CILËSI TË VEÇANTA

Çelësi për të çliruar potencialet tona janë përpjekjet e vazhdueshme, dhe jo forca apo intiligjenca.

Çdonjëri prej nesh ka aftësi të ndryshme. Sipërmarrësit po kështu. Mund të keni aftësi të shkëlqyera akademike, por pa patur instiktet e duhura do ta keni të vështirë të hipni e të qëndroni në majë. Të jesh sipërmarrës nuk do të thotë të përpiqesh në grup. Duhet t’i besoni vetes, ky është kushti i parë.
Kjo është një nga ata zona të quajtura gri, që mbeten një enigmë e vërtetë, madje dhe për ata që kanë instikte të mprehta biznesi. Është e pashpjegueshme se si njeriu ndërton apo i largohet një marrëveshjeje pune me njerëz të caktuar. Në fakt, shumë njerëz na pëlqejnë të bëjmë marrëveshje me ta, ndërsa shumë të tjerë, as që i mendojmë si bashkëbisedues. Në këto raste asaj që i besojmë më shumë është ‘zëri ynë i brendshëm’.
Jeta ka gjithmonë ngritjet dhe uljet e saj, por gjithësecili ka mundësi t’i shmangë ato, nëse do të jetë i parapërgatitur. Parashikimi që më parë i problemeve të kursen shumë kohë dhe energji. Dhe në fakt, energjitë duhen kursyer për ndonjë të papritur. Edhe Uoll Striti ka lëvizjet e tij. A nuk është e njëjta gjë edhe me jetën tonë ? Ngjitjet dhe zbritjet janë të pashmangshme, kështu që na mbetet thjesht të jemi të parapërgatitur për ndonjë ndodhi të mundshme.


Ndonjëherë e pyesim veten përse dëshirojmë të ndeshemi me ndonjë të papritur të re dhe të madhe. Është e pranishme gjithmonë mundësia e humbjes së diçkaje thelbësore. A do të ishte e mundur të merreshim me të, nëse gjërat nuk do të shkonin mirë? A do ta pyesnim veten më vonë: ‘Përse, ta marrë e mira, e kam bërë këtë punë’, ‘Çfarë do të kem qenë duke menduar’. Në të vërtetë, njerëzit e vetëdijshëm mund të merreshin me çdo të papritur, cilësi kjo ndryshe nga të qenit pesimist. Ndilleni mendimin pozitiv, sepse atëherë do të zotëroni më mirë të vërtetën.
Një nga rregullat kryesore për njerëzit e suksesit është: Mos veproni në mënyrë të dyzuar! Kjo mund t’i shkojë veçanërisht punës në fushën e biznesit, pse jo edhe në fushën e politikës, veçse në politikë duhen mbajtur premtimet e bëra. Mjaft njerëz të suksesshëm në biznes mund t’i përshtatin edhe në politikë, por ndërkaq vetëm pak të përzgjedhur mund t’ia dalin mbanë. Më e shumta nuk kanë temperamentin për të qenë të tillë. Veprimi në mënyrë të dyzuar është mjaft problematik. Në biznes veprohet me iniciativë dhe vendosmëri, e për çdo vendim të marrë nuk kthehet më koka mbrapsht. Sipërmarrësi krijon ide dhe fonde për realizimin e tyre, krijon skuadra dhe këshillohet për rrugën e nisur dhe, në fund merr vendimin e pritur për të jetësuar gjithçka. Një nga aftësitë kryesore të lidershipit është aftësia vendimmarrëse dhe ekzekutimi deri në fund i objektivave të vendosura.
Sipërmarrësit e vërtetë u kushtojnë vëmendje të madhe hollësive. Nëse nuk e njihni çdo hollësi të asaj që keni përpara, madje deri tek kapëset e letrave, duhet ta dini se ndodheni përpara diçkaje të pakëndshme. Historia për një neurokirurg nga San Francisko, është mjaft ilustruese. Ai i ekzaminonte me mend pjesët përbërëse të operacionit të radhës, sikurse bënte për çdo ditë vrapimin e mëngjesit. E shihte me sy çdo hollësi, sikur të dëshironte t’i kujtonte vetes gjithçka që kishte mësuar më parë, çdo vështirësi e ndërlikim me të cilat mund të ndeshej. Ai nuk kishte kushedi se çfarë aftësie të veçantë si kirurg, por ndërkaq ishte më i miri. Nëse do të bënim ndonjë operacion në tru, ai do të ishte kirurgu që do të zgjidhnim. Por nuk ka pse te jeni medoemos neurokirurg për t’u kushtuar vëmendjen e duhur hollësive. Shprehja ‘detajet bëjnë diferencën’, është pikërisht, ajo që jemi duke folur. Steve Jobs ishte një detaist ekzemplar i kohës së tij. Ai shpenzonte miliona dollarë, edhe për detajet ‘më të parëndësishme’. Ai nuk besonte shumë tek ‘të tjerët’, kur puna mbërrinte tek detajet. Kujdesi për kasën e Iphone, dyqanet Apple apo njerëzit e rekrutuar në stafin udhëheqës të Apple, ishin vetëm disa detaje të këtij kolosi të papërsëritshëm.


Nëse do të mbani një fjalim, është më mirë të përgatiteni që më parë. Nëse lexoni për çdo ditë, atëherë do të ndiheni gati të përgatitur për të zhvilluar çfarëdo lloj bisede. Zakonisht duhet të flisni mbi diçka për të cilën jeni specialistë apo të paktën të familjarizuar. Mendojini më parë gjërat. Imagjinojeni veten tuaj në radhët e dëgjuesve. Çfarë do të kërkonin të dëgjonin ata? Këmbeni vendin me dëgjuesit dhe atëherë do të gjeni hapësirë për ide të reja. Gjeni shembuj e referime për ta mbështetur më mirë ligjëratën tuaj. Pra ligjërata juaj të jetë sa më jetësore me dëgjuesin. E folura në publik është njëra anë e medaljes, ndërsa e folura për biznes është ana tjetër e situatës. Mund të jesh i përgaditur me të gjitha hollësitë e marrëveshjes së ardhshme, mund të njohësh shumë mirë termat e negocimit, mund të jesh një detaist shumë i mirë, por që të mos dështoni para bashkëbiseduesve tuaj duhet të stërviteni shumë me atë që sot quhet: E folura në publik! I njëjti arësyetim bëhet edhe në të kundërt: Ju jeni brilant në të folur, para një auditori apo para një grupi biznesi i cili potencialisht do të bëjë marrëveshje me ju ose organizatën tuaj. A mjafton kjo? Është e qartë se nuk mjafton. Nëse ju mungon karizma, njohja detaiste e çdo elementi të marrëveshjes së ardhshme, begraundi i duhur etj, atëherë, është pothuajse e sigurtë se marrëveshja nuk do të nënshkruhet.
Përgaditja përpara një fjalimi, është vendimtare jo vetëm për këtë takim, por edhe për të gjithë takimet tuaja të ardhshme. Nëse gjërat nuk do t’ju shkojnë mirë, atëherë ka shumë mundësi që edhe takimet e ardhshme do të jenë problematke: Audiencë e munguar, mosbesim i lartë, mungesë e marrëveshjeve etj. Ja pse duhet shumë kujdes, kur jeni para një audience ose grupi biznesi.
Shpeshherë shënimet janë tepër të domosdoshme, veçanërisht kur keni përpara një masë të madhe njerëzish. Nëse do të jeni të përgatitur, askush nuk ka për t’ju akuzuar se po i lexoni ato. Ndërkaq ju nuk do të dëshironit ta lexonit fjalimin. Nuk e di për çfarë arsyeje, por edhe sikur ta lexonit shumë mirë fjalimin tuaj, ligjërata do të dukej e mërzitshme. Në fakt, shënimet ju ofrojnë mundësinë më të mirë, ato ju mbajnë të përqendruar dhe lëvizjet do t’i bëni në drejtimin e duhur, pa e ngurtësuar pamjen tuaj.
Tregojini bukur historitë. Njerëzit i duan historitë dhe i kujtojnë shpesh ato. Por fjalimi nuk duhet kthyer në leksion. Humori duhet të vazhdojë gjatë, çka do tju kujtojë ju dhe gjithë të tjerëve se kemi mjaft gjëra të përbashkëta. Kur të gjendeni në foltore, ju duhet t’i argëtoni dëgjuesit. Njerëzit ndodhen para jush për të mësuar diçka, por edhe për t’u argëtuar. Kjo lloj aftësie quhet ‘karizëm’, por shpesh herë edhe ‘harmonizim dhe shfaqje’.


Një mendim pozitiv, me siguri, do të krijonte edhe një vështrim pozitiv. A e keni dëgjuar ndokënd të thotë: ‘po, po e shoh tani’, kur bëhet entuziast për diçka të caktuar? Përvoja thotë se, po ta gjykojmë diçka si të mundshme, kjo ka më shumë të ngjarë të ndodhë, krahasuar me atë që nuk kam mundur ta gjykoj si të tillë. Nxiteni veten herë pas here për t’u ngjitur lart. Mos e largoni asnjëherë frymëzimin nga vetja. Kështu do të shmangni çdo rënie, si pasojë e ndonjë ngarkese negative të çastit. Ja disa nga shprehjet e njerëzve të botës së suksesit, dhe që mund të jenë një pasqyrim i punës ose i përditshmërisë sonë: ‘Njihni mundësisht gjithçka mbi atë që jeni duke bërë’, ‘Unë e di se çfarë çmimi ka fitorja. Shumë punë dhe përkushtim të pamëshirë për gjërat që do të dëshironit t’i kishit’, ‘Një udhëheqës e ka të drejtën të mundet, por kurrë të drejtën për të mbetur i habitur’, ‘Shmangni hollësitë sa më shumë të jetë e mundur’, ‘Ai që shikon jashtë asaj që i thotë zemra, ëndërron, ndërsa, ai që shikon brenda zemrës zgjohet’, ‘Emocioni është një fjalë idiote për biznesin me të cilin merreni’, ‘Mund të jeni i vetmi njeri që mund të visheni me kashmir në një lojë bejsbolli dhe të largoheni që andej po me atë veshje’, ‘Imagjinata është më e rëndësishme se dijet’, ‘Çelësi për të çliruar potencialet tona janë përpjekjet e vazhdueshme, dhe jo forca apo intiligjenca’.
Leximi i librave motivues dhe i atyre të botës së suksesit është një zgjedhje e mirë për t’u vetëmbrojtur. Ne nuk mundemi të njohim shumë gjëra në vetvete. Po kështu edhe për të tjerët. Idetë dhe praktikat pozitive, që mund t’i lexojmë në çdo kohë, na mbajnë në ekuilibër, dhe kjo në dinamikë. Ndërgjegjësimi i jep pjekurisë tonë një shtytje përpara. Kjo na bën, që të mos habitemi edhe ndaj sjelljeve devijante. E urrejmë por e themi: ‘Si ka mundësi të ketë ndodhur kjo’. Menjëherë, kujtojmë citatin e Napoleonit: ‘Një udhëheqës i mirë nuk duhet kurrë të mbetet i habitur’.
Veproni me ego. Ego-ja mban në ekuilibër aspektet e vetëdijes dhe të nënvetëdijes. Animi nga njëra anë mund të sjellë rrezik. Të mos kesh aspak ego, do të thotë të kesh forcë mjaft të vogël jetësore, të kesh ego me tepri do të thotë se je personalitet diktatorial. Mbajeni egon tuaj në një drejtpeshim të shëndetshëm, në shërbim të mirëqenies suaj, si dhe të atyre që ju rrethojnë. Egoja është një këndvështrim me zgjuarsi i jetës dhe i biznesit.
Të gjithë e kemi dëgjuar thënien: Dija është fuqi! Përdorimi me zgjuarsi i kësaj fuqie është vendimtar në botën e biznesit dhe po aq e rëndësishme për vetë jetën tuaj. Mendja mund të ndërtojë kështjella, por vetëm sigurohuni që themelet të jenë ashtu siç duhet. Dhe njerëzit që ju rrethojnë, t’ju falenderojnë për këtë.