Për aq kohë sa do të lindin ide të reja, shitjet do të arrijnë maja të reja.
Kur në anketime njerëzve të suksesshëm të biznesit u bëhet pyetja: ‘Cila është koha kur të vijnë idetë më të mira të biznesit’, ata vazhdojnë të përsërisin të njëjtën përgjigje: Vendi numër një është dushi dhe pastaj pushimet. Kjo na ndihmon të vërtetojmë pohimin se idetë më të mira lindin atëherë kur ndalojmë së sforcuari mendimet. Ngërçi që pësojmë kur sforcohemi të mendojmë, në të vërtetë i largon idetë. Ti e shtyn brenda atë ide të shkëlqyer që dëshiron të pluskojë sipër dhe të shfaqet. Zgjidhja është të heqësh dorë nga procesi yt i të menduarit dhe të lësh frymëzimin të rrjedhë brenda teje.
Pasi të mësosh ta bësh këtë, mund ta praktikosh me punonjësit e tu. Mund të mbjellësh farën dhe të shtrosh pyetje rreth të cilave ata do të reflektojnë. Mos kërko përgjigje të menjëhershme. Mos i mikromenaxho problemet. Pasi të jesh i aftë të shohësh potencialin pa kufij të punonjësve, si dhe mundësitë e panumërta që u ka dhënë jeta, s’do të shqetësohesh për burimin e ideve të reja. Thjesht do t’i lejosh të rrjedhin brenda teje.
‘Ndoshta do të duhej të bënim dush dhe të shkonim me pushime gjatë gjithë kohës!’- u shpreh pronari i një biznesi të vogël duke lexuar një prej këtyre anketimeve. Nuk ishte larg përgjigjes së saktë. Zgjidhja më e mirë është të përfshihesh në mendime relaksuese teksa bën dush ose je me pushime. Përgjigjja e saktë është të mësosh, të dëgjosh dhe të njohësh, të mësosh të gjesh idetë që janë brenda teje, në vend që t’i kërkosh ato në një manual apo udhëzues.
Pikërisht ky është sekreti që lidhet me suksesin. Të tregon si të bësh një hap prapa dhe t’i lësh ngjarjet të ndodhin. Nuk mësohet menjëherë, por është një mënyrë që të shpërblen. Të shpërblen në shumë forma të ndryshme, duke të ndihmuar të bëni karrierë. Por të jep edhe shpërblime më të vogla, të menjëhershme. Për shembull, mund ta përfundosh ditën e punës me më pak stres. Mund të mësosh se çdo të thotë të bësh më pak dhe të arrish më shumë.
Njerëzit përpiqen të pasurohen, duke u sforcuar të mendojnë se përse kanë arritur në konkluzione të gabuara për këtë pikë. Ata kalojnë gjithë ditën duke menduar për diçka dhe, meqë kjo nuk i afron me zgjidhjen, në fund heqin dorë nga të menduarit. Më pas, ‘bum’! Pasi ndalojnë së menduari, u lind ideja më e shkëlqyer! Atëherë, ata vlerësojnë procesin e të menduarit. Nuk e kuptojnë se ishte pushimi dhe qetësia që ia sollën idenë.
Ja një shembull që tregon se si funksionon kjo. Dikush të pyet për emrin dhe ti e ke në majë të gjuhës, por nuk e kujton dot. Përpiqu sa të duash, nuk do ta kujtoni dot! E shtrydh mendjen, por nuk ia del dot. Pak minuta më vonë, kur je duke folur për diçka që s’ka asnjë lidhje me këtë subjekt, të vjen në mendje emri që kërkoje. Kjo është mënyra se si punon mendja. Dhe pikërisht në këtë mënyrë e përdor mendjen një menaxher. Idetë e suksesshme do të lindin kur të mësosh të besosh tek ky proces.
E thënë ndryshe, çelësi kryesor drejt suksesit tani është besimi tek aftësitë që ke, te vetvetja, te besimi që gjërat që të nevojiten i zotëron që më parë.
Ky nuk është një këndvështrim prej egoisti, pasi nuk orientohet nga pohime të tipit: Unë jam më i mirë sesa ti! Ai buron nga pohime të tipit: Ashtu si ti, unë kam një jetë brenda vetes dhe po i besojë asaj. Kështu suksesi vjen përmes teje. Ti mund të bësh të njëjtën gjë!
Kur ti bëhesh i suksesshëm, të tjerët të vënë re. Ata shohin se ke një përqasje të natyrshme me veten tënde. Ti nuk shqetësohesh asnjëherë. Nuk e ndien presionin e afateve. Nuk përpiqesh të marrësh miratimin e të tjerëve dhe t’i paraprish asaj që të tjerët mendojnë për ty. Nuk e sheh frikën si motivuesin tënd.
Shumë shpejt shembulli i suksesit tënd, i bazuar jo te frika, u bën ftesë të tjerëve dhe nuk shndërrohet në një bazë krahasimi që vë në dukje dobësitë e tyre. Dje, duke folur me një menaxher për talentin e tij të brendshëm, ai më tha: E po, ti e di, je ti ai që më ke trajnuar gjatë gjithë këtyre viteve. Dhe unë kam dëshirë të të besoj, sepse ti je mjeshtër në këtë punë. Nuk mendoj se do të mund të bëja atë që bën ti. Ti ke një personalitet të papërsëritshëm. Qesha. Por nëse je një këshilltar që është bërë i suksesshëm, do të ndeshesh shpesh me shprehje të tilla. Njerëzit do të duan të ngrenë në një piedestal dhe do të mendojnë se ke këtë pozicion falë forcës së personalitetit tend, një personalitet që ata mendojnë se nuk mund ta kenë. Kjo është mundësia më e mirë për t’i sqaruar dhe treguar atyre rrugën e saktë. Atij njeriu gjithë dyshime mund t’i thuash: E mban mend atë analizën që bëre për mua para dy vjetësh, tek ajo prona problematike? Bëre një punë të shkëlqyer. Dhe e mban mend atë përmbledhjen e planit të terrenit që përgatite për mua mbi atë projektin? Ishte i shkëlqyer. Ti ke talent. Sa mirë do të ishte sikur të besoje se të njëjtën dhunti që nxore në pah gjatë atij ushtrimi mund ta përdorësh tek ajo që po bën tani. Imagjino se çfarë do të mund të arrije!
Një menaxher e përgadit gjithmonë skenën e suksesit duke u kujtuar nëpunësve përvojat e tyre personale të suksesit. Kur i nxit të tjerët të besojnë te madhështia e tyre, kjo nuk bëhet në mënyrë teorike. Duhet t’i çosh prapa, te një veprim për të cilin ata janë krenarë dhe për të cilin janë vlerësuar. Kujtojua se si arritën të bëjnë ndryshimin, dhe tregoju tërësinë e aftësive që kanë shfaqur. Kjo provë faktike është ajo që ushqen vetëbesimin që kërkon tek ta.
Është e habitshme se sa shumë njerëz mund të ngjiten në nivele më të larta të suksesit, nëse orientohen në këtë mënyrë. Një drejtues kompanie ishte mosbesues dhe pyeti: A nuk është shumë e butë përqasja juaj me menaxhimin? Dua të them, nëse menaxherët e mi nuk do të mbikëqyrin, si mund ta orientojë ecurinë e punës dhe si mund t’i quaj njerëzit e mi të përgjegjshëm? Kjo përqasje nuk ëshrë as e butë, as pasive. Përvoja na ka treguar se rastet kur është përdorur ‘përqasja pa mbikëqyrje’, janë pasuar me një rritje të energjisë dhe produktivitetit. Ajo i bën punonjësit më tepër të përgjegjshëm për ecurinë e mirë të punës. S’ka lëshime për ata që qahen dhe luajnë rolin e viktimës. Nuk ka vend për ankesat vetëmëshiruese.
Shpesh një menaxher mund të tregohet i ashpër me pjesëtarët e skuadrës, duke zgjuar forcën e tyre. Nëse dëshiron vërtet të kesh vëmendjen e tyre, mund t’u thuash: Shiko, kjo është qesharake. Ti je një nga njerëzit më të talentuar me të cilët kam punuar ndonjëherë. Të kam parë të punosh në mënyrë të shkëlqyer. Po has vështirësi? Është e papranueshme. Kështu duhet të jetë edhe për ty. Nga ajo që ke bërë më parë, duket qartë se mund ta bësh. Po kërkon arsyet se përse nuk mundesh? Kjo po, është e papranueshme. Ngrihu dhe bëj atë që ke provuar se mund të bësh. Më thuaj si mund të ndihmoj?
Në cilin çast do të vendosësh të ndjekësh rrugën e fatit tënd. Atëherë kur je i frymëzuar për ta bërë këtë. Thjesht do të ndodhë dhe ti do të ndjekësh nxitjen e brendshme. Ja ku është ideja frymëzuese nga e cila burojnë të gjitha idetë e tjera: Çdo njeri mbart me vete një jetë të suksesshme! Nuk është diçka të cilën duhet ta kërkosh në botën e jashtme. Kemi lindur për të qenë funksionalë dhe të përmbushur. Na është dhënë gjithçka që na duhet (duke përfshirë këtu edhe aftësinë për të shtuar gjithçka që duam të shtojmë). Nuk duhet të kuptojmë se si marrim frymë. Nuk duhet të kuptojmë se si shohim, si dëgjojmë. Thjesht pranojmë se këto janë pjesë të asaj që kemi përbrenda. Suksesi ndodhet në po të njëjtin vend. Është planifikuar të jetë aty që nga lindja, sepse kjo është mënyra se si funksionon universi. Pse të mos përfshihet këtu edhe evolucioni personal dhe financiar?
Instikti i lindur ekziston për ty, për gjithçka që do të sjellë sukses. Duhet thjesht të sfidosh parimet false që të bindën për të kundërtën. Për shkak të vetë faktit që ti merr frymë, ti mbart me vete jetën. Dhe jetë do të thotë mundësi për të përmirësuar gjithnjë e më shumë punën tënde.
Te koncepti i bërjes së mundur të suksesit, është e dobishme të krijosh një ide frymëzuese për të. Shumica e njerëzve që e mirëpresin frymëzimin, e arrijnë suksesin në të tashmen. E arrijnë duke bërë në këtë çast dhe këtu atë që dëshirojnë të bëjnë. Nga të gjitha mitet e gënjeshtërta mbi suksesin, pasuria duhet të jetë më i keqi. Nga të gjitha idetë më pak frymëzuese, shtimi i menjëhershëm i pasurisë është mbreti. Dhe shumica e njerëzve të pasur do t’ju thonë: ‘Po më konsiderojnë të suksesshëm. Por nuk jam i lumtur. Më mungon një pjesë e jetës sime. Ndiej një boshllëk. Ndiej uri për më shumë’.
Pasi të lexoni këtë shkrim, filloni e ndërmerrni veprimet e mëposhtme: a) Herën tjetër që do të bësh dush, qëndro aty pak më shumë se normalisht dhe shiko se sa lehtë rrjedhin idetë nga ana e majtë e trurit për tek e djathta. Çlodhu nga harmonia e ujit të ngrohtë dhe nga ndjesia se po shijon kohën që të duhet. Përpiqu të vësh re lidhjen mes çlodhjes, harresës dhe ideve frymëzuese. b) Lër një takim me një pjesëtar kyç të skuadrës dhe mos bëj asnjë program për mbledhjen. Thjesht pyete si i shkon jeta, çfarë mendon se mund të përmirësohet në mjedisin e punës. Lejo që idetë të dalin në sipërfaqe. c) Ndrysho mënyrën se si e menaxhon kohën. Listo vetëm një zë në listën e punëve për të përfunduar. Vendose këtë listë në faqe të parë. Në faqen e dytë vendos të gjitha punët e tjera, dhe kur t’i shkosh në fund punës së parë, atëherë merr një punë nga lista e mundësive dhe vendose në listën e re të gjërave që duhen përfunduar.