MJETET E MARKETINGUT

Blerja realizohet kur ekzistojnë: Informacioni i duhur; Pranueshmëria; Mundësia financiare; Përdorshmëria.

Mjetet e marketingut janë 4P-të e famshme: Produkt; Pagesë; Shpërndarje apo Vend; Promovim, kompozimi dhe aplikimi i të cilave është shumë i nevojshëm për organizatën. Veç këtyre ekzistojnë edhe P të tjera të cilat mund t’i shtohen 4-shes së famshme. Personeli është përshembull një P me shumë vlerë. Personeli është një fjalë shumë e vjetër për dinamikën e sotme, por vazhdon të ketë rëndësi të madhe nëse identifikohet me ‘skuadra kryengritëse’. Një P tjetër do të ishte Procesi. Procesi është përfaqësia e shumë shërbimeve të cilat i japin një vlerë të veçantë mjeteve të marketingut. Bashkëpunimi mes kompanive do të ishte një tjetër P në marketing. Klientit nuk i intereson aq shumë procesi, aq sa i duhet produkti/shërbimi specifik dhe që ngjall afeksion. Microsoft blen programe, delegon projekte dhe përgjegjësi tek të tjerët. Të njëjtën gjë bën edhe Apple. Ato krijojnë partneritet dhe interprograme pasi kanë kuptuar rezultatet e kësaj strategjie. Në fakt P-të e shqyrtuara më lart, janë në ndryshim të vazhdueshëm. Shumë P i shtohen listës tek ‘mjetet e marketingut’ dhe mjaft të tjera largohen nga lista duke i’u lënë vendin P-ve të reja. Megjithatë, 4-shja e famshme i ka rezistuar kohës. Kjo 4-she, derivatet e saj, P-të mobile dhe specifika të tjera përbëjnë atë që quhet Miksmarketingu.
Marrëdhëniet publike dhe marketingu online po fitojnë terren kohët e fundit. Investimi i kompanive tek këto element po bëhet gjithnjë e më evident. Sponsorizime, mbështetje ceremonish, krijim faqesh interneti, faqe tregtare online, janë vetëm disa derivate të tjera të miksmarketingut. Reklama në Tv është një element i miksmarketingut. Por, konsumatorët po mbajnë gjithnjë e më pak pultin e Tv-së tek dora e tyre. Takimet, konkurset sportive, eventet muzikore etj, po marrin një zhvillim domethënës. Atëherë? Reklama televizive duhet t’i lërë vendin këtyre elementëve që prodhojnë rezultate dhe janë fare më pak të kushtueshëm.
4P-të shndërrohen në 4K si më poshtë vijon: Produkti kthehet në vlerë të klientit; Pagesa kthehet në kosto të klientit; Vendi apo shpërndarja shndërrohet në komfort për klientin; Promovimi tjetërsohet në komunikim me klientin. Klienti mund të blejë kur plotësohen 4A-të e nevojshme: Informacioni i duhur; Pranueshmëria; Mundësia financiare; Përdorshmëria. Për tregun shqiptar listimi i 4A-ve do mund të ishte: Pranueshmëria në vend të parë; Përdorshmëria; Mundësia financiare; Informacioni i duhur.


Marketingu nuk është matematikë. Nuk mund të ketë receta të gatshme dhe aq më pak receta kurimi për një ecuri më të mirë të organizatës. Nuk mund të thuhet që këtë vit vlerësojmë si primare këtë grup mjetesh marketingu, ndërsa vitin pasardhës atë grup mjetesh të tjera të marketingut. Marketingu zhvillohet, maturohet dhe performon, vetëm me një qëllim: Të ekzekutohen objektivat e kompanisë dhe kjo me çdo çmim!
Oferta duhet të përmbajë karakteristika, stil dhe tipare më të mira sesa të konkurrentit. Është A-ja e paraqitjes së ofertës. Ndërkohë oferta duhet artikuluar sa më thjeshtë dhe me një gjuhë sa më të kuptueshme. Oferta duhet të përmbajnë një shkallë të lartë garancie dhe kjo s’duhet harruar. Ofertat paraqiten në mënyrë masive, të segmentuar dhe individuale. Pas çdo bisede individuale me klientët potencialë jepet një ofertë.
Shërbimi është një element themelor i miksmarketingut. Këtu e kemi fjalën për shërbimin si komplementar i absorbimit të një produkti dhe jo për shërbimin si një biznes më vete. Po japim një shembull: Ju keni investuar shumë para për jetësimin e një bar-restoranti; Keni zgjedhur një vend mjaft panoramik dhe buzë detit; Në zonë ekzistojnë shumë turistë të huaj të cilët ditët e para të pushimeve vinin shpesh tek Ju dhe më pastaj filluan të pakësoheshin; Atëherë? Një zgjidhje do të ishte shtimi i stafit, trajnimi i tij etj. Pra, klientët rrallohen, por stafi duhet zgjeruar. Duhen rritur në numër dhe cilësi, për t’ju shërbyer atyre besnikëve që mbeten stacionar, për të rikthyer ata që ishin njëherë tek lokali juaj dhe për të zgjeruar klientelën. Arsyetimi është i thjeshtë: Klientët ishin tek Ne njëherë, dy herë, tri herë, por nuk u kënaqën, sepse Ne nuk ju shërbyem siç duhet atyre. E thënë thjeshtë: Rënia e punës lidhet edhe me zvogëlimin e shërbimit dhe kjo është evidente.
Rikthehemi edhe njëherë tek ofertat në funksion të vlerës së shtuar. Kur blerësi potencial merr një ofertë dhe kjo ofertë prezantohet plot finesë, stil, garanci, plot zell dhe bindshëm, atëherë çmimi është gjëja e fundit për të cilin mendohet blerësi në fjalë. Menaxherët e marketingut, shitësit etj, identifikohen veç të tjerash edhe me vlerën e shtuar të produkteve/shërbimeve. Një vlerë e sigurtë dhe e shtuar përkthehet në: Prodhime cilësore dhe ekip i shkëlqyer!
Çmimet janë një element tjetër i qenësishëm i miksmarketingut, një element mjaft i lidhur me produktin/shërbimin, vlerën reale dhe të shtuar të tij, por edhe shumë rrethana të tjera. Sot çmimet përcaktohen me tendencë uljeje, falë edhe internetit, përhapjes së madhe të tij apo ekzistencës së mjaft faqeve tregtare online, të cilat paraqesin me mjaft elegancë një seri ofertash tunduese. Shumë konsumatorë veç të tjerash nisen edhe nga çmimi. Një grup tjetër konsumatorësh janë gati të paguajnë më shumë për produkte/shërbime më të mira. Ekzistojnë gjithashtu mjaft të tjerë të cilët kërkojnë cilësi dhe shërbim maksimal. Është detyrë themelore e departamentit, skuadrave të marketingut, të identifikojnë klientët potencialë të tyre dhe t’i arrijnë me çdo kusht ata. Veç kësaj, duhen dalluar qartazi klientët konsumator të grupit të tretë: Ata që kërkojnë cilësi dhe shërbim maksimal, sepse ata paguajnë çdo çmim të vendosur.


Shpërndarja është një tjetër P, brenda katërshes së famshme. Shpërndarësit dhe shitësit me pakicë janë ndërmjetësuesit mes prodhimit dhe konsumatorëve. Sot që tregu është i tejmbushur, shpërndarësit kanë marrë një rëndësi prioritare. Lypsen dhe duhen aplikuar politika avantazhuese për shpërndarësit dhe shitësit e pakicës. Këta shpërndarës dhe shitës, përfaqësojnë veç të tjerash edhe markën apo emrin e kompanisë në treg dhe kjo s’duhet harruar. Kompanitë shesin nga ekspozitorët e tyre, por ekzekutojnë në masë të madhe shitjet edhe nëpërmjet shpërndarësve apo shitësve të pakicës. Tregu shqiptar është i vogël; Lajmi dhe informacioni qarkullojnë shpejt; Produktet e konkurrentëve vrapojnë shpejt. Atëherë? Shpërndarësit dhe shitësit e pakicës mbeten një faktor kyç për të vazhduar përpara me produkte/shërbime të papërsëritshme.
Promovimi është një tjetër P e rëndësishme. Promovimi në terren është mjaft i vështirë. Ky lloj promovimi kërkon ekspertë të komunikimit. Të prezantosh produktet/shërbimet e tua, atje ku gjenden klientët e vërtetë dhe potencialë është një nga investimet më të mëdha të organizatës. Është mënyra më e mire për të vendosur një komunikim të sinqertë dhe real me klientin. Sponsorizimet; Reklamimi nga Tv; Vendosja e produktit/shërbimit tek një film, telenovelë etj, me shikueshmëri të lartë; Pasqyrimi i produktit/shërbimit në një roman, libër biznesi, tekst marketingu, gazetë; revistë, janë disa elementë të tjerë që lidhen me promovimin. Po kështu, promovimi në rrugë apo nënshkrimi i njerëzve të famshëm kurrsesi nuk duhet anashkaluar. Nga të gjithë elementët e mësipërm promovues më i disavantazhuari mbetet reklamimi në Tv, kjo edhe për shkak të kohës së pakët të konsumatorëve, stresit social etj. Në fakt, efekti Tv po lëviz gjithnjë e më shumë nëpër një trajektore zbritëse. Marrëdhëniet publike si një element tjetër i miksmarketingut kanë ruajtur një qëndrueshmëri të lartë në bursën e marketingut. Takimet politike; Takimet me administratorë qendrorë dhe lokalë; Aktivitetet e OJQ-ve; Takime pune me pedagogë, juristë, konstitucionalistë të dëgjuar, njerëz të artit dhe të kulturës; Takimet në ceremoni; Lajmet; Mbledhjet e komunitetit; Lobimet dhe investimet sociale, janë detaje të tjera të miksmarketingut.


Marketingu i drejtpërdrejtë është dhe do të jetë mjeti më elitar në kurorën shumëngjyrëshe të miksmarketingut. Është një aset i pazëvendësueshëm për të cilin kompanitë duhet të tregojnë mjaft kujdes. Marketingu i fjalëve rritet dhe ndryshon, duke lëvizur në koherencë me organizatën apo duke qenë një pasqyrë reale e saj. Agjencitë e reklamimit gjenden gjithashtu në vorbullën e mjeteve të marketingut. Ata komunikojnë me klientët potencialë nëpërmjet: Email-ve apo telefonit; Mesazheve të drejtpërdrejta promocionale; Reklamimit dhe konferencave të ndryshme; Aktiviteteve sponsorizuese; Letrave dhe postës fizike etj. Këto agjenci luajnë një rol këshillues për kompaninë porositëse.
Po të vendosim në hapësirë dhe kohë të gjitha mjetet e marketingut, derivatet e tyre, elementë të ndyshëm të tjerë të marketingut, idetë creative që prodhojnë rezultate, atëherë merr atë që quhet: Bota e miksmarketingut! Miksmarketingu është supermjeti që duhet të përdoret në funksion të suksesit në marketing dhe në biznes. Megjithatë, ne do të thonim: Aplikoni atë mjet, apo grupmjetesh marketingu që të dikton situata. Kur është fjala për të prekur rezultate, shpesh herë duhet ndjekur edhe intuita. Zemra dhe intuita nuk të lënë kurrë të gabosh dhe kjo s’duhet harruar!

Leave a Comment

Your email address will not be published.