MARKETINGU DHE SUKSESI

Marketingu është tërësia e operacioneve, të cilat në finale kanë si objektiv krijimin e klientëve besnikë.

Shpeshherë marketingu ngatërrohet me shitjet. Janë të shumtë ata prodhues, menaxherë, punonjës apo drejtues të lartë që marketingun e barazojnë me shitjet. Ekzistojnë shumë të tjerë që marketingun e identifikojnë me reklamat në televizion, radio, shtypin e shkruar, para në fletëpalosje, katalogje, kalendarë apo tekstura promocionale. Shumë të tjerë i përkushtohen njësisë së tyre të shërbimit, rregullit në ambjentet e punës, tabelave reklamuese, posterave apo politikës mbi çmimet. Në fakt, këto dhe shumë specifika të tjera, nuk janë asgjë tjetër veçse degëzime të derivateve të marketingut apo në rastin më të mirë derivate të tij.
Marketingu në radhë të parë është tërësia e operacioneve të punonjësve të marketingut dhe jo vetëm, të cilat në finale kanë si objektiv krijimin e klientëve besnikë. Të fitosh klient besnik është A-ja e marketingut. Të kujdesesh për klientët e tu besnikë, t’u përgjigjesh nevojave të tyre në dinamikë, të rrisësh kredencialet e markave, produkteve apo shërbimeve që emeton në treg, atëherë mund të thuhet se po bën marketing. Të mbash dhe të përditësosh një sistem mobil të dhënash mbi klientët e tu besnikë, kërkesat e tyre në dinamikë, të aplikosh një standard të lartë mikskomunikimi me konsumatorët e tu, të shtosh gamën e produkteve apo shërbimeve në funksion të ekspansionit në treg, të inkasosh tek konsumatorët e tu gjithmonë e më shumë klientë të rinj, atëherë mund të thuhet se po bën marketing. Të sigurohet një linearitet rritës në bllokun e porosive, të punosh fort për ruajtjen e klientelës besnike, të vraposh drejt ekzekutimit të ideve revolucionare dhe që prodhojnë rezultate, atëherë mund të thuhet se po bën marketing. Të krijoni organizata të vërteta dhe me skuadra kryengritëse, t’iu paraprini klientëve me produkte apo shërbime në koherencë me kërkesat më të larta konsumatore të tyre, të dini dhe apkikoni teknikat më absorbuese të promovimit, të shtoni vlerat e produktit apo shërbimit në sytë e klientit, atëherë mund të thuhet se po bëni marketing.


Marketingu është produkti apo shërbimi, promovimi, reklama, stafi, idetë që prodhojnë rezultate, cilësia, kujtesa jonë, negocimi dhe ekzekutimi i marrëveshjeve etj, përveçse sa trajtuam më sipër. Si mund të bësh marketing pa iu referuar logos së kompanisë ku ti je pjesë, kur nuk di si jepet një katalog, kartëvizitë, paraqitja e një oferte, teknikat e negocimit, mbyllja e një bisede, menaxhimi i kohës, apo kur nuk njeh konkurrentët e tu. Si mund të bësh marketing kur nuk merr përgjegjësi shtesë, nuk përballesh me realitetin, nuk ndërmerr iniciativa, nuk lançon platforma apo nuk rend pas të ardhmes.
Ne do mund t’iu rikthehemi shpeshherë këtyre koncepteve, ideve apo praktikave përgjatë shkrimeve të ndryshme në tekst, sepse marketingu veç të tjerash është edhe përsëritje e tezave, emrit të produktit apo shërbimit, logos së kompanisë, apo afishimit të pandërprerë të sukseseve tuaja para konsumatorit. Marketingu është art më vete dhe shpeshherë ai etiketohet si arti i të bërit biznes. Po japim rastin e Ingvar Kamprad. Nuk është se Ingvar ishte me diplomë në marketing apo me master në tema specifike marketingu. Jo, as nuk ishte dhe as që mbaroi ndonjë universitet të tillë. Por Ikea e tij korri sukses të madh ndërkombëtar, falë asaj që quhet arti i të bërit biznes nëpërmjet marketingut. Testimi i produkteve, paketimi praktik, çmimi, përkrahja e konsumatorëve të rinj në fillesat e krijimit të familjeve të tyre etj, i dhanë Ikeas profilin e një marke të paevitueshme nga konsumatorët dhe kjo falë ideve novatore të Ingvar Kamprad. Profesionistët e marketingut janë në kërkim dhe zhvillim të vazhdueshëm të ideve që prodhojnë rezultate, janë në shërbim të kërkesave në ndryshim të klientëve, koherentë, ekspertë dhe vizionarë. Ja pse një ndër detyrat kryesore, kur jetësohet një biznes, është zgjedhja e stafit apo formimi i departamentit të marketingut.


Marketingu është dhe duhet të jetë dinamik. Stafet marketing duhet të zhvillohen dhe të rriten pandërprerë, në mënyrë që të sigurohen rezultate stacionare dhe jo vetëm. Është detyrë prioritare e punëdhënësit, drejtorit ekzekutiv, bordit drejtues të kompanisë apo menaxherit të parë të saj të promovojnë dhe nxisin punonjësit e marketingut, mbështesin dhe vlerësojnë ata, dhe kjo në dinamikë. Mendoni për një çast kompani që kanë investuar shumë para në bizneset e iniciuara prej tyre. Takohesh me punonjësit apo anëtarët e organizatës në fjalë dhe nuk dinë të thonë dy fjalë plot pasion për punën, logon e kompanisë dhe aq më keq për marketingun. Kjo në Shqipëri ndodh shpesh. I pyet si po ecën porosia e lënë nga administratori dhe nuk marrin mundimin të japin një përgjigje. Ju dërgon një email dhe nuk dinë ta ekzekutojnë atë. Shkel në zyrat e tyre dhe as që lëvizin nga vendi. U shpjegon një projekt dhe hapin sytë. Nis me ta të negociosh dhe përnjëherësh zhytesh në baltën e tyre. Vërtet për të ardhur keq! Ekipe të lodhura, të papërgatitura për ta fituar betejën, të aftë për të krijuar mjegull, regres dhe ekipe pa ambicie. Kompania në fjalë është e destinuar të përballet me objektiva të paekzekutuara, me ndryshim të tyre gjatë rrugës drejt suksesit dhe me stanjacion. Marketingu duhet të lançohet si koncepti dhe praktika bazë e jetëgjatësisë së dyqanit, showroom-it, njësisë tregtare, sipërmarrjes apo kompanisë. Kjo s’duhet harruar!
Në të gjitha fushatat tona marketing, problemi kryesor evident i pikasur nga ana jonë tek kompanitë shqiptare janë përgjegjësit e marketingut, punonjësit dhe skuadrat e marketingut. I kemi bërë në shkollë këto gjëra të shpjegojnë, ndërkohë që nuk njohin rregullat elementare të bisedës. Nuk marrin dot vendime, ndërsa mbivlerësojnë rolin e tyre brenda organizatës. Nuk njohin miksmarketingun dhe investimin për produktet apo shërbimet e tyre, janë mjaft burokratikë. Ndoshta po kalben brenda zyrave të tyre, ndoshta janë të kënaqur me rezultatet e momentit, ndoshta janë aty si kukulla, ndoshta shumë gjëra. Një gjë mund të thuhet me siguri: Këta njerëz po dëmtojnë objektivat e organizatës. Nga ana tjetër ekzistojnë mjaft të tjerë të aftë në marketing, që kanë vendosur të mos jenë punonjës viktima, por punonjës pronarë dhe inspirues në gjallërimin e kompanisë. Këta punonjës duhen suportuar në dinamikë dhe duhet t’iu sigurohet qetësia maksimale në punën e tyre. Është shumë i rëndësishëm përqendrimi i tyre tek objektivat e kompanisë. Ekzistojnë shumë të tjerë të pozicionuar mes atyre plot kreativitet dhe fodullëve viktima. Kompania dhe departamenti duhet të përkrahin pandërprerë këta njerëz që dëshirojnë suksesin, por që janë në mëdyshje drejt tij. Mendoni një nxënës mesatar që synon me ngulm drejt notës maksimale. Ai ka nevojë për nxitje dhe stimulim. Shprehjet motivuese të tilla si: Sot u përgjigje më mirë se herët e tjera; Sot shkëlqeve tek ushtrimet zbatuese; Shumë mirë; Vazhdo në këtë rrugë; Mos e ndrysho këtë ritëm pune; Vërtet përgjigjet e tua ishin perfekte etj, të kësaj natyre do mund të ishin një mbështetje morale dhe reale për këtë nxënës plot ambicie. E njëjta situatë paralele ndodh edhe me këta punonjës marketingu. Ku e kemi fjalën? Është detyrë organizatës të mbështesi këta punonjës për të cilët ajo ka investuar, në mënyrë të tillë që ata të jenë pjesë reale e suksesit.


Të gjitha këto sintetizohen tek plani i marketingut dhe plani i biznesit. Marketingu ka dhe duhet të ketë buxhetin e tij. Ky buxhet duhet të jetë aty, pavarësisht nga madhësia e organizatës, lloji i saj apo mënyra e funksionimit. Ky buxhet është derivat i ambicies së organizatës dhe pjesë e vendimmarrjes së saj. Nuk duhet të habitemi që shumë kompani shqiptare e përfshijnë buxhetin e marketingut brenda buxhetit të tyre gjeneral, duke mos e portretizuar atë si zë më vete dhe duke ekzekutuar fushata marketingu me buxhet të cunguar apo kuturu. Kjo është e pafalshme dhe nuk shpie asgjëkundi.
Të gjithëve mund t’u falet plogështia, por aspak punonjësve të marketingut. Ata kurrsesi nuk duhet të jenë në gjumë. Është qesharake, kur përgjumja e tyre nxitet dhe ushqehet nga organizata. Në këtë mënyrë injektimi i forcës, energjisë dhe perspektivës tek këta punonjës të përgjumur, zëvendësohet me kënaqjen nga klientët tradicionalë, shitjet e momentit apo të stinës dhe ngrohtësinë e zyrës së mobiluar këndshëm. Të tjerat i merrni vetë me mend.
Një raport tjetër me suksesin është vlerësimi dinamik i menaxherëve të marketingut. Për shumë drejtues, menaxherët e marketingut po kryejnë dhe ekzekutojnë punë të lehta. Është një nga gabimet e radhës për organizatat, të cilat ndoshta njerëzit e marketingut i kanë të inkasuar për t’iu treguar të tjerëve se jemi të plotësuar me të gjitha departamentet përkatëse apo për të patur qoftë edhe formalisht një çertifikatë cilësie më shumë në grupvlerësimet mbi ta, grupvlerësime, të cilat, fshehin padyshim një realitet fals dhe dështak.
Marketingu është një politikë e madhe ekonomike e cila nxit prodhimin, marrëdhëniet me klientët, tregun, përmirëson imazhin e kompanisë dhe ofron suksesin e shumëdëshiruar. Marketingu është ofrim i imazhit dhe cilësive më të mira të produktit apo shërbimit tek sytë e konsumatorëve, është evidentim i vlerave funksionale dhe shpirtërore, është indicie dhe marrëveshje, lehtësi për konsumatorin, përmbajtje dhe performancë, prezantim dhe koordinim punësh, kujdes mbi klientelën, qartësi, besim në objektivat, optimizëm në ekzekutimin e tyre dhe shpirt kryengritës. Në fakt marketingu është vetë jeta. Aftësia për të negociuar e mbyllur marrëveshje, materializuar ide dhe vlera, janë pjesë e të bërit marketing dhe natyrisht pjesë e të bërit biznes.