Bizneset lindin për të krijuar vlera materiale dhe shpirtërore për konsumatorët dhe të gjithë anëtarët e organizatës.
Biznesi ngrihet për të prodhuar para dhe është në fakt i destinuar të prodhojë para. Në qoftëse e ushqeni me para biznesin që sapo keni nisur, atëherë mund të thuhet pa mëdyshje se nuk po bëni biznes. Këto janë tashmë sentenca mjaft të njohura, evidente dhe mjaft të vjetra gjithashtu.
Po cilat janë qëllimet e vërteta të një biznesi? Mund të jenë shumë, por këtu, do të listojmë ato të cilat janë më esenciale dhe ato të cilat na dikton eksperienca apo intuita. Një biznes jetësohet në radhë të parë për të ekzistuar si një organizatë e vërtetë moderne dhe për të funksionuar si e tillë. Që kjo të ndodhi ka vetëm një rrugë: Krijimi i skuadrave të vërteta kreative dhe kryengritëse dhe përgatitja për produkte apo shërbime të papërsëritshme. Nuk mund të ketë biznes pa skuadra apo ekipe të vërteta. Edhe një dyqan i thjeshtë me dy apo tre punonjës ka nevojë për ekip, në kuptimin që objektivat të ekzekutohen si skuadër dhe vetëm si skuadër. Kompanitë aq më shumë kanë nevojë: Për njerëz që dinë të prodhojnë me shumë cilësi, të shesin produkte apo shërbime, të bëjnë miksmarketing, të tillë që të shkaktojë ndjesi absorbuese tek konsumatorët; Për njerëz që dinë të përpilojnë dhe të mirëmbajnë fatura; Për njerëz që përgatisin apo ekzekutojnë fushata marketingu agresive dhe mbresëlënëse; Për njerëz që prodhojnë ide revolucionare, rezultative dhe të aplikueshme; Për njerëz që janë ndërveprues, koherentë dhe stacionar me objektivat e organizatës.
Në këtë shkrim kemi parasysh kryesisht ato biznese të cilat kanë nevojë për disa dhjetëra punonjës. Këto biznese pikësëpari lindin me plane të qarta biznesi dhe marketingu, plane të cilat kanë nevojë për ekipe të denja dhe që luftojnë fort për këto plane. Bizneset prodhuese kanë si qëllim kryesor të jenë në treg me Produkte cilësore dhe të veçanta, produkte të cilat të dallohen përnjëherësh nga konsumatorët. Që të ndodhë kjo, veç produktit apo shërbimit, është i domosdoshëm edhe promovimi i këtyre produkteve apo shërbimeve, si edhe një miksmarketing specifik në treg.
Na ka rastisur dikur në një kompani shqiptare këtu në Tiranë, të preknim produkte shumë të veçanta, mjaft interesante, por që nuk promovoheshin. Kompania në fjalë aplikonte një marketing të llojit të vjetër dhe ishte e lexueshme që gjërat ishin lënë në dorë të rastësisë apo fatit. Kjo kompani edhe kur niste ndonjë fushatë marketingu, promovimi apo reklamimi nguronte veçanërisht për faturën e kësaj fushate. E kemi fjalën që një nga komponentët kryesorë të ekzistencës së një biznesi është marketingu dhe të gjithë derivatet e tij. Nuk mund të ketë produkte apo shërbime afatgjata në treg, pa ekzekutuar fushata marketingu dhe veçanërisht sot në kushtet e një konkurrence mjaft të fortë dhe të sofistikuar. Produktet apo shërbimet dhe marketimi i tyre janë të destinuara të lëvizin së bashku në rrugën e gjatë drejt tregut, fitimit dhe suksesit.
Bizneset mund të realizojnë produkte, shërbime apo të dyja së bashku. Edhe ato biznese që si produkt të tyre kanë ‘Shërbime të caktuara ndaj konsumatorëve’ lëvizin mbi shina të ngjashme me shinat e bizneseve, të cilat emetojnë produkte. Në fakt, ecuria e tyre drejt suksesit apo dështimit, është pak a shumë e njëjtë. Bizneset e shërbimeve për konsumatorët kërkojnë stafe apo skuadra të nivelit mjaft të lartë, krahasuar me ato prodhuese dhe kjo për faktin sepse ‘Shërbimet mbartin një larmi të madhe specifikash’. Shërbimi nuk është tjetër gjë, përveçse një produkt, një produkt i cili kënaq kërkesat konsumatore. Kur një shërbim është në treg, atëherë kuptohet që ekzistenca e tij lidhet me investimin e shumë e shumë njerëzve apo skuadrave.
Produktet janë materiale dhe shumë biznesmenë sot e gjithë ditën i shohin ato vetëm si të tilla. Në fakt, produktet duhen parë, veç të tjerash, edhe si shërbime për konsumatorët, si shërbime që plotësojnë kërkesat më të larta konsumatore dhe botën e tyre shpirtërore. Nga ana tjetër, siç e anonçuam edhe më lart, ‘edhe shërbimet nuk janë gjë tjetër veçse produkte’. Pra mund të konkludojmë që nuk ekzistojnë biznese që nxjerrin në dritë produkte apo shërbime, por biznese që luftojnë të kënaqin maksimalisht kërkesat konsumatore dhe të militojnë në treg si organizata të vërteta dhe kreative. Në fakt, ky duhet të jetë megaqëllimi i çdo biznesi. Ezistojnë dhe lindin me mijëra biznese. Mijëra të tjera ikin pa kthim, ndërkohë që një fluks i madh rreken plot vështirësi të gjejnë rrugën e tyre drejt suksesit. Shumë biznese ndryshojnë drejtim, shndërrohen dhe absorbohen në ritmikë etj, por të gjitha janë dhe duhet të jenë në shërbim të kërkesave më të larta konsumatore dhe kjo s’duhet harruar.
Prodhuesit dhe tregtarët, bizneset e të cilëve ekzistojnë për të qenë stacionarë dhe dinamikë, duhet patjetër që, në përditshmërinë e tyre, të udhëhiqen nga megaqëllimi i mësipërm. Edhe objektivat duhet të përshkohen nga ky megaqëllim. Shumë menaxherëve iu shkëlqejnë sytë kur inkasojnë me të shpejtë në llogaritë e organizatës disa mijëra apo qindramijëra euro më shumë. Gëzohen dhe lumturohen për suksesin e ditës apo të momentit, veçse kanë marrë mbi supe një përgjegjësi vërtet të madhe. Këta menaxherë kanë mbyllur marrëveshje të tilla që bien ndesh me pritshmëritë e klientit apo klientëve në fjalë apo që organizata nuk mund të ekzekutojë kërkesat e klientëve të vendosura në marrëveshje. Atëherë? Duhet patjetër shumë kujdes në termat e negocimit, teknikat e bisedës apo pikat e kontratës. Është themelore të kemi klientë të kënaqur, shumë të kënaqur, madje dhe jo klientë që do mund të na shtojnë ca euro më shumë, euro që në fund të ditës do mund të na merrnin frymën.
Po bizneset shqiptare? A janë ato organizata të vërteta në treg? Cila është arsyeja e jetësimit të tyre etj? Është fakt, se kapitalizmi shqiptar është i vonuar në rrugën e tregut të lirë (i Shqipërisë, sepse i Kosovës është më i hershëm në treg). Vitet e para të tij biznesi shqiptar ka lundruar në ujëra të turbullta, ndërsa tani mund të thuhet se rruga e tij është drejt modelit të një organizate të vërtetë dhe të suksesshme.
Po japim një shembull për anëtarin e organizatës: Një shitës i apasionuar dhe plot aftësi mund ta kapërcejë ndonjëherë në premtime dhe ta zëvendësojë cilësinë e tij prezantuese me marshin e ofertave, të cilat, në fakt, janë mjaft problematike. Atëherë? Organizata me çdo kusht duhet të rendë drejt plotësimit të këtyre premtimeve, edhe pse shumë të vështira. Duhet t’i përmbushë ato me çdo kusht, në mënyrë që ky shitës të mos ngelet në baltë. Ku e kemi fjalën? Marrëdhënia me klientin kërkon një menaxhim të përmbajtur dhe specifik. Është një ndër detyrat kryesore të organizatës dhe departamentit marketing. Është një obligim konstant i menaxherëve, punonjësve të marketingut, drejtorëve ekzekutivë, pse jo edhe i shitësve.
Biznes do të thotë: Kujdes për të gjithë anëtarët e organizatës dhe veçanërisht për punonjësit e marketingut; Nxitje, mbështetje dhe stimulim të anëtarëve plot ide rezultative dhe revolucionare; Caktim dhe ndjekje në dinamikë e detyrave të gjithësejcilit; Besim dhe progres; Objektiva të matshme dhe të kontrollueshme; Produkte dhe shërbime në koherencë me kërkesat specifike konsumatore; Ruajtje dhe shtim të klientelës; Gërshetim të marketingut të jashtëm me atë të brendshëm; Skuadra kryengritëse.
Ekipet apo skuadrat e biznesit duhet të jenë në të njëjtën gjatësi vale me prodhimin, shërbimin apo objektivat e biznesit. Nuk mundet që brenda një biznesi të ekzistojnë ekipe të përgjumura krahas atyre kryengritëse. Nuk mundet që grupi i menaxherëve apo shitësve të jetë divers nga pikëpamja e angazhimit, rezultateve apo ekzekutimit të objektivave. Të gjitha skuadrat, ekipet dhe aktiviteti i tyre domosdoshmërisht duhet të konvergojnë në: Kërkimin dhe gjetjen e klientëve; Kujdesin dhe ruajtjen e tyre; Shtimin e besnikëve dhe të të rinjve…Në radhë të parë, kjo është detyrë prioritare e departamentit dhe marketerëve. Nëse të gjitha këto ç’ka listuam gjatë shkrimit do mund të jetësoheshin në dinamikë, atëherë biznesi jo vetëm do të prodhonte para për të gjithë anëtarët e organizatës dhe të ardhmen e saj, por sigurisht do të emetonte edhe mjaft vlera pozitive për tregun dhe shoqërinë në tërësi.
Biznesi, veç të tjerash, ka nevojë për Ide të reja dhe revolucionarizuese. Në fakt, idetë janë ajri i biznesit, dyqanit, kompanisë apo organizatës. Ku ka ide të tilla, atëherë natyrshëm vjen zhvillimi. Aty ku këto ide dëgjohen dhe vlerësohen vjen novacioni. Organizatat, të cilat mundësojnë çlirimin dhe jo fshehjen e tyre, në fakt, po ndihmojnë në lëvizjen e shpejtë drejt progresit. Ekzistojnë mjaft biznese shqiptare të cilat organizojnë në dinamikë konsulta dhe takime me anëtarët e tyre të organizatës. Këto biznese mbledhin dhe sistemojnë ide, aktivizojnë dhe riformatojnë ide, përpunojnë projekte ambicioze dhe novatore, nxisin skuadrat dhe përshpejtojnë rritjen e rendimentit. Ekzistojnë po kështu edhe mjaft biznese të tjera, të cilat as që e marrin mundimin të mblidhen me anëtarët e tyre për të analizuar sukseset e munguara apo dyshimet për rrugën e ndjekur. Biznese të tilla nuk krijojnë mundësinë që të përballen me realitetin dhe të prodhojnë novacion… Vërtet për të ardhur keq! Lindja, asimilimi dhe aplikimi i ideve novatore apo që prodhojnë rezultate, mbetet një nga qëllimet konstante të biznesit, kompanisë apo organizatës në rrugën e tyre të qëndrueshme dhe të suksesshme.