Intervistat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në vendimin nëse do ta merrni vendin e punës ose jo.
Njoftimet nëpër gazeta dhe agjencitë e punësimit mund të jenë drejt zhdukjes si burimet kryesore të transmetimit të informacionit rreth vendeve të lira të punës dhe gjetjes së kandidatëve për punë. Arsyeja? Zgjedhja nëpërmjet internetit. Aktualisht shumica e kompanive përdorin internetin për të zgjedhur punonjësit e rinj. Organizatat e mëdha, ose ato që planifikojnë të zgjedhin shumë personel nëpërmjet internetit shpesh zhvillojnë faqe interneti të posaçme vetëm për procesin e zgjedhjes. Ato kanë informacionet tipike që mund të gjenden në njoftimet për punë: kualifikimet e kërkuara, eksperienca e nevojshme, përfitimet që jepen. Por ato gjithashtu shërbejnë edhe si vitrina ku ekspozohen produktet, shërbimet, filozofia dhe deklarata e misionit të organizatës. Ky informacion rrit cilësinë e kandidatëve, sepse ata që nuk kanë të njëjtat vlera me organizatën priren që të vetë-s’kualifikohen nga procesi. Faqet e internetit të dizenjuara më mirë përfshijnë edhe formular online, në mënyrë që kandidatët të mos dërgojnë CV veçmas me e-mail, postë ose faks.
Të gjithë kandidatët për punë duhet të transmetojnë ato informacione që reflektojnë pozitivisht fuqitë e tyre. Ky informacion duhet t’u dërgohet punonjësve të mundshëm në një format të kuptueshëm dhe që është në përputhje me praktikat e punësimit që ndjek organizata. Në shumicën e rasteve, dhënia e informacioneve bëhet nëpërmjet një CV-je. Nuk ka rëndësi se kush jeni ose në ç’pikë të karrierës ndodheni, ju duhet të keni një CV të përditësuar. Zakonisht CV-ja juaj duhet të jetë një instrument shitjeje; ajo duhet të ketë të dhëna kyç që përkrahin kandidimin tuaj, duhet të vërë në pah fuqitë që keni dhe t’ju veçojë nga kandidatët e tjerë për të njëjtin vend pune. Në të duhet të përfshihet çdo aspekt pozitiv që ju dallon nga kandidatët e tjerë. Për shembull, aktivitete të tilla si shërbimet vullnetare ose shërbimet për komunitetin tregojnë se ju jeni të mirëformuar, të përkushtuar ndaj komunitetit dhe të gatshëm për të ‘ndihmuar’ të tjerët.
Këtu duhet të nxjerrim në pah disa çështje në lidhje me CV-të që zakonisht duken të parëndësishme për t’u trajtuar dhe që për këtë arsye shpesh anashkalohen. Së pari, nëse do ta printoni CV-në, duhet ta printoni në letër cilësore. Kaligrafia duhet të jetë e qartë për t’u lexuar. Duhet shmangur përdorimi i atyre stileve që mund të rëndojnë leximin, si, përshembull, shkrimi i pjerrët. Një zgjedhës i cili duhet të shqyrtojë 100 ose më shumë CV në ditë nuk ka për të favorizuar shumë CV-të që janë shumë të vështira për t’u lexuar, prandaj përdorimi i një kaligrafie leximi të lehtë e bën më të lehtë punën e rekrutuesit.
Është gjithashtu me rëndësi që të përmendim se sot shumë kompani mbështeten në software kompjuterik për të bërë fazën e parë të shqyrtimit të CV-ve. Çdo CV filtrohet për të përzgjedhur informacione specifike si, për shembull, pozicionet kryesore të punës, eksperiencat, historikun e punës, arsimimin ose mjeshtërinë teknike. Ky lloj procesi ka sjellë dy pasoja mbi mënyrën sesi shkruhen CV-të, pasoja për të cilat punonjësit duhet të jenë në dijeni: kompjuterët gjejnë lidhje korresponduese mes fjalëve kyçe dhe frazave në përshkrimin e punës. Për këtë arsye në një CV duhet të përdoret terminologjia standarde e përshkrimit të punës. Së dyti, shkrimi duhet të jetë lehtësisht i lexueshëm nga skaneri, dhe nëse nuk është i tillë, CV-ja juaj mund të skualifikohet automatikisht. CV-ja juaj duhet të printohet në letër të bardhë me cilësi të lartë. Për disa lloj punësh si, për shembull, vende pune me krijimtari, vende pune artistësh etj, këto lloj sugjerimesh mund të mos jenë të përshtatshme, por gjithsesi ato përbëjnë përjashtime dhe jo përgjithësime. Asnjëherë nuk do të ishte keq të përdornit letër cilësore me peshë 20, dhe me përbërje pambuku, ndoshta 20%. Kurrë, në asnjë lloj rrethane mos e dërgoni CV-në tuaj të printuar në letër fotokopje standarde, mund të lini përshtypjen sikur po e postoni CV-në tuaj kudo në mënyrë masive (edhe nëse vërtet jeni duke e bërë këtë).
Pjesa më e madhe e atyre ç’ka thamë është e vlefshme për CV-në në format elektronik. Shpeshherë në njoftimet e punës, të reklamuara qoftë në internet, qoftë në gazeta ose revista, specifikohet nëse nevojitet ose jo CV-ja elektronike. Kohët e fundit ka shumë kandidatë që kërkojnë punë, të cilët në mënyrë agresive janë duke hapur faqet e tyre ne internet, ku ‘shesin’ kualifikimet e tyre personale, këto quhen Websumes (CV-të në Web). Kur dëgjojnë për ndonjë vend pune bosh ata i inkurajojnë punëdhënësit e mundshëm që të shqyrtojnë faqet e tyre të internetit. Në këto faqe ata postojnë informacione standarde nga CV-të e tyre, dokumentacionin mbështetës, dhe ndonjëherë video ku prezantohen para punëdhënësve potencialë.
Së fundmi, pavarësisht nëse CV-ja juaj është elektronike ose e printuar, siguroheni që ajo të mos ketë gabime ortografike ose gramatikore. Për shkak se CV është i vetmi prezantim juaji që ka fillimisht zgjedhësi, një CV me gabime, e pasaktësi mund të jetë fatale. Nëse aty ka fjalë ose fraza me gabime, shanset tuaja për të fituar një intervistë pune do të jenë shumë të vogla. Prandaj rishikojeni disa herë me kujdes CV-në tuaj dhe nëse është e mundur, gjeni një mik tuajin i cili ta lexojë me kujdes CV-në për ju.
Intervistat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në vendimin nëse do ta merrni vendin e punës ose jo. Deri në këtë pikë, ajo që ka parë zgjedhësi juaj ka qenë vetëm letra cilësore dhe përmbajtja e CV-së tuaj. Megjithatë, shumë pak njerëz mund ta fitojnë vendin e punës pa kryer më parë një intervistë. Nuk ka rëndësi sesa të kualifikuar mund të jeni për një vend pune, nëse nuk lini përshtypje të mira gjatë intervistës, nuk keni shanse për ta fituar atë vend pune.
Arsyeja përse intervistat janë kaq të përhapura është se ato e ndihmojnë zgjedhësin të kuptojë nëse jeni të përshtatshëm për organizatën për sa i përket nivelit të motivimit dhe të aftësive tuaja ndërpersonale. Sugjerimet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë që t’i ktheni intervistat tuaja në eksperienca të suksesshme.
Së pari, bëni disa kërkime. Kërkoni në internet informacione mbi kompaninë ku po aplikoni dhe mësoni sa më shumë mundeni për të. Ndërtoni një bazë gjykimi të fortë në lidhje me historikun e kompanisë, tregun ku bën pjesë, situatën e saj financiare dhe industrinë në të cilën ajo konkurron.
Natën para intervistës mundoheni të flini mirë. Ndërsa përgaditeni për intervistën, mbani në mendje faktin se pamja juaj e jashtme do të jetë përshtypja e parë që do të lini. Vishuni në mënyrë serioze. Veshja e papërshtatshme mund të tërheqë vëmendje negative për ju. Ndërsa shkoni në vendin ku do të zhvillohet intervista, siguroheni që të jeni atje rreth 15 minuta para afatit të parashikuar. Më mirë për ju është që të prisni sesa t’ju duhet të ndesheni me diçka të papritur, si, për shembull, trafiku i cili mund t’ju vonojë. Të vini herët gjithashtu ju jep mundësinë që të vëzhgoni mjediset e zyrave dhe të merrni një ide rreth organizatës. Jini të vëmendshëm ndaj detajeve në dhomën e pritjes, formalitetit të recepsionistes dhe çdo gjëje tjetër që mund t’ju ndihmojë të krijoni një ide rreth organizatës.
Kur të takoheni me personin që do t’ju intervistojë, ‘përshëndeteni duke shtrënguar duart me të’. Shikojeni atë në sy përgjatë gjithë intervistës. Mbani mend se disa herë gjestet mund të tregojnë rreth jush të vërteta që ndoshta ju po përpiqeni t’i fshihni nga intervistuesi. Uluni drejt dhe qëndroni të gatshëm për çdo gjë. Edhe pse padyshim ndjeheni nervozë, përpiquni maksimalisht të çliroheni paksa. Intervistuesit e dinë se ju duhet të jeni nervozë dhe nëse ata janë të mirë mund t’ju ndihmojnë që të keni më shumë besim në vetvete dhe të reduktoni nervozizmin. Besimin në vetvete mund ta ndërtoni duke lexuar paraprakisht një sërë pyetjesh që bëhen shpesh nga intervistuesit gjatë intervistave. Zakonisht një kopje të këtyre pyetjeve mund ta gjeni në zyrën e karrierës së universitetit tuaj. Për secilën nga këto pyetje, mendoni që para intervistës sesi mund të përgjigjeni sa më mirë. Të gjitha këto përgaditje mund të zvogëlojnë mundësinë që intervistuesi t’ju bëjë ndonjë pyetje që mund t’ju kapë në befasi. Megjithatë, këshilla më e mirë që mund t’ju japim është të jeni vetvetja. Mos shkoni në intervistë duke patur një tekst të mësuar përmendsh. Krijoni thjesht një ide të asaj se çfarë doni të thoni, por mos u mbështesni mbi përgjigje të gatshme ose të parapërgaditura. Intervistuesit me shumë eksperiencë mund të arrijnë të depërtojnë përtej kësaj ‘tejpërgaditjes tuaj’ dhe ka mundësi që t’ju japin vlerësime të ulëta.
Nëse është e mundur ju duhet gjithashtu të praktikoheni me disa intervista. Shpesh universitetet organizojnë ‘ditët e karrierës’ gjatë të cilave pranë tyre vijnë përfaqësues të kompanive të interesuara që të zgjedhin kandidatë të rinj dhe të intervistojnë student të ndryshëm. Përfitoni nga këto mundësi. Në përfundim të intervistës, falënderoni intervistuesin për kohën e tij dhe që ju ka dhënë mundësinë që të tregoni kualifikimet që keni, por mos mendoni që shitja e imazhit për veten tuaj përfundon me kaq. Sapo të mbërrini në shtëpi, dërgoni një letër ku të falënderoni intervistuesin për kohën që ju kushtoi dhe që ju dha mundësinë të kishit një intervistë mbi mundësitë tuaja për të punuar në atë kompani. Ky veprim i thjeshtë mirësjelljeje ka efekt pozitiv të cilin mund ta përdorni në avantazhin tuaj.