UDHËHEQËSI VIZIONAR

Disiplinë do të thotë më shumë të shembësh sesa të ndërtosh.

Rekrutimet e ndryshme për punë bazohen në jetëshkrimin e kandidatit dhe referencat e tij, por kjo nuk është gjithnjë e saktë. Punëmarrësit e suksesshëm marrin shumë parasysh edhe atë që ata ndiejnë dhe pikërisht: Instiktin e tyre apo zërin e tyre të brendshëm.
Të mësosh të marrësh vendime duke u bazuar mbi këtë zë të brendshëm, ndryshon nga përpjekja për të gjykuar se sa i drejtë apo i gabuar është veprimi yt i ardhshëm. Kjo ëshë shkolla e vjetër e menaxhimit: Të marrësh atë që është e drejtë dhe e gabuar, t’i shndërrosh në rregulla absolute dhe të përpiqesh t’ua imponosh të tjerëve në vendin e punës. Fakti që pothuajse çdo menaxher vepron kështu në vendin e punës, nuk do të thotë se funksionon. Nuk funksionon.
Shko më thellë. Kërko diçka që të ndjekë të njëjtin drejtim me ty, diçka që të duket natyrale. Që përputhet me çdo vendim që duhet të marrësh (Në të vërtetë, për menaxherët, vendimet merren vetvetiu; janë zgjedhje kaq të qarta, saqë nuk ka nevojë të merret asnjë vendim. Ti thjesht e di ç’duhet të bësh hap pas hapi ).
Intervistoje një kandidat për një kohë mjaftueshëm të gjatë dhe do ta kuptosh nëse ai apo ajo është i përshtatshëm. Më pas, ndërsa shton pjesëtarët e skuadrës, do të bëhesh i aftë të zgjedhësh njerëz që ndjekin të njëjtin drejtim me ty. Do t’i njohësh. Do të kesh një ndjesi mirëqenieje kur të ndodhesh pranë tyre.
Është koha të veprosh po njësoj me mendimet e tua. Mos u përpiq të shpërfillësh apo të kapërcesh asnjë mendim negativ: Nuk ke pse t’i quash mendime të gabuara, sepse kjo do të thotë që mendja jote do të përqendrohet edhe më shumë tek to! Thjesht analizo mendimet që sollën ndjesitë e këqija, kupto që nuk kanë asnjë vlerë, sfidoji, pastaj fillo një rrugë të re.
Imagjino sikur ndodhesh para dy rrugëve. E para, është rruga e drejtimit tënd, tjetra jo. Njëra është rruga në të cilën ndihesh mirë, tjetra është rruga ku ti nuk ndihesh mirë. Jo e drejta apo e gabuara, po flasim vetëm për ty tani.
Nëse e kalon kohën duke menduar për rrugën që nuk do të ndjekësh, atëherë ajo do të të ndjekë pas. Atëherë do të ndihesh i stresuar, sepse do të përfundosh pikërisht aty. Dhe tani mund ta kuptosh psenë.


Disa udhëheqës të shkëlqyer thonë: ‘Udhëheqësi i shkëlqyer është udhëheqësi vizionar.’ Ne e dimë se ata e kanë fjalën për prirjet e tregut, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, dhe për gjithçka tjetër që revistat ekonomike u mësojnë të thonë e të mendojnë. Vizion mbi të ardhmen.
Një menaxher është një lloj tjetër vizionari. Vizioni i tij nuk ka lidhje me atë që do të jetë kompania pas dhjetë vjetësh. Është vizioni që kërkon, në këtë çast dhe në këtë vend, mundësitë që kanë punonjësit e tij.
Suksesi yt si menaxher do të lidhet drejtpërdrejt me aftësinë, gjithmonë në rritje, për të pritur më shumë nga punonjësit, në krahasim me atë që ata presin nga vetvetja. Hapi i ardhshëm është t’u tregosh atyre vizionin që ke për ta.
Kur e lejon suksesin (pa ndërhyrë në rrjedhën e tij natyrale) e përcakton atë si dashuri për progresin. Ti dhe skuadra jote jote dëshironi shumë të zhvilloheni, duke e kaluar butë pengesën dhe duke shijuar hapin e ardhshëm të udhëtimit. E rëndësishme është vëzhgimi i qetë dhe i dhimbsur i asaj që rrjedh dhe nuk rrjedh.
Ky vizion ka të bëjë edhe me aspekte të tjera. Për shembull, ti krijon një vizion të ri për konsumatorin. Kjo lidhet edhe me një vëzhgim të kujdesshëm ndaj tij. Sepse ti e kupton se, nëse nuk studion konsumatorin dhe arsyet pse ai blen apo nuk blen, do ta humbasësh aftësinë për ta ndihmuar atë. Vizioni përsëri kthehet në vëzhgim. Nuk është një udhëtim imagjinar për te ndonjë ishull i së ardhmes. Ndodh tani. Këtu. Konsumatorët thjesht po presin të të tregojnë si të lidhesh me ta.
Pra, ka të bëjë edhe me pjesëtarët e skuadrës tënde. Nëse nuk i vëzhgon punonjësit dhe ndjesitë e tyre, nuk do të jesh i aftë të zbulosh aftësitë dhe zotësitë që ata kanë. Një menaxher ngjan me një trajner sporti, i cili kalon kohën duke studiuar filmimet e ndeshjes së fundit për të vëzhguar se si luajtën lojtarët e tij, si lëvizën, njëkohësisht për të kuptuar cilat janë aftësitë e tyre natyrale. Trajneri mund të kuptojë edhe se si mund t’i pozicionojë ndryshe lojtarët ndeshjen tjetër.
Është po i njëjti proces vëzhgimi sin ë vendin e punës. Ti u bën ftesë pjesëtarëve të skuadrës që të kenë të njëjtin vizion që ke ti për talentin e tyre, më pas u mëson si ta shijojnë procesin. Vepro kështu!


Në fund të fundit udhëheqja e suksesshme s’ka të bëjë me forcën dhe kontrollin. Dhe s’ka asnjë lidhje me gjetjen e gabimeve dhe vendosjen e rregullave të reja. Kjo do të sillte një rezultat të kundërt me suksesin.
Në mënyrë që puna të orientohet vërtet drejt suksesit, duhet të vendosësh sa më pak rregulla që të mundesh. Ti kërkon të vendosësh sa më pak rregulla. Pse? Sepse nuk të pëlqejnë kufizimet. Vlerëson mendjet e hapura dhe krijimtarinë. Dëshiron të ushqesh dhe të drejtosh dashurinë e punonjësve për punën e tyre. Dhe kjo del më mirë në pah në një mjedis që nuk është i mbushur me rregulla. Kur besojmë te jeta dhe mungesa e kufijve të saj, shembim edhe kufijtë tanë. Tregu dhe vendi i punës bëhen mikrobotë të mbushura me këtë ndjesi për jetën.
Kur ndalojmë së menduari për kufijtë tanë, bëhemi më të hapur ndaj mundësive. Dalim nga rruga jonë dhe prodhimtarinë. Kjo, më pas, bëhet disiplinë e punës. Disiplinë? Menaxheri beson te disiplina dhe praktika. Kjo sepse harrojmë dhe braktisim shumë gjëra që na kanë mësuar gjatë jetës. Disiplinë do të thotë më shumë të shembësh sesa të ndërtosh. Gjithë historia mbi menaxhimin të ka mësuar të kundërtën e përqasjes me dorë të lirë. Pra, duhet bërë më shumë praktikë që të arrish këtë. Pjesa më e vështirë e kësaj praktike është të ndryshosh atë që mendon se të ka mësuar përvoja. Kjo duket shumë e çuditshme. Por shihe kështu: Jeta do të japë atë që beson se do të japë, jo atë që do ti. Kështu, përvoja, që në përgjithësi lidhet me ndodhi të jashtme, është thjesht pasqyrimi i asaj që beson. Sa më e lartë të jetë norma e ndryshimit, aq më e rrezikshme është të jetosh në mënyrë mekanike, duke iu besuar rutinës, besimeve, sjelljeve të parëndësishme apo të vjetra.
Për shumicën e njerëzve të sistemit të vjetër menaxherial përvoja e tyre pasqyron besimin te kufizimet dhe përfundimet zhgënjyese. Por fakti që nuk i ke bërë gjërat mirë në të shkuarën, nuk do të thotë domosdoshmërisht që nuk do t’i bësh mirë në të ardhmen. Ka mundësi që të mos kesh patur besim te vetja. Ke menduar gjithmonë se të mungonte aftësia. Edhe pse të pëlqente ta bëje, nuk ke menduar kurrë se do të ishe i aftë për këtë. Pra, hapi i parë është të gjesh mënyrën tënde të menaxhimit. Hapi i dytë është të kesh besim se mund të ekzistojë një mënyrë e re e menaxhimit të suksesshëm të punonjësve. Hapi i tretë është të kapesh vetëm pas mendimeve që e forcojnë këtë besim (Mendimet e tjera do t’i sfidosh derisa të shpërbëhen). Ndiq këto hapa dhe do t’ia dalësh. Më pas mësojua punonjësve.
Disiplina për një udhëheqës vizionar do të thotë të mësosh të zgjedhësh. Jo të zgjedhësh pozitiven ndaj negatives, kjo është përqasja e shkollës së vjetër, e cila nuk shkon dot aq thellë sa të mund të lejojë hopet cilësore drejt suksesit. Një menaxher mëson shumë nga negativja.


Procesi i vendimmarrjes gjatë ditës kalon nga procesi i të dëgjuarit tek inteligjenca. Ndoshta po përpiqesh të zgjedhësh midis dy mundësive. Ndërsa hedh sytë drejt një mundësie, si i përgjigjet trupi yt asaj? A të lejon kjo mundësi të marrësh frymë lirisht? A të lejon të kesh një mendje të kthjellët? A të lejon të kesh një ndjesi mirëqenieje dhe, së fundi, një ndjesi realizimi? Apo të shkakton një ndjesi shtypjeje, papërshtatshmërie dhe negative?
Ajo që të duhet për të arritur suksesin ndodhet tashmë brenda teje. Pasi ta kuptosh këtë, mund t’ua përcjellësh njerëzve që menaxhon. Është një konceptim revolucionar i vendit të punës. Një mendim aspak i zakonshëm. Ndoshta ky mendim është në kundërshtim me çdo libër tjetër biznesi që do të lexosh. Sigurisht, mohon dijen e shpëlarë që njerëzit e quajnë dituri popullore.
Udhëtimi i luftëtarit nuk është i lehtë. Aspak. Ja pse ti ndodhesh aty, për t’ua treguar dhe për t’i mbajtur punonjësit në këtë rrugë. Sepse shumica e tyre e kanë kaluar jetën duke bërë gjithçka në këmbim të pohimit nga jashtë. Ata gjithmonë përpiqen të marrin menjëherë përgjigje për veprimet apo vendimet e tyre. Detyra jote është t’i ndihmosh të shërohen nga kjo mani helmuese e kërkesës për miratim. Ajo ndot vendin e punës. Kërkesa për miratim është sëmundja nga e cila duhet të shërohet një qenie njerëzore, që të mund të bëjë një punë të shkëlqyer (për të cilën miratimi do të vijë patjetër).
Pra udhëtimi i heroit të vërtetë shkon brenda vetvetes për të gjetur forcën, pasi kjo forcë nuk kërkon miratim të menjëhershëm. Kur je vetëm duke kërkuar brenda teje, ndërkohë që kontrollon zemrën dhe shpirtin për të gjetur zgjidhjet e vërteta, aty nuk gjendet dikush që të thotë: Ke bërë një punë të mirë!. Nevojitet më shumë disiplinë, dhe jo më pak, krahasuar me përqasjen nga jashtë-brenda drejt suksesit.