxhimin e lartë, po kalonte një periudhë stresuese për shkak të disa problemeve të djalit të saj. Ajo mendonte se shqetësimi i shkaktohet nga i biri dhe rrethanat ku ai ndodhej, por nuk ishte kështu. Ajo kishte vetëm një problem: Gjykimin e saj. Mirëpo ajo s’e kuptonte këtë. Ajo mendonte se sëmundja e tij, gjendja e vështirë ekonomike, pengesat në marrëdhënien e tij me bashkëshorten ishin gjëra që nuk duhet të ndodhnin. Ky ishte realiteti, por për të ky realitet ishte i gabuar.
Ky besim ishte pikërisht burimi i stresit të saj. Nuk ishte për shkak të djalit të saj. Djali nuk kishte aspak lidhje me këtë. Mendimet ishin e vetmja ‘e keqe’, por ajo gjykonte sipas shkollës së vjetër dhe nuk e kuptonte këtë. Stresi iu shtua për shkak të besimit se ngjarjet që ajo po përjetonte nuk duhet të ndodhnin. Ajo anonte nga mospranimi, qëndresa dhe gjykimi. Dhe ky qëndrim po i shkaktonte dhimbje. E bukura është që, nëse arrin ta shohësh këtë, mund t’ia kursesh vetes stresin. Kur stresi largohet, gjendja fizike përmirësohet dukshëm. Nuk të duhet më pushim. Je më optimist dhe shpresëplotë. Mezi pret të zbardhë dita! Vartësit e tu do të jenë mirënjohës. A nuk do të ndiheshe edhe ti kështu po të ishe në vendin e tyre? Nëse do të ishe punonjës, çfarë lloj menaxheri do të dëshiroje? Një që mezi pret të fillojë ditën? Apo një menaxher që është gjithnjë i stresuar?
Ti e ke vënë re në ç’masë e harxhojnë energjinë menaxherët e stresuar. Ata përpiqen të menaxhojnë botën e tyre kaotike. Vazhdimisht venë e vijnë mes pritjeve dhe zhgënjimeve. Sa energji u ngelet për të arritur ndonjë marrëveshje? Apo për të qenë novatorë? Sa energji u ngelet për t’i bashkuar punonjësit dhe për të përforcuar kuptimin e tyre? Nuk u ka ngelur aspak energji. Të gjithë vendin e saj e ka zënë stresi.
Mungesa e gjykimit të bën të hapur për t’iu përgjigjur në mënyrë krijuese situatave të reja. Nuk duhet të mjaftohesh vetëm me gjërat e zakonshme. Mund të ndryshosh gjithë gjërat që do. Vetëm tashmë je i aftë t’i ndryshosh ato me një ndjenjë bashkëpunimi, përkundër kundërshtimit për rrjedhën e gjërave.
Mos u përpiq të rregullosh botën rreth teje. Merru me zhvillimin e botës së brendshme. Ti po punon për kënaqësinë dhe lirinë që të krijohet kur e çliron veten nga gjykimi. Gjykimi do t’i ngacmojë ndonjëherë mendimet, por tashmë ti e anashkalon pa u kapur pas tij dhe pa e besuar atë sit ë vërtetë. Ai nuk është i vërtetë. Është thjesht një mendim kalimtar i ngarkuar me stres. Mendimet e tua kalojnë si retë.
Jeta nuk ka të bëjë shumë me atë që po ndodh, por me mënyrën që ti zgjedh për ta interpretuar. Kur dikush të përshëndet : ‘Si kalon’, një përshëndetje më e saktë do të ishte: ’Çfarë gjykimi ke për atë që po ndodh’
Stresi që të terrorizon më shumë është të besosh te një mendim kalimtar që të thotë se ‘diçka nuk duhet të kishte ndodhur’, kur në fakt ajo ka ndodhur. A ishte ky gabimi i parë i Zotit? Apo universi mori një kthesë të gabuar? Apo thjesht duhej të ndodhte për të përmirësuar dhe mësuar ty?
Shpejt fillon të mendosh për veten dhe interpretimin tënd, në vend që të mendosh për gjërat e këqija, të gabuara dhe të padrejta që kanë ndodhur. Shpejt e kupton se nuk është puna jote të rregullosh botën e jashtme, por të zbukurosh botën e brendshme ku shpirti dhe mendja bashkëpunojnë gjatë gjithë ditës. Siç thotë edhe kënga: Le të ketë paqe mbi tokë, le të fillojë ajo nga unë.
Nga kjo përqasje menaxheriale burojnë përfitime të mëdha dhe praktike. Punonjësit do të ndihen shumë më rehat me ty kur i pranon për atë që janë. Ata do të besojnë shumë më shumë. Tani ata do të duan të bëjnë punë të mirë për ty, ndërsa më parë luanin rolin e viktimës për të fituar simpatinë tënde. Kur të kuptojnë se nuk i gjykon, do të ndajnë pothuajse gjithçka me ty. Ata janë të hapur për të arritur marrëveshje të reja.
Mungesa e gjykimit hap derën dhe fton këdo të bëhet miku yt. I fton të gjithë të kenë besim tek ti. Kur janë me ty, mund të ndiejnë se ti nuk reagon negativisht ndaj asaj që dëgjon prej tyre, sepse ti nuk i gjykon, edhe nëse të vënë në pah diçka që nuk përkon aspak me mënyrën tënde të vepruarit. Ndoshta ata po të tregojnë se kanë pasur varësi ndaj ndonjë droge, ndërsa ti nuk ke provuar asnjë të tillë. Por ty s’të bën përshtypje e nuk i gjykon për këtë veprim. Ti dëgjon. Ata që na pranojnë ashtu siç jemi, janë miqtë tanë më të mirë. Çfarëdo që të bëjmë apo të themi, ata do të na kuptojnë e do të thonë: ‘Ej, mos u shqetëso për këtë. Unë jam miku yt. Jam këtu për të ndihmuar’.