ANËTARI I ORGANIZATËS

Mosnxitja e skuadrave mbetet një nga pengesat më të mëdha të kompanive shqiptare në rrugën e tyre drejt suksesit.

Anëtarët e organizatës gjenden në kompani për vetëm një qëllim: Të ofrojnë shërbimin e tyre dhe kjo me cilësinë maksimale të mundshme. Ata paguhen për këtë shërbim, si edhe marrin një kualifikim të nevojshëm për të lëvizur përpara. Anëtari i organizatës rritet kohë pas kohe dhe kjo në koherencë me angazhimet e organizatës apo ecurinë e saj.
Fjalori modern i marketingut parasheh termin ‘anëtar i organizatës’ përpara termit ‘punonjës’. Nëse Ju ndiheni anëtar real i organizatës, atëherë Ju jeni vetë organizata! Ju: Ekzekutoni saktë detyrat e ngarkuara; Merrni përgjegjësi shtesë; Emetoni ide të reja; Shqetësoheni për të ardhmen e organizatës… Nëse këto i bëni me pasion dhe plot dëshirë, atëherë Ju po investoni ‘për të ardhmen’ dhe ‘mirëqenien tuaj’. Kjo s’duhet harruar!
Biznesi shqiptar është akoma larg konceptit organizatë dhe kjo, natyrisht, me disa përjashtime të vogla aty-këtu. Shumë kompani shqiptare e kanë nisur marrëdhënien punonjës-biznes me mjaft problematika, por e keqja është që këto problematika vazhdojnë sot e gjithë kohës. Punonjësi quhet i favorizuar, sepse është në punë dhe për këtë arsye ai duhet të ulë kokën duke punuar pa zhurmë dhe pa llafe. Ai nuk mund të kërkojë shtesë page, ai nuk mund të marrë bonuse dhe siguracione të drejta, sepse ai nuk është anëtar i organizatës.


Nëse themi organizatë, atëherë nënkuptojmë anëtar i organizatës dhe, nëse themi punonjës, atëherë nënkuptojmë biznes apo sipërmarrje të zakonshme. Koncepti organizatë çliron mjaft energji, sjell përqendrim maksimal dhe nxit novacionin. Bota e biznesit europian dhe botëror kanë zgjidhur me kohë konceptin organizatë e vërtetë, duke lëvizur përpara skuadrat e tyre kryengritëse dhe duke shpikur të ardhmen, ndërsa bota e biznesit shqiptar është ‘duke e menduar dhe duke e shoshitur atë’. Vërtet për të ardhur keq!
Konsulencemarketing ka realizuar disa anketime, sa i takon kënaqësisë së vendit të punës dhe motivimit të punonjësit shqiptar. Pyetje të tilla si: A ndiheni realisht Ju, pjesë e biznesit dhe suksesit të tij; Si po ecin të ardhurat tuaja në raport me eksperiencën dhe kualifikimin e fituar; Si po ecin të ardhurat tuaja në raport me përgjegjësitë shtesë, që ju po ndërmerrni; A jeni rentabël në punën tuaj dhe në ç’masë jeni; Keni ofruar ndonjëherë për kompaninë tuaj ide novative dhe vullnet fuqiplotë për realizimin e tyre etj, kanë qenë pjesë e kërkimit tonë dhe kjo, në një shtrirje kohore të madhe. Nëse gërmon përgjigjet e këtij pyetësori, është vërtet për të vënë duart në kokë: Punonjës të nëpërkëmbur; Punonjës të pamotivuar; Punonjës të përgjumur; Punonjës për të thënë, që jemi në punë. Atëherë? Analizat dhe interpretimet mund t’i bëj gjithkush.
Shumë kompani i vlerësojnë fare pak, për të mos thënë aspak, punonjësit e tyre të talentuar. Të ardhurat e këtyre punonjësve mbesin në vendnumëro edhe pse vitet ikin gjithë rrëmbim, edhe pse kontributi i tyre mbetet i pazëvendësueshëm. Kompani të tilla nuk kanë dhe nuk kanë për të patur ndonjëherë politikë mbi pagat dhe shpërblimet, nuk dinë të motivojnë dhe nxisin ekipet e tyre, nuk dinë të kthehen në organizata të vërteta dhe, në fakt, nuk kanë për të ditur ndonjëherë derisa të mbyllin përfundimisht dyert e tyre.


Mosnxitja reale e skuadrave, mbetet një nga pengesat më të mëdha të kompanive shqiptare në rrugën e tyre drejt suksesit. Milionerët e Amerikës dhe Evropës, i bënë milionat e para të tyre pikërisht, duke i’u shërbyer të tjerëve. Emigrantët shqiptarë po kështu kanë sot bizneset e tyre dhe kjo, vetëm nga puna apo shërbimet e suksesshme ‘për të tjerët’. Është postulat në perëndim: Pasuria e ka bazën tek shërbimet personale ‘për të tjerët’!
Le të improvizojmë një shembull: Kamerieri plot klas dhe profesionalizëm kontribuon për shumë e shumë vite në një restorant mjaft të suksesshëm në Tiranë; Elektroauti vazhdon prej vitesh të jetë pjesë e suksesit në një nga serviset më të dëgjuara në autostradën Tiranë-Durrës; Inxhinieri elektronik është mjaft novator tek kompania e tij e sigurisë së vilave dhe rezidencave me rëndësi të veçantë. Çfarë ndodh? Këta punonjës shqiptarë, nuk kanë as shansin më të vogël për të patur në një ditë të bukur krijimin e biznesit të tyre. Jo, sepse ata janë të keqpaguar, të frustruar dhe të paperspektivë. Kush humbet në këtë rast? Ne mendojmë se nga trajtimi i keq i punonjësve të talentuar shqiptarë janë duke humbur të gjithë: Organizatat dhe objektivat e tyre; Punonjësit dhe e ardhmja e tyre. Kjo është thelbësore dhe mjaft e rëndësishme për t’u kuptuar!
Po çfarë ndodh nëse punonjësi i talentuar largohet nga organizata e tij? Mund të ndodhë: Punonjësi largohet prej organizatës dritëshkurtër të tij duke emigruar jashtë vendit dhe për pasojë vrulli dhe talenti i tij akomodohen aty ku ligji i shpërblimit është i jetësuar prej shumë e shumë kohësh; Punonjësi i larguar fillon dhe kërkon një eksperiencë të re këtu në Shqipëri… Ai lufton shumë të inkasohet tek ato kompani shqiptare, të cilat e vlerësojnë punonjësin e tyre si pjesë reale e organizatës dhe suksesit të tyre; Punonjësi i larguar pushtohet nga stresi, depresioni, pasiguria dhe mbytet në vetminë e tij.
Konsulencemarketing dhe skuadra e saj kanë një eksperiencë të madhe sa i takon: Marrëdhënies me njerëzit; Negocimit; Prezantimit të produktit dhe shërbimit; Mobilitetit të kënaqësisë konsumatore; Asistencës në miksmarketing. Gjatë kësaj kohe, kemi ndarë me mijëra biseda dhe platforma me investitorë dhe drejtues të biznesit shqiptar. Ka qenë dhe mbetet një eksperiencë e madhe, ndoshta aseti më i çmuar i ekipit tonë. Çfarë kemi pikasur? Ekzistojnë mjaft drejtues të biznesit shqiptar, që kanë udhëhequr skuadrat e tyre në rrugën e gjatë drejt suksesit, duke ofruar: Siguri dhe motivim dinamik; Paga dhe shpërblime të drejta; Vlerësim në bazë të kontributit. Ekzistojnë mjaft të tjerë, të cilët udhëhiqen në punën e tyre nga: Arroganca dhe fodullëku ballkanas; Arsimimi dhe kultura e mangët; Etika dhe profesionalizmi arkaik; Nënvlerësimi i rolit të skuadrave apo anëtarit të organizatës!
Shpeshherë, ndodh që biznesi shqiptar sillet me dy fytyra: Vlerëson në maksimum punonjësit e huaj; Nëpërkëmb në ekstrem punonjësit shqiptarë. Të huajt paguhen me nga katërqind apo pesëqind euro në ditë për shërbimin e tyre të ofruar pranë disa kompanive shqiptare. Po cilët të huaj? Specialistë italianë dhe grekë të nivelit të mesëm të cilët vijnë për disa ditë asistencë teknike tek fabrikat shqiptare, duke përlarë shuma të konsiderueshme, ndërkohë që shqiptarët e talentuar rreken me rrogat e tyre mjerane. Shembuj të tillë gjenden me shumicë. Po pse bosët shqiptarë bëjnë diçka të tillë. Është i thjeshtë shpjegimi: Ata duan të duken që tek puna e tyre po vijnë të huajt; Ata e njohin shumë mirë ligjin e shpërblimit kur bëhet fjalë për të huajt dhe anashkalojnë atë, kur fjala është për bashkëkombasit e tyre. Turp dhe për të ardhur keq!


Shqiptarët janë akoma mjaft larg kualifikimit shumë të mirë të tyre. Kjo është një e vërtetë e cila dalëngadalë po ndryshon. Po ndryshon dhe reformohet. Shumë menaxherë, arkitektë, dizenjues, inxhinierë apo specialistë të ndryshëm kanë evoluar dhe vazhdojnë të rriten me të shpejtë. Ata e kanë fituar luftën drejt përgatitjes maksimale të tyre. Këta punonjës: Njohin çdo detaj të punës tyre; Marrin përgjegjësi shtesë; Kultivojnë shpirtin novator dhe kryengritës; Vetëmotivohen dhe nxisin skuadrën. Atëherë? Ka vetëm një rrugë: Organizata duhet me patjetër: Të vlerësojë rolin e tyre të madh në rrugën e saj drejt ekzekutimit të objektivave.
Një shitës i përgatitur dhe plot rezultate, thjesht duhet vlerësuar. Punonjësi i marketingut i aftë të prodhojë klientë besnikë, thjesht duhet vlerësuar. Arkitekti novator dhe plot risi, thjesht duhet vlerësuar. Një kamerier, drejt të cilit nisin porositë dhe falënderimet e pafund të klientelës, tjesht duhet vlerësuar. Nëse një punonjës mbart një përgatitje të lartë profesionale, lufton me gjithë shpirt për organizatën dhe interesat e saj dhe prodhon rezultate gjithnjë e në rritje, atëherë ai thjesht duhet vlerësuar.
Në fakt, binomi punëdhënës-punëmarrës vazhdon të mbetet një nga faktorët substancialë të suksesit. Të gjithë faktorët e tjerë, të tillë si: Planet e ndryshme të kompanisë; Investimet; Rrethanat e ndryshme politiko-ekonomike etj, mbeten faktorë dytësorë apo në rastin më të nxituar të vlerësimit mbeten në një rrafsh të përbashkët me binomin punëdhënës-punëmarrës. Binomi punëdhënës-punëmarrës, mbetet sot e gjithmonë një nga hallkat lidhëse më të forta mes kompanisë dhe të ardhmes së saj, tregut dhe kënaqësisë konsumatore. Kjo është sa evidente, aq edhe stacionare!