SUKSESI I MENAXHIMIT

Të shohësh botën në një kokrrizë rëre, ndërsa parajsën në një lule të egër. Të shtrëngosh pafundësinë në grushtin tënd dhe përjetësinë në një orë.

Suksesi i menaxhimit është i madh nëse ndihesh i lidhur me gjithçka. Ai buron nga mbështetja që të jep gjithçka që të rrethon. Nuk është e nevojshme të bëni diçka për të patur mbështetje. Ajo është gjithandej. Është një lloj mrekullie.
Dikur një mik më sfidoi. Ai tha: Më trego qoftë edhe një gjë tënden e cila është krijuar vetëm nga burimet e tua. Këmisha jote? Rripi? Shtëpia jote? Makina jote? Një gjë!. Nuk gjeta dot asgjë, edhe kur mendova për vetë trupin tim. Trupi im u krijua falë prindërve të mi. Nuk mbajta mend të kisha bërë ndonjë gjë që kjo të ndodhte. Nuk më vinte asgjë në mendje. Edhe pse unë kam punuar që të kontribuoja në prodhimin e disa produkteve, kjo ka përfshirë gjithmonë edhe njerëz të tjerë. Nuk arrija të gjeja as edhe një gjë që të vinte vetëm nga unë. Edhe po të shkoja në pyll dhe të prisja një degë peme me një thikë xhepi e të shkruaja mbi të, përsëri nuk do të isha i vetmi kontribues: ishte edhe pema nga natyra dhe thika e prodhuesit të thikave. Nuk më vinte asgjë në mendje.
Shumica e njerëzve jeton pa e kuptuar mbështetjen që i ofrohet! Mendojnë se kanë vetëm veten. Nëpër zyra varin shkrime, si: ‘Nëse dikush vendos, ai jam unë.’ Ata gjithashtu mendojnë se paraja vihet vetëm duke ia marrë atë dikujt tjetër. Në këndvështrimin e tyre të tkurrur jeta është një lojë ku rezultati është gjithmonë zero. Dhe sa herë përpiqesh të ndërtosh një sistem me supozimin e rezultatit zero, sistemi do të dështojë, pasi bie ndesh me natyrën.


Mikromenaxheri punon me sasi të limituara fuqie dhe informacioni, ndërsa një menaxher punon me imagjinatë të pafundme. Vetë pasuria ndjek rrugën e zgjerimit dhe të evolucionit, për të bërë të mundur që edhe kokrrizat pa vlerë të rërës të përdoren si çipet më me vlerë në botë. Të shohësh botën në një kokrrizë rëre, ndërsa parajsën në një lule të egër. Të shtrëngosh pafundësinë në grushtin tënd dhe përjetësinë në një orë.
Imagjinata ka burime të pafundme. Ato kufizohen vetëm nga mendimi. Dhe jo nga struktura e shoqërisë në të cilën jeton, siç mendonte gabimisht Karl Marksi. Pra, ideja të kesh diçka, duhet patjetër atë ta kesh marrë nga dikush tjetër, bie ndesh me natyrën. Dhe sa herë që përpiqesh ta zbatosh këtë ide me anë të ndonjë sistemi, sistemi do të shembet. Sa herë që do ta ndjekësh këtë ide, karriera jote do të lëkundet.
Kufizimi dhe mendimi i fundmë mund edhe ta shkatërrojnë një organizatë nga brenda. Për shembull, shumë njerëz mendojnë se, nëse ofrojnë një shërbim klienti me cilësi shumë të lartë, do të duhet të heqin dorë nga diçka tjetër: fitimi. Ata mendojnë se ofrimi i shërbimeve në mënyrën e duhur është një kosto e panevojshme. Ata nuk e imagjinojnë ç’kontribut të madh sjell shërbimi i shkëlqyer në rezultatet afatgjata. Dhe ata pyesin veten se pse nuk janë të suksesshëm në periudhë afatgjatë.
Që të jesh i sigurtë se nuk do të biesh kurrë në gropën e shumës zero, thjesht përqendrohu tek ajo që po jep. Jo tek ajo që të japin, as tek rezultatet apo objektivat. Besoji sistemit. Beso se ai do të funksionojë. Sepse je pjesë e një sistemi të ndërlidhur. Nëse e bën këtë do të arrish rezultatet e kërkuara. Menaxheri mund të kënaqet duke mos ndërhyrë në proces, sepse ai e sheh se sa i madh është në të vërtetë ky proces. Mund të ndiejë mbështetjen që i ofrohet nga njerëzit e mirë që e rrethojnë. Kështu ai fillon të veprojë si një pjesë e së tërës, në vend që të sillet si një individ i frikësuar që mbrohet.
Duke ndier ndërlidhjen me çdo pjesëtar të organizatës, duke u zgjeruar te rishitës apo konsumatorë të rinj, kupton se po merr mbrapsht atë që ke dhënë, se çfarë të mbjellësh do të korrësh, dhe se kjo mënyrë udhëheqjeje formon një rreth: Ajo që jep shkon përreth botës dhe kthehet sërish tek ty.
Një person cinik mendon se një shoqëri kapitaliste funksionon duke i bërë publicitet asaj që është më e mirë për individin, edhe nëse kjo shkon në dëm të gjithë pjesës tjetër. Pra, s’ka problem nëse është në dëm të mjedisit, sepse ti, si individ, përfitove diçka. Por në periudhë afatgjatë gjithë shoqëria duhet të paguajë për dëmin që ai individ apo grup i shkaktoi mjedisit. Qëndrimi individualist dhe cinik nuk bën punë.
Çdo veprim sado i vogël mirësie kumbon në distanca dhe kohë të largëta, prek jetë të panjohura për dikë, shpirti bujar i të cilit ishte burimi i kumbimit të mirë. Sepse mirësia pasohet dhe rritet sa herë që pasohet, derisa vite më vonë dhe në vend të largët ky nder i vogël shndërrohet në një veprim të guximshëm dhe aspak egoist.
Sa më tepër i vetëdijshëm të jesh, aq më i aftë bëhesh për të kuptuar ndërlidhjen mes gjërave. Ti e sheh se është e pamundur të dëmtosh mjedisin pa dëmtuar veten. Njerëzit që përpiqen të përfitojnë sa më shumë pa u bërë mirë të tjerëve, përfundojnë ose të vdekur ose në burg. Nuk mund t’i shpëtosh rrjetit të ndërlidhur të jetës. Nuk ka asnjë mënyrë për të ndërprerë ndërlidhjen mes gjithë pjesëve përbërëse të jetës dhe universit tonë.


Shumë njerëz me të cilët kemi punuar mendojnë se po kontribuojnë, ndërkohë që kjo s’është e vërtetë. Ajo që ata perceptojnë si kontribut, në të vërtetë është një mënyrë tregtimi. Ata e llogaritin gjithmonë se çfarë përfitojnë personalisht. A duhet t’i ndihmoj këta tregtarë? A duhet ta ndihmoj kolegen për të dalë nga rrëmuja? A duhet ta dëmshpërblej këtë klient? Çfarë do të më sillte kjo? A do të ndikojë kjo te fitimet e mia? A duhet të pranoj ta takoj kolegen e departamentit tjetër, për të dëgjuar ankesat e saj? Çfarë do të fitoja nga kjo? Për ta gjithçka është tregti. Por tregti nuk do të thotë të kontribuosh. Nuk ka nevojë për arsye kur vjen puna për të kontribuar. Është thjesht një mënyrë jetese.
Konsideroje kompaninë si një masë që varet në tavan. Rrjeta e madhe e kompanisë është e ndërlidhur. Pra, nëse dikush shtyn një pjesë të saj, ajo tundet e gjitha, edhe pse lehtë.
Kur kontribuon vazhdimisht te njerëzit dhe klientët, nuk e kupton atë që merr, dhe as që ke kohë ta kuptosh këtë. Do të ishte një harxhim energjie po ta bëje. Ti mund të japësh edhe më shumë duke mos e shpenzuar gjithë atë energji mendore. Klienti më i parëndësishëm që ti nuk e trajton mirë, mundet shumë mirë të ketë aftësinë t’u flasë shumë njerëzve për ty dhe është e pamundur të dish se kush janë ata.
Në filmin biografik të titulluar ‘Gandi’, kur të gjithë përreth Gandit po bërtisnin për diçka që hebrenjtë e kishin bërë keq, ai ndaloi ndjekësit e tij dhe tha: ‘Unë jam hebre.’ Ata u habitën dhe nuk e kuptuan ç’donte të thoshte. Por më në fund mesazhi u kuptua prej tyre. Ai donte të thoshte se nuk duhet të mendojmë që hebrenjtë nuk janë të lidhur me ne. Mos i veçoni ata. Ne jemi ata.
Gandi po mundohej t’i zgjonte ndjekësit e tij, që ata të shihnin një nivel më të lartë të zbatimit të ndërlidhjes që ekziston mes të gjithëve dhe gjithçkaje.
Vlerësimi është i mrekullueshëm. Ai bën që diçka e shkëlqyer që u përket të tjerëve, të bëhet edhe pjesë jona.


Shumë e shumë organizata në mbarë botën janë trajnuar mbi këtë sistem, në bazë të të cilit duhet të marrë mbrapsht shumë më shumë se sa ka marrë. Dhurata jote për dhuruesin është pjesë e ndërlidhjes së shpirtrave: Është e pamundur mos ta marrësh atë mbrapsht. Ti mund ta ndryshosh sistemin. E kemi provuar këtë me anë të sistemit tonë të çuditshëm të mbledhjes së fondeve, sa herë që ai është aplikuar! Nuk mund të anashkalosh dhuruesin. Është e pamundur të japësh e të mos marrësh mbrapsht edhe më shumë. Nuk mund ta mposhtësh sistemin! Është një sistem që ekziston përtej besimit dhe bindjeve. Bindja jote nuk është e nevojshme që ai të funksionojë, siç nuk është e nevojshme bindja se elektriciteti funksionon, kjo është diçka që dihet.
Nëse je një menaxher nuk ke nevojë të krijosh besim apo bindje te parimi i kontributit të vazhdueshëm. Tashmë e di që funksionon. Thjesht duhet të vazhdosh të kontribuosh për të mirën e organizatës dhe ta lejosh karrierën të shpaloset. Kjo e bën jetën më të lehtë.
Pas leximit të këtij shkrimi rekomandohen tre veprime që duhen ndërmarrë: a) Mos hezito t’i ofrosh ndihmë çdo pjesëtari të organizatës. Shumica e kohës së harxhuar në punë kalohet duke vendosur se kujt duhet t’i flasim. b) Hiqe nga mendja përcaktimin ‘person i parëndësishëm’. Çdo klient dhe çdo koleg ka fuqinë ta çojë përpara karrierën tënde në mënyra të padëgjuara dhe të panjohura. c) Herën e ardhshme, nëse gjatë një mbledhjeje kritikohet një departament apo dikush, ndërprite mbledhjen dhe thuaj skuadrës se do ta ftosh të kritikuarin në mbledhjen e ardhshme, në mënyrë që mund të flisni të gjithë bashkë me të. Ftoji shpesh edhe departamentet e tjera në mbledhje. Bashkoji njerëzit! Bëj të mundur që kushdo në organizatë të shohë se sa të ndërlidhur janë ata me njëri tjetrin. Dhe në fund donim të shtonim një shprehje të famshme të C.S. Lewis: ‘Mrekullitë janë versioni me shkronja të vogla i një historie të shkruar në gjithë botën me shkronja aq të mëdha, saqë ne nuk i shohim dot’.