IDE TË GABUARA

Ne do punojmë dhe do të shesim, pasi klientët na mbajnë mend! Është një ide e gabuar në biznes.

Shumë teori dhe parashikime në biznes përfundojnë të gabuara, akoma pa nisur zbatimi i tyre. Kjo ndodh, pasi teoritë dhe parashikimet i bëjnë njerëzit dhe njerëzit në përgjithësi, parashikojnë vetëm një variant të ardhmërisë së tyre ose biznesit ku janë pjesë. Paralajmërimet mbi rreziqet e duhanit, propaganda kundër tij apo antireklama e parashikuar edhe në ligjin përkatës nuk i dhanë aspak fund pirjes së tij. Teoria se, pirja e duhanit do mund të zvogëlohej shpejt, pikërisht për shkak të kësaj fushate agresive, rezultoi e gabuar, madje shumë e gabuar. Tani edhe femrat po konsumojnë gjithnjë e më shumë cigare. Dalja në skenë e radios dhe televizionit do të kufizonte shitjen e librit! Të paktën, kështu mendohej nga të gjithë, mirëpo sot, radio dhe televizioni ndihmojnë në dinamikë shitjen e librit dhe promovimin e tij. Spotet publicitare dhe dalja e autorëve nëpër ekrane, është kthyer në një inkurajim të madh për librin.
Shembuj të parashikimit të gabuar ka me shumicë, veçanërisht kur flasim për botës së biznesit. Parashikimet e gabuara lidhen me sjelljet e njerëzve. Albert Ajnshtajni citonte: ‘Universi nuk është vetëm më i çuditshëm nga sa ne mendojmë, por edhe më i çuditshëm nga sa mund të mendojmë ne’. Edhe sjellja njerëzore i ngjan universit, madje shumë më tepër nga sa ne mund të mendojmë.
Teoritë, idetë dhe parashikimet mbartin një marzh të lartë gabimi. Parashikimet e gabuara, na bindin përfundimisht se, biznesi mund të funksionojë më mirë duke zbatuar ‘një planifikim dinamik’ sesa ‘një plan të ngurtë’ të tij. Çdo gjë ekzekutohet nga njerëzit, kështu, çdo gjë mbart një shkallë të lartë gabimi.
Konsulencemarketing ekzekuton në dinamikë porosi të kompanive shqiptare. Skuadra diskuton dhe shkruan gjithmonë rreth planit të punës ‘për ekzekutimin e saktë të porosisë së marrë’. Ne vendosim mbi taktikat dhe buxhetin e projektit, por tashmë jemi mësuar me një realitet ndryshe. Çdo fundjavë, skuadra ulet dhe ridiskuton ecurinë e planit të punës. Ne, jemi të detyruar të rishohim ecurinë e punës, vendimet e marra etj, për vetëm një qëllim: Rezultatet konkrete. Në fakt, rezultatet vijnë vetëm pas një analizë të hollë të sjelljes së njerëzve dhe botës së tyre plot enigma. Ne diskutojmë, shkruajmë dhe analizojmë, çfarë do mund të arrijmë, eksperimentojmë gjatë rrugës sonë dhe ndryshojmë! Është rruga më e sigurtë drejt suksesit! Parashikimet e gabuara i ndjekin bizneset hap pas hapi.


Shumë biznese dëshirojnë me ngut të bëhen të mëdhenj dhe shpejt kuptojnë se fitimet janë të vogla. Biznese të tjera vendosen në ‘një qoshkë të rehatshme’, por sërish kuptojnë se gjenden tek vendi i gabuar. Ekzistojnë të tjera syresh, të cilat çmenden ‘për jetësimin e produktit ose shërbimit cilësor’ dhe më vonë zhgënjehen nga qëndrimi i tregut ndaj tyre. Pyetja është: A i duhet organizatës një plan biznesi dhe marketingu? Planet natyrisht duhet të jenë, veçse, aplikimi i tyre duhet me patjetër të realizohet nën ombrellën e planifikimit. Njerëzit janë ata, që e kthejnë planin në planifikim, në fakt, vetëm njerëzit me eksperiencë dhe vetëm ata kryengritës. Planifikimit strategjik është bërë forma më e pranuar për të ecur përpara dhe për të shmangur parashikimet e gabuara. Shumë analistë të tregut mendojnë se përdorimi i aftësive të stafit drejt ekzekutimit të planifikimit strategjik është rruga më e mirë drejt rezultatit. Ju keni parashikuar të shpenzoni 2X para tek marrëdhëniet publike dhe X para tek reklama në radio-televizionin lokal. Ndërkohë, konsumatorët tregojnë se info-ja e tyre është marrë më së shumti nga radiotelevizioni lokal sesa nga takimet publike, ceremonitë e ndryshme dhe takimet e OJQ-ve. Atëherë? Ju keni gabuar në shpërndarjen e buxhetit marketing, kështu që ju duhet ta ndryshoni atë.
Industria e kompjuterave është tepër dinamike. Të gjithë e dimë se programet në kompjuter vjetërohen aq shpejt, madje ndonjëherë ‘akoma pa lindur’. Produktet Apple janë të parat në lojë, por edhe ato vjetërohen mjaft shpejt. Idetë e Apple lindin shumë shpejt, ndryshojnë botën dhe i lënë vendin njëra-tjetrës. Të gjithë jemi të destinuar të ndryshojmë, bashkë me ne edhe idetë/projektet tona.
Në Shqipërinë e viteve nëntëdhjetë, disa biznese të shpërndarjes së naftës u instaluan afër rrugëve nacionale. Investitorët u shfaqën me vrull në parashikimin e tyre, për rezultate të larta dhe kjo për faktin e urisë së madhe në karburant. E gjitha kjo rezultoi një dështim, sepse asnjëherë nuk u parashikua ‘zgjerimi i akseve kombëtare’ në koherencë me rritjen e shpejtë të trafikut dhe për pasojë humbjet ishin evidente.
Durimi është një virtyt! Kjo mund të jetë me vlerë në marrëdhëniet shoqërore, por jo në biznes. Durimi, plogështia dhe situata e nderë janë armiqtë e biznesit. Nëse shitësi pikas dyqanin e tij jashtë shijeve të klientelës, atëherë duhet të rifillojë një modelim i ri i ambjentit në fjalë. Kur shitësi, konstaton probleme me shitjen dhe kënaqësinë konsumatore, atëherë është mirë të fillojë ‘lavazhin e trurit’ të tij. Plogështia dhe durimi në ‘pritjen e rezultatit’ duhen eleminuar.


Në lumin e ideve, ekziston shpeshherë ndarja: Ide parësore dhe ide dytësore! Ky është një tjetër gabim në biznes. Të gjithëve na ka ndodhur, të përballemi me dështimin e praktikimit të ‘ideve të mëdha’, sikurse kemi korrur rezultate nga ide ndoshta periferike dhe të harruara në sirtar. Në biznes nuk ka ide parësore dhe dytësore, por vetëm ide që prodhojnë rezultate.
Të dhënat shkencore dhe statistikore janë të sakta! Kjo është një tjetër gabim në biznes. Ky pohim mund të jetë pjesërisht i vërtetë, veçse nuk i duhet besuar symbyllazi. Kërkimet shkencore tregojnë shumë, por kjo është relative. Coca-Cola publikoi kërkimin e saj mbi qëndrimin e klientelës për Coca-Cola e Re. Gjithçka dukej serioze dhe kompania deklaronte: Tetëdhjetë e tre, pikë tre përqind e konsumatorëve parapëlqenin Coca-Cola e Re dhe shijen e saj. Por, deklarata rezultoi një ‘flluskë sapuni’ dhe kompania u turpërua para publikut.
Ne do punojmë dhe do të shesim, pasi klientët na mbajnë mend! Një tjetër ide e gabuar. Kompania gjithmonë duhet të luftojë për produkte/shërbime ndryshe, dhe të mos humbi lidhjet e saj me konsumatorët. Shumë kompani falimentojnë edhe pse aplikojnë një marketing agresiv ose shpenzojnë pafund për njohjen e produkteve të tyre. Shumë biznese të panjohura po rriten vrullshëm. Atëherë? Nuk mund të jeni në krye, sepse klientët ju mbajnë mend. Është një gabim.
Kemi përvojë dhe kjo është një avantazh për ne! Një është një tjetër gabim në marketing dhe biznes. Përvoja mund të ketë një rol ndihmës tek marketingu dhe shitjet, plani dhe planifikimi në biznes, por ajo kurrsesi nuk mund të përcaktojë suksesin. Përvoja në botën e biznesit ‘merr vetëm dhjetë për qind rëndësi’. Fakti se, shumë biznese të vjetra mbyllin dyert e tyre, tregon rolin minor të përvojës.
Kemi vetësiguri të plotë! Është një tjetër gabim në biznes dhe botën e suksesit. Vënia në dyshim e vetësigurisë mbetet një ndihmë e madhe në lëvizjen drejt suksesit. Edhe nëse jeni të sigurtë për diçka, ju patjetër duhet të filloni e ta vini në diskutim atë. Si mund të promovoni një tekst marketingu përpara një auditori universitar, ndërsa shkoni pa shkruar diçka paraprakisht, pa patur me vete të paktën njëzet-tridhjetë tekste, pa imazhe në videoprojektor, pa një kamera regjistruese të aktivitetit, pa një staf mbështetës. Jo, thjesht nuk mund të shkoni. Vetësiguria është një gabim, prandaj, duhen hapur sytë, rakorduar detajet dhe shmangur çdo situatë negative.


Përsosmëria është gjithçka! Është një tjetër ide e gabuar. Arritja tek ‘e përsosura’ kërkon kohën e saj, por kjo mund të sjellë mjaft ndërlikime. Ju mund të vraponi drejt të përsosurës, veçse kjo lidhet me: Sa kohë ju duhet ‘për të prekur të përsosurën’? A u intereson klientëve një gjë e tillë? Sa gjatë do mund t’i rezistojë kohës një produkt/shërbim i përsosur? A ia vlen shpenzimi drejt të përsosurës? Ç’mund të ndodhi me konkurrencën dhe markat fallco? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mbartin pasiguri, prandaj është mirë: Të mos vraponi pas të përsosurës!
Ekspertët janë zgjidhja! Një tjetër ide e gabuar. Ekspertët kanë ndihmuar kompanitë në gjetjen e rrugës së tyre të suksesit dhe shpeshherë kanë falimentuar biznese pa fund. Ata mund të kenë një përvojë të madhe, por çdo gjë duhet marrë me rezerva. Çdo situatë: Mbart specifikat e saj; Është një eksperiencë më vete; Ka arsye unike pse është duke u zhvilluar. Ja pse, i zoti i shtëpisë e di ku i pikon çatia. Kështu: Dëgjo me kujdes ekspertin dhe këshillat e tij; Analizo rekomandimet e tij në përshtatje me kushtet e tua të biznesit; Mos u mbështet plotësisht në këto këshilla.
Eprori ka gjithmonë të drejtë! Një tjetër ide e gabuar në biznes. Ekzistojnë mjaft shembuj, sesi eprorët krijojnë situata ngërçi, stanjacioni dhe falimenti. Thuaj gjithnjë mendimin tënd! Thuaj gjithçka rreth aplikimit të gabuar të strategjisë dhe taktikave! Shpjego mosdakortësinë tënde, vetëm nëse kjo, i shërben përparimit të biznesit! Mos iu nënshtro konceptit: Idetë e bosit janë të sakta dhe si të tilla nuk duhen diskutuar!
Le t’ia lëmë në dorë fatit! Është një tjetër ide e gabuar. Mendoni një organizatë, e cila është në pritje të klientëve të saj dhe kjo, duke anashkaluar marketingun. Ç’mund të thoni? Mendoni një bar-kafe, që pret dhe përcjell klientë të qetë dhe të pa zhurmë. Klientela ka vetëm një kërkesë: Në vend të kafesë së përditshme, duan t’ju shërbehet me Illy dhe janë të gatshëm të paguajnë për këtë ndryshim. Ndërkohë, biznesi në fjalë ngurron dhe nënvletëson, a thua që kërkesa e klientelës do të zgjidhet prej dorës së ngrohtë të fatit? ‘Le t’ia lëmë në dorë fatit’, do të ishte një vetëvrasje në biznes!