MENDO PËR GJËRAT QË KE

Lumturia nuk mund të gjendet kur jemi të etur për dëshira të reja.

Një nga tendencat më të përhapura dhe më të dëmshme janë: Përqendrimi i tepërt në atë çfarë duam në vend të asaj çfarë kemi. Duket sikur nuk ka ndonjë ndryshim të madh; ne vazhdojmë ta zgjerojmë listën e dëshirave, të cilat na garantojnë zhgënjimin. Ky lloj të menduari: ‘Unë do të jem shumë i lumtur kur kjo dëshirë të më plotësohët,’ është e njëjta psikologji mendimi e cila përsëritet sapo dëshira të plotësohet.
Një miku ynë, të djelën mbylli një marrëveshje për shtëpinë e tij të re. Herën tjetër, kur u takuam, po fliste rreth një shtëpie tjetër e cila do të ishte edhe më e madhe! Ai nuk është i vetmi. Shumica prej nesh bën të njëjtën gjë. Duam këtë ose atë dhe lista është e pafundme. Nëqoftëse nuk arrijmë të marrim atë që duam vazhdojmë të mendojmë për të gjitha ato gjëra që nuk i kemi, dhe si rezultat ngelemi të pakënaqur. Nëse nuk e arrijmë atë që duam, thjesht rikrijojmë të njëjtën mënyrë të menduari në rrethana të reja. Kështu, pavarësisht nëse mund të arrini atë që dëshironi, përsëri do të ngeleni të pakënaqur. Lumturia nuk mund të gjendet kur jemi të etur për dëshira të reja.


Fatmirësisht, ka një mënyrë për të qenë të lumtur. Ka të bëjë me ndryshimin e të menduarit tonë nga ato gjëra që duam në ato çfarë kemi tashmë. Përpiqu të mendosh rreth cilësive të mrekullueshme që ka partneri/partnerja jote, dhe mos u përqendro në mendimin se ti do të dëshiroje që ai/ajo të ishte ndryshe. Në vend që të ankohesh për rrogën tënde, ji mirënjohës faktit se ke një punë. Në vend se të ëndërrosh nëse do të mundesh ndonjëherë t’i bësh pushimet në Hawai, mendo se sa je argëtuar kur ishe me pushime edhe pse jo shumë larg shtëpisë. Lista e mundësive është e pafundme! Sa herë që ta kuptosh se po bie në kurthin ‘Uroj që jeta të ishte ndryshe’, tërhiqu dhe fillo nga e para diçka më interesante. Merr frymë thellë dhe kujto të gjitha gjërat për të cilat duhet të jesh mirënjohës. Kur nuk përqendrohesh në gjërat që do, por në ato që ke, si përfundim do të arrish më shumë të kesh ato gjëra të cilat i dëshiron. Nëqoftëse fokusohesh në cilësitë e mira të partneres tënde, ajo do të jetë më e dashur me ty. Nëqoftëse je mirënjohës për punën tënde në vend që të ankohesh për të, do ta rrisësh nivelin e punës, do të jesh më i efektshëm, dhe si përfundim mund të arrish edhe një rritje rroge. Nëqoftëse përpiqesh të gjesh mënyra për t’u argëtuar në vende që mund të jenë jo shumë larg shtëpisë, se sa të ëndërrosh për Hawai-in, do të zbavitesh akoma më shumë. Nëqoftëse, do të ndodhë të shkosh ndonjëherë në Hawai, do të kënaqesh pa masë. Dhe, nëqoftëse për disa arsye nuk do të mundesh, gjithsesi do të kesh një jetë të mrekullueshme.
Mbaj shënim që të fillosh të mendosh më shumë për gjërat që ke në vend të gjërave që dëshiron. Nëqoftëse e bën këtë, jeta do të fillojë të të duket akoma më e mirë se më përpara. Ndoshta për herë të parë në jetën tënde, do të dish se çfarë do të thotë të ndjehesh i kënaqur.
Përpiqu t’i largosh mendimet negative! Është përllogaritur se një qenie njerëzore e zakonshme ka rreth 50.000 mendime në ditë. Jo pak apo jo? Disa nga këto mendime do të jenë pozitive dhe të frytshme. Megjithatë, për fat të keq, shumica e atyre do të jenë negative: mendime zemërimi, frike, pesimizmi, ankthi. Nëse po përpiqesh të bëhesh person më paqësor do të ishte me vend t’i bëje vetes një pyetje të rëndësishme: çfarë do vendosësh të bësh kur të vërtiten në kokë këto mendime negative? Në kuptimin praktik, ke vetëm dy zgjedhje kur vjen momenti i përballjes me mendimet negative. Së pari, mund t’i analizosh mendimet e tua-t’i peshosh, të mendosh thellë, t’i studiosh, të vazhdosh të mendosh akoma më shumë. Së dyti, mund të mësosh t’i injorosh ato-t’i largosh, t’u kushtosh më pak vëmendje, me pak fjalë, të mos i marrësh shumë seriozisht, është më shumë efektive për të ndihmuar të bëhesh më paqësor.


Kur ke një mendim-çfarëdo mendimi qoftë ai-ngelet vetëm një mendim! Nuk mund të të lëndojë pa lejen tënde. Për shembull, nëse ke një mendim për të kaluarën tënde, ‘Jam i mërzitur pasi prindërit e mi nuk kanë bërë një punë të mirë si prindër me mua,’ atëherë do të futesh në këtë tunel, sikurse bëjnë shumica, i cili do të krijojë një shqetësim të brendshëm. Mund t’i japësh mendimit një domethënie në mendje, dhe do t’ia mbushësh mendjen vetes që me të vërtetë nuk duhet të jesh i gëzuar. Ose, mund të pranosh se mendja jote është gati të krijojë një ortek mendor, dhe mund të zgjedhësh ta kalosh nga mendja. Kjo nuk do të thotë që fëmijëria jote nuk ka qenë e vështirë-mund të ketë qenë me të vërtetë e tillë-por në këtë moment, mund të zgjedhësh se cilave mendime do t’u kushtosh vëmendje.
E njëjta dinamikë mendore zbatohet edhe për mendimet që të erdhën këtë mëngjes apo edhe pesë minuta më parë. Një diskutim i vogël që patët ndërsa po dilnit nga shtëpia për të shkuar në punë, nuk është më një diskutim, është vetëm një mendim në mendjen tënde. Kjo dinamikë gjithashtu, zbatohet edhe për mendimet që kanë të bëjnë me të ardhmen, javën që do vijë, ose pas dhjetë vjetësh. Do të zbulosh se, në të gjitha rastet, nëqoftëse injoron ose largon një mendim negativ që të kalon në mendje, do të ndihesh në paqe me veten. Dhe, kur ke një gjendje mendore të qetë, mençuria dhe logjika e shëndoshë do të tregojnë se çfarë duhet të bësh. Kjo metodë kërkon praktikë por ia vlen të përpiqesh.
Tregohu i gatshëm për të mësuar nga miqtë dhe familja! Është me të vërtetë e trishtueshme, sa shumë ngurrojmë të nxjerrim mësime nga njerëzit tanë më të afërm-të mësojmë prej prindërve tanë, partnerëve, fëmijëve, dhe miqve. Në vend që të jemi të hapur të mësojmë prej të gjithë personave të mundshëm që takojmë çdo ditë, ne biem pre e sikletit, frikës, kokëfortësisë, ose krenarisë. Është njësoj sikur tit hemi vetes tonë, ‘Tashmë kam mësuar gjithçka që munda (ose doja të mësoja) nga ky person; nuk ka asgjë tjetër që mund (ose kam nevojë) të mësoj.’ Është për të ardhur keq, sepse shpesh njerëzit tanë më të afërt na njohin më mirë se askush tjetër. Ndonjëherë ata mund të na ofrojnë zgjidhje shumë të thjeshta, në raste të cilat na shohin që po sillemi me vetëmbrojtje. Nëqoftëse jemi shumë krenarë ose kokëfortë për të mësuar, nuk po e kuptojmë se po humbasim disa mënyra të mrekullueshme dhe të thjeshta për ta përmirësuar jetën tonë.


Jam përpjekur të qëndroj i hapur ndaj sugjerimeve të miqve dhe familjes time. Në fakt, kam shkuar deri në atë pikë sa të pyes pjesëtarët e familjes time dhe disa nga miqtë e mi, ‘Çfarë gjërash u pëlqejnë tek unë?’ Kjo jo vetëm që e bën personin të ndihet i vlerësuar dhe i veçantë por edhe nxjerr dobi duke marrë edhe disa këshilla jashtëzakonisht të vlefshme. Kjo është një rrugë e shkurtër që të ndihmon të piqesh, edhe pse rrallë veta e përdorin. E gjithë kjo kërkon pak guxim dhe përulësi, si edhe aftësinë për të lënë mënjanë egon tënde. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse e ke zakon të injorosh sugjerimet që të bëjnë, duke i marrë ato si kritika, ose kur nuk shkon mirë me pjesëtarë të caktuar të familjes. Imagjino se sa të shokuar do të jenë kur t’i pyesni me sinqeritet, për këshillat e tyre. Zgjidhni diçka të përshtatshme që mendoni se personi të cilin e pyetni është i kualifikuar për të të dhënë përgjigje. Për shembull, shpesh pyes babain tim për këshilla në fushën e biznesit. Edhe pse mund të ndodh të më bëjë pak leksion, e gjitha kjo ia vlen. Këshillat që ai më jep zakonisht më ruajnë nga pasojat që shpesh mund të mos jenë të këndshme.
Të jesh i lumtur kudo që ndodhesh! Për fat të keq, shumica prej nesh vazhdimisht e shtyjnë lumturinë drejt një kohe të pacaktuar. Nuk e bëjmë këtë në mënyrë të ndërgjegjshme, por e bindim veten tonë duke thënë, ‘Një ditë do të jem i lumtur.’ Ne i themi vetes tonë se do të jemi të lumtur kur paguajmë faturat, kur të mbarojmë shkollën, kur të fillojmë punën e parë, kur të ngrihemi në detyrë e shumë të tjera. E bindim veten tonë se jeta do të jetë më e mirë pasi të jemi martuar, të kemi një fëmijë, pastaj një tjetër. Jeta vazhdon dhe ne ndjehemi të mërzitur, sepse fëmijët nuk janë rritur akoma por do të jemi më të lumtur kur ata të rriten. Pas kësaj, jemi të mërzitur se janë adoleshentë dhe është e vështirë të merresh me ta. Padyshim do të jemi të lumtur kur ata ta kalojnë këtë fazë. Ne i themi vetes se jeta jonë do të jetë e kompletuar kur partneri ynë bën zgjedhjet e duhura, kur të blejmë një makinë të mirë, kur të jemi në gjendje të shkojmë me pushime, kur të dalim në pension, e kështu me radhë! Ndërkohë jeta shkon përpara. E vërteta është, se nuk ka kohë më të mirë për të qënë të lumtur sesa tani. Nëqoftëse jo tani kur do të jetë koha? Jeta do të jetë gjithmonë e mbushur me sfida. Është mirë t’ia pohosh këtë vetvetes dhe të vendosësh të jesh i lumtur.
Një nga shprehjet më të preferuara është ajo e Alfred D’S ousa në lidhje me kontekstin e kësaj tematike që po diskutojmë përgjatë këtij shkrimi. Ai ka thënë, ‘Për një kohë të gjatë më është dukur se jeta ishte pothuajse gati për të filluar-jeta e vërtetë. Por, dilnin gjithmonë disa pengesa rrugës, diçka që duhej të bëhej menjëherë, disa punë të papërfunduara, kohë për të kryer disa shërbime, borxhe për të paguar. Pas këtyre do të fillonte jeta. Në fund u bë e qartë se këto pengesa ishin jeta ime.’ Kjo pikëpamje më ka ndihmuar për të kuptuar se nuk ka rrugë për në lumturi. Lumturia është vetë rruga e jetës.