Liderat janë mjaft ambiciozë! Ata kanë vizion dhe janë parashikues të aftë të çdo situate.
Ekzistojnë teori dhe praktika të ndryshme mbi rolin e liderit dhe lidershipit. Liderat nuk është se lindin të tillë. Ata formësohen gjatë jetës falë punës së tyre të madhe dhe të jashtëzakonshme. Veç kësaj liderat mbartin dhunti natyrore dhe eksperienca të shumta njerëzore, eksperienca këto të mbushura me dështime dhe sukses. Mund të jesh i brumosur me cilësitë e një lideri, por këto cilësi mund të mos kenë shansin të shfaqen para publikut, organizatës dhe funksionimit të një biznesi. Liderat shfaqen vetëm atëherë kur ata i thërret koha për të qenë prezent me tërë potencën e tyre. Situatat dhe rrethanat e veçanta janë në fakt sebepet e shfaqjes së liderit. Liderat në biznes kanë një ngjashmëri të madhe me liderat në politikë, administratën publike etj. Silluni si lider dhe i tillë do të jeni! Formimi i liderit dhe lidershipi kërkojnë kohë dhe eksperiencë për t’u formuar dhe jetësuar. Liderat rriten në dinamikë duke fituar në mënyrë përfundimtare nderimin, respektin dhe mbështetjen e organizatës. Në fakt, njerëzit dhe skuadrat brenda një organizate të caktuar janë ata që përcaktojnë nëse dikush është një lider i vërtetë apo një lider i stisur. Kjo është themelore dhe s’duhet harruar!
Lider dhe lidership do të thotë: Si ju dëgjojnë të tjerët; Si ju ndjekin anëtarët e organizatës dhe kjo plot besim; Si ekzekutohen shpejt dhe saktë objektivat e caktuara. Liderave të vërtetë ju besohen interesat, energjitë dhe paratë. Udhëheqësit e vërtetë të një biznesi si bosët, administratorët, drejtorët ekzekutivë dhe menaxherët e lartë, duhet të karakterizohen nga sinqeriteti, ndershmëria, sjellja e drejtë me çdo person, si edhe të jenë plot integritet.
Dyshimi dhe frikësimi nuk janë pjesë e liderit dhe lidershipit. Në fakt pas çdo suksesi fshihen dështimet. Liderat në biznes kanë kaluar dështime të ndryshme derisa kanë mposhtur frikën dhe kjo në mënyrë përfundimtare. Frika dhe dështimi, suksesi dhe pasiguritë janë alternuar kohë pas kohe derisa më në fund liderat e vërtetë kanë rrokur suksesin. Shprehja se ‘pas çdo suksesi ka ekzistuar një risk’, është ilustrimi më i mirë i gjithë kësaj historie.
Liderat janë realistë! Ata kanë kohë që i kanë braktisur idealet e tyre. Liderat gjithmonë shtrojnë pyetjen: Si është realiteti? Cili është problemi kryesor dhe që kërkon zgjidhje? Çfarë thonë faktet? Pas gjithë këtyre, liderat marrin vendime dhe japin zgjidhje. Liderat i japin fuqi biznesit dhe sipërmarrjes, mposhtin dobësitë dhe rrisin performancën e kompanisë. Liderat shohin vetëm përpara, shmangin të kaluarën, përqendrohen tek zgjidhjet dhe janë pragmatistë.
Liderat e vërtetë janë mjaft autoritarë! Kjo është një nga cilësitë kryesore të një lideri. Autoriteti ndikon në mënyrë thelbësore tek shpërndarja e njerëzve, burimeve të ndryshme dhe parave. Megjithatë ekzistojnë edhe mjaft të ashtuquajtur lidera, të cilët qëllimet e ngushta personale i vendosin mbi ato të shoqërisë, publikut ose kompanisë. Këta lloj liderash kanë në fakt një jetë mjaft të shkurtër. Ata dëmtojnë organizatën të cilën vetë e kanë krijuar duke shkallmuar pak e nga pak kredencialet e saj. E kemi fjalën që autoriteti i liderit duhet kanalizuar vetëm në drejtimin e duhur: Rendja pas suksesit!
Liderat janë mjaft ambiciozë! Ata kanë vizion dhe janë parashikues të çdo situate. Lideri bën një plan ose planifikim të biznesit në bashkëpunim edhe me strukturat vendimmarrëse të organizatës, si edhe cakton synimet. Më pastaj lideri përkushtohet i tëri për ekzekutimin e këtij plani. Liderat nxitojnë, luftojnë shumë për realizimin e planeve të biznesit, pushojnë fare pak dhe shfrytëzojnë në maksimum të gjithë kohën e tyre të mundshme. Vënia e synimeve dhe ambicia janë cilësi thelbësore të liderit dhe të një lidershipi të vërtetë.
Optimizmi është një tjetër cilësi themelore e liderave. Nuk mund të jesh kurrë një lider, po qe se nuk mbart një optimizëm të theksuar. Lideri shfaqet qartazi para së ardhmes dhe nuk merret me problemet e së shkuarës. Në fillim të herës Lideri i vërtetë konsultohet me të gjitha derivatet e një konsulence autoritare, me stafin e tij të afërt, me organizmat vendimmarrëse brenda organizatës dhe më pastaj ai shfaq optimizmin e tij në publik dhe kjo me tërë madhështinë e tij. Optimizmi iu jep mundësi njerëzve të besojnë se mund të bëjnë shumë më tepër se çfarë kanë bërë më parë. Optimizmi është aftësia për të gjetur rrugëdalje në çfarëdolloj situate dhe është padyshim një nga armiqtë kryesor të stresit. Liderat e vërtetë dinë gjithçka rreth nevojave, problemeve dhe shkallës së motivimit të njerëzve apo grupnjerëzve të ndryshëm, të cilët i udhëheqin. Ata e dinë se pa njerëz të aftë, ekipe të motivuar apo skuadra kryengritëse nuk mund të ketë objektiva të realizuara. Liderat e vërtetë dinë të dëgjojnë me shumë kujdes, të jenë fleksibël në rrugën drejt suksesit, të japin zgjidhje mbi shqetësimin e punonjësve të tyre, madje shpesh herë edhe duke ndryshuar vendimet e tyre të mëparshme dhe kjo pas marrjes së një informacioni shtesë. Liderat i bëjnë njerëzit të fortë, me shumë fuqi, si edhe iu japin një mbështetje pozitive. Liderat udhëheqin me inkurajim dhe premtime, më shumë se sa me frikë apo kërcënime.
Pas çdo vështirësie liderat e marrin me të shpejtë situatën në dorë, veçanërisht kur flasim për liderat në biznes. Kur është fjala për institucionet apo për politikën, liderat aplikojnë jo rrallë herë atë që quhet dorëheqje. Dorëheqja është një cilësi mjaft pozitive e liderit apo lidershipit, por kjo shumëzohet me zero kur bëhet fjalë për biznes. Në biznes lideri ka një fluks të madh përgjegjësish apo angazhimesh të cilat vetëm ai mund t’iu japë drejtimin e duhur. Sjellja e liderit pas çdo lloj situate pasqyron sjelljen e njerëzve, stafeve, biznesit apo organizatës.
Udhëheqësit e vërtetë janë mjaft të pavarur në misionet e tyre, si edhe mjaft të qartë në vendimet që marrin. Edhe pse konsultohen, kur vjen puna për të marrë vendime, liderat nuk bëjnë konçesione, si edhe janë mjaft të prerë. Liderat e vërtetë kanë shqetësime dhe merakosje për të tjerët, por në fund, nuk u vjen keq për mosmiratimet ose kundërshtitë e të tjerëve. Ata nuk japin llogari dhe nuk justifikohen. Po sjellim në vëmendje rastin Jobs: Edhe pse gjithë elita shkencore e asaj kohe po i bënte të qartë Jobs-it mangësitë e sistem-transmetimit të Iphon-it, sërish Jobs nuk u bind. Vendosi ashtu siç e kishte projektuar në mendjen e tij. Jobs më mirë pranoi një marzh prej një përqind gabim tek emetimi dhe absorbimi i valëve elektromagnetike, sesa të largohej nga objektivi i tij themelor për produkte të thjeshta, fine dhe aspak të lodhshme për syrin e përdoruesit. Pas vendimit të tij Jobs jo vetëm nuk kërkoj falje para kritikës dhe medias, por shfaqi tërë optimizmin e tij për produktin në fjalë duke fituar shumë adhurues të rinj, të tij dhe të Apple. Liderat jo vetëm konsultohen, kujdesen dhe marrin vendime si lidera, por edhe e gjithë sjellja e tyre e mëvonshme mbetet në nivelin e një lideri.
Liderat janë të qetë dhe të përmbajtur. Ata janë në gjendje të dëgjojnë hallet e njerëzve, por edhe kritikat e tyre. Lideri nuk shpërthen në gjykime dhe kritika, është i qetë dhe i shëndetshëm në vetvete, i balancuar dhe mjaft i pjekur emocionalisht. Qetësia, përmbajtja e lartë emocionale dhe vlerësimi i kritikave janë tre elementë themelorë që duhet të kenë para syve biznesi dhe lidershipi shqiptar, nëse duan që një ditë të shfaqen para konsumatorëve si lidera të vërtetë, në fakt, para konsumatorit dhe organizatës. Njerëzit e pjekur emocionalisht: Dëgjojnë me kujdes; Vënë synime dhe objektiva të qarta; Kanë shkallë të lartë vetësigurie; Mbartin një fuqi të brendshme; Janë mjaft të ekuilibruar.
Liderat e vërtetë në biznes angazhohen për produkte dhe shërbime gjithnjë e më të mira dhe kjo në dinamikë. Liderat e vërtetë në biznes vendosin standarte të larta të përmirësimit të produkteve dhe shërbimeve dhe kjo kohë pas kohe. Ata nxisin skuadrat drejt këtyre synimeve dhe në finale duan përsosjen e gjithçkaje. Kur angazhimet e kompanisë bëhen publike nëpërmjet liderit të saj, atëherë edhe punonjësit ndjehen mjaft të motivuar dhe luftojnë fort për këto angazhime. Ja pse një drejtues auditori duhet të shpallë objektivat e leksionit apo seminarit. E njëjta gjë është edhe në biznes: Organizata duhet të njohë punonjësit ose anëtarët e saj me objektivat dhe synimet e marra dhe kjo në dinamikë.
Liderat mendojnë gjatë gjithë kohës se si përsosja e veprimtarisë së biznesit apo organizatës do mund të prodhojë shumë para dhe të mira materiale, jo vetëm për buxhetin e kompanisë, por edhe për buxhetin e anëtarëve të saj. Liderat janë mjaft të shqetësuar, kur konkurrentët e biznesit të tyre kanë avancuar përpara. Kështu që kërkojnë rrugë dhe mënyra të reja për të qenë të parët. Liderat shohin larg në horizont! Ata janë parashikues të pritshmërive. Liderat e vërtetë parashikojnë suksesin dhe problemet, klientët propabil të organizatës së tyre, ecurinë e marketingut, shitjeve dhe fitimit, kohën e promovimit të produkteve të reja, rrethanat penguese në dinamikë, riformatimin e skuadrave të prodhimit, shitjeve dhe të marketingut. Liderat gjejnë rrugë dhe shtigje të reja për të luftuar në llogoren e ekzekutimit të objektivave. Ata shmangin rreziqet dhe qartësojnë gjithçka.
Të jesh lider nuk është e lehtë! Të kërkosh të bëhesh një lider, kur nuk je i përgatitur për diçka të tillë, vërtet po rrezikon shumë. Të shfaqësh lidership, kurajo dhe inteligjencë kreative, atëherë mund të themi që ju mund të jeni një lider. Të jeni i qetë dhe i përmbajtur, i vëmendshëm ndaj çdo detaji, fleksibël drejt rezultateve, i saktë dhe imponues, frymëzues dhe parashikues në dinamikë, atëherë mund të themi që ju mund të jeni një lider.