KRIJONI NJË ORGANIZATË

Rezultatet janë ato që maten. Fjalët dhe teoritë e bukura, thjesht i merr era!

Mjaft menaxherë, drejtues skuadrash apo shitës, arrijnë rezultate të kufizuara në punë. Një gjë e tillë është mjaft e dëmshme për kompaninë dhe përsëritjen e sigurtë të cikleve prodhuese. Në fakt, kompanitë e suksesshme dinë të ecin vetëm përpara. Shpeshherë ndodh që edhe pse punonjësit marrin bonuse, komisione apo stimuj të ndryshëm, prapëseprapë rezultatet e tyre mbeten stacionare. Cili është problemi? Punonjësit joproduktivë mbeten një shqetësim i madh! Menaxherët harxhojnë mjaft kohë për t’i kthyer ata në produktivë. Punonjësit joproduktivë përpiqen me çdo kusht për të mbajtur vendin e tyre të punës duke u ngjitur fort pas minimumit të rezultateve të tyre. Këta punonjës problematikë paraqesin në mënyrë konstante opsione, shkaqe apo rrethana justifikuese. Ata kërkojnë nga drejtuesit e organizatës, mënyra të reja të funksionimit të punës tyre, në mënyrë që të përmirësojnë rezultatet. Në fakt, të gjitha këto, nuk janë gjë tjetër veçse artifica të dështakëve.
Organizata themelohet për të arritur rezultate të larta dhe punonjësit kanë padyshim një rol vendimtar drejt këtij qëllimi. Punonjësit kanë disa pika të forta! Drejtuesit duhet të jenë në dijeni të këtyre pikave dhe të synonjë ruajtjen apo rritjen e tyre.


Punonjësit kanë nevojë për energji dhe energjia është e lidhur në mënyrë eksplicite me rezultatet. Ata kanë nevojë të jenë të lumtur dhe të gëzuar në punën e tyre. Në këtë rrugë, punonjësit do të shërbejnë më mirë dhe do të fshijnë më shpejt mangësitë e tyre. Punonjës të mbushur me energji, të lumtur për çka ata janë duke bërë, kanë propabilitet të madh për të dhënë maksimumin e tyre, në interes të organizatës apo të ardhmes së saj! Rezultatet varen para së gjithash edhe nga shkalla e angazhimit të drejtuesit apo koha e tyre! Drejtuesit plot rezultate gjithmonë i mjafton koha e tij, ndërsa drejtuesi i dobët, përherë është i mbytur me punë. Drejtuesi i dobët nuk ka kohë të dëgjojë punonjësin e tij edhe pse ky i fundit është duke rendur pas tij. Zgjidhja e problemeve, nxit dhe zhvillon fuqinë e individit, e fokuson atë drejt suksesit, si edhe i jep mundësinë për t’u marrë me punën më të rëndësishme: Detyrat e tij!
Drejtuesit e vërtetë nuk kërkojnë miratimin e punonjësit për çdo iniciativë që ata ndërmarrin, veçse pranojnë mendimet e tij! Ata: Janë përkrahës të të gjitha skuadrave; Nuk shkaktojnë rrënim të kohezionit; Nuk krijojnë marrëdhënie që bien ndesh me moralin. Drejtuesit motivues janë shërbëtorë dhe egoistë në të njëjtën kohë! Ata janë shërbëtorë të atyre që i ndjekin pas, sepse e njohin shumë mirë tezën: Punonjësi është i pari! Ndërkohë këta drejtues janë egoistë dhe kjo për shkak të rendjes së madhe drejt planifikimit, objektivave apo vetëvlerësimit të punës. Në të dy rastet, drejtuesit motivues gjenden shumë afër profilit të një lideri, i cili në fakt: Dëgjon plot vëmendje; Zgjidh situata; Shpall objektiva ambiciozë; Motivon punonjësit; Ndjek rezultatet.


Rezultatet janë ato që maten, fjalët apo teoritë e bukura, thjesht i merr era! Çdonjëri prej nesh, duhet t’i referohet rezultateve dhe vetëm atyre. Mjekë, mësues, inxhinierë, arkitektë, marangozë, juristë, dizenjues, artistë, menaxherë apo anëtarë të çfarëdoshëm të organizatës duhet të punojnë dhe militojnë brenda saj, jo kuturu, por vetëm me objektiva të matshëm. Nuk kemi të drejtë kur citojmë: X person është i zoti, sepse komunikon mjaft mirë apo Y person i ka duart e arta në kompjuter! Jo, Ne duhet të themi: X person gjatë muajt Janar ka mbyllur tri shitje në vlerën pesëdhjetë mijë euro apo Y person instaloi për tre ditë programin porosi-shitje-blerje!
Përqendrimi në punë është një nga arsyet për rezultate të larta dhe stacionare! Përqendrimi, fokusimi dhe entuziazmi, të marrë së bashku, e ofrojnë më shumë dhe më shpejt suksesin! Drejtuesi i mirë u thotë punonjësve të tij: Deri në orën dhjetë na duhen njëqind copë detale apo kjo punë duhet sosur deri në ora dhjetë e gjysmë. Përqendrim dhe fokusim do të thotë që ju duhet të ekzekutoni dy apo tri gjëra më të rëndësishme për momentin dhe jo të hallakateni duke rendur pas njëzet apo tridhjetë të tillave. Drejto punonjësit e tu drejt gjërave më të rëndësishme! Ofroju atyre trajnim të lartë, vetëm për disa specifika substanciale! Motivo dhe nxit punonjësit e tu drejt rendimentit të lartë! Dëgjo punonjësit e tu si edhe ngjall entuziazmin e tyre! Nëse i bëni mirë të gjitha këto, atëherë Ju keni vënë tulla të forta në shtëpinë e përbashkët me emrin organizatë.
Organizata dhe rezultatet e larta nuk kanë asnjë lidhje me punonjës të frikësuar! Drejtuesi e ka për detyrë që ‘të largojë frikën’ e punonjësit për vendin e tij të punës. Mendoni një çast se çfarë mund të ndodhë me punonjësin, të cilit i thuhet: Puna është duke rënë, kështu që duhet të largoheni; Ju kam marrë gabimisht në punë etj. Atëherë? Ç’mund të ndodhë me rezultatet? Ekzistojnë punonjës, të cilët përqendrohen tek rezultatet, edhe pse drejtuesi ngjall frikë dhe pasiguri. Por ekzistojnë shumë të tjerë, të cilët kanë më tepër frikë jetën sesa vdekjen! Këta punonjës nuk duhet të nxiten kurrsesi drejt tkurrjes. Kjo do të ishte mjaft e dëmshme për organizatën. Nëse punonjësi është i mbushur me frikë, ai kurrë s’mund të jetë i motivuar.


Anëtarët e organizatës duhet të nxiten ‘për të mirëpritur’ ndryshimet pozitive brenda saj: Në plane dhe planifikim; Në koncepte dhe iniciativa; Në stilin e punës; Në mendësi dhe teknologji. Në fakt, është detyrë e drejtuesit, që të nxisë punonjësin e tij drejt vetorientimit dhe vetëmenaxhimit, drejt ndryshimit dhe novacionit. Nëse kjo ndodh, atëherë ky do të ishte raporti më i lartë në marrëdhënien drejtues-punonjës. Drejtuesit e mirë e kanë mjaft të qartë se edhe ata mund të gabojnë! Janë qenie njerëzore dhe plot emocione. Vërtet ata mund t’i përmbajnë këto emocione, por kjo është relative. Drejtuesit e mirë e kanë të qartë se demoralizimi i punonjësit është rruga më e keqe drejt suksesit. Drejtuesit e mirë rriten kohë pas kohe dhe kultivojnë artin e drejtimit. Drejtuesit e dobët qëndrojnë konstant duke mbajtur në këmbë një organizatë plot tkurrje. Drejtuesi i mirë, jo vetëm motivon dhe nxit, por është edhe mjaft i guximshëm dhe plot kredite. Ai përdor artin modern të drejtimit dhe anashkalon reminishencat e stilit ushtarak të menaxhimit.
Drejtuesi i mirë i merr gjërat ‘me lehtësi’ dhe ‘sportivitet’! Ai është i qeshur, i respektuar dhe plot ndikim. Drejtuesi i mirë punon shumë, por di të marrë frymë! Ai vendos gjithmonë afate në ekzekutimin e punëve të nisura. Në fakt, vendosja e afateve nxit veprimet e skuadrës. Afatet duhet të jenë fikse dhe mjaft të qarta! Drejtuesit e mirë dhe anëtarët e organizatës e kanë mjaft të qartë se: Rezultatet varen në mënyrë eksplicite nga klientët e tyre. Ata e dinë se: Klientët paguajnë rrogat, bonuset apo pushimet e tyre! Kjo qartësi vjen nga eksperienca, trajnimet dhe marrëdhënia drejtues-punonjës. Klientët ‘vendosin’ se, kur punonjësi, menaxheri apo drejtori duhen larguar nga puna! Ja pse organizata duhet të rend për të kënaqur kërkesat e klientelës.
Drejtuesit e lartë kanë edhe mirënjohjen për anëtarët e organizatës. Ata shprehin falendërime për punën me rendiment, sikurse bëjnë falënderime edhe për klientët besnikë të kompanisë. Kultura e mirënjohjes është një tjetër element motivues dhe nxitës! Menaxherët në organizatë ndahen në dy grupe: Menaxherë, të cilët punojnë me fokus kryesor objektivat; Menaxherë, të cilët udhëhiqen nga ndjenjat, nervat, shqetësimet apo gëzimet e çastit. Menaxherët: Kryejnë telefonata me klientët e tyre; Shkruajnë letra falënderimi; Organizojnë takime; Ndjekin planet dhe ekzekutimin e tyre; Mbyllin marrëveshje në interes të kompanisë së tyre. Drejtuesi ekselent e shikon prezencën e tij brenda organizatës në disa plane: Profesional; Njerëzor; Gatishmërisë për të ndihmuar etj. Rritja e bashkëpunimit drejtues-anëtar i organizatës, mbetet një sfidë e vërtetë për shumë biznese, edhe sot e gjithë ditën. Drejtuesi ekselent jo vetëm motivon, por është edhe pjesë e shqetësimit personal, social dhe familjar të punonjësit të tij duke asistuar dhe ndihmuar në këtë drejtim.
Drejtuesit janë njerëz! Arti i drejtimit, motivimi i skuadrave, përqendrimi i lartë, këmbëngulja për rezultate etj, sjellin një lodhje të tyre. Lodhja është një armik i motivimit, duke qëndruar një hap përpara tij. Lodhja po kështu, mund të shkaktojë konflikte, stress, problematika të tjera, të cilat mund të dëmtojnë në një shkallë të madhe organizatën. Ja pse këshillohet një pushim për një kohë të caktuar, është mirë për të gjithë! Drejtuesit me vizion e kanë optimizmin pjesë të veprimtarisë tyre. Energjia e tyre interferon tek anët pozitive dhe i drejtojnë punonjësit në këtë rrugë. Drejtuesit me vizion ngjallin shpresë, optimizëm dhe fokusim. Ata e dinë se: Çfarë do mbjellësh, do mund të korrësh!
Krijoni një Organizatë! Shpërbleji punonjësit e tu duke iu referuar rezultateve! Shpërbleji ata në çastin e duhur! Falenderoji me një kartolinë! Ngjall optimizëm dhe besim! Motivo dhe nxit skuadrat! Largoju frikën punonjësve të tu! Sillu si një drejtues modern dhe largpamës! Qëndro afër shqetësimeve të çdo anëtari të organizatës! Menaxho dhe përmirëso marrëveshjet brenda organizatës! Dëgjo me vëmendje dhe bëju problemzgjidhës! Nxiti punonjësit e tu drejt fokusimit, rendimentit të lartë dhe kjo në përputhje me dëshirën e tyre për sukses! Shmang egoizmin, fodullëkun dhe veset që bien ndesh me moralin! Nxit trajnimin dhe vetëtrajnimin! Bëj të mundur që çdonjëri prej tyre të ndihet ‘si një anëtar real i organizatës që Ju po jetësoni’!

Leave a Comment

Your email address will not be published.