GJËRA TË VOGLA

Unë them se për fatin tim të mirë kam patur rreth vetes njerëz shumë të qetë, shumë paqësorë, dhe të dashur.

Shumë njerëz janë të frikësuar, të ngutshëm, konkurues, dhe vazhdojnë ta jetojnë jetën sikur të ishte një urgjencë e madhe, është frika se po të bëheshin më paqedashës dhe të përzemërt, nuk do të mund t’i realizonin më qëllimet e tyre. Ata do të ishin dembelë dhe apatikë. Mund ta heqësh këtë frikë sapo të kuptosh se e kundërta është e vërtetë. Mendimet e frikshme, acarimet e tepërta të marrin shumë energji dhe e shterojnë krijimtarinë dhe motivimin nga jeta jonë. Kjo frikë dhe xhindosje, në kuptimin e mirëfilltë të bllokon të gjithë potencialin, pa përmendur këtu zbavitjen. Çdo sukses që ke arritur nuk është shkaktuar nga frika, përkundrazi ndodh e kundërta. Unë them se për fatin tim të mirë kam patur rreth vetes njerëz shumë të qetë, shumë paqësorë, dhe të dashur. Disa nga këta njerëz janë autorë librash të suksesshëm, prindër të dashur, konsulentë, ekspertë kompjuterash, dhe përgjegjës ekzekutiv. Të gjithë këto janë të kompletuar profesionalisht dhe shumë të aftë në punën që bëjnë. Kam mësuar këtë mësim të rëndësishëm: Kur e ke atë çfarë do (qetësinë e brendshme), je më pak i shpërqendruar nga dëshirat, nevojat dhe shqetësimet. Në këtë mënyrë është më e lehtë për të qenë i përqendruar, për të realizuar qëllimet e tua, e për t’u dhënë ndihmën tënde të tjerëve.


Shpesh herë ia lejojmë vetes të stërmundohemi rreth gjërave të cilat, po t’i shohim thellë, nuk janë edhe aq të rëndësishme. Ne përqendrohemi në problemet e shqetësimet e vogla dhe i ekzagjerojmë ato. Për shembull, një i panjohur, mund të na dalë përpara duke na prerë rrugën në trafik. Në vend që ta lëmë këtë çështje dhe të vazhdojmë ditën, e bindim veten se arsyeja pse u zemëruam është e drejtë. Bëjmë një luftë imagjinare në mendjen tonë. Ka shumë mundësi që shumë prej nesh, më vonë t’i tregojnë dikujt tjetër për këtë incident në vend që thjesht ta harrojnë. Përse të mos e lejosh shoferin thjesht që ta bëjë aksidentin në një vend tjetër? Përpiqu të kesh dhembshuri për personin dhe kujto se sa e padurueshme është kur je me nxitim të madh. Në këtë mënyrë, mund të ndërtojmë sensin tonë të mirësisë dhe të evitojmë të mos i marrim problemet e të tjerëve si shumë personale. Ekzistojnë shumë shembuj të ngjashëm, të ‘gjërave të vogla’ që na ndodhin çdo ditë në jetën tonë. Për shembull, kur na duhet të qëndrojmë në radhë, të dëgjojmë kritika të padrejta, ose të bëjmë pjesën tonë të punëve. Nëqoftëse mësojmë të mos shqetësohemi për gjërat e vogla, kjo do të na sjellë shumë shpërblime. Shumë njerëz shpenzojnë aq shumë energji gjatë jetës së tyre ‘duke e vrarë mendjen për gjëra të vogla’ saqë e humbasin tërësisht magjinë dhe bukurinë e jetës. Nëse angazhohesh dhe vendos të punosh me veten për të arritur këtë qëllim do të kuptosh se do të kesh më shumë energji për të qenë më zemërgjerë dhe miqësor.
Nuk kam takuar ende ndonjë person të përsosur jeta e të cilit ka vetëm qetësi të brendshme. Nevoja për përsosmëri dhe dëshira për paqe të brendshme bien ndesh me njëra-tjetrën. Kur ngulim këmbë t’i kemi gjërat në një mënyrë të caktuar, më të mirë nga çfarë janë në të vërtetë, realisht i jemi futur një beteje shumë të humbur. Në vend që të jemi të gëzuar dhe mirënjohës për gjithçka çfarë kemi, ne përqendrohemi tek diçka e vogël që e shohim si të gabuar dhe na lind nevoja për ta ndrequr. Fokusimi ynë i tepërt në atë çfarë ne na duket se nuk shkon mirë, tregon se jemi të mërzitur dhe të pakënaqur. Kjo lidhet me veten tonë: kur kemi dollapin e parregullt, kur na pëson makina një gërvishtje, kur nuk arrijmë një synim, kur kemi disa kile të tepërta. Gjithashtu lidhet edhe me papërsosmërinë e dikujt tjetër: me mënyrën se si duket, mënyrën se si sillet, ose si e jeton jetën e vet. Vetë veprimi i përqëndrimit të vëmendjes tek papërsosmëria të largon nga synimi për tu bërë një person më zemërgjerë dhe më miqësor. Kjo metodë nuk ka të bëjë aspak me faktin që duhet të reshtni të bëni më të mirën, por përkundrazi ju nuk duhet ta përqendroni gjithë vëmendjen dhe energjinë tuaj në atë çfarë nuk shkon mirë me jetën tuaj. Të kuptosh se mund të gjesh gjithmonë një mënyrë më të mirë për të bërë diçka, nuk do të thotë se nuk mund ta gëzosh dhe vlerësosh mënyrën se si janë tashmë gjërat. Zgjidhja është e thjeshtë, duhet ta mësosh veten, përpara se të bëhet një zakon pretendimi se gjërat duhet të jenë ndryshe nga ç’janë në të vërtetë. Me kujdes mendo se jeta është shumë mirë, pikërisht ashtu siç është ndërtuar, në këtë mënyrë. Sapo të fillosh të mos mendosh çdo çast për gjërat perfekte që duhet të bësh në jetën tënde, do të fillosh të zbulosh përsosmërinë e jetës në vetvete.


Një metodë e shkëlqyer që të ndihmon për t’u bërë person më paqësor, është të qenit i ndërgjegjshëm dhe i kujdesshëm ndaj faktit se mendimet e shpeshta negative dhe pasiguria mund të dalin jashtë kontrollit shumë shpejt. A e ke vënë re se sa i tensionuar ndjehesh kur bie në mendime? Dhe për më tepër: sa më shumë të zhytesh në detajet e situatës që po të shqetëson, aq më keq do të ndihesh. Një mendim të çon te një tjetër dhe pastaj një tjetër, deri në një pikë ku nuk mban dot më dhe të zë ankthi aq sa e ke të vështirë ta mbledhësh përsëri veten. Për shembull, mund të zgjohesh në mes të natës dhe kujtohesh për një telefonatë që duhet të bësh të nesërmen. Atëherë, në vend që të ndjehesh i çliruar që u kujtove për këtë telefonatë të rëndësishme, fillon të mendosh rreth të gjitha gjërave që duhet të bësh të nesërmen. Fillon të inskenosh biseda të mundshme me shefin tënd, duke e shqetësuar veten akoma më tepër. Shumë shpejt fillon të mendosh, ‘Nuk e besoj dot se sa i zënë jam me punë. Më duhet të bëj pesëdhjetë telefonata në ditë. Çfarë dreq jete është kjo?’ Dhe kështu thellohesh në mendime derisa të vijë keq për veten. Për shumë njerëz, nuk ka ndonjë kufi të caktuar se sa do i zgjasë ky lloj të menduari. Në fakt, shumë njerëz kalojnë shumë dit e net ‘duke torturuar veten’ në këtë mënyrë. Nuk është e nevojshme të themi se, është e pamundur të gjesh qetësi dhe paqe kur e ke kokën plot me shqetësime e ankthe. Zgjidhja është të kuptosh se çfarë po ndodh në kokën tënde, përpara se mendimet të nguliten aq fort saqë ta kesh të vështirë t’i largosh. Sa më shpejt t’i bësh ballë këtij orteku mendimesh, më të lehtë do ta kesh ta ndalosh.
Asgjë tjetër nuk na ndihmon që të ndërtojmë një perspektivë të mirë më shumë se sa të zhvillojmë sensin e dhembshurisë dhe ta shfaqim këtë tek të tjerët. Dhembshuria është një ndjenjë keqardhjeje. Ajo përfshin gatishmërinë për ta vendosur veten në vendin e tjetrit, duke larguar vëmendjen nga vetja, dhe duke imagjinuar se si mund të jetë po të ndodhesh në situatën e tjetrit dhe njëkohësisht të ndiesh dashuri për atë person. Të pranojmë faktin se problemet e njerëzve të tjerë, dhimbja dhe shqetësimi, janë po aq reale sa edhe tonat, madje, shpesh herë mund të jenë edhe më keq. Duke e ditur këtë, ne përpiqemi të ofrojmë ndihmën tonë, duke hapur zemrën dhe zgjerojmë ndjenjën tonë të mirënjohjes. Dhembshuria është diçka që mund ta zhvillosh duke u praktikuar. Përfshin dy gjëra: qëllimin dhe veprimin. Qëllimi do të thotë thjesht t’ua hapësh zemrën të tjerëve; shtjellon se çfarë dhe kush ka rëndësi, duke u nisur nga vetja deri tek të tjerët. Veprimi është thjesht ajo çfarë bën ti konkretisht për ta. Mund të dhurosh një shumë të vogël parash apo pak kohë (ose të dyja) rregullisht, për një çështje që e ke shumë për zemër. Ose, ndoshta do të dhurosh një buzëqeshje të bukur dhe një ‘tungjatjeta’ të sinqertë njerëzve që takon në rrugë. Nuk është aq e rëndësishme se çfarë bën, por fakti që ti bën diçka. Nënë Tereza ka thënë një gjë shumë të bukur: Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha në këtë botë. Ne mundemi vetëm të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe’.


Shumë njerëz e jetojnë jetën sikur qëllimi i saj sekret ishte të kryenin të gjitha punët që kanë dhe çdo punë tjetër që ju del. Ne qëndrojmë zgjuar deri natën vonë, ngrihemi shumë herët në mëngjes, shmangim argëtimet dhe i lëmë të presin personat që duam. Fatkeqësisht, kam parë shumë njerëz që i kanë lënë pas dore njerëzit e zemrës për një kohë aq të gjatë, saqë ata e kanë humbur interesin për të ruajtur marrëdhënien mes tyre. Lista e punëve të tua nuk do të mbarojë asnjëherë. Gjithmonë do të ketë telefonata që do të jenë të nevojshme për t’u bërë, projekte për t’u realizuar dhe punë që duhen përfunduar. Në fakt, lista e mbushur plot është thelbësore për të qenë i suksesshëm. Kjo do të thotë se koha jote kërkohet shumë! Pavarësisht se kush je ose çfarë pune bën, kujto se asgjë s’është më e rëndësishme se sa vetë lumturia jote, qetësia e brendshme dhe personat që do më shumë në këtë botë. Nëqoftëse je i fiksuar për të kryer të gjitha punët, nuk do ta kesh kurrë sensin e të qenurit mirë! Në realitet, pothuajse gjithçka mund të kryhet më vonë. Gjatë gjithë jetës sonë shumë pak punë i klasifikojmë në kategorinë ‘e urgjencave’. Kam zbuluar, se nëse ia kujtoj vetes se qëllimi i jetës nuk është thjesht një process mekanik që më duhej të kryej të gjitha punët që më dalin çdo ditë, por të gjej kënaqësi në çdo gjë gjatë gjithë udhëtimit të jetës dhe të jetoj një jetë të mbushur plot me dashuri. Në këtë mënyrë, e kam më të lehtë për të kontrolluar fiksimin tim për të mbaruar të gjitha punët që kam në listë. Mbaj mend se kur të vdesësh, do të kesh përsëri punë të pambaruara, të cilat duhen kryer. Dhe di çfarë? Dikush tjetër do t’i bëj ato për ty! Mos i humb çastet më të çmuara të jetës tënde duke ndier keqardhje për atë që nuk mund të shmangesh.