Ndonjëherë planet për të bërë në të ardhmen gjëra të mëdha na japin mundësinë për të bërë gjëra të vogla në momentin ku ndodhemi.
Kur përpiqesh të japesh ndihmë, përqendrohu në detajet e vogla. Njëherë Nënë Tereza ka thënë, ‘Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha në këtë botë. Ne vetëm mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.’ Ndonjëherë planet tona për të bërë gjëra të mëdha në një kohë të ardhme na japin mundësinë për të bërë gjëra të vogla në momentin në të cilin ndodhemi. Dikur një mik më pati thënë, ‘Dua që jetën time ta vë në shërbim të tjerëve, por ende nuk mund të bëjë asgjë. Një ditë, kur të jem i suksesshëm, do të bëj shumë gjëra për të tjerët.’ Ndërkohë, ka njerëz të uritur në rrugë, të moshuar të cilët kanë nevojë për pak shoqëri, nëna të cilat kanë nevojë për pak ndihmë për të rritur fëmijët e tyre, njerëz të cilët nuk mund të lexojnë, komshinj, shtëpitë e të cilëve kanë nevojë për t’u lyer, rrugë me plehra, njerëz të cilët kanë nevojë t’i dëgjojnë me mijëra e mijëra gjëra të tjera të vogla që duhen kryer. Nënë Tereza kishte të drejtë. Ne nuk mund të ndryshojmë botën, nuk kemi nevojë të bëjmë atë që nuk mundemi. Gjithçka që duhet të bëjmë, është të përqendrohemi në ato akte të vogla mirësie, gjëra të cilat mund t’i bëjmë tani për tani. Të kultivoj rituale për të dhënë ndihmë dhe të praktikoj akte të rastësishme mirësie, janë dy mënyrat e mia të parapëlqyera për të shërbyer-pothuajse gjithmonë janë gjërat e vogla të cilat më japin një sadisfaksion të pamasë dhe qetësi mendore. Shpesh veprat më të vlerësuara të mirësisë nuk janë miliona-dollarë që jepen nga korporatat gjigande, por një orë pune vullnetare në shtëpinë e një të moshuari ose një dhuratë pesë-dollarëshe për dikë i cili nuk është në gjendje të blejë asgjë.
Nëqoftëse fokusohemi tek fakti se sa pak ndryshim mund të bëjnë aktet tona të mirësisë në grumbullimin e madh të gjërave, sigurisht që do të irritohemi-dhe ka mundësi që të përdorim pafuqinë tonë si një justifikim për të mos bërë asgjë. Megjithatë, nëqoftëse kujdesemi shumë për të bërë diçka-çfarëdo qoftë-ne do të ndjejmë gëzimin, që vjen kur japim dhe do të na ndihmojë ta bëjmë botën një vend më të bukur.
Lehtësohu nga tensionimi! Në ditët e sotme, pothuajse të gjithë ne jemi shumë seriozë. Vajza ime e madhe shpesh më thotë, ‘Babi, përsëri ke marrë pamje serioze.’ Edhe ata të cilët janë më pak seriozë se të tjerët prapë sillen si shumë serioz. Njerëzit irritohen edhe tensionohen pothuajse për gjithçka-edhe kur janë pesë minuta me vonesë, kur dikush tjetër vjen pesë minuta me vonesë ndërsa jeni duke pritur, kur janë të bllokuar në trafik, kur vënë re se të tjerët u hedhin vështrime negative, ose kur thonë gjëra jo të këndshme për ta, kur paguajnë faturat, kur qëndrojnë në radhë, kur kanë gatuar pak më shumë nga çfarë ishte e nevojshme, kur bëjnë një gabim pa dashje, e kështu me radhë. Të gjithëve na ndodh të humbasim perspektivën e duhur ndaj këtyre situatave. Rrënja e problemit që na bën të tensionohemi është pafuqia jonë për të pranuar jetën si të ndryshme. Koncepti është i thjeshtë, ajo na shfaqet ndryshe nga çfarë ne pretendonim, gjërat janë ndryshe, jo si i duam ne. Jeta është e thjeshtë ashtu siç është. Ndoshta Benjamin Franklin e ka përshkruar më mirë: ‘Ne e vlerësojmë jetën në bazë të perspektivës tonë të limituar, shpresës dhe frikërave tona, dhe në momentin kur rrethanat nuk përputhen me idetë tona, në mënyrë të natyrshme ato nuk kthehen në vështirësi për ne.’ Njerëzit e kalojnë gjithë jetën e tyre me dëshirën e madhe që gjërat, njerëzit dhe ngjarjet të jenë saktësisht ashtu siç i duan ata. Ndërsa kur ato nuk janë ashtu si i duam ne, ne luftojmë dhe madje vuajmë për to.
Hapi i parë për t’u shëruar nga serioziteti i tepërt është të pranojmë faktin se ne kemi një problem. Ti duhet të kesh dëshirën për të ndryshuar, për t’u bërë më gazmor. Duhet të arrish të kuptosh se në pjesën më të madhe të rasteve, tensionimi është diçka që ti e ke krijuar vetë duke e fryrë situatën, domethënë ajo është krijuar nga mënyra se si ti e ke ndërtuar jetën tënde dhe nga mënyra se si ti reagon ndaj saj.
Hapi tjetër është të kuptosh lidhjen midis asaj çfarë pret dhe nivelit të irritimit tënd. Sa herë që pret që diçka të shkojë në një mënyrë të caktuar, por faktikisht shkon ndryshe, ti mërzitesh dhe vuan për këtë. Nga ana tjetër, kur nuk u qëndron strikt pretendimeve të tua, dhe e pranon jetën ashtu siç është, atëherë do të ndjehesh më i lirë. Kur u qëndrojmë strikt pretendimeve që kemi na shkakton shpesh herë tension dhe na bën më serioz seç duhet. Por, nëse i marrim gjërat shtruar dhe me sportivitet, atëherë kjo do të na bëjë të ndjehemi të lehtësuar.
Një ushtrim i mirë do të ishte nëse do të përpiqeshit të paktën për një ditë të mos e ndiqnit me rreptësi planin e detajuar të gjërave që do të bënit, por t’i linit gjërat të rrjedhnin natyrshëm. Mos prit që njerëzit të jenë të gjithë miqësorë, mos u habit dhe mos lejo që kjo gjë të bezdisë. Përkundrazi kur ata janë miqësorë, kjo do të gëzojë. Mos pretendo se nuk do të dalë ndonjë problem gjatë ditës. Në vend të kësaj, kur ke ndonjë problem, thuaj vetes, ‘Ah, një betejë tjetër për të fituar.’ Nëse i shikon çdo ditë gjërat në këtë mënyrë, do të vësh re se jeta është më e bukur nga çfarë e prisje. Në vend që të luftosh kundër jetës, vallëzo me të. Duke u praktikuar, do të shohësh që shumë shpejt, jeta do të lehtësohet. Dhe kur ndihesh i lehtësuar, jeta është shumë zbavitëse.
Ndrysho raportin që ke me problemet e tua! Pengesat dhe problemet janë pjesë e jetës. Lumturia e vërtetë nuk vjen kur nuk i kemi më problemet, por kur ne ndryshojmë raportin me ato, kur i shikojmë problemet si një burim i mundshëm nga ku mund t’i kuptojmë më mirë gjërat, kemi raste të mira për të praktikuar durimin, dhe për të mësuar prej tyre. Ndoshta parimi bazë i jetës shpirtërore është pikërisht ky: problemet që ne hasim janë një mënyrë më e mirë ku ne mund të praktikojmë gatishmërinë për të hapur zemrën tonë.
Natyrisht disa probleme kanë nevojë të zgjidhen menjëherë. Megjithatë, shumë probleme të tjera, ia krijojmë vetes vetë duke u përpjekur për ta bërë jetën tonë më ndryshe nga çfarë është aktualisht. Qetësia e brendshme arrihet kur kuptojmë dhe pranojmë kushtet e pashmangshme të jetës: dhimbjen dhe kënaqësinë, suksesin dhe dështimin, gëzimin dhe hidhërimin, lindjen dhe vdekjen. Problemet mund të na mësojnë të jemi zemërbardhë, të përulur dhe të duruar.
Në traditën Budiste, vështirësitë janë konsideruar si shumë të rëndësishme për një jetë ku mbizotëron paqja aq sa, edhe lutjet Tibetiane i kërkojnë ato. Në një lutje thuhet kështu: ’Pranoj se, mua më janë dhënë këto vështirësi dhe vuajtje të caktuara në këtë udhëtim jete, në mënyrë që zemra ime të mund të përjetojë në mënyrë të fuqishme ndjenjat universale.’ Kuptohet se kur jeta është shumë e thjeshtë, ekzistojnë pak mundësi për një zhvillim të pastër.
Unë nuk do të shkoja aq larg sa t’u rekomandoja t’i kërkonit vetë problemet. Megjithatë, do t’iu sugjeroja që nëse harxhoni më pak kohë për t’iu larguar problemeve duke u përpjekur për t’i hequr qafe-dhe të kaloni më shumë kohë për t’i pranuar problemet si një pjesë e pashmangshme, natyrore, edhe e rëndësishme e jetës-shumë shpejt do të zbuloni se jeta nuk do ju duket më një luftë, por do të jetë më shumë e gëzueshme dhe më pak e vështirë. Kjo filozofi e të pranuarit të gjërave është rrënjësore për të ecur në drejtim të rrjedhës.
Herën tjetër, kur ta gjesh veten në një debat, në vend që ta mbrosh pozicionin tënd, përpiqu që si fillim t’i shikosh gjërat nga këndvështrimi i tjetrit! Do të ishte interesante të marrësh parasysh se kur nuk bie dakord me dikë, personi me të cilin nuk je në një mendje është i sigurt në pozicionin e vet, po në të njëjtën mënyrë që ti je për pozicionin tënd. Ne gjithmonë mbajmë anën tonë! Kjo është mënyra se si egoja jonë refuzon për të mësuar gjëra të reja. Është bërë një zakon që krijon një stres të panevojshëm. Herën e parë që e kam provuar me ndërgjegje të plotë këtë metodë duke i parë gjërat nga këndvështrimi i tjetrit, zbulova diçka me të vërtetë të mrekullueshme: kjo gjë jo vetëm që nuk më lëndoi egon, por më ofroi më shumë me personin me të cilin nuk po bia dakord. Përpiqu t’i shikosh gjërat nga një pikëpamje tjetër, ndryshe nga e jotja-fillimisht përpiqu të kuptosh tjetrin. Mos harxho shumë energji për të mbajtur me kokëfortësi një pozicionim të ngurtë dhe lejo personin tjetër të ketë të drejtë. Qëndrimi ynë i prerë dhe i vendosur duke mbajtur gjithmonë anën tonë vetëm sa e acaron situatën duke e nxitur personin tjetër të bëjë të njëjtën gjë. Pothuajse gjithmonë, nëqoftëse mban qëndrim të butë, edhe personi tjetër do të sillet në të njëjtën mënyrë. Mund të mos ndodh menjëherë, por me kalimin e kohës, do të ndodhë. Kur kërkon së pari të kuptosh personin tjetër, në të vërtetë ti po vendos në vend të parë dashurinë dhe respektin për këtë person dhe jo egon tënde. Kështu po praktikon një formë dashurie pa kushte. Një dobi që vjen nga kjo gjë është se personi me të cilin po flet mund të dëgjojë edhe pikëpamjen tënde. Domethënë ne mund të jemi të sigurt për një gjë: Nëqoftëse nuk ofrohemi ne të parët për ta dëgjuar, të mos pretendojmë që ai/ajo do të na dëgjojë ne. Nëqoftëse je ti personi i parë që përpiqet të kuptojë dhe dëgjojë, kjo do të ndalojë ‘luftën’ midis jush dhe bashkëbiseduesit.