SUKSESI JANË REZULTATET

Që të jeni i suksesshëm në biznes, duhet të prodhoni një produkt apo shërbim të mirë.

Duhet ta realizojmë këtë punë, në mënyrë që ajo të nxjerrë para që sot, u shpreh Xhudita, e cila punonte si një shefe skuadre. Nuk mund të presim deri nesër, shtoi ajo. E pyeta: Pse e ke kaq të vështirë të veprosh si duhet, për të ndërtuar një kompani më të mirë në kohë? Detyra ime është ta bëjë këtë tani, këmbënguli menaxherja. Kam investitorë, kam njerëz që më vëzhgojnë. Dhe tani duhet të merrem edhe me klientët e inatosur.
Pse të mos bashkëpunosh me këta klientë dhe t’u japësh atë që kërkojnë? Ata duan të dëmshpërblehen! Pse të mos i dëmshpërblesh ata? Nuk mund t’i ndihmoj klientët duke i dëmshpërblyer për diçka që s’duhen dëmshpërblyer, pasi kjo do të ndikonte mbi fitimet e mia të javës.
Kështu, i tregova Xhuditës se kompani të suksesshme ishin të tilla sepse ishin përqendruar në industrinë e shitjeve me pakicë, duke qëndruar në të për një kohë të gjatë. Ata duan të krijojnë një reputacion të mirë. Ata shesin produkte cilësore dhe duan t’i mbrojnë gjithmonë ato. E nëse dikush kthen ndonjë produkt, ata e dëmshpërblejnë.
Që të jem i suksesshëm në biznes, duhet të prodhojë një produkt apo shërbim të mirë. Gjithashtu dua që në organizatën time të krijojë përkushtimin e nevojshëm për të pasur një nivel të lartë në shërbimin e klientit dhe kënaqësinë konsumatore. Dhe që këto rezultate të arrihen, e di se duhet të shoh brenda organizatës. Në fillim duhet të studioj sistemin e brendshëm.
Nëse duam gjithashtu një program të mirë shitjesh dhe marketingu, do të na duhen njerëz të aftë që të zbatojnë planin tonë. Tashmë e dimë se, nëse veprojmë kështu, rezultatet do të vijnë vetvetiu. Një sinkronizim i mirë i brendshëm bën të mundur suksesin e jashtëm.


Këto përqasje mund të duken shumë natyrale, por shumica e kompanive nuk vepron në këtë mënyrë (ndoshta, ja pse katër në pesë kompani dështojnë pa arritur vitin e pestë).
Fitimi i çdokujt prej atyre që kam vëzhguar nga afër është ulur vit pas viti, pasi ata përqendroheshin vetëm te rezultati përfundimtar. Në këtë mënyrë, ata e gjetën veten në një treg ku gjithnjë e më shumë ofronin një produkt mesatar dhe një përgjegjësi jo të lartë për komunitetin dhe mjedisin. Por klientët nuk duan të paguajnë më shumë për diçka mesatare. Në këtë mënyrë, këto kompani përfunduan duke mos fituar shumë. Shpejt filluan të prodhonin volume të mëdha, duke u përpjekur të mbulonin produktet e tyre mediokre. Mirëpo volumi ndikoi negativisht te cilësia, ndaj spiralja shkoi teposhtë dhe shumë shpejt ata e gjetën veten përsëri në telashe. Kjo është tragjedia e përqendrimit te bota e jashtme.
Dëshira është pikënisja e çdo arritjeje, rrahja e fortë e një dëshire nga e cila buron gjithçka dhe jo shpresa, jo lutja etj. Në librin e tij ‘Good to great’ (’Nga mirë në shkëlqyer’), Xhim Kofins krahason kompani që kanë shkëlqyer për periudha të gjata me kompani që kanë pasur ulje-ngritje. Në perspektivë kompanitë e shkëlqyera kanë rezultate shumë herë më të larta, sesa kompanitë që kanë ecur me hope. Kompanitë që u morën në shqyrtim operonin në treg prej më shumë se 50 vjetësh. Ndryshimi thelbësor mes këtyre dy lloje kompanish ishte se, ato që kishin ulje-ngritje u përkushtoheshin vetëm rezultateve. Ndërsa kompanitë që rriteshin vazhdimisht dhe kishin ecuri të shkëlqyer në kohë, i përkushtoheshin synimit për të qenë kompani të shkëlqyera , për t’u kujdesur për klientët, për të ofruar produkte cilësore dhe shërbime shumë të mira. Dhe në perspektivë kjo i shpërbleu shumëfish. Ata përsosën procesin e brendshëm, kurse ai i jashtmi u kujdes për vetveten.
Ky koncept ka të bëjë edhe me jetën tonë private si menaxherë. Nuk na nevojitet një objektiv për madhësinë e shtëpisë që duam të blejmë. Nuk na nevojitet një objektiv për sasinë e parave që duam të fitojmë. Nëse i duam vërtet këto gjëra, atëherë na duhet vetëm një objektiv për cilësinë e punës që duhet të kryejmë pikërisht në këtë çast të jetës sonë.
Nëse kujdesemi për botën e brendshme, mund t’i lejojmë rezultatet të dalin në botën e jashtme. Dhe kjo është shumë më pak stresuese. Nuk është e nevojshme të zhgënjehesh kur vë re se rezultatet e një muaji nuk janë të mira. Kjo ndodh. Nuk ka asgjë që nuk shkon. Por nëse cilësia e punës tënde vazhdon të rritet, në të ardhmen do të marrësh rezultate gjithnjë e më të mira. Nuk ka rrugë tjetër. Universi nuk i bën dot qëndresë kësaj. Nuk mund të veprojë ndryshe përveçse ta shpërblejë atë.
Një miku im bankier njëherë tha se bankat nuk duhet të tregonin qëndresë ndaj normave të larta të interesit dhe rënieve ekonomike, sepse kjo u jep mundësinë të kursejnë dhe t’i trajnojnë përsëri punonjësit, të ndërtojnë degë të reja dhe të rritin kapitalin e tyre njerëzor. Ato duhet të ecin në një drejtim me realitetin e jo ta kundërshtojnë atë. Më pas, kur tregu të rritet përsëri, ato do të kenë një pozicion që do t’i lejojë të përfitojnë maksimalisht nga kjo mundësi.


Imagjino një jetë ku ti merr por nuk nxjerr frymë. Imagjino një jetë ku ti je zgjuar gjatë gjithë kohës dhe nuk fle apo pushon për asnjë çast. Një jetë e tillë nuk do të funksiononte nga ana fizike. Ti ke nevojë për minuset dhe pluset, ngritjet dhe uljet e tua. Ato janë pjesë e vallëzimit të jetës. Kohët me moral të ulët dhe ato me moral të lartë janë njësoj të mira.
Ka periudha ku ti rri gjithë kohës jashtë për të mbështetur aktivitetin. Ka edhe periudha më të ngadalta. Njëra periudhë ndihmon tjetrën. Është ritmi i jetës. Por njerëzit duan t’i quajnë kohët me moral të ulët të këqija, dhe kohët me moral të lartë të mira. Ja pse ata e humbin ritmin dhe krijojnë stres dhe dështime profesionale. Në vend që të qetësohen, gjatë kohëve me moral të ulët ata stresohen, dhe një njeri i stresuar asnjëherë nuk paraqet një ecuri të mirë.
Të gjithë e dimë se ti je më produktiv gjatë ditës, nëse ke pushuar gjatë natës. Të gjithë e dimë se kur bën disa ushtrime dhe ushqehesh mirë, atëherë ka mundësi që të kesh një ecuri më të mirë, sepse ndihesh më mirë.
Për këtë po flasim. Të lejosh suksesin do të thotë thjesht të jesh një njeri që ndihet mirë! Bëj pushim! Përqendrohu te faktorë të brendshëm që sjellin rezultate, dhe më pas prit që rezultatet të burojnë natyrshëm. Flaki rezultatet që parashikojnë dhe prit që gjërat të shfaqen vetë. Çdo sjellje e qetë dhe e dashur me të tjerët, do të forcojë lidhjen me ta. Ky proces të ndihmon të shohësh dhe të kuptosh lidhjen e brendshme që kanë gjërat. Të shohësh se di diçka lidhet me gjithë gjërat e tjera. Duejni ka thënë: Shitja e një shtëpie ndikon jo vetëm te personi që e blen atë, por edhe te familja e tij, njerëzit që do të shkojnë aty për vizitë dhe pronarët pasardhës të asaj shtëpie. Ndikon te njerëzit që ke punësuar për ta ndërtuar atë, nënkontraktuesit dhe punonjësit e tyre, qytetin që të mundëson planin e ndërtimit dhe procesin e inspektimit, si dhe kompanitë e shërbimeve publike që sjellin aty elektricitetin, telefonin, televizionin kabllor. Një transaksion i vetëm e shumë i thjeshtë prek gjithë këta njerëz, është e mahnitshme.
Kur ky proces i suksesshëm aplikohet në një organizatë dhe është shumë e volitshme të mënjanohen të gjitha format e konkurrencës së brendshme. Nuk ndodhesh në organizatë që të bësh një punë më të mirë se sa djali që ndodhet dy dyer më tutje. Ti je në organizatë që të punosh me djalin që ndodhet dy dyer më tutje. Dikur, dikush e pyeti Duejnin: Ke qenë mjaft i suksesshëm në punë në këtë organizatë. Si ia dole? Ai tha: Ishte shumë e lehtë. Konsiderova si konkurrentë kompanitë e përfshira në industrinë tonë, e jo njerëzit që ndodheshin në organizatën time.


Shumica e punonjësve kanë një ndjenjë të brendshme konkurrence. Ata përqendrohen te njerëzit që marrin shumë lavdërime nga eprori. Ata shqetësohen shumë kur dikujt i jepet një rritje rroge, që ata vetë s’e kanë marrë. Ata duan të gjejnë kush ka marrë më shumë pushime se ata. Kush iku më shpejt për të ngrënë drekë. Por, për të qenë të suksesshëm, ata duhet të përqendroheshin vetëm në një gjë: Çfarë mund të bëj, që të jemi një kompani e mirë? Në këtë mënyrë ata do të ishin të parët që do të merrnin rritje rroge dhe që do të promovoheshin.
Që t’ia dalësh duhet të përqendrohesh vetëm te një pyetje: Çfarë mund të jap? Kupto se ky nuk është konkurrim, është bashkëpunim. Ti ecën më shumë kur punon me njerëzit e tu. Kështu ti nderon imagjinatën e tyre dhe tënden. Kështu krijohen rezultatet, më shumë se kurrë në këtë shoqëri të re globale! ‘Dielli i informacionit po perëndon’, shkruan Roelf Jensen në librin ‘Shoqëria e ëndrrave’. Si do të ndryshojë biznesi yt pas kalimit nga informacioni tek imagjinata?
Kemi jetuar si gjuetarë dhe si fermerë, si marangozë dhe shitës, si banakierë dhe inxhinierë, si civilë dhe ushtarakë, si punonjës dhe menaxherë. Kemi punuar në fabrika dhe tani jetojmë në një shoqëri që bazohet tek informacioni dhe që ka për ikonë kompjuterin. Qëndrojmë përballë llojit të pestë të shoqërisë: Shoqërisë së ëndrrave! Tani është koha tu shtojmë vlerë emocionale produkteve dhe shërbimeve tona.
Dhe një menaxher është njeriu më i përshtatshëm për t’i drejtuar punonjësit në kthesën e ardhshme drejt imagjinatës.