BOTA E SUKSESIT & STEVE JOBS

‘Të jemi përpara kërkesave dhe shijeve të klientit’-ishte një nga parimet themelore të Steve Jobs.

Steve Jobs ishte një lider i papërsëritshëm në biznes dhe marketing. Ai ndërtoi një kompani lider në tregun amerikan dhe ndërkombëtar duke ekzekutuar plane agresive biznesi dhe marketingu. Jobs luftoi: Për produkte të dallueshme në treg, krahasuar me ato të konkurrentëve; Produkte me cilësi dhe parametra të pakrahasueshëm; Produkte të mahnitshme. Ishin vitet tetëdhjetë, vitet e suksesit të Steve Jobs. Një sukses i mbështetur tek idetë e tij gjeniale. Steve arriti ‘të ndërtonte’ botën e standarteve Apple, pra, botën e madhe të teknologjisë së përparuar Apple. Ai mbetet një lider unik dhe i papërsëritshëm. Ishte koha që programet Macintosh të bëheshin standard industrial, por Steve kundërshtoi prerë. Propozimi kërkonte që Macintosh të licenconte përdorimin e programit të tij prej kompanive të tjera. Në këtë rrugë, shitjet dhe të ardhurat e Apple, do mund të rriteshin, ndërsa programet Macintosh do të standardizoheshin. Por Steve nuk e kishte hallin tek paratë e momentit. Jo, ai donte me çdo kusht, që Macintosh të mbetej i kontrolluar sipas standardeve të veta.
Steve e konsideronte garën me konkurrentët më shumë si një betejë shpirtërore, sesa një betejë të mirëfilltë biznesi. Ndërsa IBM mori kontrollin e tregut, Jobs do të shprehej: IBM është në kohën e saj më të keqe! Jobs e kishte fjalën për cilësinë e produkteve. Ai kishte të drejtë. Koha tregoi se, Macintosh dhe produktet Apple as që mund të krahasoheshin me produktet Microsoft të Bill Gates. Produktet Microsoft ishin masive dhe problematike në cilësi. Jobs ishte unik në jetësimin e skuadrave. Ai zgjidhte njerëz të zgjuar dhe krijues, të përgatitur dhe kryeneçë. Ai sillej divers me njerëzit dhe nuk harronte të nxiste skuadrat e tij. Jobs kërkonte shumë llogari, ndërsa nuk ishte asnjëherë i kursyer në paga dhe shpërblime.


Mos bëj kompromis! Asnjë produkt nuk mund të hidhej në treg, nëse ai nuk ishte gati, pra, nëse nuk përputhej me standardet Apple. Produkti do dilte në treg vetëm sipas këtyre standardeve edhe: Nëse do të shkelej çdo afat i parashikuar; Nëse do duheshin miliona dollarë jashtë planit. Nëse tek produkti pikasej edhe defekti më i vogël, atëherë, ai ishte thjesht një plehër. Të jemi përpara kërkesave dhe shijeve të klientit! Steve kishte info të sakta mbi dëshirat e klientit, megjithatë shprehej: Klientët jemi ne! Ne do mund t’i edukojmë klientët me produkte të thjeshta në përdorim, luks në dizajn dhe unike në llojin e tyre. Apple jetësonte produkte t’atilla, që njerëzit ‘mbanin radhë me orë të tëra’ për t’i prekur dhe për t’i shijuar ato. Steve prezantonte shumë produkte. Ai mblidhte njerëzit në salla të mëdha, shkaktonte ovacione pafund dhe shumë lot gjithashtu.
Rruga është shpërblimi! Jobs i cilësonte skuadrat si ekipe me misione të larta. Ai thoshte se një ditë do mund t’i kthejmë sytë dhe të shohim rrugën e përshkuar së bashku. Do të qeshim me çastet tona të vështira dhe do e konsiderojmë këtë ecejake si një pikë e lartë dhe e magjishme në jetën tonë. Ai nxiste: Është më mirë të jesh një pirat, sesa të futesh në marinë! Ai synonte që skuadrat Apple, të kishin një shpirt kryengritës. Jobs ishte për shpirtin renegat të grupit. Vetëm në këtë mënyrë, ne mund të lëvizim më shpejt ‘për t’i mbyllur’ gjërat.
Të shpikim të ardhmen! Ishin vitet tetëdhjetë. Jobs mblodhi skuadrën e tij më të afërt dhe i paraqiti asaj një pajisje në formën e një bllok-kalendari, të ngjajshme me kalendarët e tryezave të punës. Ndërsa blloku u hap para skuadrës drejtuese të kompanisë, Jobs shtoi: Ky është kompjuteri i ardhshëm, me ekran dhe tastierë brenda të të njëjtit trup! Koha do t’i jepte të drejtë, sepse ai vraponte pa u ndalur. Në një moment të karrierës së tij, Jobs kuptoi se akoma nuk kishte ardhur çasti, që ai, të merrte drejtimin e Apple. Mirëpo Apple kishte shumë nevojë për njerëz të aftë, veçanërisht në marketing. Ishte Steve Jobs ai që solli John Scally-n tek Apple duke investuar qindra orë takime dhe negociata. Në fakt, Scally nuk i njihte kompjuterat, por kjo nuk e pengoi Jobs-in të këmbëngulte pafund, në ardhjen e tij tek Apple. Jobs e dinte shumë mirë se, John Scally ishte një magjistar i vërtetë i marketingut, njohës i klientit dhe mjeshtër i komunikimit të papërsëritshëm. ‘Lëre shitjen e ujit me sheqer’, shprehej Jobs në drejtim të Scally-t, pasi ky i fundit punonte si drejtuesi i marketingut tek Pepsi. Jobs ishte vazhdimisht në kërkim të ekspertëve më të mirë të planetit.


Shtrembërimi i realitetit! IBM kapi njëzet e gjashtë përqind të tregut për kompjuterat vetjakë dhe Jobs nxitoi. Ai doli në podium dhe renditi para auditorit të gjitha gabimet e IBM-së. Ai foli me gjuhën e një eksperti dhe shpalosi jetësimin e Macintosh. Steve lajmëroi nxjerrjen në treg të Macintosh për vetëm një javë. Ndërkohë që fliste, reklama e Macintosh lançohej plot madhështi në sallë. Të gjithë shtangën! Kishte vetëm një javë kohë. Inxhinierët e projektit Macintosh brofën në këmbë: Është e pamundur, u shprehën ata njëzëri. Jobs iu drejtua skuadrës: Ju jeni të mëdhenj, aq të mëdhenj sa do t’ia dilni! Kompjuteri Macintosh doli ditën e caktuar. Skuadra bëri të pamundurën. Jobs do të shtonte: Artistët e vërtetë prodhoj Jobs e dinte mirë rëndësinë e detajeve. Ai donte produkte të thjeshta dhe plot dizajn. Kasa katërkëndore e I-phone duhej të ishte: E thjeshtë në pamje të parë; E mbështjellë nga metali plot shkëlqim; Me finesse, uniforme, pa çarje dhe hapësira boshe. Një gjë e tillë solli problemin e valëve elektromagnetike. Në çdo njëqind telefonata, njëra humbiste dhe kjo për shkak të kasës I-phone.
Jobs nuk lëshonte pe! Ai mblodhi fizikanët më të mëdhenj të kohës dhe iu kërkoi përgjigjen e situatës. Përgjigjja erdhi: Kasa e I-phone duhej të kishte çarje dhe hapësira të holla, të paktën një të tillë. Jobs doli në skenë dhe madhështia e tij triumfoi përsëri. Ai nuk mund të ikte nga objektivi i tij, për produkte të tjeshta, fine, plot dizajn dhe që mbërrijnë tek klienti nga bota e ndërlikuar e teknologjisë.
I-phone lindi sipas planit të tij dhe natyrisht duke shtrembëruar realitetin. Ai nuk mori parasysh ligjet e elektromagnetizmit dhe as kritikën mediatike. Ai fitoi edhe mbi konkurrencën në çdo plan. Jobs u ngjit në skenë si triumfator dhe shpjegoi me profesionalizëm: Botën unike të I-phone; Parametrat ekstremë të teknologjisë I-phone; Thjeshtësinë në përdorim. Ai shtoi: ’Më thoni një celular tjetër më të avancuar se I-phone’. Apple u pozicionua përfundimisht në krye.
Jobs ishte mjeshtër i fjalës. Ai shkëlqente në marrëdhëniet me publikun dhe shkaktonte shpërthime të forta publiciteti. Jobs: Zbuste analistët më kryeneçë; Ngjallte emocione; Siguronte një trajtim bujar nga mediat. Produktet Apple, ishin të parat në kopertinat e Time, Newsweek dhe Businesweek. Dyqanet Apple u ndërtuan me dru, çelik, qelq dhe gur. E gjitha kjo ishte në funksion të marketingut dhe forcës shitëse. Think different! Jobs eleminoi linjat e tepërta në prodhim, delegoi punë tek kompani të tjera, imponoi disiplinë të rreptë tek furnitorët dhe përzgjodhi njerëzit më të aftë të planetit. Ai punësonte vetëm lojtarë të dhjetës. ‘Lojtarëve të dhjetës u pëlqen të punojnë vetëm me lojtarë të dhjetës’, ‘Ne punojmë me njerëzit më të talentuar të planetit’, ishin dy parime të tjera të Apple. Steve ishte simbol i ideve të mëdha. Industria muzikore ishte e nëpërkëmbur pasi piratët e disqeve ‘po bënin kërdinë’. Konkurrentët ishin mjaft të tërhequr sa i takon respektit për artistët. Jobs edukoi tregun muzikor, duke vlerësuar pasurinë intelektuale dhe goditur piraterinë muzikore. Jobs negociojë deri në fund me grupet më të mira muzikore të kohës, shtëpitë diskografike dhe konkurrentët. Ai iu drejtua audiencës: Që sot do të startojmë programin I-tunes store prej dyqind mijë këngësh, i cili do të rritet çdo ditë. Secili do të përdorë këngën e dëshiruar, ta dëgjojë atë, ta shkarkojë dhe regjistrojë në CD, të jetë i sigurtë për cilësinë e shkarkimit dhe të përdorë programet IMovie dhe IDvd. Kështu, klienti krijon diskun me këngët më të dashura, diskun e jetës. Çmimi? Vetëm nëntëdhjetë e nëntë cent. Vërtet një ide gjeniale!


Jobs përqendrohej në punë të pakta. Ai mblidhte rreth vetes njerëz të gatshëm për të hedhur në treg produkte revolucionare. ‘Produktet Apple janë vërtet mahnitëse’, citonte Bill Gates. Jobs donte që Apple të krijonte utopinë e saj të unifikuar, një kopsht magjik i rrethuar me mure të larta. Suksesi i një produkti të ndihmonte shitjen e produkteve të tjera. Ne fituam programin Itunes, sepse, secili nga ne dashuronte muzikën. Ne krijuam Ipodin tonë. Kur diçka e bën mirë për veten, mikun dhe familjen, nuk mund ta bësh keq për klientët. Kur diçka nuk e dashuron, nuk je i gatshëm të lëvizësh, as edhe një kilometër më shumë!
Jobs thoshte: Produktet të jenë të punuara bukur edhe tek pjesët e tyre ‘më të padukshme’. Klienti nuk shikon panelat e stampuara brenda kompjuterit, por kjo nuk do të thotë asgjë. Dua që gjërat të jenë sa më bukur, paçka se ato gjenden brenda apo jashtë kutisë! Një marangoz i madh, nuk përdor kurrë dru të krimbur në pjesën e pasme të dollapit edhe pse ajo është një pjesë krejtësisht e fshehur. Blerësi i dollapit, e di shumë mirë se ajo pjesë është aty, në dollap, edhe pse nuk shihet me sy të lirë.
Steve bënte një jetë të thjeshtë. Ai kishte një shtëpi me arredim të pakët dhe nuk merrej me jetën e luksit. Ai mendonte pak për paratë. Lufta e tij e madhe ishte me produktin, një produkt i cili duhej të ishte vepër arti. Për shumë kohë ai lëvizte pa shoqërues, përdorte makina jo të shtrenjta, merrte avionë me qera etj. Kur mendon që shumë drejtues të Apple bënin një jetë përrallore, atëherë kupton madhështinë e tij. Steve Jobs mbetet një transformues i kapitalizmit amerikan, jetës së njerëzve dhe një pikë e fortë referimi për të gjithë sipërmarrjet botërore.