MERR PËRGJEGJËSI

Veçoria më e rëndësishme e lidershipit është gadishmëria për të marrë vendime dhe për të pranuar përgjegjësinë për to.

Pra, ti mendon se ke ngecur në vend. Ka kaluar shumë kohë që kur ke marrë një rritje rroge ose një ngritje në detyrë. Ç’mund të bësh për ta kapërcyer këtë situatë? Si fillim, le ta shohim nga këndvështrimi i pronarit.
Natyra njerëzore nuk ndryshon, nëse një person është punëtor apo punëdhënës. Të njëjtat gjëra që të motivojnë ty, motivojnë edhe pronarët. Ata duan të kenë sukses, të zgjerojnë biznesin dhe të rrisin të ardhurat e tyre. Po të mos qe kështu, ata do të ishin duke luajtur golf, në vend që të rrezikonin kapitalin dhe të shpenzonin energjitë ulur në tavolinë.
Punëdhënësi yt do të të ngrejë në detyrë dhe do të bëjë rritje rroge, vetëm nëse puna që ti bën do t’i vlejë atij. Nëse ti e ndihmon punëdhënësin tënd për të arritur synimet e veta, ai do të jetë i gatshëm të të ndihmojë edhe ty të arrish të tuat. Në rast se ai nuk e bën, atëherë nuk është personi i duhur për të cilin duhet të punosh.
Mënyra më e sigurtë drejt suksesit është të punosh më shumë e më mirë nga ç’pritej prej teje. Nëse ti mezi përfundon punën tënde ditore, nëse bën vetëm aq sa të kërkohet dhe nuk tregon interes në mbarëvajtjen e biznesit, atëherë nuk ke të drejtë të presësh përparim në veten tënde.
Ndoshta, është koha ta shkundësh veten nga gjumi letargjik dhe të zhvillosh një fushatë të caktuar që të dalësh nga kjo ngecje. Fillo me filozofinë se pronari nuk do të ngrejë në detyrë, por do ta bësh ti këtë.


Fillo të shfrytëzosh çdo mundësi që të tregosh aftësinë tënde për të mbajtur një pozicion më të lartë. Në vend që t’i shmangesh përgjegjësisë, bëj ç’të mundesh për ta kërkuar atë. Kur të tjerët e heqin përgjegjësinë nga vetja, bëhu ti ai që merr vendime.
Veçoria më e rëndësishme e lidershipit është gatishmëria për të marrë vendime dhe për të pranuar përgjegjësinë për to. Kjo është mjaft e rëndësishme, nëse kërkon vërtet të marrësh një ngritje në detyrë.
Vendos për punën që do dhe stërvitu për të. Përfito nga programet trajnuese të kompanisë tënde ose merr pjesë në kurse për edukimin e të rriturve, që mund të ofrohen nga shkolla ose universiteti i zonës tënde. Ose thuaj hapur punëdhënësit tuaj se ke dëshirë të mësosh se si ta plotësosh atë vend pune dhe se do ta vlerësoje mjaft ndihmën e tij.
Mbi të gjitha, mbaj gjithnjë në mendje këndvështrimin e pronarit tënd. Ki parasysh që nëse je i suksesshëm në përpjekjen tënde, ndoshta një ditë do të bëhesh vetë pronar. Interesohu për kompaninë njësoj si pronari yt. Mundohu ta shohësh kompaninë, fabrikën, zyrën ose dyqanin ku ti je pjesë me sytë e pronarit tënd. Mundohu të jesh në krye të punës tënde, është apo nuk është pronari yt në ambientet e punës. Mundohu të prodhosh rezultate konkrete dhe të matshme dhe kjo kohë pas kohe, në dinamikë.
Duke e përvetësuar këtë sjellje, duke e praktikuar atë, ti do ta kushtëzosh mendjen tënde drejt perspektivës së një drejtuesi. Shpejt do ta shohësh veten duke menduar për shtimin e prodhimit, për uljen e kostove, për rritjen e shitjeve dhe për fitime të mëdha. Do të shohësh se mendja jote zien nga idetë për t’i arritur këto synime.
Jepi liri entuziazmit dhe imagjinatës tënde! Është njëra nga aksiomat më të rëndësishme në rrugën drejt suksesit. Mos ki frikë nga një ide, nëse ajo është e re, guximtare dhe revolucionare. Dhe mos i lër njerëzit që mendojnë negativisht të të frenojnë me argumentin: ‘Asnjë nuk e ka provuar më parë diçka të tillë’. Kjo është një arsye më shumë për ta bërë.
Fillo me punën që ke. Si mund të kryhet ajo më shpejt, më mirë, më lirë dhe më me efektivitet? Ç’mund të bëjë unë për një rezultat dhe një performancë ndryshe. Cilat operacione mund të eleminohen ose të bashkohen? Çfarë ndryshimesh mund të bëhen në një produkt më të mirë me më pak kosto?
E zëmë se të duhet të instalosh makineri dhe aksesorë për një fabrikë të re, dhe ndërkohë që je një punonjës plot aspirata, por nuk ju është premtuar as ngritje në detyrë dhe as rritje page. Mëso me shpejtësi për projektin, trajnohu shpejt dhe trajno më pas edhe skuadrën tënde. Ky është thelbi i lidershipit. Ekzekuto instalimin e të gjithë makinerive të fabrikës në kohë dhe në cilësi. Është pothuajse e sigurtë që do të merrni një ngritje në detyrë.


Ditët e sotme pothuajse çdo kompani ka një sistem këshillimi për të përfituar nga fuqia e mendjes së ofruar nga punonjësit e tij. Nëpërmjet këtij sistemi ti mund t’ia prezantosh idetë e tua drejtuesit tënd. Nëse firmës apo biznesit tënd i mungon ky sistem, një shënim i thjeshtë për drejtorin mund të bëjë punë.
Sidoqoftë, mos harro që përpjekjet e tua për një ngritje në detyrë duhet të jenë të sinqerta. Sinqeriteti është një nga cilësitë themelore të njerëzve të suksesit dhe kjo s’duhet harruar. Asnjë nuk është më hipokrit se lajkatarët dhe njerëzit që thonë vetëm ‘po’. Mund të testosh vetëm mbi këtë pikë. Nëse ti vërtet po përpiqesh të ndihmosh kompaninë, do të provosh një ndjesi vetëpërmbushëse, pavarësisht nëse merr menjëherë apo jo merita nga punëdhënësi yt.
Ju përpiqeni fuqishëm për t’u ngritur në detyrë. Shumë mirë bëni. Por mos harro, që kjo rrugë do të jetë më e hapur nëse ndihmoni edhe shokët e skuadrës. Pronari yt do ta vlerësojë mjaft këtë gjë. Një nga mënyrat më të sigurta për të arritur suksesin tënd është të ndihmosh të tjerët. Pronarët vlerësojnë gjithmonë aftësinë e çdokujt për të udhëhequr dhe ndihmuar skuadrën drejt suksesit të përbashkët. Jo të gjithë e kanë këtë aftësi, ata që e kanë atë, kane propabilitetin më të lartë për t’u ngritur në detyrë.
Konsulencemarketing ka një përvojë të gjatë sa i takon hierarkisë së detyrave brenda skuadrës apo skuadrave. Nëse bëhet fjalë për drejtim atëherë duhet patjetër: Të keni aftësi menaxhuese; Të shfaqni lidership; Të prodhoni ide të zbatueshme për organizatën me kusht që këto ide, të prodhojnë mirëqenie për të gjithë anëtarët e saj. Mund të bëni shumë mirë punën tënde, mund të jeni i pari brenda skuadrës sa i takon funksioneve të tua brenda saj, por sërish, mund të mos merrni ngritje në detyrë. Duhet të jeni patjetër edhe një mjeshtër i motivimit të ‘të tjerëve’ dhe duhet të jepni gjithnjë më shumë se sa merrni. Partneriteti ynë me qindra e qindra kompani shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, na ka mësuar se evoluimi juaj drejt marrjes së një detyre më të rëndësishme duhet të vijë me patjetër nga rezultatet e tua dhe asnjëherë nga artifica dhe rrugë të tjera jo të rregullta. Bashkëpunojmë (në të shumtën e rasteve) me menaxherë që e kanë nisur nga ‘zero’ dhe sot janë në majat e bizneseve, sikurse edhe me të tjerë (në disa raste) të cilët kanë marrë një ngritje në detyrë, krejtësisht të pamerituar. Së fundmi, duhet shtuar se sektori privat është gjithnjë në avangard krahasuar me atë publik sa i takon ‘ngritjes në detyrë’ të punonjësve, në fakt, nuk ka të krahasuar.

Bashkëpunimi me të tjerët është themelor. ‘Nëse ti mund të bindësh të tjerët të bashkëpunojnë me ty në frymë miqësore, mund të arrish çfarë të duash me pak ose aspak rezistencë’. Kjo është një thënie shumë e guximshme, por e vërtetë. Kur hyn në zemrën e një kompanie të madhe e të suksesshme, zbulon se çdo rrahje e zemrës së drejtuesve të tyre është puna në skuadër. Kuptimi i fragmentit të Biblës: ‘Çfarë mbjell, do të korrësh’, bëhet shumë i qartë edhe në këtë rast. Pasi është e vërtetë se çfarëdolloj gjëje që bën për dikë ose i bën dikujt, e bën për vete ose ia bën vetes. Puno mirë me skuadrën tënde dhe ajo do të të çojë drejt suksesit. Bëje mirë punën tënde, bëje mirë angazhimin tënd për skuadrën dhe me siguri ndonjë ditë në një nga dyert e administratës do mund të gjesh të skalitur emrin tënd, si menaxher apo drejtues i një rangu të caktuar.
Idetë vazhdojnë të mbeten prioritare. Sigurohu që idetë e tua të jenë pozitive. Nuk mund të arrish suksesin duke ulur të tjerët. Nëse idetë e tua përmbajnë ankesa ose kritika ndaj bashkëpunëtorëve të tu, atëherë harroje. Idetë e tua duhet me patjetër të krijojnë vende të reja pune dhe të ardhura të larta për të gjithë. Nëse ato sjellin përçarje dhe rrëmujë, ato thjesht nuk vlejnë, paçka se mund të duken në pamje të parë shumë frytdhënëse.
Gjithashtu, mos harro se asnjë ide nuk ia vlen të tregohet pa bërë një plan veprimi. Nëse një ide e caktuar të duket me vlerë, bëj diçka për të dhe bëje menjëherë. Përpiqu ta bësh vete, nëse ta lejon pozicioni i punës, ose lërja atij që mund ta bëjë. Por mos e lër të mbetet pa u provuar.
Pa veprim nuk lind kurrë një ide. Dhe asgjë nuk është më tragjike se lindja e vdekur e një ideje të mirë. Kjo është themelore dhe nuk duhet harruar. Si mund të lind një ide, ndërsa akoma nuk ke mësuar si funksionon një punë e caktuar, cilat janë problemet e hasura, si mund të shmangen ato. Ju nuk mund t’i prodhoni ato nëse nuk keni ‘prekur’ në mënyrë kapilare të gjitha detajet e kompanisë tënde ose skuadrës ‘pjesë’ e së cilës jeni prej shumë kohësh. Nëse nuk e bëni këtë, mos prisni as edhe një ngritje në detyrë.