MARRËVESHJE TË KËNAQSHME

Në biznes, skuadrat dhe njerëzit evidentohen nga ekzekutimi i shpejtë i marrëveshjeve dhe aftësia për të prodhuar rezultate.

Një biznes fillon kur realizohet telefonata e parë. Biznesi fillon nga reagimi i stafit, gatishmëria e tij ‘për t’u marrë’ me kërkesat specifike të klientit, përgjigjet e shpejta, miqësore dhe profesionale ndaj pyetjeve dhe kërkesave të klientelës etj. Biznesi fillon sapo klienti futet brenda ambjentit të dyqanit, njësisë tregtare, ekspozitorit apo ambjenteve të kompanisë suaj. Shpejtësia dhe cilësia në veprime, saktësia absolute në përgjigje, etika, kultura dhe arti i komunikimit nuk janë gjë tjetër veçse ‘pjesë e të bërit biznes’. Kjo është esenciale dhe s’duhet harruar!
‘Shpejtësia është vetë jeta’, thonë amerikanët. Njerëzve gjithnjë e më shumë iu duket se bota ka dalë tërësisht jashtë kontrollit dhe kjo për shkak të shpejtësisë. Në fakt, bota po shkon gjithnjë drejt shpejtësisë! Merrni një porosi dhe caktoni një orar të ekzekutimit dhe të dërgimit të saj! Dërgojeni porosinë që morët një ose dy orë përpara afatit të caktuar mes palëve! Edhe me porosinë tjetër veproni në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin ritëm. Kryeni shitje të shpejta! Nuk është e thjesht, por stërvituni. Kështu: Buzëqeshini gjithmonë klientit; Miqësohuni shpejt me të; Mësoni të dëgjoni gjithnjë me vëmendje dhe i përqendruar; Merakosuni për klientin dhe për produktet/shërbimet që plotësojnë kënaqësinë e tij; Orientojeni bisedën drejt zgjidhjeve profesionale, të shpejta dhe të thjeshta; Mbyllni porosinë; Përcilleni klientin dhe ruani kontaktet me të! Kur këto etapa gërshetohen me pasionin dhe kënaqësinë e kryerjes së një pune të caktuar brenda organizatës, atëherë mund të thuhet se marrëveshjet e shpejta kthehen në realitet.


Para njëzet e pesë vitesh vitesh kujtoj një kamerier në një ishull të largët grek. Me trupin drejt ai nuk harronte asnjëherë për t’ju buzëqeshur klientëve që shkelnin në bar-restorantin e tij. Iu buzëqeshte dhe i mirëpriste, që nga dera e parë e jashtme dhe e largët e restorantit në fjalë. Kamerieri grek nuk harronte asnjëherë: Tërheqjen e karrikes; Gjuhën e folur dhe miqësore në anglisht, frëngjisht, gjermanisht; Stilin e veçantë dhe plot klas në servirjen e pjatave të oreksit, pjatave kryesore, embëlsirave apo kafeve. Kamarieri në fjalë gjithmonë i qeraste miqtë e tij me ndonjë gotë verë, kafe apo fruta . Ai i përcillte klientët në mënyre unike, me shumë respekt dhe përkulje, i lumtur që ju shërbeu për të plotësuar kënaqësinë e tyre. Të mos harrojmë që bëhet fjalë në një kohë shumë të hershme dhe marketingu nuk ishte në stadin e sotëm.
Por ç’ndodh në Shqipëri? A ekzistojnë kamerierë të tillë? A ekzistojnë punonjës të tillë që t’i ngjajnë sadopak kamerierit grek? Në fakt, raste të tilla janë të pakta, kur duhet të jenë mjaft të përhapura dhe me qëllimin e vetëm final: Të gjallërojnë biznesin, organizatën dhe realizojnë objektivat e saj! Shumë menaxherë dhe shitës janë mjaft të buzëqeshur dhe mjaft miqësorë gjithashtu, por u mungon profesionalizmi. Shumë të tjerë kanë aftësi të mëdha teknike, arsimin dhe trajnimin e duhur, veçse sot e gjithë ditën e shohin klientin e tyre me syrin e njerkës. Ekzistojnë të tjerë që ngjajnë me rastin e kamerierit grek, por që iu mungon shpejtësia në veprime.
Rastin e kamarierit grek skuadra e konsulencemarketing e mbart me vete si një pikë e fortë referimi në përditshmërinë e saj. Edhe sot e gjithë ditën ky rast mbetet një referencë pozitive në subkoshiencën tonë. Kemi realizuar rreth dhjetëmijë shitje të ‘Tregu-Marketingu-Suksesi’ duke mbartur me vete dhe duke aplikuar sipas rrethanave rastin e kamerierit grek. Kemi lëvizur kudo në Shqipëri dhe Kosovë duke shpjeguar me përkulje dhe profesionalizëm se ç’përfaqëson ky ‘tekst brilant marketingu’ dhe pse ju duhet ta keni atë ‘pjesë’ të biblotekës suaj. Jemi miqësuar dhe iu kemi shërbyer me qindra e mijëra bizneseve, kemi mbajtur një lidhje dinamike me to, si edhe kemi krijuar një partneritet në shpërndarjen e reklamës së tyre si: Fletëpalosje; Katalogje; Kalendarë dhe postera; Njoftime dhe tekstura promocionale; Shpërndarje të veprimtarisë së tyre në një nga rrjetet më të mira sociale të marketingut në hapësirën mbarëshqiptare dhe në web gjithashtu . Skuadra konsulencemarketing ka tejkaluar pritshmëritë e miqve tanë, duke iu dërguar atyre një database të saktë të dhënash mbi klientët e kontaktuar në terren si dhe reagimin e tyre. Në këtë partneritet kemi marrë vazhdimisht ‘përgjegjësi shtesë’, duke ekzekutuar kështu përpikërisht objektivat e marrëveshjes. Skuadra jonë është në këtë luftë duke iu referuar parimit të famshëm se ‘biznesi pikësëpari është një miqësi’! Në çdo bisedë që jemi duke zhvilluar, ne duam që klienti të kuptojë shpejt dhe qartazi ‘se përpara syve të tij’ gjendet një skuadër e gatshme për t’i shërbyer dhe për të prodhuar rezultate. Klientit gjithmonë duhet t’i drejtoheni në emër; Klientit qëndrojini gjithmonë afër, në krah ose përballë tij; Ju gjithmonë duhet të evidentoni shqetësimet e tij dhe të artikuloni shpejt zgjidhjet e duhura. Ju gjithmonë duhet të bëni të pamundurën, duke rendur pandalur drejt suksesit! Këto janë postulate të thjeshta dhe të lexueshme, por që nuk duhen harruar.


Fjala rrezik përkthehet në para! Këtë sentencë më shumë se kushdo e aplikojnë bizneset e suksesshme. Të suksesshmit ndërmarrin iniciativa, edhe pse këto iniciativa janë të mbushura me rreziqe dhe paqartësi. Në fakt, të suksesshmit janë gjithmonë të aftë për të mbyllur marrëveshje dhe këtë e bëjnë ‘shpejt dhe saktë’. Marrëveshje me cilin apo me cilët? Në radhë të parë, marrëveshje me veten e tyre dhe më pastaj me bashkëbiseduesit, klientët, partnerët në biznes etj. Marrëveshjet e shpejta janë një teknologji më vete në sferën e biznesit, por jo vetëm. Ato janë veçanërisht të rëndësishme kur bëhet fjalë për projekte që prodhojnë shumë para dhe koha në dispozicion është mjaft e pakët.
Marrëveshjet e shpejta përgjithësisht përkthehen në: Të kapësh çastin! Marrëveshja quhet e shpejtë dhe e suksesshme, kur, veç të tjerash, realizohet në mënyrë paqësore dhe pa e trysnuar klientin. Menaxherë, punonjës të marketingut, prezantues produkti/shërbimi dhe shitës: ‘Ju jeni mes klientëve nga njëra anë, dhe dyqanit apo kompanisë nga ana tjetër’. E thënë ndryshe: ‘Ju jeni mes parave ‘që presin të vijnë’ tek kompania dhe objektivave të saj’. Kurrë mos e harroni këtë postulat, sepse ai do të justifikojë punën dhe suksesin tuaj si pjesë e rëndësishme e biznesit. Sa më shpejt të veproni, aq më shpejt do të fillojë edhe lëvizja e parave drejt jush, pra drejt dyqanit, njësisë tregtare, kompanisë dhe organizatës ku jeni pjesë.
Marrëveshjet në tregti janë, përveç të tjerash, edhe ‘shanse që duhen kapur’. Vendoseni veten tuaj në rrugën e shanseve dhe të mundësive! Mos u mbroni nga goditjet e tyre! Këto janë këshilla të domosdoshme për të gjithë anëtarët e biznesit, por marrin një vlerë substanciale për organizatorët e shitjeve, shitësit dhe botën e tyre. Mund të flasësh plot kompetencë për produktet apo shërbimet që ti përfaqëson, për cilësinë dhe jetëgjatësinë e tyre. Mund të njohësh mirë dhe shumë mirë teknologjinë e komunikimit biznes-klient, tregun dhe konkurrentët, të bisedosh gjatë dhe miqësisht me negociatorët e tu etj. Atëherë, duhet të vini domosdoshmërisht tek marrëveshja dhe shitjet. Po nuk ka marrëveshje dhe shitje, atëherë çdo gjë, pothuajse, shkon dëm dhe në rastin më të mirë rrezikohet drejt një rrugë të tillë.
Marrëveshja varet nga aftësia e negociatorëve, të cilët janë aty për të përfaqësuar organizatën dhe interesat e saj. Janë këta negociatorë, të cilët duhet të kuptojnë menjëherë ‘aftësinë negociuese të palës tjetër’, si edhe të marrin informacion, nëse pala e interesuar i njeh apo jo produktet dhe shërbimet e kompanisë, si edhe në ç’shkallë i njeh ato. Pra thelbi i negocimit jeni ju si negociatorë dhe ju që shisni. Ju keni për detyrë të udhëhiqni të gjithë lojën nga fillimi deri në fund, në mënyrë që ju të jeni edhe fituesi i saj!


Njerëzit autoritarë janë më të prirur për të mbyllur çdo marrëveshje, madje për ta mbyllur shumë shpejt atë. Ata dinë: Të jenë miqësor dhe ‘agresiv’; Çdo cilësi dhe avantazh të produkteve/shërbimeve që ofron kompania; Të marrin vendime të shpejta apo të largohen në çastin e duhur; Të shfaqin kreativitet mbresëlënës; Të jenë të përkushtuar dhe lojtarë mjaft të fortë; Të jenë ekspertë të mirë dhe plot kredibilitet. Ja pse ‘marrëveshjet e shpejta’, të cilat në dukje paraqiten mjaft të thjeshta, kërkojnë në fakt njerëz të përgatitur, miqësor, njohës të realitetit dhe të teknologjisë së bisedës.
Konsumatorët nuk janë të prirur për të harxhuar ditë të tëra derisa të jenë gati në marrjen e vendimeve. Eksperiencat në shitje tregojnë se askush nuk ka kohë për të humbur. Konsumatorët kanë pak kohë, në fakt gjithnjë e më pak kohë. Këta konsumatorë, njerëz, klientë vijnë tek ju, tek dyqani juaj, tek ekspozitorët e shumtë të kompanisë, tek biznesi dhe sipërmarrja juaj. Ata flasin me ju, i pëlqejnë produktet/shërbimet tuaja dhe në fund marrëveshje nuk ka. Atëherë, pyetja që shtrohet në këtë rast do të ishte: Pse klienti iku, i kujt është faji? Vetëkuptohet që faji, në radhë të parë, është i shitësit, prezantuesit, menaxherit përkatës, punonjësve të marketingut, drejtorit ekzekutiv, pra, faji është i kompanisë. Kompania nuk ka humbur thjesht një shitje, por ka humbur një klient i cili mund të blinte tek kompania për shumë e shumë vite me radhë. Klientët potencialë largohen nga ju, sepse ata pikasën ekspertin teorik dhe jo ekspertin e marrëveshjeve të shpejta, pikërisht, të atyre marrëveshjeve që prodhojnë rezultate për të dyja palët. Kjo është elementare dhe s’duhet harruar!