DETAJE TË LIDERSHIPIT

Besimi i liderit nxit vetëbesim dhe vetëvlerësim te ndjekësit e tij.

Teoria e lidershipit karizmatik është një zgjerim i teorisë së atribuimit. Ajo thotë që ndjekësit i atribuojnë aftësi heroike dhe të jashtëzakonshme lidershipit, atëherë kur vërejnë disa sjellje të caktuara. Disa autorë kanë tentuar të identifikojnë karakteristikat individuale të liderit karizmatik. Robert House ka identifikuar tri karakteristika: konfidencë jashtëzakonisht e lartë, mbizotërim dhe bindje të forta. Warren Bennis-i pasi studio 90 nga liderat më efektivë dhe të suksesshëm në SHBA, zbuloi se ata kishin katër kompetenca të përbashkëta: Ata kishin një vizion imponues ose sens qëllimi; ata mund të komunikonin atë vizion në terma kaq të qarta saqë ndjekësit e tyre arrinin të identifikoheshin menjëherë me këtë vizion; ata shfaqnin qëndrueshmëri dhe përqendrim gjatë ndjekjes së vizionit të tyre; dhe ata i njihnin fuqitë e tyre dhe përqendroheshin në to.
Analiza më e plotë e liderave karizmatikë është bërë nga J.Conger dhe R. Kanungo të McGill University. Ata arritën në përfundimin që liderat karizmatikë kanë një qëllim që e kanë ngritur në ideal dhe të cilin duan ta arrijnë. Ata kanë një përkushtim të fortë personal ndaj këtij qëllimi; ata perceptohen si jotradicionalë, janë të sigurt dhe konfidentë në vetvete dhe perceptohen si agjentë të ndryshimeve radikale më shumë sesa si menaxherë të një status-quo-je.


Një lider karizmatik ka disa karakteristika, po përmendim disa prej tyre. a) Vetëbesimi. Liderat karizmatikë kanë besim të plotë në gjykimin dhe aftësitë e tyre. Vizioni. Ata kanë një qëllim të idealizuar që propozon një të ardhme më të mirë sesa gjendja aktuale e status-quo-së. Sa më e madhe pabarazia mes këtij qëllimi të idealizuar dhe status-quo-së, aq më shumë ndjekësit do t’i atribuojnë vizion të jashtëzakonshëm liderit. Aftësia për të formuluar vizionin. Ata janë të aftë të qartësojnë dhe të deklarojnë vizionin në mënyrë të kuptueshme nga të tjerët. Ky artikulim tregojn se ata i kuptojnë nevojat e ndjekësve dhe, prandaj vepron si një forcë motivimi. Bindje të forta për vizionin. Liderat karizmatikë perceptohen si shumë të përkushtuar dhe të gatshëm të marrin përsipër risk të lartë, kosto të larta dhe vetësakrifikohen për të arritur vizionin e tyre. Sjellje përtej asaj që është e zakonshme. Ata përfshihen në sjellje që perceptohen si të reja, jotradicionale dhe kundër normave. Kur janë të suksesshme këto sjellje shkaktojnë surprizën dhe admirimin e ndjekësve. Shfaqja si agjent ndryshimi. Liderat karizmatikë perceptohen si agjentë të ndryshimeve radikale më tepër sesa si ruajtës të status-quo-së. Ndjeshmëria mjedisore. Ata janë të aftë të bëjnë vlerësime realiste të kufizimeve dhe të burimeve të mjedisit që duhet të sillen për ndryshimin.
Si i ndikojnë liderat karizmatikë ndjekësit? Të dhënat flasin për një proces me katër hapa. Ai fillon me liderin që deklaron një vizion tërheqës. Ky vizion siguron një sens komuniteti për ndjekësit duke lidhur të tashmen me një të ardhme më të mirë për organizatën. Lideri më pas komunikon pritje të larta dhe shpreh besimin e vet që ndjekësit mund t’i arrijnë ato. Besimi i liderit nxit vetëbesim dhe vetëvlerësim te ndjekësi. Më pas, lideri përçon, përmes fjalëve dhe veprave, një set të ri vlerash, dhe përmes sjelljes së tij vendos një shembull i cili duhet të ndiqet nga pasuesit e tij. Së fundmi, lideri karizmatik vetësakrifikohet dhe sillet në mënyrë jotradicionale për të treguar kurajë dhe bindje për vizionin.


Çfarë mund të themi për efektin e liderit karizmatik te ndjekësit e tij? Gjithnjë e më shumë studime tregojnë për lidhje mbreslënëse mes liderit karizmatik dhe performancës së lartë dhe kënaqësisë së ndjekësve. Njerëzit që punojnë për liderat karizmatikë janë të motivuar, dhe përpiqen më tepër në punë dhe për shkak se i pëlqejnë dhe i respektojnë liderat, shprehin një kënaqësi më të lartë. Nëse karizma është një cilësi e dëshirueshme, a mund të mësojnë njerëzit sesi të jenë lidera karizmatikë? Apo liderat karizmatikë kanë lindur me këtë cilësi? Megjithëse një pakicë besojnë se karizma nuk mund të mësohet, shumica e ekspertëve besojnë se individët mund të trajnohen për të shfaqur sjellje karizmatike, duke shijuar kështu përfitimet që rrjedhin nga ajo që njihet me termin ‘lider karizmatik’. Por është e rëndësishme të vëmë në pah se lidershipi karizmatik nuk është gjithmomë i nevojshëm që të arrihet performancë e lartë nga ana e punonjësve. Duket sikur karizma është më e përshtatshme kur detyra e punonjësve përmban ndonjë përbërës ideologjik ose kur në mjedis ka shumë stres dhe paqartësi. Ky faktor mund të shpjegojë përse liderat karizmatikë kanë më shumë gjasa që të shfaqen në fushën politike, fe, ose luftë, ose kur një firmë biznesi është në fillesat e saj, ose duke u përballur me një krizë që i kërcënon vazhdimësinë e tij.
Lidershipi vizionar shkon përtej karizmës. Ai paraqet aftësinë për të krijuar dhe artikuluar një vizion realist, të besueshëm, tërheqës për të ardhmen e një organizate ose të një njësie organizative, që buron prej së tashmes dhe synon ta përmirësojë atë. Nëse ky vizion zgjidhet dhe zbatohet në mënyrë të përshtatshme, i jep shumë energji firmës duke shfrytëzuar aftësitë, talentet dhe burimet për të mundësuar një të ardhme të suksesshme.
Tiparet kryesore të vizionit mesa duket janë mundësitë frymëzuese që përqendrohen në vlera, janë të realizueshme dhe të një imazhi dhe artikulimi superior. Vizionet duhet të jenë në gjendje të krijojnë mundësi që janë frymëzuese, unike dhe ofrojnë një rend të ri i cili mund ta bëjë organizatën të dallueshme. Një vizion ka gjasa të dështojë nëse nuk arrin të ofrojë një pikëpamje të së ardhmes që të jetë e qartë dhe dallueshëm më e mirë për organizatën dhe anëtarët e saj.
Vizionet e dëshirueshme i përshtaten kohës dhe rrethanave dhe reflektojnë unikalitetin e organizatës. Njerëzit në organizatë gjithashtu duhet të besojnë se vizioni është i arritshëm. Ai duhet të perceptohet si sfidues e njëkohësisht i mundshëm. Vizionet që janë artikuluar qartë dhe kanë imazh të fuqishëm janë më të kapshëm dhe më të thjeshtë për t’u pranuar.


Çfarë aftësish shfaqin liderat vizionarë? Sapo identifikohet vizioni, këta lidera shfaqin tri cilësi që lidhen me efektifitetin e rolit të tyre vizionar. Së pari është aftësia për t’ua shpjeguar vizionin të tjerëve. Lideri duhet ta bëjë vizionin të qartë duke artikuluar veprimet e nevojshme që duhen kryer dhe qëllimet e tyre përmes komunikimit të qartë, të folur dhe të shkruar.
Ish-presidenti, Ronald Regan, i ashtuquajturi komunikuesi i madh, i shfrytëzoi vitet e përvojës në aktrim për ta ndihmuar atë të artikulonte një vizion të thjeshtë për presidencën e tij: Një rikthim të kohëve më të lumtura dhe më të begatshme me më pak qeverisje, taksa më të ulëta dhe një ushtri e fortë. Së dyti vjen aftësia e liderit për të shprehur vizionin jo vetëm me fjalë por dhe me vepra. Një lloj i tillë shprehjeje kërkon nga liderët që ata vazhdimisht të përçojnë dhe të riforcojnë vizionin përmes sjelljeve të tyre. Aftësia e tretë është zotësia për të shtrirë vizionin në kontekste të ndryshme të lidershipit, për t’i renditur aktivitetet në mënyrë të tillë që vizioni të mund të aplikohet në situata të ndryshme. Për shembull, vizioni duhet të jetë po aq kuptimplotë si për punonjësit e departamentit të kontabilitetit, ashtu edhe për ata të marketingut ose për punonjësit në zona të ndryshme gjeografike të kompanisë.
Mënyra sesi një sipërmarrës drejton organizatën duhet të nxjerrë më të mirën nga çdo individ me gjithë paparashikueshmërinë e situatës. E një mënyrë sesi një sipërmarrës nxjerr pjesën më të shkëlqyer nga çdo individ është përmes vizionit që ai krijon për organizatën. Në fakt, shpesh forca shtytëse në stadet e para të jetës së organizatës është lidershipi vizionar i sipërmarrësit.
Aftësia e sipërmarrësit për të artikuluar një vizion koherent, frymëzues dhe tërheqës të së ardhmes është një provë kyçe e lidershipit të tij. Nëse një sipërmarrës mund të shpreh vizionin në mënyrë efektive, rezultatet mund të jenë të vlefshme. Një studim që vuri përballë kompanitë vizionare dhe ato jovizionare përsa i përket kritereve standarde financiare dhe aksionet e tyre kishin një performancë 15 herë më të mirë në tregun e përgjithshëm.
Liderat e skuadrës janë ekspertë. Kur skuadra ka probleme dhe kërkon asistencë, liderat e skuadrës marrin pjesë në mbledhje dhe ndihmojë për zgjidhjen e problemeve. Kjo asistencë rrallëherë lidhet me çështje teknike ose operacionale sepse anëtarët e skuadrës zakonisht dinë më shumë për detyrat sesa di lideri i skuadrës. Lideri ka më tepër gjasa të kontribuojë duke bërë pyetje depërtuese, duke e ndihmuar skuadrën për të biseduar mbi problemet dhe duke marrë burimet e nevojshme nga palët e jashtme. Për shembull, kur një skuadër në një firmë ajrore u gjend në kushtet e mungesës së fuqisë punëtore, lideri i skuadrës mori përsipër përgjegjësinë për të siguruar më shumë staf. Ai e paraqiti rastin e skuadrës para drejtuesve të lartë dhe mori miratimin përmes departamentit të burimeve njerëzore të kompanisë.
Liderat janë edhe menaxherë konfliktesh. Kur lindin mosmarrëveshje liderat e skuadrës ndihmojnë për të kapërcyer konfliktin. Cili është burimi i konfliktit? Kush është i përfshirë? Cilat janë problematikat? Çfarë avantazhesh dhe disavantazhesh ka secila? Duke i bërë anëtarët e skuadrës që t’i përgjigjen këtyre lloj pyetjeve, lideri minimizon aspektet përçarëse të konflikteve brenda skuadrës.