KONCEPTI I SUKSESIT

Është e pamundur t’i orientosh të tjerët drejt suksesit, nëse nuk e ke bërë këtë më parë me veten tënde.

Të qeshësh shpesh dhe fort, të fitosh respektin e njerëzve inteligjentë dhe
dashurinë e fëmijëve, ta shndërrosh botën në një vend më të mirë, të dish se, të paktën, një njeri ka marrë frymë më lehtë sepse ti ke jetuar. Ja ç’do të thotë të kesh sukses!
Detyra e parë si menaxher është organizimi i pjesës së brendshme të jetës. Është e pamundur t’i orientosh të tjerët drejt suksesit, nëse nuk e ke bërë këtë më parë me veten tënde. Menaxhimi zë fill në mendjen e mësuesit në shtëpi.
Pra, si mund të jemi të sigurtë se do të bëhemi të suksesshëm? Shumica e njerëzve nuk kanë asnjëherë sukses, sepse përcaktimi i tyre mbi suksesin përfshin gjithmonë ndonjë ndryshim në botën e jashtme. Dhe bota e jashtme është shumë e vështirë të ndryshohet. Mund të fillosh duke riformuluar konceptin që ke për suksesin, dhe mund të zbulosh se ky përcaktim ka qenë gjithnjë brenda teje, jo në ndonjë libër apo kasetë.
Ndonjëherë lexon apo dëgjon diçka që duket e thellë. Duket sikur ajo do të sjellë ndonjë ndryshim dhe do ta çojë në një drejtim tjetër vetëdijen që ke për mënyrën se si funksionon jeta. Por ti, gjithashtu, ke një mendim argëtues për të. Mendon: ‘Unë e di këtë.’
Nëse je duke lexuar një libër dhe një paragraf i tij tingëllon i vërtetë, do të ishte mirë ta nënvizoje dhe ta lexoje përsëri. Ja ku del përsëri ajo ndjenja e familjaritetit: ‘Unë këtë gjë e dija.’


Kjo shenjë tregon se ky qëllim ka qenë gjithmonë brenda teje! Nuk është e nevojshme ta kërkosh tjetërkund. Nëse brenda teje nuk do të ekzistonte vetëdija mbi qëllimin që ke, si do të mund të kuptoje se ato fjalë të përshtateshin? Nëse nuk do të zotëroje dije të lindura dhe natyrale mbi mundësitë e tua, si do të mund të ndikoheshe nga ato fjalë?
Kur një grup njerëzish lexon të njëjtën pjesë, gjithsecili e komenton ndryshe. Te grupet e leximit shfaqet shpesh ky fenomen. Njerëzit mendojnë se kjo ndodh për shkak të ndryshimit të shijeve, parapëlqimeve etj, dhe nuk shkojnë përtej kësaj.
Ata nuk e kuptojnë se nga libri i tërheq diçka që tingëllon si një pjesë që ndodhet brenda tyre. Është energjia, shpirti dhe forca që po u thotë: Ajo që sapo lexove është në një vijë me atë që je ti!
Pasi ta zgjosh këtë ngjasim të brendshëm, do të kuptosh cilat gjëra kanë kuptim për ty dhe si mund t’i përdorësh ato për të përmirësuar jetën.
Ky bashkërendim dhe kjo intuitë e brendshme qëndron në zemrën e menaxherit. Nuk ke pse të ndryshosh botën për të manipuluar apo formuar diçka të përsosur, që tashmë ndodhet brenda teje. Madje, nëse tregohesh i hapur, mund të ecësh edhe një hap përpara.
Ti mendon: ‘Nëse mund ta dalloj atë duke lexuar një libër, atëherë nuk po e mësoj nga libri, ai thjesht po më rikujton. Dhe nëse po kujtohem për të, atëherë duhet të ekzistojë tashmë diku brenda meje.’ Pra, nëse ajo ekziston që më parë, a s’mund ta nxirrje në pah edhe pa lexuar apo pa ushtrime të jashtme? Ky është çelësi: Gjej mënyrën për të nxjerrë në pah natyrshëm atë që ndodhet brenda teje.
Në vend që të vraposh sa andej-këndej duke mësuar çdo sistem të ri menaxhues, procedurë dhe formulë, thjesht njih veten dhe atë që po menaxhon. Atëherë do të mësosh se si të heqësh dorë nga idetë e vjetra. Do të gjesh atë që ka qenë aty që më parë, në vend që të kërkosh atë që të duket se mungon. Napoleon Hill ka thënë: ‘Mendo dhe pasurohu.’ Kurse ne themi: ‘Shmang mendimet dhe pasurohu.’
Kur menaxhon veten dhe dikë tjetër, pengesa e vetme janë mendimet. Nëse mendon negativisht, duke përjashtuar çfarë mendon për veten apo personin tjetër, atëherë këto mendime janë rruga drejt suksesit. Radikale? Kontradiktore? Fillojmë këtu. Mendo për mënyrën se si e përdor mendjen tënde. Pse shumica e ideve, frymëzimeve, koncepteve dhe zgjidhjeve të vijnë në mendje kur je duke kënduar në dush? Apo kur je duke u çlodhur në qetësi? Apo kur i jep makinës pa menduar për asgjë të veçantë? Shumë anketime dhe pothuajse të gjithë pyetësorët zbavitës tregojnë se idetë më të mira menaxherët i mendojnë kur bëjnë dush, kur bëjnë punë të lehta në kopsht, apo kur janë me pushime. Pse ndodh kjo? Sepse keni ndaluar së kontrolluari mendimet dhe keni lejuar mençurinë tuaj që ajo të dalë në sipërfaqe. Gjithmonë kështu do të ndodhë.


Në nivelin mendor, kjo ngjan me ndryshimin mes të folurit dhe të dëgjuarit Njerëzit për vite me radhë janë shprehur se: ‘Kur dëgjon, mëson më shumë se sa kur flet.’ Por njerëzit kanë hamendësuar gjithmonë se, të dëgjosh do të thotë vetëm të dëgjosh palën tjetër. Ky është një interpretim shumë i cekët i të dëgjuarit. Menaxhimi fillon duke dëgjuar se si të bashkërendoni zemrën dhe mendjen. Dhe nëse mëson të dëgjosh atë që ndodhet brenda teje, do të mësosh më shumë sesa kur përpiqesh gjithmonë t’i thuash vetes se si duhet të jenë gjërat.
Shumica e mendimeve krijon frikë. A nuk e vë re këtë? Sidomos atëherë kur beson pa bërë pyetje. Mendimet përqendrohen te mbijetesa si menaxher; pra, janë mendime shqetësuese, që skanojnë të ardhmen për të gjetur probleme apo katastrofa të mundshme. Ti kështu, kthehesh në një skaner njerëzor. Kjo sjellje çon drejt mikromenaxhimit, çon drejt përpjekjeve për të manipuluar punonjësit në botën e jashtme, çon, gjithashtu, drejt një jete që zhvillohet në të ardhmen tënde, pra, drejt një jete plot me ankthe dhe shqetësime.
Ai që ke përballë ndien se ti nuk je aty. Këtë e ndien edhe ti. Ky është përcaktimi më i saktë për stresin. Është burimi më i madh i lodhjes dhe shterimit në vendin e punës.
Duke u përpjekur t’i largohet gjithë këtij ankthi, mikromenaxheri zhytet tek e shkuara. Por a sjell kjo ndonjë të mirë? Kur jeton me të shkuarën, ti kalon pjesën më të madhe të kohës duke zbuluar veprimet që të bëjnë të ndihesh fajtor. Merr kthesë drejt së ardhmes dhe kthehesh sërish te diçka që të frikëson. Si mund të drejtosh dikë nëse vazhdon këtë vajtje-ardhje mes këtyre dy poleve? Si mund të jesh i dobishëm për detyrën e radhës dhe për personin që kë përballë teje?
Që të drejtosh vërtet dikë, duhet të ndihesh në paqe. Nëse nuk ndihesh në paqe, i ngjit palës tjetër stresin tënd. Pra, gjej atë vend të paqtë brenda teje që të tregon se çfarë është me të vërtetë suksesi. Vetëm pas kësaj nisu dhe jep mësime mbi këtë efektivitet dhe këtë krijimtari kaq paqësore. Pikërisht këtu qëndron bukuria e menaxhimit.


Pas leximit të këtyre rreshtave dhe njohurive të marra rreth kësaj teme që trajtuam në këtë shkrim, atëherë tre janë veprimet që duhen ndërmarrë dhe të cilat po i listojmë më poshtë.
Bëj një listë të qëllimeve në botën e jashtme dhe atyre materiale që ke në jetë. Më pas pyete veten për çdo objekt (një makinë, një barkë, një shtëpi pushimi): Pse e do këtë? Si do të ndiheshe po ta kishe? Shkruaje këtë ndjesi në formën e qëllimit të vërtetë, duke qenë i hapur ndaj mundësisë se ajo mund të arrihet pa e zotëruar ose përpara se të zotërosh qëllimin material.
Shkruaj përkufizimin tënd financiar të suksesit. Përshkruaje me një shifër. Çfarë do të thotë për ty sukses nga ana financiare? Më pas pyete veten pse i do ato para. Për çfarë arsye? Cila është ndjesia që nuk e ke dhe e kërkon? Ndjenja e sigurisë? Ndjenja e fuqisë dhe lirisë? Pasi ta kesh shkruar, ji i hapur ndaj mundësisë se mund ta kesh këtë ndjenjë të brendshme pa e marrë ose përpara se të marrësh atë shumë parash. Pas kësaj ji i hapur ndaj mundësisë që mirëqenia mund të vijë edhe më shpejt, kur ti ndihesh në paqe, i sigurt, i fuqishëm dhe i lirë.
Shkruaj qëllimet e tua mbi dashurinë dhe familjen. Pse dëshiron t’i arrish këto qëllime? Sa pjesë e asaj që ke shkruar varet nga mënyra se si veprojnë të tjerët? Pas kësaj shkruaj edhe njëherë këto qëllime, duke u përqendruar vetëm tek ajo që do t’u japësh të tjerëve pa marrë parasysh sjelljen, besnikërinë apo vlerësimin e tyre kundrejt teje.
Krijo qëllime që janë brenda teje dhe brenda mundësive që ti ke sot, pikërisht sot, dhe jo në një kohë të ardhme pasi bota të jetë rregulluar. Kjo është një nga piketat më të rëndësishme në rrugën e gjatë drejt suksesit. Ne shpesh themi: ‘E ardhmja nuk ekziston.’ E kemi fjalën pikërisht për tematikën e këtij shkrimi dhe për fundin e tij, për krijimin e qëllimeve të afërta, për krijimin e qëllimeve brenda mundësive tona dhe për krijimin e tyre tani, dhe jo më vonë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.