ÇLIRO ENERGJINË E BRENDSHME

Mendimet janë ato që shkaktojnë stres, jo njerëzit. Njerëzit nuk mund ta bëjnë këtë.

Menaxheret ua vështirësojnë punën punonjësve. Pa e kuptuar, ata vrasin shpirtin njerëzor me shkollën e vjetër të kontrollit të rreptë dhe gjykimeve kritike. Ky është një vlerësim që i takon të shkuarës. Në ditët e sotme po shfaqet një tjetër lloj menaxheri: I vendosur të rindezë shpirtin njerëzor, pa i mbikëqyrur punonjësit dhe duke i lejuar ata të kenë sukses. Këtë njeri të ndritur do ta quajmë ’menaxheri që vepron pa mbikëqyrur’.
Të gjithë menaxherët duhet të zgjedhin mes këtyre dy mënyrave të komunikimit: Me mbikëqyrje, mund t’i kritikojnë dhe gjykojnë punonjësit; Pa mbikëqyrur, mund t’i këshillojnë dhe t’i trajnojnë punonjësit. Me një zgjedhje të tillë mund të përballesh shpesh gjatë ditës. Çdo komunikim me secilin prej punonjësve, kthehet në variant të kësaj zgjedhjeje. Nëse zgjedh të gjykosh (dhe të kritikosh drejtpërdrejt apo në ndonjë mënyrë tjetër), atëherë pasojat do të jenë mbrojtja dhe tërheqja, dhe jo aftësia për të krijuar apo produktiviteti.


Kur i gjykojmë punonjësit dhe i zëmë ngushtë, fillojmë t’i kritikojmë dhe t’i mbikëqyrim ata me imtësi. Ky është një cikël shkatërrues për punonjësin e ditëve të sotme, tepër i ndjeshëm dhe i orientuar drejt dijeve. Ai do të përcjellë vetëm indinjatë dhe qëndresë.
Ne e shpërdorojmë energjinë që zotërojmë edhe kur gjykojmë apo mbajmë mëri. Kur ndihemi të fyer nga një pjesëtar i skuadrës, ia kalojmë atij fuqinë tonë. Pra pikërisht atij me të cilin jemi inatosur, duke e lejuar të zotërojë mendimet tona. Energjia e vërtetë e drejtimit krijohet nga bashkëpunimi dhe jo nga kritikat. Menaxheri duhet të qëndrojë i veçuar, në mënyrë që të zotërojë gjithë fuqinë e tij. Ai përpiqet të kuptojë çdokënd që takon. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai zvogëlon nivelin e stresit në punë. Ai e di fare mirë se, çdo herë që gjykon dikë, kjo ndikon në qetësinë e tij. Ai nuk pranon t’ia përcjellë ndjenjat negative atij që tundohet të gjykojë. Përgjegjësinë për humorin e tij të keq ia kalon mendimit që ai beson se ka për atë njeri. Mendimet janë ato që shkaktojnë stres, jo njerëzit. Njerëzit nuk mund ta bëjnë këtë.
Për menaxherin që kontrollon gjithçka me imtësi e që vjen nga shkolla e vjetër stresi është përherë i pranishëm, ndërsa harmonia në kompani zgjat fare pak. Nëse je duke menaxhuar në mënyrën e vjetër të fajit dhe të turpit, do ta kuptosh shpejt këtë shembull: Teksa futesh në garazhin e kompanisë, papritur duhet të ngadalësosh, sepse përpara keni një të moshuar që po ecën me ngadalë se një kërmill. Nëse, në këtë çast, vendos të mos i durosh dot të moshuarit që i japin ngadalë makinës, do të fillosh të vuash. Dhe do të vazhdosh të vuash, sa herë që kjo ngjarje të përsëritet. Kjo nuk ndodh vërtet, thjesht shkaktohet prej teje, stresi vjen drejtpërdrejtë nga mendimet e tua. I moshuari nuk ka fuqinë e duhur për të të stresuar. Mendon se po vuan sepse ky plakush po i jep ngadalë makinës, por e vërteta është se ti thjesht po vuan për shkak të mendimit gjykues për të.


Të gjithë duam të jemi të aftë të kontrollojmë qetësinë, por vazhdimisht e humbasim këtë fuqi, pasi jemi të paaftë të falim dhe të harrojmë. Mënyra e vetme për t’iu shmangur kurthit të vuajtjeve të vazhdueshme, është të kultivojmë aftësitë e një njeriu që i shpërfill veprimet e të tjerëve, sidomos ato që janë negative.
Gjithçka që s’arrijmë ta harrojmë, ka kontroll mbi ne. Por, pasi arrijmë të harrojmë, kontrolli kthehet në duart tona. Madje mund të qeshim dhe të argëtohemi me faktin se mendimet e të tjerëve nuk kanë asnjë efekt mbi ne. Ky është çasti kur ti, si menaxher, ndryshon. Ky është çasti kur punonjësit të shohin si një strehë në mes të furtunës, si dikush që mund t’i drejtohen për të gjetur zgjidhje paqësore në raste krizash. Me fjalë të tjera, si një menaxher të kënaqur me rezultatet e skuadrës së tij të qetësuar dhe produktive.
Nëse punon pa u mbikëqyrur atëherë mund të mësosh të gjesh përsëri forcën dhe të jetosh në një botë ku veprohet me qetësi dhe ku mungojnë gjykimet. Nëse vepron në këtë mënyrë, shpejt do të bëhesh një njeri i hapur, që fal lehtë, që i ka sërish nën kontroll energjinë dhe entuziazmin për të punuar mirë.
Të zbulosh dhuntitë natyrale dhe të kuptosh natyrën tëndë të vërtetë, nuk do të thotë të sforcohesh në marrëdhëniet me skuadrën. Duhet ta lejosh suksesin të dalë nga brendësia jote dhe më pas nga brendësia e të tjerëve. Është punë e brendshme. Pasi të kuptosh se gjithë energjia pozitive vjen nga brenda, do të fillosh të ndihesh i fuqishëm.
Shembulli i historisë për Volfgang Amadeus Moxart e ilustron më së miri këtë. Një djalosh i ri, i cili donte të bëhej kompozitor, i shkroi Moxartit një letër, në të cilën e pyeste se si mund të kompozonte një simfoni. Moxarti iu përgjigj se simfonia ishte një formë muzikore e ndërlikuar dhe me shumë kërkesa, ndaj do të ishte mirë të fillonte nga diçka më e thjeshtë. I riu kundërshtoi: Herr Moxart, ju keni shkruar simfoni kur ishit më i ri se unë! Moxarti iu përgjigj: Po, por unë nuk pyeta kurrë se si bëhet. Moxarti donte të thoshte se ai thjesht i linte simfonitë të dilnin nga brendësia e tij. Nuk ishte e nevojshme të kuptonte si-në që kjo të ndodhte.
Një menaxher i suksesshëm përdor një shprehje në punë, edhe pse ajo nuk lidhet vetëm me mjedisin e punës, por me jetën në përgjithësi. Ai thotë: ’Zbulo aftësitë e tyre, por mos u përpiq t’i korigjosh’. Kjo politikë nxit gjetjen e pikave të forta të punonjësve dhe i lejon ato që të dalin në pah.
Kur ata bëjnë punën që kanë për zemër, suksesi do të vijë natyrshëm. Pasi gjen punët që ata duan të bëjnë dhe i ndihmon në kryerjen e tyre, gjatë gjithë ditës ata do të vazhdojnë të merren me detyrat që u caktove. Vazhdo të gjesh mënyra për të afruar dhuntitë e tyre me punët që duhen përfunduar. Zbulo aftësitë e tyre, por mos u përpiq t’i korigjosh. Mirëpo gjithmonë do të ketë punonjës që nuk ua gjen dot punën e përshtashme. Ata nuk kënaqen nga asgjë. Shpejt, në zemrën tënde, kupton se ata nuk janë të përshtatshëm për skuadrën.
Menaxherët e shkollës së vjetër e kanë të vështirë të gjejnë një zgjidhje përballë kësaj situate. Ata vazhdimisht përpiqen t’i rregullojnë gjërat. Vazhdimisht përpiqen t’i përmirësojnë njerëzit. Përdorin pa fund ushtrime absurde në kërkim të mënyrave për të motivuar punonjësit e papërshtatshëm që të kryejnë punë që s’kanë dëshirë t’i bëjnë. Madje përpiqen të gjejnë mënyra që t’i shndërrojnë këta punonjës ‘në atë që s’janë’. Kjo shpie në shpenzimin e energjive të gjithsecilit!
Përqendrimi i menaxherit më tepër në gjetjen e njerëzve të duhur sesa në përmirësimin e atyre që nuk janë të përshtatshëm, ka qenë faktori kryesor i suksesit në skuadra të ndryshme. Le të shqyrtojmë rastin e Berit.


Në fillimet e karrierës, Beri ishte kaq i stresuar nga borxhet familjare, saqë këmbënguli të fitonte një pozicion si menaxher shitjesh; dhe ia doli mbanë (Beri ishte njeri bindës dhe një bashkëbisedues finok). Megjithatë, Berit nuk i pëlqenin përgjegjësitë e drejtimit. Lodhej shpejt nga agjentët e shitjeve, të cilët nuk ndanin me të kënaqësinë për publicitetin përmes telefonatave dhe për takimet me njerëz të rinj. Edhe pse bëri përpjekje të mësonte parimet tona mbi kultivimin e suksesit, ai, në vend që t’i zbatonte ato, vazhdonte të ishte i pakënaqur, dhe kjo vërehej nga rezultatet.
Më në fund, kuptuam ku qëndronte defekti. Në këtë mënyrë e bindëm Glenden,drejtoreshën ekzekutive, të mos përpiqej më ta trajnonte Berin me anë të seminareve të drejtimit apo të raporteve mbi ecurinë e keqe. I kërkuam Glendes të gjente Berin. Të gjente Berin e vërtetë, agjentin e natyrshëm dhe të vërtetë të shitjeve, që dëshiron të dalë në dritë (por që nuk ka leje ta bëjë këtë).
Më në fund Glenda u kthjellua dhe i dha Berit pozicionin e agjentit kryesor të shitjeve. E la të lirë në terren, aty ku Beri dëshironte vërtet të ishte. Pas katër muajsh, komisionet e Berit arritën shuma të mëdha. Madje ai i zgjidhi të gjitha problemet financiare të familjes me anë të një pune që e kishte për zemër.
Glenda thjeshtë e kishte privuar Berin nga prirja e tij natyrale drejt suksesit. Pra, sjellja mjaft efikase e tipit ’Zbulo aftësitë e tyre, por mos u përpiq t’i korigjosh’ ka të bëjë edhe me ne, si individë. Ne përfitojmë më shumë kur zbulojmë në mënyrë të vazhdueshme kush jemi dhe kur e lëmë këtë zbulim të shfaqet në botën e jashtme, sesa kur përpiqemi të rregullojmë vetveten.
Ja pse e gjitha kjo ka të bëjë me atë që të ‘Rifitojmë pushtetin’, pushtetin mbi suksesin dhe të gjitha mënyrat e prekjes së tij. Duhet dhe na shkon ndërmend të kemi gjithmonë parasysh shprehjen e famshme: ’Vjen një çast në jetë kur zjarri ynë i brendshëm shpërthen. Kjo për shkak të takimit tonë me dikë, me një qenie tjetër njerëzore. Ne të gjithë duhet t’i falenderojmë ata njerëz që rindezin shpirtin njerëzor’. Është një shprehje kuptimplotë dhe që na bën të sistemojmë të gjithë sjelljen tonë brenda skuadrës apo kur jemi në drejtim të saj.
Mënyra se si duhet të menaxhohen punonjësit është e pa fund. Këtu prekëm vetëm disa detaje të vogla të këtij procesi të ndërlikuar dhe dinamik. Por e rëndësishme është frymëzimi i tyre, duke i lejuar ata të veprojnë vetë dhe pa i gjykuar. Praktika mbi menaxhimin me ide të qarta dhe pa u mbikëqyrur është vërtet një praktikë magjepsëse.