TË QENIT KRITIKUES

Të qenit kritikues jo vetëm që nuk zgjidh asgjë, por i kontribuon zemërimit dhe mosbesimit.

Kur gjykojmë ose kritikojmë një person tjetër, kjo nuk tregon ndonjë gjykim për personin, por tregon diçka rreth nevojës tonë për të qënë kritikues. Nëqoftëse ndodhesh në një mbledhje dhe dëgjon që të gjithë kritikojnë, pastaj shkon në shtëpi dhe mendon se sa shumë këto kritika do të ndikonin në përmirësimin e botës që na rrethon, ka mundësi që të arrini në të njëjtin konkluzion si unë: Zero, asnjë përmirësim! Kjo gjë nuk sjell asgjë të mirë, por nuk është e gjitha. Të qenit kritikues jo vetëm që nuk zgjidh asgjë, por i kontribuon zemërimit dhe mosbesimit. Në fund të fundit, askujt nuk i pëlqen të kritikohet. Reagimi jonë ndaj kritikës zakonisht na vë në mbrojtje dhe/ose tërhiqemi. Një person i cili ndjehet i sulmuar, mundohet të bëjë një nga këto dy gjëra: ose do të zmbrapset me frikë ose turp, ose do të sulmojë me fjalë të rënda. Sa herë ke kritikuar dikë dhe ke marrë këtë përgjigje, ‘Faleminderit që m’i vure në dukje të metat e mia. Me të vërtetë e vlerësoj?’
Kritika është si mallkimi, është veçse një zakon i keq. Ajo është diçka me të cilën mësohemi; familjarizohemi me atë që ndjejmë. Na mban të zënë dhe kemi gjithmonë diçka për të folur.
Në fakt, nëqoftëse, për një moment shqyrton veten se si ndjehesh menjëherë mbasi keni kritikuar dikë, do të vësh re se do të ndjehesh keq dhe i turpëruar, sikur të kesh qënë ti ai që është sulmuar. Arsyeja pse kjo është e vërtetë, qëndron në faktin se kjo është një deklaratë për të tjerët dhe për veten tonë, ‘Kam nevojë të bëjë kritika.’ Kjo nuk është diçka që zakonisht e pranojmë me krenari.


Zgjidhja është ta kuptosh menjëherë veten në momentin që po fillon të kritikosh dikë. Kushtoi vëmendje faktit se sa shpesh e bën një gjë të tillë dhe se sa keq ndihesh më pas. Ajo që më pëlqen të bëj është që ta kthejë këtë në një lojë. Ka raste kur e ndjej nevojën për të kritikuar, dhe menjëherë i them vetes: Ja ku po e bëj përsëri. Shpresoj që të mund ta kthej kritikën time në tolerancë dhe respekt.
Pajtohu ndonjëherë me kritkën që të bëhet, mund të jetë e dobishme. Shpesh bllokohemi nga kritika të lehta. E shohim atë sikur të ishte një urgjencë, dhe e mbrojmë veten tonë sikur të ishim në një fushë beteje. Në të vërtetë, kritika nuk është asgjë më shumë, veçse një vështrim i një personi tjetër ndaj nesh, veprimeve tona, ose mënyrës se si mendojmë rreth diçkaje, por që nuk përputhet me vizionin që kemi ne për veten tonë. Punë e madhe!
Kur nxitojmë dhe reagojmë shpejt ndaj kritikës, përgjigja jonë është lënduese. Ne ndjehemi të sulmuar, dhe ndiejmë nevojën për t’u mbrojtur ose për të dhënë një replikë. E mbushim mendjen me zemërim ose me mendime lënduese ndaj vetes tonë ose ndaj personit që na kritikon. I gjithë ky reagim të merr një fuqi të madhe mendore.
Një ushtrim jashtëzakonisht i dobishëm është të biem dakord me kritikën që na është drejtuar. Nuk po them që kjo të bëhet udhë apo të shkatërrosh besimin te vetja duke besuar të gjithë negativitetin që të drejtohet ty. Unë vetëm po sugjeroj se shumë herë kur ne thjesht biem dakord me kritikën, zbusim situatën, kënaqim nevojat e personit për të shprehur pikëpamjen e vet, na jep një mundësi për të mësuar diçka rreth vetes duke e parë situatën nga një këndvështrim tjetër dhe, ndoshta më e rëndësishmja është se na jepet rasti të qëndrojmë të qetë.
Kërko të gjesh të vërteta në opinionet e të tjerëve. Nëqoftëse të pëlqen të mësosh apo që të bësh të tjerët të lumtur, atëherë kjo ide do të të pëlqejë shumë. Pothuajse të gjithë mendojnë se opinionet e tyre janë të drejta, përndryshe nuk do të mundoheshin t’i ndanin me ty. Një nga gjërat, ndonjëherë shkatërruese që secili nga ne bën, është kur të krahasojmë opinionin e dikujt tjetër me tonin. Dhe, kur na shkon për shtat, ne ose nuk e marrim fare në konsideratë ose e kritikojmë atë. Ne ndjehemi të vetëkënaqur, personi tjetër ndjehet i nënvleftësuar, dhe në këtë mënyrë nuk mësojmë asgjë.


Pothuajse çdo opinion ka disa merita, veçanërisht nëse përqendrohemi në anën pozitive, në vend të gabimeve. Nëse herës tjetër kur dikush të jep një opinion, në vend që ta gjykosh ose kritikosh atë, shiko nëse mund të gjesh sado pak të vërtetë në atë çfarë është duke të thënë ky person.
Kur gjykon dikë tjetër ose opinionet e tyre, në të vërtetë kjo nuk do të thotë ndonjë gjë rreth atij personi, por tregon pak a shumë rreth nevojës që ndien për të qënë gjykues. Ka raste që edhe tani e kap veten duke kritikuar pikëpamjet e të tjerëve, por kjo ndodh më pak se më parë. I gjithë ky ndryshim ishte qëllimi im për të gjetur të vërtetën në qëndrimet e të tjerëve. Nëqoftëse e praktikon këtë metodë të thjeshtë, do shohësh se do të fillojnë të ndodhin disa gjëra të mrekullueshme: Ti do të fillosh të kuptohesh me ata të cilët bashkëbisedon, të tjerët do të tërhiqen ndaj teje dhe energjisë tënde, do të mësosh shumë gjëra të reja, dhe do të ndjehesh më mirë me veten tënde.
Shikoje gotën si një objekt që është thyer tashmë (dhe çdo gjë tjetër, gjithashtu). Ky është një mësim Budist të cilin e kemi mësuar njëzet vjet më parë. Ky mësim na ka siguruar, herë pas here, një mendim të nevojshëm për të na udhëhequr drejt qëllimit tonë për të pranuar veten. Thelbi i këtij mësimi është se e gjithë jeta ndryshon në mënyrë konstante. Gjithçka ka një fillim ashtu siç ka edhe një fund. Çdo pemë e ka fillimin nga një farë dhe përfundimisht do të transformohet përsëri në tokë. Çdo shkëmb është i formuar dhe çdo shkëmb do të zhduket. Në botën tonë moderne, kjo do të thotë se çdo makinë, çdo makineri, çdo lloj rrobë është e krijuar dhe gjithçka do të konsumohet nga përdorimi dhe do të shkatërrohet; kjo është vetëm çështje kohe. Trupat tanë kanë lindur dhe gjithashtu do të vdesin. Një gotë është krijuar, dhe normalisht do të thyhet. Kur tashmë pret se diçka do të thyhet, nuk do të habiteshe ose mërziteshe kur të ndodh kjo gjë. Në vend që të hidhërohesh kur diçka shkatërrohet, do të ndjehesh mirënjohës për kohën që ke pasur.
Shembulli më i thjeshtë për ta provuar në praktikë, është një gotë uji. Merr gotën tënde të preferuar të pijeve dhe për një moment, shiko tek ajo bukurinë dhe efektin që krijon tek ti. Tani, imagjino të njëjtën gotë tashmë të thyer copë-copë e të shpërndarë në dysheme. Përpiqu ta mbash gjallë imagjinatën se në kohë, gjithçka shpërbëhet dhe kthehet në formën fillestare. Natyrisht askush nuk dëshiron që gota e vet e preferuar, ose ndonjë gjë tjetër të thyhet. Kjo filozofi nuk është një perspektivë që të bën pasiv ose apatik, por të ndihmon t’i pranosh gjërat ashtu siç janë. Kur gota e pijes thyhet, kjo filozofi të lejon të mbash gjallë perspektivën. Në vend që të thuash, ‘O zoti i madh’, do të arrish konkluzionin, ‘Ah, iku dhe kjo.’ Luaj me këtë ndërgjegjësim dhe do ta shikosh që jo vetëm do të jesh në gjendje të ruash qetësinë, por edhe do ta vlerësosh jetën akoma më shumë se më parë.
Merr frymë përpara se të flasësh! Kjo metodë e thjeshtë ka patur rezultate të jashtëzakonshme për çdo person që njoh dhe që e ka provuar. Rezultatet e menjëhershme, përfshijnë durimin, dhe më shumë mirënjohje dhe respekt nga të tjerët. Kjo metodë në vetvete është jashtëzakonisht e thjeshtë. Duhet vetëm të bësh një pauzë-të marrësh frymë thellë-pasi personi me të cilin po flet të ketë mbaruar së foluri. Si fillim, hapësira midis zërave tuaj mund të duket pafundësisht e gjatë-por në realitet, përmblidhet vetëm në një fraksion të sekondës së kohës aktuale.


Ti do të mësosh me fuqinë dhe bukurinë që mbart, të marrësh frymë ku duhet, dhe do ta fillosh ta vlerësosh atë. Kjo do t’iu afrojë me njerëzit dhe do të fitosh më shumë respekt, praktikisht, nga çdo njeri me të cilin do të biesh në kontakt. Do të shohësh se të qenit dëgjues është një nga dhuratat e çmuara e më të rralla që mund të ofrosh. Gjithçka që të duhet për këtë metodë është të kesh synime të mira dhe të ushtrohesh. Nëse do të vrojtosh bisedat e bëra përreth teje, do të vësh re shpesh, se ajo çfarë shumica prej nesh bën, është thjesht të presin radhën tonë për të folur. Ne nuk jemi duke dëgjuar në të vërtetë personin tjetër, por thjesht presim për një hapësirë për të shprehur pikëpamjen tonë. Shpesh plotësojmë fjalitë e njerëzve të tjerë, ose themi gjërat të tilla si, ‘Po, Ëhë,’ ose ‘E di, e di’, i nxisim ata që të nxitojnë kështu që mund të na vijë radha jonë. Kur flasim me njëri-tjetrin duket sikur është një ndeshje stërvitore me gjuajtje para dhe mbrapa të kundërshtarëve ose si topat e Ping-Pong-ut dhe jo një bisedë e këndshme nga ku mund të mësosh diçka.
Kjo formë përshpejtimi në komunikim i kontribuon ndjenjës për të kritikuar pikëpamjen e tjetrit, të nxit të reagosh menjëherë, shton keqkuptimet, i vesh tjetrit akuza me motive false, dhe krijon opinione të ndryshme. Të gjitha këto gjëra ndodhin përpara se bashkëfolësi të ketë mbaruar së foluri. Nuk çuditem, nëse jemi shpesh të mërzitur, të bezdisur dhe të irrituar me njëri-tjetrin. Ndonjëherë, me aftësitë e varfëra që kemi për të dëgjuar, është një mrekulli që kemi akoma miq!
Prisni radhën për të folur. Nëqoftëse vepron kështu, do të jesh i lumtur dhe i çuditur nga reagimi i butë dhe shikimet e surprizuara të bashkëbiseduesit, ndërsa e lejon të mbarojë mendimet e veta, përpara se të fillosh të tuat. Shpesh, do të shohësh që kur lë dikë të flasë dhe ti vetëm dëgjon, kjo mund të jetë hera e parë për të. Do të kuptosh një ndjenjë lehtësimi nga personi me të cilin po flet, pasi ai do të ndihet shumë i qetë. Mos u shqetëso, do t’iu vijë edhe juve radha për të folur.