EPOKA DIXHITALE

Çdo ditë kemi ndryshime dramatike në treg. Ritmi është kaq i shpejtë, saqë aftësia për të ndryshuar tani është bërë një epërsi konkurruese.

Çdo ditë ndodhin ndryshime dramatike në treg. Ritmi i ndryshimit është kaq i shpejtë, saqë aftësia për të ndryshuar tani është bërë një epërsi konkurruese. ‘E ardhmja nuk është ajo që ka qenë’. Me ndryshimin e tregut, këtë duhet ta bëjnë edhe ata që i shërbejnë atij.
Lulëzimi i fundit i teknologjisë ka krijuar epokën dixhitale. Rritja shpërthyese në teknologjinë e kompjuterave, të komunikimit, të informacionit dhe të teknologjive të tjera dixhitale ka një ndikim të madh në mënyrat sesi kompanitë i sjellin vlerat tek klientët e tyre. Tani, më shumë se asnjëherë më parë, ne të gjithë jemi të lidhur njëri me tjetrin dhe me informacionin kudo në botë. Ndërsa dikur duheshin ditë ose javë për të marrë lajme për ngjarje të rëndësishme botërore, ne tani mësojmë për to kur ato janë duke u zhvilluar, në kohë reale, nëpërmjet transmetimeve të drejtpërdrejta satelitore dhe uebsajteve të lajmeve. Ndërsa dikur duheshin javë për të korresponduar me të tjerë në vende të largëta, tani ata janë vetëm pak çaste larg telefonit celular, postës elektronike apo ueb-kameras.
Epoka dixhitale u ka siguruar specialistëve të marketingut mënyra të reja ngacmuese për të mësuar rreth klientëve dhe për t’i ndjekur ata, me synim për të krijuar produkte dhe shërbime në përputhje me nevojat individuale të tyre. Kjo po i ndihmon specialistët e marketingut të komunikojnë me klientët në grupe të mëdha ose një për një. Nëpërmjet video-konferencave në ueb, studiuesit e marketingut në selinë qendrore të një kompanie në Nju York mund të shkojnë te një grup fokusi në Çikago ose në Paris, madje, pa e vënë këmbën në ndonjë avion. Vetëm me disa klikime në butonin e mausit, një specialist i marketingut mund të futet drejt e në shërbimet online të të dhënave, për të mësuar çdo gjë, që nga çfarë makine ju ngisni dhe çfarë ju lexoni, deri në çfarë arome të akullores preferoni. Ose, duke përdorur kompjuterat e sotëm të fuqishëm, specialistët e marketingut mund të krijojnë bazat e tyre të të dhënave të detajuara për klientët dhe t’i përdorin ato për të vënë në shënjestër klientë individualë, me oferta të kompozuara për të plotësuar nevojat e tyre specifike.


Teknologjia dixhitale ka sjellë, gjithashtu, një valë të re të mjeteve të komunikimit , të reklamës dhe të ndërtimit të marrëdhënieve, që variojnë nga reklamat online, instrumentet e transmetimit të videove, telefonat celularë, video-lojërat e deri tek pajisjet në ueb dhe në rrjetet sociale online. Ndryshimi dixhital do të thotë që specialistët e marketingut nuk mund të presin më që konsumatorët t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë ata. Ata as nuk mund të kontrollojnë më gjithmonë bashkëbisedimet rreth markave të tyre. Bota e re dixhitale e bën të lehtë për konsumatorët t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë ata. Bota e re dixhitale e bën gjithashtu të lehtë për konsumatorët që ta marrin me vete kudo që shkojnë dhe t’ua transmetojnë miqve të tyre përmbajtjen e marketingut, që dikur jetonte vetëm në reklama ose në një uebsajt të markës. Më shumë se vetëm reklama në kanalet tradicionale të marketingut, media e re dixhitale duhet të jetë plotësisht e integruar në përpjekjet e specialistit të marketingut për ndërtimin e marrëdhënieve me klientët. Një specialist marketingu thotë: Ne (tani) po ndërtojmë nje rrjet të përvojave!
Ndoshta, teknologjia e re dixhitale më fantastike është interneti. Numri i përdoruesve të internetit në të gjithë botën tani është më shumë se 4 miliardë dhe parashikohet një shtim i tyre në dinamikë. Përdoruesit e sotëm tipik të internetit shpenzojnë 50% të kohës së tyre online, duke parë përmbajtjen online, duke ndjekur video, duke lexuar lajmet ose duke marrë informacion nga miqtë dhe njerëzit e famshëm në MySpace ose Facebook. Ata shpenzojnë 33% të kohës së tyre duke komunikuar online njëri me tjetrin, 15% duke psonisur online dhe 5% duke kërkuar në Google ose duke përdorur motorë të tjerë kërkimi. Kompjuteri dhe interneti janë bërë pjesë e domosdoshme e jetëve tona.
Çfarë vlerësojmë ne më shumë? Duke gjykuar nga fakti se si e shpenzojmë kohën tonë, mund të themi se më shumë vlerësojmë kompjuterat. Shumica e njerëzve shpenzojnë më shumë kohë me kompjuterat e tyre, sesa me bashkëshortin ose me ndonjë person tjetër të rëndësishëm. Më shumë se 80% thonë se ata janë bërë më të varur nga kompjuteri i tyre çdo vit. Kompjuterët janë edhe një burim gjithnjë e më i madh stresi. Konsumatori mesatar përjeton probleme acaruese të kompjuterit dhe humbet 12 orë në muaj për shkak të problemeve të kompjuterit. 11% thonë se ata do të ishin të gatshëm të transplantonin në trutë e tyre një pajisje që do t’i lejonte të aksesonin internetin. 24% thonë se interneti mund të shërbejë si zëvendësues i një diçkaje tjetër të rëndësishme. 10% thonë se interneti i sjell ata më afër perëndisë.


Përdorimi i internetit u shtua më shumë në vitet 90’, me zhvillimin e World Wide Web. Gjatë frenezisë së tejnxehur të fundit të viteve 90’, com-et u shfaqën kudo. Frenezia u ftoh gjatë ‘shkrirjes së com-eve’ në vitin 2000, kur shumë blerje elektronike të konceptuara keq dhe krijesa të tjera të reja të ueb-it dolën jashtë biznesit. Sot ka lindur një version i ri i internetit, një ‘arritje e dytë’ e ueb-it, që shpesh e quajmë Ueb2.0, e cila përfshin një qasje më të arsyetuar dhe të balancuar ndaj marketingut online. Ajo, gjithashtu, ofron një gamë teknologjish të reja të ueb-it, e cila rritet me shpejtësi, për t’u lidhur me klientët, si ueblog-et (blog-et) dhe vlog-e (video based blog-e), sajtet e rrjeteve sociale dhe sajtet e transmetimit të videove. Natyra ndërvepruese e këtyre teknologjive të reja, i bën ato të përsosura për t’u lidhur me konsumatorët.
Marketingu online tani është forma e marketingut që po rritet me shpejtësi. Këto ditë, është e vështirë të gjendet një kompani që nuk e përdor ueb-in në mënyrë të konsiderueshme. ‘Vetëm kliko’.com dhe shumica e kompanive tradicionale fizike të dalin menjëherë në ekran. Ato i kanë hyrë aventurës online për të tërhequr klientë të rinj dhe të ndërtojnë marrëdhënie më të forta me ata ekzistues. Sot, më shumë se 75% e përdoruesve amerikanë online e përdorin internetin për të psonisur. Edhe tregtia online e biznesit për biznes po lulëzon. Duket se pothuajse çdo biznes ka krijuar një dyqan në ueb. Pra, lulëzimi i teknologjisë po ofron shanse të reja ngacmuese për specialistët e marketingut.
Sot, pothuaj çdo kompani, e vogël ose e madhe, është prekur në njëfarë mënyre nga konkurrenca globale. Një lulerritës i lagjes i blen lulet nga fidanishtet meksikane dhe një prodhues i madh amerikan i elektronikës konkurron në tregjet e vendit të tij me rivalët e tij gjigantë koreanë. Një shitës i vogël i pakicës, futet shpesh në internet, për të marrë porosi nga e gjithë bota, në të njëjtën kohë që një prodhues amerikan i mallrave të konsumit hedh produktë të reja në tregjet në rritje jashtë vendit.
Firmat amerikane janë sfiduar në vendin e tyre nga marketingu i shkathët i shumëkombësheve europiane dhe aziatike. Kompani, si Toyota, Nokia, Nestle, Sony dhe Samsung ia kanë dalë më mirë se konkurrentët e tyre të Shteteve të Bashkuara në tregjet amerikane. Në mënyrë të ngjajshme, kompanitë e Shteteve të Bashkuara në një gamë të gjerë industrish kanë zhvilluar operacione me të vërtetë globale, duke prodhuar e shitur produktet e tyre në të gjithë botën.


Sot kompanitë jo vetëm po përpiqen të shesin në tregjet ndërkombëtare më shumë mallra të prodhuara në ato vende, por edhe po blejnë jashtë vendit më shumë furnizime dhe pjesë për produktet e tyre. Kështu, kompanitë kanë menaxherët e tyre në vende të ndryshme nëpër botë, ku marrin një tablo jo vetëm lokale, por edhe globale të industrisë së kompanisë, të konkurrentëve dhe të mundësive. Ata pyesin: Ç’është marketingu global? Si ndikojnë konkurrentët dhe forcat globale në biznesin tonë? Në çfarë mase duhet të shkojmë drejt globalizimit?
Specialistët e marketingut po rishqyrtojnë marrëdhëniet e tyre me vlerat dhe përgjegjshmëritë shoqërore, si edhe me vetë tokën, me mjedisin, që na mbështet. Duke u pjekur gjithnjë e më shumë lëvizjet konsumiste dhe ato ambientaliste, duket se specialistët e sotëm të marketingut po marrin përgjegjësi më të madhe për ndikimin që kanë shoqëria dhe mjedisi ndaj veprimtarisë së tyre. Tani etika e korporatës dhe përgjegjshmëria sociale janë bërë subjekte të nxehta pothuajse për çdo biznes. Pak kompani mund ta injorojnë lëvizjen e re dhe shumë kërkuese ambientaliste. Çdo veprim i kompanisë mund të ndikojë në marrëdhëniet me klientët.
Ekziston një kontratë e pashkruar ndërmjet klientëve dhe markave që ata blejnë. Së pari, ata presin që kompanitë të lëvrojnë në mënyrë të qëndrueshme ata që ato reklamojnë. Së dyti, ata presin që kompanitë, me të cilat bëjnë biznes, t’i trajtojnë me respekt ata si klientë, të jenë të ndershme dhe të çiltra me ta. Çdo gjë që bën një kompani, në sytë e klientit ndikon te marka.
Përgjegjshmëria shoqërore dhe lëvizjet mjedisore, do të shtrojnë kërkesa edhe më rigoroze para kompanive. Disa kompani u rezistojnë këtyre lëvizjeve, duke u tundur nga vendi vetëm kur detyrohen nga legjislacioni ose nga protestat e organizuara të konsumatorëve. Por kompanitë që shohin më përpara i pranojnë përgjegjësitë e tyre ndaj botës që i rrethon. Ato i konsiderojnë veprimet e përgjegjshme nga ana sociale si një shans për të arritur sukses financiar. Ata kërkojnë rrugë për të fituar duke u shërbyer klientëve dhe komuniteteve.