KOMANDONI MENDIMET TUAJA

Çelësi i suksesit gjendet në aftësinë tënde për të besuar se do t’ia dalësh. Mos harro: Çfarëdo që mendja jote mund të përfytyrojë e të besojë mund të arrihet.

Fuqia e mendimit është e vetmja gjë mbi të cilën ti ke kontroll të plotë. Që ta përdorësh atë sa më mirë, duhet të mendosh saktë. Ata që mendojnë saktë asnjëherë nuk lejojnë askënd të bëjë procesin e të menduarit për ta. Njerëzit e suksesshëm kanë një sistem të përcaktuar, përmes të cilit marrin vendime të sakta. Ata mbledhin informacione dhe marrin mendimet e të tjerëve, por në analizën përfundimtare, e ruajnë për vete të drejtën e marrjes së vendimeve. Fuqia e mendimit iu përket në fakt, të gjithë sipërmarrësve të suksesshëm. Vëreni me kujdes ndërsa bisedoni me ta. Ata, kur artikulojnë: Flasin pak dhe ngadalë; Flasin në të ardhmen dhe plot besim; Shpallin ide kreative dhe revolucionare; Shpeshherë duken të padeshifrueshëm në bisedat e tyre, veçse shumërrallë mund ‘të gabojnë’.
Të menduarit saktë bazohet mbi dy themele: arsyetimin induktiv, që bazohet mbi supozime dhe fakte të panjohura ose mbi hipoteza kur nuk jane të mundshme, dhe arsyetimi deduktiv, bazohet në fakte të njohura ose ato çfarë besohen të jenë. Mendimtari i saktë gjithmonë merr dy hapa të rëndësishëm. Së pari, ai ose ajo ndan faktet nga trillimet apo thashethemet e pavërtetuara. Së dyti, ai ose ajo i ndan faktet në dy kategori, të rëndësishme dhe të parëndësishme. Një fakt i rëndësishëm është ai që mund të përdoret në dobi të arritjes së objektivit tënd. Të gjithë të tjerët janë pa vlerë.


Është tragjedi që shumë njerëz i bazojnë mendimet e tyre në thashetheme të pavend dhe në fakte të parëndësishme, të cilat të çojnë vetëm në mjerim e në dështim. Mendimtari i saktë e di se disa ‘opinione’ të shprehura nga të tjerët janë pa vlerë, madje të rrezikshme, nëse pranohen si të sakta, pasi ato bazohen në njëanshmëri, paragjykim, intolerancë, egoizëm, frikë dhe supozime.
Një mendimtar i saktë bën një vesh shurdh ndaj një personi që e nis bisedën me frazën banale ‘thuhet se’, pasi e di se ajo që do të dëgjojë nuk do të jetë gjë tjetër përveçse fjalë pa lidhje. Mendimtari i saktë e di se asnjë person i përgjegjshëm nuk jep mendim mbi asnjë çështje pa u bazuar në fakte të besueshme. Ky rregull do të përjashtonte shumicën e të ashtuquajturit të menduar prej pjesës më të madhe njerëzore. Mendimtari i saktë e di se ‘këshilla e lirë’, e dhënë me dëshirë nga miqtë dhe të tjerët, mund të mos jetë e mirë për t’u marrë në konsideratë. Nëse ai kërkon një këshillë, ai po kërkon një burim të besueshëm dhe paguan për të në një mënyrë ose tjetrën. Ai e di se asgjë me vlerë nuk merret pa konsideratë. Mendimtarët e saktë e dinë se ndjenjat nuk janë gjithmonë të besueshme. Ata e mbrojnë veten prej tyre duke i kontrolluar dhe duke i gjykuar ato me kujdes, përmes forcës së arsyes dhe parimeve të logjikës.
Të menduarit saktë kërkon rregullin më të lartë të vetëdisiplinës, një tipar ky që lidhet ngushtë me të. Vendimet e shpejta dhe të sakta janë gurët e themelit më të rëndësishëm të suksesit në çdo rrugë të jetës. Këto nuk mund të arrihen pa disiplinë të guximshme dhe të ndershme.


Ti ke nën komandën tënde fuqinë e imagjinatës, e cila është në dy forma. Njëra është imagjinata sintetike, e cila në vetvete është një bashkim idesh, konceptesh, planesh ose faktesh të njohura, të transformuara në diçka krejt të re. Tjetra është imagjinata krijuese. Kjo vepron përmes shqisës së gjashtë dhe shërben si mjet me të cilin zbulohen faktet ose idetë e reja. Është gjithashtu edhe mjeti për frymëzim. Thomas Edison-i e përdori imagjinatën sintetike për të shpikur llampën elektrike inkandeshente, duke sjellë së bashku, në një mënyrë të re, dy parime të mirënjohura. Shumë përpara kohës së Edison-it, dihej se drita mund të prodhohej përmes elektricitetit duke ia përçuar atë një teli dhe duke bërë një qark të shkurtër. Por deri atëherë asnjë nuk e kishte gjetur mënyrën për të ruajtur metalin nga djegia e shpejtë. Edison-i përdori parimin mbi bazën e të cilit prodhohet qymiri i drurit, çka nënkupton që drurit i vihet zjarr, më pas mbulohet me baltë, në mënyrë që oksigjeni që duhet ti shkojë zjarrit për ta mbajtur të ndezur, të digjet, por jo të marrë flakë. Pasi përdori parimin se asgjë nuk mund të digjet pa oksigjen, Edison-i vendosi një tel brenda një shisheje dhe nxori të gjithë ajrin jashtë saj. Pastaj dërgoi elektricitet në telat përcjellës dhe… llampa inkandeshente lindi.
Pesë shqisat e tua fizike të mundësojnë kontaktin me botën e jashtme dhe i bëjnë të kapshme natyrën dhe përdorimet e saj. Por shqisa jote e gjashtë, e cila vepron përmes pjesës subkoshiente të mendjes, të mundëson kontaktin me forcat e padukshme të universit. Ajo të mundëson njohuri, të cilat nuk mund t’i marrësh ndryshe. Shqisa e gjashtë, e vizionit krijues, bëhet më e besueshme nëpërmjet ushtrimit të rregullit, njësoj si pesë shqisat fizike. Të gjithë njerëzit shumë të suksesshëm kanë një sistem për të orientuar mendjen e tyre; disa veprojnë kështu pa e ditur se çfarë po bëjnë.
Një metodë shumë e dobishme për të përdorur shqisën e gjashtë është të hedhësh në letër një përshkrim të qartë dhe shkurt të problemit që dëshiron të zgjidhësh ose të objektivit që kërkon të arrish. Përsërite këtë disa herë në ditë në formën e një lutjeje. Lutja duhet të bazohet në një besim aq të vendosur e të fortë, sa ti të mund ta shohësh veten se e zotëron tashmë atë që kërkon. Nëse herën e parë kjo metodë nuk sjell rezultatin e dëshiruar, vazhdoje përpjekjen. Gjithmonë shprehe mirënjohjen, sikur ta kesh arritur objektivin, edhe pse ai akoma nuk është në zotërimin tënd konkretisht. Çelësi i madh i suksesit gjendet në aftësinë tënde për të besuar se do t’ia dalësh. Mos harro: Çfarëdo që mendja jote mund të përfytyrojë e të besojë, mund të arrihet.
Njerëzit më të suksesshëm kanë përvetësuar zakonin e përqendrimit në një kohë të caktuar në një gjë të vetme, në vend që t’i shpërndajnë përpjekjet e tyre në shumë gjëra njëherësh. Kujtojmë këtu shprehjen e famshme në marketing: Fokusohu në punë të pakta dhe të përqendruara! E gjithë përvoja botërore rezulton se hallakatja dhe devijimi nga synimet e qarta, janë rruga drejt një dështimi të sigurtë.
Nëse përballesh me dështimin, përqendrohu në kërkimin e shkakut, duke i marrë parasysh faktet hapur dhe ke për ta ruajtur veten ndaj përsëritjes së dështimit. Mos harxho kohën duke krijuar alibi për t’i shpëtuar përgjegjësisë për dështimin ose t’ia hedhësh fajin dikujt tjetër. Kjo ka pikërisht të njëjtin efekt si të lutesh për dështimin kur po e lë veten ndaj një rikthimi të tij. Përqendrimi do të të ndihmojë të përvetësosh edhe një tjetër aset të vlefshëm tëndin – një kujtesë të besueshme. Një shkrimtari të mirënjohur iu caktua nga një revistë kombëtare të shkruante një histori të bazuar mbi një intervistë me Frank Lloyd Wright. Intervista zgjati rreth dy orë, por arkitekti i njohur u acarua, pasi gazetari nuk mbajti asnjë shënim dhe i kërkoi të dinte pse. ‘Unë, iu përgjigj gazetari, po mbaj shënime në një kujtesë, e cila është stërvitur të funksionojë pa bllok shënimesh dhe pa laps’. Ditën tjetër, Wright-it iu dorëzua një kopje e shkruar e saktë e pothuajse çdo detaji të intervistës së tij. Dhe për habinë e tij, nuk kishte pse të ndryshonte asnjë fjalë.


Zakoni i përqendrimit të ndihmon ty jo vetëm të mbash vesh mirë, por edhe të mbash mend çfarë sheh e dëgjon. Arsyeja kryesore që kemi vështirësi të kujtojmë emrin e dikujt vetëm dy minuta mbasi na është thënë, gjendet në dështimin tonë për të përqendruar vëmendjen në fillim kur na thuhet emri. Andrew Carnegie këshillonte: ‘Vendosi të gjitha vezët në një shportë. Më pas sigurohu që shporta të mos kthehet përmbys’. Përmes një përqendrimi të tillë, ai themeloi Korporatën e çelikut të Shteteve të Bashkuara.
Përqendrimi është i lidhur edhe me cilësinë e produktit/shërbimit. Dhe këtu duam të veçojmë lidhjen menaxhim-cilësi. Skuadra të përqendruara, synim i qartë, vendosje e afateve etj. Pra, përqendrimi, jo vetëm rrit rendimentin e prodhimit dhe kryerjen e një pune të caktuar, por sjell në finale produkte/shërbime cilësore dhe specifike. Çdo person që arrin një shkallë të lartë suksesi, zakonisht, fillon duke iu përkushtuar me çdo gjë që ka dhe zotëron (kapital, ide, njerëz etj) një ose dy objektivave të vetëm. Këta persona i qëndrojnë një rruge derisa të arrijnë destinacionin. Lëvizin të sigurtë në autostradën e tyre të projektuar paraprakisht. Pas kësaj, pra, pas realizimit të këtyre objektivave të pakët, ata mund të caktojnë objektiva të tjera për veten dhe skuadrat e tij, duke vendosur synime të tjera gjithashtu.
Po për zakonin tënd të përqendrimit? A e di saktësisht se çfarë kërkon nga jeta? A ke një plan të caktuar për të arritur atë? A keni një afat të asaj që dëshironi të realizoni? Besoj, ndërkohë po mendoni për shpenzimet e projektit tuaj? Atëherë, cili është hapi i radhës? Hapi yt i radhës është të përqendrohesh te synimi dhe te plani me aq vendosmëri, sa asnjë pengesë të mos ta zërë rrugën. Ki parasysh, kufizimet e tua të vetme janë ato që ti i vë vetë në mendjen tënde. Përqendrohu në mposhtjen e tyre dhe asgjë nuk mund të të ndalë në rrugën e nisur.